Zymer Mehani
Temë bosht e interesit romanor në romanin “Dora e pajtimit” të autorit Shefki Përvetica është konflikti për tokën, gjakmarrja e hakmarrja si shkaqe të mundshme, por edhe falja e pajtimi si akte burrërie. Autori insiston në fisnikërinë e ndërmarrjes për pajtim të gjaqeve në fshatra e qytete të Kosovës, por edhe më gjerë duke vënë në pah madhështinë e vetëmohimit individual, por edhe shoqëror për të mirën e përgjithshme, duke i lartësuar kësofare organizimet e rinisë dhe të njerëzve vullnetmirë për falje, pajtim e miqësi deri në nivel të vlerave njerëzore që meritojnë të shkruhen me shkronja të arta dhe të mbahen mend brez pas brezi, ngase prore ngjallin krenari për ne dhe brezat e ardhshëm.
Gjakmarrja dhe hakmarrja, këto dukuri të dëmshme për shoqërinë si tema janë trajtuar kaherë në letërsinë shqipe. Që në vitin 1958, Adem Demaçi, shkrimtar dhe figurë e ndritur e kombit tonë, në romanin “Gjarpijt e gjakut”, kur ishte vetëm 22 vjeç, gjakmarrjen e trajton si temë të veprës së vet, duke e parë si plagë tepër të rëndë në shtatin e kombit. Po ashtu edhe Ramiz Kelmendi do ta trqjtojë temën e hakmarrjes në romanin “Heshtja e armëve”. Pastaj për temën e gjakmarrjes do të shkruajë edhe romansieri i njohur Nazmi Rrahmani (romanet “Malësorja”, “Toka e përgjakur”), për të vazhduar më pas shkrimtari Ismail Kadare me romanin e tij të njohur “Prilli i thyer”.
Për autorin Shefki Përvetica Aksioni për Pajtim të Gjaqeve është një gurrë frymëzimi, sepse ishte një veprimtari e gjerë, në rend të parë humane e pastaj edhe shoqërore e kombëtare. Për karvanin e pajtimtarëve të gjaqeve që i printe prof. Anton Çetta (Plaku Flokëbardhë) mburrje prore do të ishte falja, pajtimi, shtrirja e dorës, ndërsa qyqarllëk do të mbeteshin gjithnjë hakmarrja e gjakmarrja.
Edhe në romanin “Dora e pajtimit” në vrull të aksionit për pajtim do të hidheshin edhe djem e vajza të familjeve që ishin në ngatërresë (Shpendi e Shpresona), që zakonin e hakmarrjes e të gjakmarrjes e shikojnë me përbuzje dhe assesi s’duan që t’i ndahen rinisë përparimtare, as urtisë e besës së burrave dhe as këshillave të mësuesve dhe profesorëve mendjendritur.
Si prozator, Shefki Përvetica ka shkruar me optimizëm mbi frutet e vullnetit të mirë kudo ku ndihet frymëmarrja e jetës, mbi përparimtaren, mbi forcën e edukimit të drejtë dhe të shëndoshë të brezit të ri, mbi efektin e shembullit të mirë. Nga ky këndvështrim ai ka krijuar protagonistë dhe heronj të njëmendtë (Ademi, Aliu), të cilët mbi të gjitha, janë të arsyeshëm dhe të matur në hapat vendimtarë, të disiplinuar e të formuar, punëtorë e humanë. Këta janë boshti i mendimeve dhe veprimeve, gjithnjë në qendër të vëmendjes dhe interesimit të autorit, ngase janë edhe bartës të porosive të tij dhe forcë motorike e vullnetit me frymë optimiste përgjithësisht.
Ademi, i biri i Zekës, pas vrasjes të babait fillimisht nuk kursehej prej fjalëve, që siç thotë autori, s’u vinte aspak era e mirë, ngase bënin thirrje për hakmarrje, por, fatmirësisht të një mendjeje me të nuk ishte e gjithë familja e tij. Ky fakt e kishte frenuar deridiku Ademin, ngase atij nuk i kishin dhënë përkrahje as vëllezërit dhe as i biri, Shpendi. Shpesh ai për sjellje të atilla të egra kishte mbetur si peshku pa ujë.
Ademi ishte i rreptë e gjaknxehtë dhe me të nuk mund të bisedoje dosido.
Andrallat e jetës, e më shumë barra e ngatërresës me familjen e Ademit peshonin tepër rëndë mbi shpatullat e Aliut (të birit të Danit, vrasësit të Zekës). Ishte fat i mirë për të që ishte i martuar me një grua fisnike e punëtore (Mala), edhe pse ngatërresën me Zekajt e mban si gur të lidhur rreth qafe.
Mala, e shoqja e Aliut, sipas shkrimtarit, edhe përkundër vështirësive të jetës, e bënte të pamundurën. Çka ishte në dorën e saj, s’e linte pa e kryer. Ajo gjithmonë i jepte shpresë dhe kurajo të shoqit. Edhe atëherë kur e kishte gjendjen të rënduar, prapëseprapë ajo nuk jepej. Aliu nganjëherë befasohej me të se nga ku po e gjente gjithë atë vullnet për jetë. Edhe përkundër gjithë atyre sfidave, ajo nuk dorëzohej dhe kurrë s’kishte të ndalur si në punët e shtëpisë, ashtu edhe në ato të fushës. I shoqi, Aliu jo rrallëherë do të thoshte haptas se të shoqen e kishte mbështetëse, sepse në të kundërtën, qysh moti do t’ishte dorëzuar për këtë jetë. “Vetëm kjo fisnikja ime po më mban sikur lisin rrënjët” do të shprehet Aliu për të shoqen, Malën.
Meti dhe Shpresona, vëlla e motër (fëmijë të Aliut e të Malës) dhanë maksimumin për ta ndryshuar gjendjen kur familja e tyre po lëngonte nga ngatërresa. Ata të edukuar në frymën e humanizmit, e kuptuan sa e rëndë është mbyllja e familjeve si shkak i ngatërresave. Bindja e tyre ishte se më shumë vlerë ka falja, shtrirja e dorës së pajtimit sesa ta ngrehësh gishtin e krimit. Ata e donin një jetë krejt normale, pa grindje e urrejtje; e donin familjen e tyre, të ardhmen e tyre dhe paqen për të gjithë.
Shpendi dhe Tringa (motër e vëlla, fëmijë të Ademit) sa i përket çështjes së hakmarrjes ishin të një mendjeje. Ata shikonin drejt të ardhmes e jo nga e kaluara. Kur dëgjonin se iks familja u pajtua, sa shumë gëzoheshin. Atyre u shtohej shpresa se ndoshta edhe familja e tyre do të vepronte njësoj, sikur shumë të tjera, që ta mbyllnin njëherë e përgjithmonë plagën e gjakmarrjes.
Tringa dhe Shpresona ishin bashkëmoshatare dhe shoqe të shkollës. Ato madje ishin edhe në një klasë dhe uleshin së bashku në një bankë. As njëra, as tjetra kurrë nuk kundërshtuan që të uleshin njëra afër tjetrës, edhe pse e dinin fare mirë se prej nga vinin dhe cilave familje u takonin. Ato, tok me të rinjtë e Lugajës s’u ndaheshin bashkëmoshatarëve në Aksionin për Pajtim.
Personazhe të dhimbshëm janë edhe Smajli me të shoqen, Nelën, pasi që humbin djalin e vetëm, Hamdiun, në një aksident rrugor, në të kthyer nga kurbeti, e për pasojë vije deri te ndarja e Shegës nga familja dhe dy fëmijët e saj Luli dhe Yllka dyvjeçe.
Në roman hasim edhe në personazhe negativë, por këta janë më tepër simbolikë, përjashtuar Musë Kerën, që është një figurë e dobët që inkurajon paragjykimet dhe injorancën, veset dhe egoizmin, portretin e të cilit autori e ka ravijëzuar me një shëmti, kundër të cilës do të luftojë fuqia progresive e shoqërisë, rinia përparimtare studentore deri në ngadhnjim.
Musë Kera është mburravec, shpifarak dhe dorë e zgjatur e pushtetit të dhunshëm, nxitës e përçarës. Siç thotë shkrimtari, ai qesh, kur të tjerët qajnë; gëzohet, kur të tjerët janë të shqetësuar. “Koha për të është e ndalur” do të thotë autori. Ai nuk çan kokën për asgjë. Punë e madhe pse vritet vëllai me vëlla. Të gjithë e njohin këtë figurë të egër. Në biseda është llafazan i vrazhdë, inatçor e hileçar. E kaluara e tij është plot njolla, hipokrit e bashkëpunëtor i armikut, i paturp, kryeneç, tradhtar i ndytë, matrapaz e cinik i paparë.
Musë Kera vërente gjithçka. Asgjë s’i shkonte për mosdije. Shëmbëllente me një mashë hekuri që trazon zjarrin pa e lënë të fiket për asnjë çast. Ai vizitat tek Ademi i kishte të shpeshta, që më tepër i bënte për të marrë informacione si qëndrojnë punët sesa ishte i interesuar për të bërë diçka në rrugë të mbarë. Atij asgjë s’i ikte pa e nuhatë. Nuk e kishte të vështirë për t’u takuar edhe me familjen e Aliut.
Musë Kera ishte edhe thashethëmxhi. Këto gjëra ai i kishte ushqim. Nuk jetonte dot pa to, sepse s’kishte çfarë të bënte tjetër. Ai ishte i etshëm për dezinformata. Ata që s’e njihnin karakterin e tij, e gëlltitinin “gjellën” e tij pa hezitim, kurse ata që ia njihnin fare mirë surratin, e dinin si duhej sjellë me të.
Në Aksionin për Pajtim të Gjaqeve qenë përfshirë të rinj e të moshuar duke filluar nga Prishtina, Drenica, Ortakolli, Shala, Llapi, Gollaku, Dukagjini, Hasi, Pashtriku, Anamorava e Nerodimja. Në secilin vend ku shkoi vargani i krushqve pajtimtarë, do të shëroheshin ato plagë që i kishte shkaktuar gjakmarrja dhe hakmarrja me vite e dekada në trupin e kombit tonë.
Edhe personazhi i romanit “Dora e pajtimit”, baca Sylë, ishte një aktivist i denjë i Këshillit të Pajtimit, i cili gëzonte respekt të veçantë në vendlindje, aty ku jetonte dhe nga të gjithë ata që e njihnin. Edhe pse ishte në moshë, s’kishte menduar asnjëherë të tërhiqej nga aktiviteti për pajtim. Ai ishte i heshtur, urtak dhe guximtar i pashoq. Ishte i palodhshëm, i përgatitur për çdo sfidë.
Edhe figura e bacës Selim është portretizuar denjësisht. Ai po e shkrinte tërë fuqinë e tij për të mirën e shoqërisë. Burrërinë te ky njeri nuk e gjen kurrë të ndarë nga respekti, por të shndërruar në shpirt të butë prej humanisti e atdhetari të denjë, edhe pse kishte mendjeprishur që edhe te ky burrë i urtë gjenin “vërejtje”, ngase ata ishin mësuar të njollosnin njerëz meritorë me ato lojërat e tyre të pista, që kurrë s’ia deshën të mirën vendit as popullit tonë.
Historia e bacës Selim ka të bëjë me shpresën për të ardhmën, butësinë me miqtë, qëndresën ndaj andrallave. Të gjitha meritat e tij zënë vend të rëndësishëm në faqet e romanit “Dora e pajtimit” të autorit Shefki Përvetica.
Vetë autori Përvetica jetoi tmerrin e kohës, por edhe përjetoi shpirtërisht anomalitë dhe veset, ashtu siç është edhe hakmarrja, si dukuri e shëmtuar që s’i shkon për shtati kombit shqiptar. Po të mos kishte përjetuar, autori s’do të mund të shkruante për këtë temë, sepse shkrimtari i vërtetë duhet t’i përjetojë gjërat, për të cilat shkruan, e i tillë është shkrimtari Shefki Përvetica, ngase edhe ai jetoi në Kosovën e dhunës dekada me radhë, u rrit e u burrërua në Kosovën e tmerrit. Jetoi këtu edhe kur u kryen helmime masive ndaj nxënësve shqiptarë në çerdhe e shkolla, kur u bënë vrasje, persekutime, burgosje dhe kur çnjerëzohej gjithçka që ishte shqiptare nga okupatori shekullor serbosllav. Pra, shkrimtari i mirëfilltë përjeton, prandaj edhe shkruan.
Zymer Mehani, Podujevë, më 3 shtator 2019