BALLKANI PERËNDIMOR DHE PERSPEKTIVA INTEGRUESE

0
707
mini - Schengen - Ballkanik

Xhelal Zejneli

Për gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor – Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën – Brukseli sugjeron krijimin e një mini Shengeni. Nuk dihet saktë se ç’kuptohet me këtë asociacion. Mund të jetë:

– paradhomë për të hyrë në BE; dhe
– alternativë e anëtarësimit në BE.

Dikur, një mini Shengen u krijua edhe për tre vendet e Evropës Lindore – Poloninë, Çekinë dhe Sllovakinë. Me kalimin e kohës, këto tre vende u bënë edhe anëtare të Unionit. Vendet që janë në gojë të Rusisë, Uashingtoni dhe Brukseli i përfshijnë në gjirin euro-atlantik, pavarësisht nga fakti në i plotësojnë ose jo normat dhe standardet perëndimore.

Po qe se mini Shengeni paraqet alternativë për anëtarësimin e këtij rajoni në BE, atëherë del se ky rajon i paska të mbyllura dyert e integrimit.

Mini Shengeni i Ballkanit perëndimor nënkupton:
– qarkullimin e lirë të njerëzve, të mallrave dhe të kapitalit;
– kalimin e kufijve me letërnjoftime;
– krijimin e një tregu të përbashkët;
– njohjen e diplomave universitare;
– këmbimin e studentëve;
– luftën e përbashkët kundër terrorizmit global;
– luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar;
– tërheqjen e investimeve të huaja etj.

Mirëpo, mini Shengeni s’bëhet dot vetëm me Edi Ramën, me Zoran Zaevin dhe me Aleksandër Vuçiqin. Mini Shengeni s’bëhet dot pa Kosovën, pa Malin e Zi dhe pa Bosnjën dhe Hercegovinën. Mini Shengeni s’bëhet dot pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj si dhe integritetin territorial të saj.

Shqipëria nuk duhet të jetë pjesë e asnjë asociacioni ku i ndalohet pjesëmarrja Kosovës. Shqipëria nuk duhet të marrë pjesë në asnjë konferencë apo forum rajonal ku nuk thirret Kosova apo ku Serbia, me obstruksionet e veta, e parandalon pjesëmarrjen e saj.

Mini Shengeni të përkujton rimëkëmbjen e ish-Jugosllavisë, në të cilën dominonte Serbia. Po të krijohet ky farë mini Shengeni, atëherë në të do të kishim pesë njësi të ish-federatës jugosllave sikundër janë: Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia. Nga kjo del se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë bashkësi shtetesh, qoftë edhe në rrethana të reja, duket e panatyrshme. Katër shtete të këtij asociacioni të paralajmëruar, janë të banuara kryesisht nga popuj sllavë, me përjashtim të Maqedonisë, në të cilën 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë. Me fjalë të tjera, Shqipëria dhe Kosova nuk është mirë të jenë pjesë e një bashkësie popujsh sllavë. Pjesë e këtij asociacioni nuk është mirë të jetë as Maqedonia.

Mini Shengeni të përkujton edhe planet e vjetra kominterniste për formimin e një federate ballkanike.

Në Kongresin XIV (të jashtëzakonshëm) të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë të mbajtur në Beograd në janar të vitit 1990, delegacioni i komunistëve të Sllovenisë propozoi që Jugosllavia të shndërrohet në një konfederatë të lirë (të paqëndrueshme) (labava konfederacija). Kongresin e drejtonte Millan Pançevski i Maqedonisë, në cilësinë e kryetarit të KQ të LKJ-së, i njohur për qëndrimet e tij antishqiptare. Propozimin e sllovenëve, delegatët serbë e pritën në teh të shpatës. Pas kësaj, Jugoslalvia e AVNOJ-it (KAÇKJ-së) u zhbë në gjak. Sot ndërkaq, A. Vuçiqi vihet në krye të valles së mini Shengenit për vendet e Ballkanit perëndimor.

Nuk duhet harruar se mini Shengeni të përkujton edhe kohën e unitarizmit dhe të hegjemonisë serbe të kohës së karagjorgjeviqëve dhe të Pashiqit, kur Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Vojvodina ishin nën pushtimin dhe nën sundimin serbomadh.

*   *   *

Dikur BE-ja e refuzoi kërkesën e Ankarasë për anëtarësimin e Turqisë në Union. Në janar të vitit 2015,  Kryetari i Turqisë R. T. Erdogan deklaroi: “Po qe se Brukseli e refuzon Turqinë, atëherë teza se BE-ja është klub krishterësh do të jetë e saktë”. Me këtë rast, BE-ja i ofroi Turqisë marrëdhënie speciale sidomos në lëmin e ekonomisë. Mutatis mutandis, të njëjtën ua ofron sot edhe vendeve të Ballkanit perëndimor.

Ndërkohë, në vende të caktuara të BE-së do të ketë zgjedhje – vendore, parlamentare apo edhe presidenciale. Në vitin 2020, zgjedhje do të ketë në Francë, në Maqedoni dhe në Serbi. Kancelarja Angela Merkel pritet të largohet nga skena politike gjermane. Nuk janë larg as zgjedhjet presidenciale në ShBA.

Presidenti Emanuel Makron paraqitet kundër zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor për shkak të zgjedhjeve që e presin në vitin e ardhshëm. Kësisoj, ai synon t’i bëjë ballë Mari Lepenit e cila është kundërshtare e prerë e zgjerimit. Duhet shtuar se një përqindje e konsiderueshme e qytetarëve të vendeve të BE-së, zgjerimin e Unionit e kundërshton prerazi.

Në BE duket sikur veprojnë dy rryma:
– njëra që e mbështet zgjerimin; dhe
– tjetra, që është kundër zgjerimit.

Nomenklatura e deritashme e Brukselit e cila fuqimisht e ka mbështetur dhënien e datës për çeljen e bisedimeve për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut, është në prag të daljes nga skena. Tanimë roli dhe ndikimi i tyre është protokollar.

Propozimi i Moskës që vendet e Ballkanit perëndimor t’i bashkëngjiten bashkësisë ekonomike të vendeve euro-aziatike, përpos për Serbinë, nuk është joshës për asnjë vend tjetër të rajonit. Prej vendeve të kontinentit të vjetër, kësaj bashkësie i është bashkëngjitur vetëm Bjellorusia. Ky asociacion, i udhëhequr nga Rusia, të përkujton bashkësinë ekonomike të dikurshme të Evropës Lindore, të administruar nga Bashkimi Sovjetik. Ajo njihej me emërtimin Këshilli i Ndihmës Ekonomike të Ndërsjellë dhe në rusisht shkruhej me shkurtesën SEV. Ajo ishte pandan i Bashkësisë Ekonomike Evropiane (BEE).

Me rënien e murit të Berlinit në vitin 1989, KNEN-i (SEV-i) u shpërbë. Po kështu u shpërbë edhe Traktati i Varshavës, i cili ishte strukturë politike dhe ushtarake e drejtuar nga Moska, e që kishte përballë paktin e NATO-s.

S’ka asnjë dyshim se vendet e Ballkanit perëndimor një ditë do të jenë pjesë e BE-së. Ndryshe, i hapet rrugë Rusisë, Kinës dhe Turqisë, që nëpërmjet investimeve ekonomike, të penetrohen në rajonin e Ballkanit perëndimor, duke i krijuar kësisoj zonat e veta të interesit dhe sferat e veta të ndikimit. Pas depërtimit ekonomik, do të pasonte edhe depërtimi politik dhe ushtarak i tyre.

Por, Uashingtoni, Berlini, Londra dhe Parisi kurrë s’kanë për ta lejuar një gjë të tillë. Ballkani është gadishull që lidh tre kontinente. E lidh Evropën me Azinë dhe me Afrikën. Nëpër këtë gadishull, shkohet drejt lindjes, Lindjes së Mesme dhe gjirit Persik. Për Fuqitë e Mëdha të Perëndimit, pozita gjeopolitike e Ballkanit paraqet interes strategjik të dorës së parë.

Për t’u bërë anëtarë të BE-së, vendet e Ballkanit perëndimor duhet t’i plotësojnë normat, standardet dhe kriteret e BE-së, si:

– t’i zbatojnë reformat në drejtësi;
– të luftojnë korrupsionin në nivelet e larta të pushtetit;
– të luftojnë krimin e organizuar në nivelet e larta të qeverisjes;
– të luftojnë nepotizmin në radhët e pushtetarëve;
– të reduktojnë administratën publike në suaza të normave të BE-së;
– t’i japin fund politizimit dhe partizimit të institucioneve publike;
– të jenë në gjendje të organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike;
– të respektojnë lirinë e shtypit.

Serbia kurrë s’ka për të hyrë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës. Serbët këtë e dinë shumë mirë, prandaj lidhen me Rusinë dhe Kinën.

Vende të caktuara të BE-së, si Rumania dhe Bullgaria, nuk plotësojnë pothuajse asnjë kriter për të qenë anëtare të Unionit. Këto dy vende, duke qenë gjeografikisht afër Rusisë, më lehtë mund të pre e ndikimit të saj. Me fjalë të tjera, Brukseli ua çeli atyre dyert e veta për ta parandaluar penetrimin rus në to.

Shumë standarde të BE-së nuk i plotëson as Greqia. Athina nuk i respekton liritë dhe të drejtat themelore të bashkësive etnike jogreke, siç janë shqiptarët, sllavofonët etj. Athina madje e mohon ekzistimin e bashkësive etnike jogreke në shtetin grek. Greqia u pranua në BE dhe u mbështet pa rezerva nga Brukseli për arsye se gjeografikisht ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë dhe botës islamike.

*   *   *

Dikur, anëtarësimi në BE i sillte shtetit anëtar favore dhe privilegje të konsiderueshme. Sot favoret për shtetet që janë anëtarësuar me vonesë, janë reduktuar tej mase.

Për të hyrë në BE, vendet e Ballkanit perëndimor duhet të ndërtojnë shtet ligjor. Ato duhet të ndërtojnë shtet ligjor, jo për BE-në por për qytetarët e vet. Nuk mund të jesh shtet evropian normal me korrupsionin që lulëzon në majat e shtetit.

Për të tërhequr investime të huaja, shteti duhet të ketë stabilitet politik. Shteti ku nëpërkëmbet ligji, nuk mund të tërheqë investime të jashtme. Shtetin e tillë investuesit e huaj e anashkalojnë.

Vendet e rajonit, para se të synojnë integrimin në BE, duhet të evropianizojnë vetveten. Duke e evropianizuar veten, ato do të evropianizojnë edhe rajonin. Pas kësaj do të mund të hyjnë në BE.

Qytetarët e vendeve të rajonit janë lodhur duke dëgjuar ndër vite, refrenin të bërë klishe, të  politikanëve mashtrues: “…do t’ju çojmë në NATO, në BE”!