Andis Gjoni me një “Histori të thyer”

0
602
Andis Gjoni, NY

Marjana Bulku

Skenograf i premierës botërore në “Gene Frankel Theater” në Nju Jork

Marjana Bulku
Marjana Bulku

Cila është e vërteta? Ndodh që brenda saj ka më shumë se një të vërtetë të cilat shfaqen dhe fshihen nëpër dhjetra pasqyrime arsyetimesh që copëzohen e shëmbëllehen herë me të vërtetat e herë me të kundërtat e tyre duke krijuar drama të shumëfishta.

Ky është thelbi narrativ i “ Broken Story” ( Histori e thyer ) me regji dhe dramaturgji nga Cindy A.Marion dhe me skenografi të Andis Gjonit.

Një lojë e shpejtë e cila lëviz mbi një intrigë ku zhdërvjelltësia aktoreske rrëfen përmes retrospektivash misteret e një krimi mafioz ndërsa personazhi kyç (Jess), një gazetare këmbëngulëse e ndjek këtë histori kronologjikisht derisa në fund zbulon historinë e jetës së saj të errësuar nga misteri deri atëherë.

I gjithë akti artistik i atyre 80 minutave ku trilli përpin vëmëndjen e publikut gërshetuar me mjeshtërinë interpretative nuk do ta kishte atë shkëlqim pa skenografinë e Andis Gjonit dhe ndriçimin e Brian Aldous. Një përputhje pothuaj matematike me skenarin, përmasat e sallës e cila i dha shfaqjes dimensionin e një perfomance të suksesshme. Koncepti skenografik është bazuar në imazhin e një xhami të thyer me copa të mprehta të shpërndara në të gjitha anët e skenës si nga një goditje fatale, që krijojnë një ndjenjë pasigurie dhe të panjohure po ashtu edhe mprehtësie që të bezdis, të bën kureshtar, një lloj pikture abstrakte që me kalimin e minutave shtjellohet para publikut. Janë copëza të shpërndara të cilat do mblidhen bashkë nga personazhi i vajzës së re Jess (interpretuar nga Xhesi Ruane) e cila duke i bërë bashkë keto copëza do kuptojë dhe historinë e vetë jetës së saj.

Panelet e krijuara në formë trekëndëshash me kënde ekstravagante sipas skenografit – “kishin vështirësi teknike në realizim sepse duhej të ishin jo vetëm të realizuar me cilësi por edhe të ishin transparent në mënyrë që të përçonin imazhin e figurës së shkrimtares Jane Hartman e cila në disa momente shfaqej si hije pas tyre”. Tejpashmëria i jepte një lloj ftohtësie të qelqtë gjithë ambientit. Në qendër ishte vendosur një derë e kuqe, një kujtesë që pikërisht në atë ambient është derdhur gjak, është dera e krimit prej nga ka hyrë vrasësi por edhe dëshmitarët dhe ajo portë hyrëse është e varur në hapësirën skenike duke i dhënë një tjetër dimension dramës që zhvillohet aty.

Çdo lloj kombinimi i ngjyrave është menduar gjatë dhe simbolizon diçka. Edhe stolat rrethorë të kuq pranë tavolinës simbolizojnë njollat e gjakut ende të patharë. Panelet gri simbolizojnë jetën e pashpresë të personazhit të shkrimtares Xhein (Jane) dhe situatën ku ajo gjendet pa rrugëdalje. Një atmosferë gri e shoqëron herë pas here pjesën duke i futur në mendime shikuesit dhe duke theksuar dramaticitetin e kësaj drame psikologjike.

Rëndesa emocionale që shtjellohej përmes intrigës së fortë që mbante gjallë dramën e një historie që thyhet, mbetet e pathënë, ndërpritet nga shumë faktorë e në fund tronditet nga një krismë në errësirë që duket se zbardh të vërtetën e cila gjithmonë befason.

Elementi që e pasqyron më së miri këtë trill i cili lëviz nëpër ndërgjegjet e trazuara të protagonistëve janë copëzat e paneleve në formë xhamash të thyer. Në pamje të parë duken dekorativë por kur drama ecën nëpër etapat e saj jo kronologjike, panelet në forma trekëndëshash nën efektin fantastik të ndriçimit, ndryshonin ngjyrë, bëheshin transparentë, përtej tyre shiheshin imazhet e aktorëve. Dukej sikur ato copëza xhamash bëheshin ekran i asaj të vërtete me shumë të vërteta brënda , madje ato shndërroheshin në ekrane në momentin kur historia thyhej, kur misteri i vrasjes zbulonte një mister akoma më të thellë që lidhej me mëmësinë e personazhit kryesor.

Efekti i thyerjes lidhte kështu natyrshëm të gjithë elementët e shfaqjes (subjekt, konflikt, lojë, mister, dritë) në një mënyrë sa harmonike e të balancuar po aq edhe abstrakte dhe moderne. Format e çrregullta, të ftohta , të akullta, të ndriçuara, në terr , kanë rastin të lexohen e ndjehen po aq sa dëgjohet dialogu në skenë.

Andis Gjoni vjen me një përvojë të vërtetë arti dhe një background artistik me gene të thella familjare dhe me një karrierë të gjatë skenike gjithashtu, por çdo dalje e re për të do të thotë një krijim dhe një sfidë e re. I vlerësuar nga kritika e teatrit amerikan me nota shumë pozitive, ai nuk zhgënjeu edhe këtë herë. “Një skenografi shumë e bukur, e një kalibri të lartë” – u shpreh aktorja Amy Fulgham që interpetonte një nga personazhet e dramës.

“Historia e thyer” nga Cindy Marion me skenografinë e artistit shqiptar startoi mbrëmë në  mjediset e një teatri të vogël por historik në 24 Bond Street në Manhattan. E ndersa mund të flasësh gjerë e gjatë mbi ngjarjen e cila sipas skenarit është nxitur nga një histori e vërtetë, asgjë nuk flet më bukur sesa shtrëngimet e duarve dhe falenderimet që producentët dhe kolegët ia dhuruan njëri – tjetrit pas historisë së thyer që bashkoi artistë dhe spektatorë nën magjinë që vetëm teatri mundet të dhurojë, pa mure që ndajnë por me mesazhe që i ndërlidhin.


Çfarë kanë thënë për ANDIS GJONIN

“Performancë e fuqishme nga të gjithë aktorët dhe një skenografi perfekte nga Andis Gjoni. Ky produksion do mbetet për brezat që do vijnë dhe veçanërisht për dashamirësit e dramaturgut Sam Shepard”
Juliana Adame, kritike teatri “Bota e Brodueit”

Në shfaqjen “Sy për Konsuelën” e gjejmë veten të rrethuar nga një xhungël e realizuar me shumë zgjurasi  nga skenografi Andis Gjoni, efekti është i menjëhershëm dhe pasqyron një barrakë në pyll me binarë që zgjaten në kënde agresive në një sfond të tejdukshëm të pikturuar në mënyrë abstrakte”.
Korbin Uent, kritik teatri

Skenat e krijuara nga artisti shqiptar Andis Gjoni janë një gjetje origjinale dhe shumë e bukur, ai karakterizohet nga një kreativitet i rrallë dhe rezultati në skenë është vërtetë magjik. (“Xhaxha Vanja” 2006)
Ketrina Kent, producente amerikane

Opera “Porgi dhe Bes” me skena dhe regji të Andis Gjonit është një nga produksionet më të mira të krijuara në TKOB. (“Porgi & Bess” 2009)
Zhani Ciko, artist-muzikolog

Të punosh me Andis Gjonin është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Asnjëherë më parë nuk kam parë nga një skenograf një entuziazëm, energji dhe përkushtim të tillë. Me një kujdes edhe për detajet më të vogla ai kurrë nuk bën kompromise që do ishin në dëm të integritetit artistik. Kam mësuar shumë nga puna me të, idetë e tij skenografike ndihmuan shumë në formimin e konceptit dhe vënies në skenë të kësaj shfaqjeje. (“Mina” 2008)
Cyndy Marion, regjisore amerikane

“Jam krenare për këtë bashkëpunim me Andis Gjonin dhe artistët e tjerë shqiptarë në suksesin e një shfaqjeje të denjë për skenat e Brodueit”.
Nancy Rhodes – regjisore amerikane (gazeta Shqip – 13 Nëntor 2007)

 “E gjithë skenografia e artistit Andis Gjoni ishte në funksion të lojës aktoriale dhe jo vetëm i ndihmonte por edhe evidentonte në maksimum mizanskenat dhe momentet e kësaj drame filozofike. Gjithçka ishte punuar me një profesionalizëm të thellë deri edhe detajet më të vogla skenike.” (“Mina” 2007)
Astrit Tota – skenograf (Gazeta Panorama 15 Nentor 2007)

Andis Gjoni është një gjeni, ai ka krijuar një skenë të mrekullueshme për dramën “Sy për Konsuelën”. (“Sy për Konsuelën” 2015)
Xho Xhianono kompozitor amerikan

“Andis Gjoni i kalon të gjithë kufijtë e detyrës dhe me krijimet e tij arrin të japë maksimumin e mundshëm. Ai ka aftësi të gjejë gjithmonë zgjidhje shumë interesante. Me një punë këmbëngulëse dhe me vëmendje ndaj detajeve edhe më të vogla ai arrin t’i japë formë gjithë konceptit të shfaqjes.”
Sindi Merion – regjisore

 “Kam patur privilegjin të punoj me Andis Gjonin që është një skenograf dhe kostumograf shumë i talentuar por mbi të gjitha ai është një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm. Ai jo vetëm është një dëgjues i kujdesshëm por me entuziazmin e tij për të krijuar i jep tonin punës si në rastin e bashkëpunimit të fundit ku ne sollëm një copëz të Brodueit në Tiranë. Eshtë gjithmonë kënaqësi të punosh me të për krijimin e shfaqjeve të bukura.”
(Puthmë Keit – 2007)
Nenci Rhods – regjisore

“Skenat e krijuara nga Andis Gjoni i dhanë frymë shfaqjes, ato ishin rezultat i eksperiencës së artistit në shfrytëzimin me efikasitet të hapësirës skenike.”
(PB&J – 2007)
Sindi Merion – regjisore

“Kujdesi për detajet në skenografi duket që ka qenë i madh. Struktura, objektet skenike, dritat dhe përdorimi i hapësirës, të gjitha bashkë japin atmosferën e menduar të një tuneli të braktisur të metrosë.” (Libri i Lambertit – 2009)
Embër Sillverman – kritike teatri

“Skenografia është shumë evokative dhe të fut në atë botë të çuditshme që në çastin kur hyn në teatër.” (Libri i Lambertit – 2009).
Peiton Uais – kritik teatri

Dërgoi për publikim, Frank Shkreli, gazetar