140 VJETORI I TEATRIT SHKODRAN APO 70 VJETORI I TEATRIT KOMUNIST. CILI DUHEJ FESTUAR NË SHKODËR?

0
558
140 vjetori i teatrit, Shkodër

Nga Kolec P. Traboini

Ka një grupim njerëzish (soj robi – thotë populli) me mentalitet të ngulfatur në vitet e komunizmit, që gjithçka e lidhin me atë kohë të mbrapshtë. Kështu ishte për përvjetorin e Ushtrisë, 10 korriku, por u bë mirë që e ndryshuan dhe ja lanë meritat të vërtetës historike. Po kështu bënin për përvjetorin e Policisë, por edhe atë mirë bënë që e rregulluan. Se shteti nuk ka lindur kur vendosi diktaturën Enver Hoxha me pushkët me gjalmë.

Këto ditë të fillimit të nëntorit, Shkodra festoi plot me bujë 70 vjetorin e Teatrit. U bënë ceremoni, dekorime, u botua libri. Mire bene qe u bene. Kemi nevojë për pak gëzim, qofte dhe pa shkak te arsyeshëm. Mirëpo hesapet bëhen gjithherë pas dasmës.

Regjisori Andrea Zef Skanjeti, një prej nipave të Motrës Tone dhe Kol Idromenos, regjisor me reputacion e kontributin më të madh në Teatrin e Shkodres ka shkruar një libër me titull “100 vjet teatër në Shkodër 1879-1979:  botuar nga shtëpia botuese KAD 2002. Mendoj se më mirë se i ka ditur punët i ndjeri Andrea Skanjeti, nuk i di sot askush brenda apo jashtë atij teatri. Aq me tepër që festojnë 70 vjetorin e teatrit “Migjeni” kur ky emër i është vënë Teatrit në Shkodër kur u bë ndërtesa e re në vitin 1958. Pra nëse festohet përvjetori i Teatrit “Migjeni” duhej thënë 60 vjetori Ndërtesë – Teatrit. Nëse festohej teatri profesionist ( i kohës se komunizmit) nuk do te ishte e arsyeshme të përmendej emri i Migjenit  sepse ai ju vu 10 vjet më vonë.

Por problemi më i rëndësishëm, që e sjell këtë festim në stonaturë të plotë është se Shkodra nuk ka pas vetëm një sallë Teatri në kapërcyell të shekullit të 20 pra rreth vitit 1900 e pak me parë apo pak më pas. Shkodra kishte jo një, por shtatë (7) lokale teatrore:

1- Salloni i Kolegjit Saverian ndërtuar më 1890 me 450 vende.
2- Salloni i Shkollës Franceskane me 300 vende.
3- Salloni i Shkollës Stigmatine me 250 vende.
4- Salloni i Shkollës së Parrucës ndërtuar nga Austro-Hungarezet si Kino-Teatër me 400 vende.
5- Kinoteatri “Rozafa” me 400 vende.
6- Salloni i Shoqerisë “Bogdani” me 350 vende.
7- Salloni i Shoqërise “Vllaznia” me 400 vende.

Vazhdoni e festoni për gjysmagjelin e përrallës apo po deshët kokërrmisrin, ndërsa faktin se në fillim të shekullit të shkuar Shkodra ishte një nga qëndrat teatrore më të mëdha jo vetëm në Shqipëri por në mbarë Ballkanin. Këtë fakt historik lëreni në harresë, siç latë nën hije në këtë përvjetor Andrea Skanjetin, autor i 22 dramave e komedive melodramave e tjerë, ka përkthyer 27 pjesë teatrale, ka vënë në skenë 75 pjese teatrale shqiptare dhe të huaja me 20 platforma regjisoriale, që është figura më emblematike e Teatrit të Shkodrës, pinjoll i përbashkët i dinastisë Idromeno- Skanjeti që qëndron denjësisht në historikun e artë të kulturës shkodrane dhe asaj kombëtare.

Nuk ka asnjë alibi nëpërkëmbja e historisë se një populli, ku ndër të tjera hyn dhe kultura. Nuk e di pse duhej festuar me theks 70 vjetori i Teatrit, se Shkodra ka nje histori me teater 140 vjeçar. Lexoni librin e Andrea Skanjetit. Diferencën në art nuk e përben fakti se aktorët i paguan shteti apo e nxjerrin rrogen e vet me krijimtari te pavarur. Pastaj që në 1945 ka pas një trupë teatrore në Shtepinë e Kulturës në Shkodër. Është vënë në skene edhe pjesa “Juda Makabe” e Gjergj Fishtës me regjisor Zef Zorbën, poetin që e burgosën, por që duhej nderuar në çdo përvjetor Teatri.

Ju kujtoj se askush nuk mund ti dalë përpara Andrea Skanjetit, mirëpo nuk e pashë në listen e atyre që u lauruan. Gjithësesi Trupa e Teatrit në Shtëpinë e Kultures ka qenë pa pagesë e aktorët punonin me pasion. Nëse e duam me çdo kusht atë ditë, pra ditën e Themelimit të Partise së Enver Hoxhes 8 nëntor (1949), si ditë e themelimit të Teatrit të Shkodrës, shumë mirë ta quajnë 70 vjetori i marrjes se rrogave nga shteti komunist. Por arti teatral nuk ka filluar në atë ditë. Mua më vjen keq se disa që na shiten për të djathtë e kinse antikomunistë, bëjnë politikën e ekstremistëve fanatikë të mbetura si rudimente të monizmit.

Kur do të zhveshemi nga slloganet dhe mëndësia e kohës së poshtër të komunizmit që po na ndjek nga pas deri na varr? Historia nuk është një shteg që ndan shtëpinë me rrugën e mund të kalojmë nëpër të sa here të duam e mund të bejmë me të çfarë të duam. Ajo është një rrugë solide, shekullore, nëpër të cilën kalojnë qindra breza dhe ne nuk mund të sillemi me të si të ishim pronarë e as kalimtarë të papërgjegjshëm. Le t’i referohemi një ngjarje historike, që sjell në vëmendje Vladimir Stojani Burill, një shekull më parë, më 11 gusht të vitit 1919 u shfaq në Teatrin e Shoqnisë “Vllaznia” drama me 3 akte “Erminia e vorfën”, shkruar prej Kolë Gurakuqit, që shënon pos të tjerash një ngjarje në traditat e Teatrit të Shkodrës. Hipën në skenë e luan bashkë me aktorët e tjerë e para aktore femër në Shqipëri, vajza shkodrane Roza Kakarriqi (Shoshi), për të cilën nuk u kujtua askush nga organizatorët.

Po ka edhe te tjerë kontribues të mëdhenj të harruar nga se krijuan plot pasion para se të vinte koha të cilës arbitrarisht i konsiderojnë themelimin e Teatrit të Shkodrës, flas si institucion artistik e shpirtëror e jo si ngrehinë apo si ekip rrogëtarësh në borderonë e shtetit komunist.

Një djalë i vdekur 20 vjeç, studenti Ndue Pal Shllaku (1922-1942) ka qenë një aktor i talentuar i teatrit të Shkodrës, ka vdekur në vitin 1942. Pra, Teatri Shkodran nuk e ka as fillimin e as mbarimin në 8 nëntorin e vitit 1949. Është rasti të sjellim një njoftim të shkurtër për këtë djalë të talentuar me fat tragjik. Ndue P. Shllaku u lind më 25 shkurt 1922 në Shllak. Ishte biri i Pal Vuksanit dhe i Katrinës së Kolë Ndout, e cila ishte bijë Dushmani. Babai i vdiq shumë herët duke e lenë jetim një vjeç dhe u rrit e u shkollua në Shkodër. Ka lëne dorëshkrime 30 poezi, 10 novela e novelëza, një ditar, një përrallë dhe shumë përkthime, me një dramë origjinale të titulluar “Omeri i ri” që arriti ta shkruaj vetëm aktin i parë. Në mars të vitit 1942, kur ishte në vitin e fundit të gjimnazit të Shkodrës, u sëmur rëndë. Dy muaj më pas, ndërron jetë në moshën 20 vjeçare, në kohën me të bukur të stinës e të jetës, më 28 maj 1942. Jeta e tij si një baladë jetimi, një tragjedi e dhimbshme për çdo zemër e për çdo skenë, aq pasiononte aq e shkurtër, si një meteor që aty nis e aty mbaron, por gjithësi i ka lënë gjurmët e dritës të cilat së pari duhen parë dhe së dyti duhen kujtuar.

Nëntor 2019