MË DUAJ SIÇ JE!

0
1121
Nikolin Lëmezhi me prindër

(Mons. Lebrun)

E njoh mjerimin tënd, luftërat dhe trazirat e shpirtit tënd, mangësitë dhe sëmundjet e trupit tënd; – i di poshtërsitë e tua, mëkatet e tua e, megjithëkëtë, të them: – Ma jep zemrën tënde, më duaj siç je!

Nëse pret të jesh një engjëll për t’u hedhur në dashuri, nuk do të duash kurrë. Edhe nëse je i poshtër në praktikimin e detyrës e të virtytit, nëse bie përsëri në ato faje, që do të doje të mos i bëje më, nuk të lejoj të mos më duash. Më duaj siç je!

Në çdo çast e në çfarëdo situate, në të cilën je, në gëzim shpirtëror apo në thatësirë, në besnikëri apo në pabesnikëri, më duaj! Siç je! Dua dashurinë e zemrës sate të shkretë; nëse pret që të jesh i përsosur, nuk do të më duash kurrë.

Mos vallë nuk mund ta bëj çdo kokrrizë rëre një serafin të shkëlqyer pastërtie, fisnikërie dhe dashurie? A nuk jam Unë i Gjithëpushtetshmi? E, nëse më pëlqen t’i lë në asgjë ato qenie të mrekullueshme e të parapëlqej dashurinë e varfër të zemrës sate, a nuk jam Unë zotëria i dashurisë sime?

Biri im! Më lër të të dua! Dua zemrën tënde! Sigurisht, dua që me kalimin e kohës të të shndërroj, por për tani të dua siç je… e dëshiroj që edhe ti të veprosh kështu; unë dua të shoh, nga cekëtinat e mjerimit, tek lartësohet dashuria. Dua në ty edhe dobësinë tënde, dua dashurinë e të varfërve; dua që prej leckave të lartësohet vazhdimisht një klithje e madhe: O Jezus, të dua! Dua vetëm këngën e zemrës sate, nuk kam nevojë as për shkencën tënde, as për talentin tënd. Vetëm një gjë më intereson: të të shoh të punosh me dashuri!

Nuk dëshiroj virtytet e tua; po të t’i jepja, je kaq i dobët, saqë do të ushqenin mendjemadhësinë tënde; mos u shqetëso për këtë! Do të kisha ditur të të caktoj për punë të mëdha; por jo, do të jesh shërbëtori i kotë; do të ta marr edhe atë pak që ke… sepse të kam krijuar vetëm për dashuri.

Sot qëndroj në derën e zemrës sate si një lypës, Unë Mbreti i mbretërve! Trokas dhe pres; nxito të ma hapësh! Mos e zgjero mjerimin tënd! Po ta njihje ti mjerimin tënd, do të vdisje nga dhimbja. Ajo që do të ma plagoste më shumë zemrën do të ishte të të shihja me dyshim e me mungesë besimi.

Dua që ti të më mendosh në çdo orë të ditës e të natës; dua që ti të bësh edhe veprimin më të pakuptim vetëm për dashuri. Besoj tek ti se do të më japësh gëzim…

Mos u shqetëso që nuk zotëron virtyte! Do të të jap virtytet e mia. Kur të kesh vuajtje, do të të jap forcë: Më ke dhënë dashurinë e do të bëj që ti të kesh dashuri përtej ëndrrave të tua… Por, kujtohu… më duaj siç je!…

Të kam dhënë Nënën time: bëj që të kalojë gjithçka, gjithçka, nëpërmjet Zemrës së saj kaq të pastër!

Çfarëdo që të ndodhë, mos prit të jesh i shenjtë që t’i vihesh udhës së dashurisë sepse kështu nuk do të kishe për të më dashur kurrë… Shko!

Përgatiti në shqip:
Nikolin Sh. Lëmezhi


Përshpirtëria (devocioni) e Tri Të Falemi Mari˗ve
“Çelësi i Parajsës”

Përshpirtëria e “Tri Të Falemi Mari˗ve” është mjet i fuqishëm për të fituar shëlbimin e amshuar, si edhe çdo hir tjetër. E ka porositur vetë Zoja e Bekuar kur i është shfaqur shenjtes Matilda nga Hackeborni, rregulltares benediktine († 1298). Shenjtja Matilda ka kërkuar prej Zojës së Bekuar ndihmën në çastin e vdekjes, për ta shëlbuar shpirtin. Zoja e Bekuar ia dëgjoi lutjen dhe i tha: “Po, gjithsesi do të bëj atë që kërkon prej meje, bija ime, por kërkoj prej teje që çdo ditë të m’i thuash tri “Të falemi Mari”.

E para “Të falemi Mari” le të jetë në nder e lavdi të Hyjit Atë, i cili në madhërinë e vet me aq shumë nderim e ka lartësuar shpirtin tim, kështu që unë, pas Tij, jam e gjithëpushtetshme në qiell e në tokë.

E dyta “Të falemi Mari” le të jetë në nder e lavdi të Birit të Hyjit, i cili në madhërinë e urtisë së vet të pakuptueshme më ka pajisur dhe mbushur me aq shumë dije dhe urti, që të mund të kënaqem duke e kundruar të Shenjtërueshmen Trini më shumë se të gjithë shenjtërit, dhe i cili më ka mbështjellë me aq shumë dritë, saqë sikur dielli unë e shndris krejt qiellin.

E treta “Të falemi Mari” le të jetë në nder e lavdi të Shpirtit Shenjt, i cili më ka mbushur me plotësinë e dashurisë së vet dhe më ka bërë aq të mirë dhe të butë saqë unë, pas Hyjit, jam më e përvuajtur dhe më e butë se askush tjetër.

Zoja e Bekuar, Virgjëra Mari, i premtoi shenjtes Matilda ˗ dhe të tjerëve që do ta praktikojnë këtë përshpirtëri:
Në çastin e vdekjes unë do të jem pranë teje, do të të ngushëlloj dhe do të largoj prej teje çdo fuqi djallëzore. Do ta jap dritën e fesë dhe të kuptimit, kështu që feja jote most ë jetë e sprovuar me mosdije, apo me gabime. Do të të ndihmoj në çastin e kalimit tënd, duke ndikuar në Shpirtin tënd butësinë e dashurisë së Hyjit, kështu që ajo të mbizotërojë në ty dhe që çdo vuajtje dhe hidhërim, me anë të dashurisë, të shndërrohen në kënaqësi më të madhe.

Këtë përshpirtëri e ka miratuar Kisha. E kanë praktikuar dhe përhapur shenjtërit e mëdhenj. Me anë të saj janë bërë shumë mrekulli besimi, kthimi, zbulimi dhe përhapjeje të thirrjeve shpirtërore, shpëtimi shpirtrash edhe në rastet më të pashpresë.

Është përshpirtëri shumë e lehtë, shumë e shkurtër, shumë e suksesshme. Nuk i përjashton as nuk i zëvendëson të tjerat. Është e përshtatshme edhe si pendesë pas rrëfimit, e sidomos si përshpirtëri e përditshme personale.

Përqendrohet në nderimin e Trinisë Shenjte dhe të Zojës së Bekuar dhe në këtë pikëpamje dallohet dukshëm nga përshpirtëritë tjera, si për shembull, nga Rruzarja, e cila në qendër të vëmendjes ka misteret e jetës së Jezu Krishtit.

Kjo përshpirtëri iu porositet të gjithëve: edhe njerëzve të shenjtë, edhe atyre që janë shumë larg nga feja, sidomos nga shenjtëria. Të gjithëve u ndihmon dhe në të gjithë bën vepra të mrekullueshme. Bëftë Zoti që edhe në jetën tënde të jape shumë fryt kjo lutje!

Mënyra e Lutjes

Lute me përshpirtshmëri çdo ditë kështu, në mëngjes e në mbrëmje! Më së pari bëj shenjën e Kryqit! Pastaj thuaj në nder të Trinisë Shenjte tri “Të falemi Mari”, sipas dëshirës së Zojës së Bekuar, duke thënë më së pari nijetin:

1. O Mari, Nëna e Jezusit dhe Nëna ime!
Më mbro nga kurthet e të keqit në këtë jetë
e në mënyrë të veçantë në çastin e vdekjes,
për Fuqinë që Ati i Amshuar të ka dhënë!
Të Falemi Mari…!

2. O Mari, Nëna e Jezusit dhe Nëna ime!
Më mbro nga kurthet e të keqit në këtë jetë
e në mënyrë të veçantë në çastin e vdekjes,
për Urtinë që Biri Hyjnor të ka dhënë!
Të Falemi Mari…!

3. O Mari, Nëna e Jezusit dhe Nëna ime!
Më mbro nga kurthet e të keqit në këtë jetë
e në mënyrë të veçantë në çastin e vdekjes,
për Dashurinë që Shpirti Shenjt të ka dhënë!
Të Falemi Mari…!

Mirë është që në fund të shtohet edhe kjo lutje:
O Mari, Nëna ime, më ruaj sot prej çdo mëkati!

Ose lutja e shën Alfonsit:
Nëpërmjet Ngjizjes sate të pastër dhe të Papërlyer,
ma pastro, o Mari, zemrën dhe ma shpëto shpirtin!

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi

Përhapeni këtë devocion,
sepse “kush shpëton një shpirt,
ka siguruar shpëtimin e vet
”! (Shën Agustini).