Silueta e vetmisë së gurit (I)

0
715
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi 

Silueta e vetmisë së gurit (I)
(Fragment)

Gjeli në frëngji

 (E enjte, dhjetor ’79)

Ritmi i ngjitjes së ashensorit e ndali gjëmën. Morëm me xehetarët e ndërrimit të parë të dilnim nga thellësia në sipërfaqen e tokës. Kush merrte frymë thellë, kush qeshte e pështynte, kush e ndiqte ndonjë zog nga ik mbi teleferikun e “Trepçës”. Mendja më përzihej me të kaluarën e hidhët e fijet e trimërisë të ndonjërit nga trimat e luftës së gjatë e të rëndë për t`u bërë të vetvetes. Më lidhej ndonjë çast dhe me horizontin e nëntë, atje në galeritë e plumbta, vetëm për 15 metra pa prekur thellësinë e punishteve me sipërfaqen e detit.

Xehetarët nga ndërrimi i parë të horizontit të nëntë tashmë shpërndaheshin e atje në thellësitë e nëntokës derdhte djersët ndërrimi tjetër. ‘I pëlhurë e tejdukshme më vinte e më shqyhej para sysh, një tis i përhirtë derdhej e më lidhte me ecjen e Isa Boletinit rrugës së Vlorës, të afrohej te Ismail Qemali, ta puthte me buzët shkrumb flamurin e pavarësisë të ngritur në shtëpinë e vogël, me çardak. Aty ta priste plaku i urtë i Pavarësisë me suitën e vet  e ky, trimi kosovar, t’i dëgjonte fjalët që nguleshin thellë në zemër nga zemra e goja e Ismail Qemailit:

“I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë!” 

Piknin lot të dhembjes… Kosova mbetej e robëruar, me njerëz të varur në shtylla të telefonit buzë secilës rrugë, me gratë shtatzëna, të vrara, të prera me kamë për ta parë do të kishte lindur djalë apo vajzë, me fëmijë të uritur, të etur e në lot, e plaka e pleq të pafuqishëm,me fytyrat të ngjashme me relievin e Kosovës,mbetur në robëri,  të këputur nga rrjedha e jetës … piknin lot mes ngashërimit e ftohtësisë për pjesën e atdheut të mbetur jashtë gjakshkrimit, mes siluetës së fluturimit, në ëndërr të copëtuar shqipe… piknin lot të mallit e krenarisë, lot rrëke të padukshëm që shprehnin vite të rënda e të acarta, lot kaq të padukshëm e zemra rrihte me hov të pashkëputshëm. Me zemër të thyer ndiqja udhën malore për te Kulla e Isa Boletinit. Çera më fliste diçka e nuk e kuptoja e nuk i jepja përgjigje.

Ecja nëpër pëlhurën e pezhishkës së madhe të jetës së vogël, ecja udhën e robit në tokën time të robëruar dhe brenda vetes qaja. Çera ende më fliste e nuk isha në gjendje t`i jepja përgjigje. As që mendoja të përgjigjesha në rrjedhën që nuk ka përgjigje. Ka vetëm vaj e klithje të mbytur.

-Do t`kalojmë vetëm dhe tri shtëpitë, këto buzë rrugës, e do t`i afrohemi Kullës. Para  ngjitjes në kullë do të freskohemi me ujin e kronit që nuk çjerrë kurrë, – më shikonte ai i habitur me hutinë time, me mbytjen në ëndrrat e gjërat e mbetura varur, kaq vjet pas ikjes së Heroit.

-Qenka  rrugë e largët deri te Kulla?

-Na pret dhe një copë udhë e mirë, – foli ai dhe shikoi lart qiellin e rënë mbi kodrinat që na rrethonin, më pastaj i përmendi prapë për të satën herë dhe tri apo katër shtëpi, të cilat frymojnë buzë rrugës. -Kaq largësi ka ende?

-S`ka largësi, ndërsa çdo gjë e ndiej në zemër. Digjet në flakën e brendshme të shpirtit. Unë kurrë s`e dalloj afërsinë me largësinë, varet në cilën anë e prek, varet sa dhemb, sa zgjohet dhe jeton me ty gjithnjë.

-Largësinë e apostrofove ti. Nuk të kujtohet?
-Më kujtohet, veç s`e pranoj largësinë. E pranoj veç zjarrin e akullin. Asgjë tjetër.
-Megjithatë, është një largësi, është. Aty afër dy orë këmbë larg nga Mitrovica!

-Larg, veç e hamë këtë copë udhë pa vështirësi për Isën…- fola, i ikur prapë ndër shtresa të kohës e në luftërat që i bëri ai për të arritur deri te vetja, te pavarësia e te shteti, që e ëndërronte të lirë.

– Për kullën, natyrisht ku shfaqet dhe silueta e tij në  qiell, në gur, në ajrin që e thithin – tha Çero.
-Të vetmuarit janë të plotfuqishëm. Te kulla, që thua, shfaqet dhe hija e Isës çdo herë!
-Është e pashmangshme silueta e tij.
-Natyrisht dhe vetmia e plotfuqishme.

-Më shumë të vetmuar sesa të plotfuqishëm, – jehon zëri i Çeros dhe shikimin e ik larg mbi lëmshe të dendur të mjegullës, të shtrirë mbi brigjet rreth.

-Nuk është gjithherë kështu. Isa ishte i veçantë, siç ia dalin të shfaqen shumë shqiptarë e të dëshmohen për vendin dhe t`i tregojnë botës urtësinë e trimërinë e atyre që frymojnë këtu, për të zbukuruar atdheun dhe për të vdekur me hijeshi për të…

Ecja  udhën lakadredha, të ndjekur në të dy anët me gardhiqe të gjelbra të natyrës, apo me gardhiqe të thara, të thurura nga duart e vyeshme të atyre të cilët i dalin zot tokës së vet. Hesht një heshtje të vjedhur nga toka. Hesht dhe ai. As fliste fjalë për një copë udhë as merrte përgjigje. I afroheshim Kullës, të cilën e synonim. Iknim ngjashëm me siluetat e dukshme e të padukshme, përbri kodrash, të cilat ndonjë herë stoliseshin me copëza të ngrehura lart shkëmbinjsh, me gurë të çarë e të thyer, për t`i ngjarë kështu ndonjë peme gjysmë të gjelbër e gjysmë të tharë, apo ndonjë druri të gjatë e të thyer mbi vete.

-Nuk vërej ndonjë shtëpi buzë rrugës apo dhe më larg, kaq sa ta kap syri, – i bëj zë Çeros, me shikimin  bredharak rreth e qark e lart mbi kodrat gjysmë të zhveshura, përmbi të cilat flinte mjegulla dhe qielli i bërë gjarpër akullaç, hapej e rrëshqiste në secilën anë. I ngjante në ndonjë pjesë  dhe siluetës së gjarprit kruspull. Me ngjyrë të hirtë në të kuqërremtë.

-Prit pak. Kaq i djersitur je e veç hesht dhe ec, – tha.
-Çfarë të bëj tjetër? Ti njëjtë siç dhe unë ec dhe flet pa i shoshitur deri në fund gjërat.
– Do zgjedhur gjërat për t`i thënë. S`i them gjërat veç pëçr ta vrarë heshtjen.
-Në secilën heshtje ka minierë…
-Nuk zbulove asgjë!

-Natyrisht, – i vrenjti vetullat. Fytyra e ndritur më mori një tis të hirtë. -Ti as s`më dëgjon çfarë flas, – thash me murmurimë.

– Do t`i kalojmë vetëm dhe tri shtëpitë, këto buzë rrugës, e do t`i afrohemi Kullës, – po ta përsëris dhe `i herë.- Shtëpitë e vetme që gjenden para arritjes te Kulla e Isës.

-E burimi i njohur i ujit aty?
-Natyrisht, do të freskohemi me atë ujë burimi!

– E kisha e vogël, të cilën Isa ia ka ndërtuar rrogëtarit të vet serb për t`i kryer aty ritet fetare. Ku mbet ajo, pse nuk më tregon  Çero.
-Ajo kishë e vogël me kohë tashmë është kthyer në manastir.
-Mos më thuaj!?

-Toka e Isës është tkurrur. Ajo e manastirit ka arritur deri te dyert e mëdha të drurit, veç sa nuk ka hyrë në oborr të kullës, – fliste me ndërprerje të thella të frymës,.

-E kroin e pashtershëm të ujit e hesht. Nuk e përmend dot, – ia bëra. -Atë kroin që rrjedh derisa të jemi unë e ti, derisa të ketë ajër e tokë e qiell ky atdhe, derisa të ketë gjak e zemër kurmi yt e im, të ketë etje për lirinë… – fola e përnjëherë do të bëhem një me siluetat e atyre që dhanë jetën për këtë udhë, të cilën e shkelim, për këta male e fusha, për vargjet me zogj qiellit. Do të lidhem në një me trimat e Isës, do të vërej nga afër e kaq larg lëvizjet e tyre, përpjekjet e tyre për liri, për pavarësi e shtet, të cilat nuk i ndalën kurrë. Në krye të radhëve të luftëtarëve gjithnjë shfaqej Isa, me koburet në brez e me urtinë e tokës. Ai tërë jetën e la në luftë…

-Ku ike, pse hesht… or mik!
-Nuk hesht. Jam krenar dhe në lot duke i menduar udhët e Isës.Ndihem në emocion të thellë.
-A nuk the që ai qe i veçantë.
-Në secilën unazë të kohës qemë me përfaqësues të mahnitshëm, veç pak herë fituam.

-Individi është ai që cilësohet, që dallohet mes nesh, gjithnjë… – fliste ende Çera e unë ikja në detaje, në tërësi, në ngjarje të përgjakshme, në data  që mbetën të mbahen mend. E gjithnjë ky varg lidhej me Isën…

Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar dhe humanist i madh, i cili donte vetëm lirinë dhe bashkimin e tokave shqiptare. Luftëtarët e tij nuk urrenin popujt e tjerë, thjesht, ata dëshironin lirinë për popullin e vet”, do të ketë thënë Edit Durham, më 1912.

-Jeta, fusha në të cilën veproi Isa qe hapësirë e pa fundme e mbushur me etje, me ëndrra e me gjak të realizohen ëndrrat.

-Ajo hapësirë nuk i takoi vetëm kohës së vet. Ajo qe e është kaq tronditëse, është kaq e begatë me urtësi e trimëri, me dashuri të pashtershme për popullin e atdheun,-psherëtinë Çera dhe një hije e rëndë pikëllimi e krenarie ia prek fytyrën. Një gem i bën hije ballit. Fija e rëndë e natyrës i lidhet me fytyrën. Njëjtë dhe fytyra ime. Të dyja për nga vibrimi i nervit rreth buzëve  i ngjajnë peizazhit që na ndjek gjatë rrugës për te kulla. – Të radhiten për Isën me mijëra faqe romani prapë nuk do të jenë mjaft për t`i rrëfyer të gjitha datat e rëndësishme, të gjitha ngjarjet e çastet, të cilat i përjetoi në përpjekje për të arritur deri te vetvetja, te pavarësia e shteti.

– Ende në moshë të re, me vetëm 17-të vjet, në prill të 1881 mori pjesë në betejën ndër më të ashprat e të përgjakshmet, në Slivovë, në ndeshjen e madhe e të rëndë të trupave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me ushtrinë osmane.

– Në nëntor të 1908-tës Porta e Lartë dërgoi një ushtri me shtatë mijë ushtarë për të nënshtruar Kosovën. Komandën e qëndresës antiosmane e mori në dorë Isa Boletini. Gjatë tërheqjes, osmanët i dogjën kullën në shenjë hakmarrjeje. Vetëm një vit më vonë, më 1909, ai udhëhoqi kryengritjet e kosovarëve në Prishtinë, Prizren e gjithnjë – aty, ku kërkohej, i bërë një me luftëtarët e vet. Qe një ndër udhëheqësit më kryesorë të kryengritjes së pranverës 1910. Nën drejtimin e strategjinë e përkryer ushtarake të Isës, shqiptarët pamundësuan për dy ditë në betejën e përgjakshme të Carralevës ushtritë osmane  të depërtonte në Prizren.

Më 23 janar 1899, nën kërcënime të reja për tokat shqiptare në Pejë do të mblidhet një kuvend me pesëqind pjesëmarrës nga vilajetet e Kosovës dhe më pak nga ata të Manastirit dhe të Janinës. Në kuvendin gjashtë ditor zuri fill Lidhja e Pejës ose siç thërrisnin,  Besa-Besë. Kuvendi me kryetar Haxhi Zekën, doli me një program 11 pikësh, i cili kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare… në Lidhjen e Pejës Isai mori pjesë në krye të delegatëve të Mitrovicës e do të luaj rol të rëndësishëm për organizim e mbrojtjen në Kosovën Veriore. Gjatë Luftës Ballkanike të 1912-ës, qe një ndër kryetarët më në zë të çetave në Kosovë. Këtë vit, në nëntor, do të radhitet menjëherë në mbrojtje të qeverisë së parë shqiptare, me në krye  Ismail Qemalit.

Qe  anëtar i delegacionit shqiptar që shkoi në Londër për të mbrojtur ekzistencën e Shqipërisë së porsakrijuar. Ky udhëtim është bërë i njohur edhe për ndodhinë që i ngjau në Londër. Teksa delegacioni shqiptar shkonte të takonte Eduard Grejin, ministër i Jashtëm i Mbretërisë, roja i kërkoi Isait me xhentilesë që të dorëzonte revolverin. Isai u bind pa fjalë. Dorëzoi armën e Grej,  një anglez i vërtetë bëri shaka: Nesër gazetat do të shkruajnë sesi atë që nuk e bëri dot ushtria osmane, e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër! Thonë se Isai është përgjigjur: Jo besa, as në Londër! Dhe ka nxjerrë një tjetër revolver që e mbante të fshehur.

-Tashmë do t`i jemi afruar Kullës, – e shikoj në sy Çeron.
-Afër jemi. I kalojmë tri shtëpitë e vetme. E kalojmë pastaj dhe kroin mitik jo larg Kullës e – ja. Aty do të ngjitemi në kullë.
-Tokën e shenjtë të Kishës rreth nuk e përmende…
-Ajo gjendet aty, para dyerve të kullës!
-Afër a? Ia prek dyert !
-Veç dyert nuk ia prek kaq afër i është shtrirë toka e vet, në pronësi të tjetër kujt.
-Epo, ia jep dorën ndokujt e ai ta kërkon gjithë krahun…- provoi të krijojë një copëz të rrjedhës së  jetës Çera.

Ecja udhën me sy herë në një pemë herë tjetër në tjetrën. Më merreshin mendtë. E tërë natyra sillej rreth të vetmes kodrinë, e cila sapo u shfaq përpara. Një natyrë e mrekullueshme, kodrinore e malore, e cila paralajmëronte afrimin te Kulla mitike.

-Shiko  Çero, unë kam shfletuar shkrime, në të cilat bëhet fjalë për urrejtjen e akterëve të kohës kundër Isës. Në pamundësi ta hakmerren ia kanë rrënuar disa herë kullat, të cilat ai i ndërtoi prapë, me përkushtim të veçantë.

-Po, – tha Çera, – ka dhe dëshmi për këtë.
-Natyrisht.
Ja, dëgjoje.

– “Monsieur” Issa de Boletini është shumë i gëzuar. Më në fund ka një shans për t’u hakmarrë ndaj armiqve të tij të moçëm, turqve. Ka një dobësi për vdekjen, plaçkitjet, kalorësinë, humorin dhe që të thirret “Monsieur”: përballja në fushë të mejdanit me turqit, ka përmbushur një ambicie të moçme të Isës. Për një kohë të gjatë i ka rindërtuar me gurë stralli kullat e tij të goditura shpesh nga plumbat dhe ka mprehur shpatën për betejën finale mbi turqit… – thuhet në një  korrespondencë speciale nga Stamboll, 27 tetor 1912.

-Po shkrimet e kohës e kanë çdo insert sa i përket Isës, luftës që bënte për atdhe dhe liri të popullit…

-Turqit kërkonin shkatërrimin e Boletinëve, veçanërisht zhdukjen e Isës, i cili qe kthyer në kundërshtarët kryesor të pushtimit, – i rikujton Çero faqet e lexuara të librave të kohës, të cilat lidhen me këtë periudhë. -Pikërisht për këtë, gjenerali turk, Dervish Pasha, shtypi popullin shqiptar dhe dogji kullën e parë të Boletinëve. Më 1908, nis dhe armiqësia me serbët dhe vazhdojnë betejat me turqit. Isa me njerëzit e vet çarmatos bandat serbe të komanduara nga konsulli rus, të furnizuara me armë nga Rusia.

-Këtë përgjakje për një kohë e  hesht dhe historia, me apostrofim të veçantë në hakmarrjen ruso-serbe. As kujtohet e as zgjohet, – flet nga zemra dhe një dritë e gjallë, një dizgë e vetëtimës i ndrit fytyrën Çeros. –Gjaku pikoi dhe e zgjoi dritën në tokë. Drita i ngjante gjelit të shfaqur papritur në frëngji të kullës legjendare…

-E sheh atë gjel në frëngji tashmë…
-Është e do të jetë aty. Me pupla zjarri e gjaku.
-Gjeli në frëngji lajmëron diçka të mirë, sado të mungojë tashmë Isa.
-Nuk qe vetëm një Isë të mungojë ai e tjetër nuk ka!
-Nuk mungon Isa kurrë e as gjeli nuk do të ik nga frëngjia. Silueta e gjelit lajmëron dritën, lirinë,  lajmëron me këngën e vet diçka të re.
-Lirinë, gjithsesi. Lirinë!
-A nuk e ceka unë lirinë, pse i përsërit gjërat?
-Nuk është e dëmshme të përsëriten gjërat. Sepse, me përsëritje, ato bëhen më të afërta, më të pranishme, më të gjalla…

Heshtëm për njëherë  gjatë të dy. Të ikur në ëndrra,në etje të pashuar. Në dritën e shfaqjes së gjelit në frëngji, e asnjëri megjithatë ende nuk e shihnim atë shpend nga i hapë krahët, nga i rrah krahët me rrëmbim në frëngji e zëri i binte kumbueshëm, ndriste fushat e brigjet, burimet e ujit. Nuk e shikonim gjelin veç e ndien në shpirt, e ëndërronim aty, në frëngji, në ajër, në dritë të përgjakshme nga vjen nga kohët e ikura, nga shfaqet në këtë guri përmotshëm. Ecim të, heshtur, jashtë vetes, ndërsa i afroheshim vetes, kullës, mitit të përhershëm të qëndresës dhe luftës për lirinë…

Ecnim të kthyer prapë në vete, në rrugën nga e shkelnim. Me ndjenjë të vrarë, veç kurrë pa varre në tokën, për të cilën flijohemi, lindim e vdesim…
-Ka rënie e ngritje, gjithnjë, – e shikoi qiellin ai.
Të njëjtën gjë e bëja dhe unë e ecja larg në kohë…

-… Me përfundimin e  Luftës së Parë Botërore, turqit, të mbështetur nga serbët vendas, sulmuan Boletinin, veç nuk ja arritën qëllimit ta gjunjëzojnë. Ushtria turke thyhet. Kjo do të ngrit shumë reputacionin e Isa Boletinit e për rrjedhojë do të ketë radhitjen e qindra shqiptarëve në aradhet liridashëse. Në të njëjtën kohë ai rindërtoi kullën dhe shkollën shqipe në yrtin e vet. Të dyja ruhen gjithnjë me etje të përjetshme të tokës, të dritës mbi të dhe të gjithësisë. Trimi, vetë pa shkollë, veç me urti të tokës, ka qenë në krye të kryengritjeve shqiptare kundër serbo-malazezëve, por dhe turqve, nga viti 1901 deri në vitin 1912. Në këtë periudhë emri i tij u lakua e komentua shumë në shtypin e kohës i lidhur me betejat e Carralevës, Kaçanikut, Shkupit dhe të Kalasë së Mitrovicës, ku gjeti vdekjen dhe konsulli rus që ndihmonte serbët në operacionet kundër shqiptarëve.

*

Isa, një bimë e gjakut e gjuhës e dheut të Boletinit, një burrë në male e parlamente evropiane gjithnjë me plis e armë në brez…, – shkruan me frymëzim për të gjitha kohët Mehmet Bilimi. – Ai ndriti, skuqi me gjak faqet e historisë e dheun e trojeve etnike,duke bërë me dije se vetëm rezistenca fytafyt e sidomos ajo me armë i heq qafe, i përzë dhe i ndjek përgjithmonë të huajt e sojit të Shën Savës dhe të Portës. Ai kundërshtoi fuqishëm vendimet e pa drejta të Konferencës së Londrës për copëtimin e tokave shqiptare në dobi të shteteve  fqinje. Admiroi, përkrahu dhe u frymëzua nga fryma liridashëse e rilindësve shqiptarë. Veçmas  u frymëzua për hapjen e shkollave shqipe, prandaj, burri i Kosovës dhe i shqiptarisë, ndërtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe,por ndërtoi dhe kullën e gurit që në ecje të moteve u bë dhe mbeti denbabaden Kullë historike për Boletinin e Shalës dhe për tërë shqiptarinë.

*

-Kosovarët të sfilitur nga ethet malarike dhe nga lufta e gjatë, bëjnë një përpjekje gati titanike për t’u kthyer në vendet e tyre, por pengohen  nga trupat malazeze që ndihmoheshin dhe nga Ceno bej Kryeziu. Kosova ndërkohë kishte rënë nën pushtimin serbo-malazez. Për një periudhë të gjatë Boletini me njerëzit e vet endën nëpër malet e Veriut mes Kosovës, Hasit dhe Pukës, duke i shpëtuar pritave që u ngrinin armiqtë. Në fund të 1915-ës mbërritën në Shkodër. Isa qe me tre djemtë, dy nipa dhe 100 luftëtarë besnikë. Shkodra ndërkohë i ngjante një rrëmuje të vërtetë. Përziheshin bashkë ushtarë të huaj, disa malësorë që ishin gënjyer nga Mali i Zi, esadistë, ish-ministra të Vidit, aventurierë lloj-lloj, – rrëfen Çera faqe shkrimesh të lexuara në libra me histori rrëqethëse. –  Në këtë kohë, ndërsa Isai dergjet i sëmurë në hotel “Parruca”, ushtria malazeze shtiu në dorë Shkodrën. Me këtë rast, do të falen të gjithë ata persona që kishin luftuar me armë kundër tyre. Të falurit duhej të internoheshin në Podgoricë. Aqif Pashë Elbasani, Prenk Bibë Doda, Hilë Mosi e të tjerë pësuan këtë fat. Mes tyre qe dhe Isa Boletini, me dyzet luftëtarë, të cilën ndaras do të vendosen në Nikshiq e më pas në Danilovgrad. Një përpjekje e francezëve për t`i nxjerrë nga Shkodra kishte përfunduar pa rezultat.

Më njëzet janar 1916 malazezët vendosin të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Tri ditë më vonë do të ndodhte tragjedia.Ja sesi këtë e rrëfen Tafil Boleti, nip i Isait, i vetmi i shpëtuar nga masakra:

“…Ndërkohë kasneci lajmëronte: Pushtet ma s’ka, gjithkushi nëpër shpija. Ushtria austriake asht hi në qytet. Xhandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Lazareviq me dy batalione xhandarë. Ky kriminel i njoftun, po me këta xhandarë që quheshin ‘krillash’ (me krah), ka pasë me tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë. Këtë xhelat populli i atyne anëve e njef me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare…

Të gjitha kryqet e rrugëve Savo i kishte xanë me patrulla të forta. Me nja tetëdhjetë xhandarë kishte zanë pusi në të dy anët e urës së Ribnicës jo larg kishës katolike e karshi prefekturës… në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifete gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë komandon: Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë s’ia kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhetçes.

E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isa, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bombën që ia pat marrë Niko xhandarit…

Mbrenda pak minutave tragjedia mbaroi. U vra Isa vetë i tetë: Isa Boletini, vjeç 51, Halili, i biri, vjeç 24, Seidi, i biri, vjeç 18, student në Vjenë,Jonuzi, nipi, vjeç 26,Halili, nipi, vjeç 24, Hajdar Selim Radisheva, kunat i axhës dhe dhandërr, vjeç 30,Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, vjeç 18,Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri, vjeç 26.

Seidi, tue shkue prapa axhës Isa, mbasi e vret xhandarin që e kishte përpara ia kap pushkën e tij dhe vritet tue shti me ata fishekë që i kishte pushka. Misin Nimani, ndonëse nuk ka pasë pushkë, deri sa e kanë rrxue plumbat ka qindrue në kam pranë axhës. Në këtë duel grykë për grykë nga malazezët u vranë 7-8 vetë e 12-13 u plagosën, kryesisht nga ata trima që kishin ba gara se kush i del Isa Boletinit përpara e që kishin sulmue të parët.

Ministrat e Malit të Zi të larguem nga Cetina, të grumbulluem në prefekturë, fillim e mbarim e kanë shijue nga penxherët këtë dramë tragjike, që zhvillohesh trup me trup në krye të urës, bash në sheshin para prefekturës…

Unë në këtë moment ndodhesha në pjacë, në berberhane të Maliq Shkodranit, ku i kisha qethë flokët. Kur krisi pushka u ba nji panik i madh. Populli i grumbulluem rrugave për me pa ushtrinë austriake tue hi në qytet, i alarmuem, u shpërnda pikë e pesë, se kah mujte me ikë. Njiheri u dëgjuan zanat e oficerave: Nedajte oruzhje, napadeshe kaçaçi! (O burra kapni armët, se na ranë kaçakët!). Kaçak iu thonin shqiptarëve. Masa e popullit këtë propagandë që e kishte digjue përpara, me tamam e besoi. Vraponin poshtë e lart si të hutuem, dyqanet mbylleshin, xhandarët në kamiona vrapojshin rrugave, tue shti me mitraloza në ajër, po ashtu edhe patrullat nëpër rruga shtishin kot, tue alarmue popullin, se gjoja na ranë kaçakët e malsorët… Ndërkohë me vrap u fut në dyqan major Misin Serezi, edhe ai i internuem. Kur më pa mue u nxi edhe më tepër. E pyeta: Zoti major, a patë gja ju, se unë nuk pashë gja se ç’po bahet? Tha: Jo. E pyeta: Po ça po thonë se na ranë shqiptarët? Atëherë majori mu përgjigj: Ç’thue more, çfarë shqiptarësh! Dhe shtoi turqisht: Isa bej i lë bereber bytyn sizinqilerini vurdiler! (Bashkë me Isa begun të gjithë tuajt u vranë!). Lajm i tmerrshëm e i paharrueshëm për mue sa të jetë jeta. Perëndia mos i baftë kurrkujt kësmet nji lajm kaq të zi. Leshrat e kresë mu ngrehën përpjetë…”.

*

-Vetëm  tre vjet e dy muaj nga dita më e madhe e kombit shqiptar, Ai që luftoi kaq shumë për  pavarësi  e shtet u vra në një pusi nga 80 xhandarë malazezë dhe serbë.

Akrepat e orës shënonin 21.13 atë të diele të 23 janarit 1916 ndërsa plumbat që vërshëllenin rreth e rrotull si grerëza të tërbuara, e lanë të vdekur Isa Boletinin në kalldrëmin e urës Ribnica në Podgoricë të Malit të Zi. Një bir i kohës së tij dhe që bashkë me vrasjen e tij, në fakt u vra edhe Kosova, duke ia shkëputur trupit të Shqipërisë.

Ç’ mund të bënte Isa vetë i 9-të ndërsa në të dy anët e urës Ribnica ishin 80 ushtarë që e kishin marrë në shenjë? Ose të dorëzohej, ose të vritej duke luftuar bashkë më të gjithë.

Shqiptari i madh pa hamendje, siç bën një hero,  të shtënave iu kundërpërgjigj me të shtëna. Batareja e pushkëve solli bilancin tragjik: vrasjen e Isa Boletinit vetë i 9-të, por dhe vrasjen e 12-të xhandarëve malazezë, – zëri më përzihej me rrjedhën e ujit të kroit para Kullës, përzihej me jehonën e kohës, me inserte të historisë, me tradhtinë e kurthet që iu vunë gjatë tërë jetës nga turqit, serbët e malazezët, ndërsa ecte vetëm një udhë – të pavarësisë e të shtetit, ecte nën qiellin e vet udhën e vet, ecte dhe ende ecën, vjen çdo herë i gjallë te kulla e vet, te vetvetja, te liria e vet.

*

Isa Boletini u varros dy dytë pas vrasjes në Podgoricë, çuditërisht në një ceremoni me pjesëmarrje masive, ndërkohë që Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti edhe një fjalim gjatë procesionit. Që nga ajo kohë rrodhën shumë ngjarje dhe jo vetëm nderimi, por edhe përmendja e emrit të Isa Boletinit cilësohej një krim. Për vite e dekada varri ishte i braktisur, askush nuk shkonte atje, madje ai quhej një varr i humbur.

*

Se sa rëndësi ka pasur për serbët dhe malazezët vrasja e Isa Boletinit e tregon një trofe që ndodhet ende në shtëpinë e familjes Gjilas në Beograd. Nikola Gjilas, babai i Milovan Gjilas, ishte një nga autorët që qëlloi me pistoletë në trupin e Isa Boletinit. Këtë armë nuk e përdori më, por e ruajti në shtëpi si një trofe pa e ditur, që i biri, Milovan Gjilas do të bënte një karrierë si sekretar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Josip Broz Titos.

Në këtë mënyrë, arma që vrau një shqiptar safi dhe simbol të rezistencës ndaj tyre, do të ishte më shumë sesa simbolike: ishte një mburrje për këtë familje. Gjilasi i ri ka derdhur me fjalë të zgjedhura përshkrimin për heroin shqiptar.

“Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur.

Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të!

Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.

*

Një korrespondencë specialet e një gazete amerikane (shih: Fighting the Turks – “Monsieur” Issa, Albanian Hero, Type of Warrior That Threatens Ottoman Empire – The Sunday Oregonian, Portland, USA, 27 tetor 1912, fq. 6),  rezulton të botohet  për herë të parë për publikun shqiptar, është një risi më vete, sepse na dëshmon se deri ku kishte shkuar interesi publik ndërkombëtar për trajtimin e çështjes shqiptare në terma gjeografikë dhe, nga ana tjetër, na rrëfen një profil disi “më ndryshe” të Isa Boletinit, të cilin edhe vetë gazetarja amerikane, qysh në krye të herës e cilëson gjithsesi si: “… heroi më i madh shqiptar qysh prej Skënderbeut, në shekullin e pesëmbëdhjetë. Ai është më trimi, më i ndershmi, më fisniku, më i ashpri dhe më i famshmi i luftëtarëve ballkanas”.

Flamuri i kombit është i të gjithë atyre,
 që flasin shqip
dhe kanë në dej gjak shqiptari!

Isa Boletini po kalonte nëpër Myzeqe, në krye të trimave të tij kosovarë, për të ardhur në Vlorë më 28 nëntor 1912, një lajmëtar i doli përpara dhe i tha:

– Baca Isa, Ismail Qemali po ju pret. Ai e ngriti flamurin e Shqipërisë në Vlorë. Dhe Isai, mendueshëm, iu përgjigj:
– Jo vetëm të Shqipërisë, more bir, por flamurin e të gjithë shqiptarëve kudo e nën këdo që të ndodhen. Ai është flamuri i të gjithë atyre që flasin shqip e kanë në dej gjak shqiptari. Dhe këtë do ta ruajnë e do ta mbajnë gjithmonë kudo që të ndodhen.

Unë i zë besë vetëm
 grykës së pushkës,
 që mbaj me vete!

I dërguari i Stambollit shkoi në shtëpi të Isa Boletinit, dhe e pyeti:

– Përse nuk doli ta priste Sulltan Reshatin, kur ai erdhi në Kosovë në korrik të vitit 1911?
– Nuk mund të vija se ju më kërkuat të dorëzoja armët!
– Pse, nuk u zure besë fjalëve të sulltanit?
– Unë i zë besë vetëm grykës së pushkës që mbaj me vete! Sulltanët na kanë pritur gjithmonë me muzikë, e pas shpine na kanë ngulur thikën!

Të pabesit kurrë s’i kemi zënë besë!
Nuk u bie në gjunjë as për kryet e nëntë djemve!

Një ditë të bukur korriku të vitit 1908, kur dy djemtë e Isa Boletinit po ktheheshin në Shqipëri nga Stambolli, xhonturqit ia mbajtën peng, sepse Isai nuk kishte pranuar të shkruhej anëtar i xhemijetit. Ata e kërcënuan Isanë duke i dërguar lajmin: ose të zbriste në Mitrovicë e të shkruhej anëtar i xhemijetit, ose nuk do t’i shihte kurrë djemtë e tij.

Dhe Isa Boletini u dha këtë përgjigje:
– A, kaq për zemërpakët më mbani sa t’u bie në gjunjë për kryet e dy djemve të mi? Jo, unë nuk bie në gjunjë as për kryet e nëntë djemve të mi…
Ora e Shqipërisë po bie!
– Të bëhet nisja e delegatëve nga të gjitha

Krahinat e trojeve shqiptare!
Në telegramin e IsmailQemalit, thuhej:
– Të nisën delegatët e të gjitha Krahinave të trojeve etnike të Shqipërisë!
Unë, Ismail Qemali, po nisëm për në Durrës!

Edhe Kosova duhej të merrte pjesë në shpalljen e pavarësisë së shtetit të parë shqiptar.
Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Sali Drenica,
e burra të tjerë, po e prisnin gjeneralin, Isa Boletini.
Isa erdhi dhe u përshëndet me burra.

– Burra, Ora e Shqipërisë po bie! Në Komitetin e Shpëtimit Kombëtar jemi marrë vesh që flamurin kombëtar ta ngrehim në Durrës.
Tash kur Ismail Qemali porosit për me u nisë delegatët, jeni dakord Kosova të dërgojë burrat atje?
– Po! Jehoi pajtimi i burrave kosovarë.
– Epo, në emër të të gjitha Krahinave të Kosovës po dërgojmë Isa Boletinin, me trimat e vet. Ata do të jenë edhe në mbrojtjen e shtetit shqiptar.

Ne do të rrimë në Kosovë, për me i dalë zot vendit, dhe me i pengua forcat serbe-malaziase për të depërtuar në viset veriore të Shqipërisë!
A ke me thënë diçka, o Isa Boletini?
Çka me thënë, o Hasan Prishtina?
– As gjaku im, as i bijve të mi, nuk mundet me e shpërblye nderin aq të madh që ma bëni Ju në këtë Lidhje të Dytë të Prizrenit.

Ju faleminderit Juve, o Hasan Prishtina,
dhe tanë Kosovës!

Rroftë Shqipëria!
” Unë nuk kam dalë malit
 për të mirën time,
por për të mirën e atdheut tim
dhe për lirinë e popullit tim”.

Fuqitë e Mëdha Evropiane me vendimet e tyre rënduan edhe më shumë pozitën shqiptare, duke mohuar të drejtën tonë për vetëvendosje dhe duke ndarë tokat tona në favor të shteteve fqinje! Mbledhja e Shën Stefanit e më vonë dhe  Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878 ), ku i vunë thikat mbi tokat tona, por populli kurrë nuk u pajtua (as sot), me fatin tragjik të ndarjes së tokave shqiptare. Isa Boletini luftoi pa kompromis kundër serbëve dhe malazezëve tinëzarë, të cilët për ta thyer Isanë, bënin përpjekjet – me dhelpëri e diplomaci për ta komprometuar, duke i ofruar ofiqe të larta, pasuri, flori, tokë e jetë Pashai,por ai kurdoherë ua priste shkurt dhe qartë:

” Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e atdheut tim dhe për lirinë e popullit tim”. Isai gjithmonë qetë e me maturi, u thoshte krerëve të Portës: “Ju falem nderit për “kujdesin” që po m’tregoni për mua, por ma i mirë asht për mua Boletini im me ata gurë e kepa, se sa e tanë Stambolli juaj”

Kufijtë e tokave shqiptare

“N`është se Evropa nuk do ta zgjidhte drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi dhe për këtë faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë deri sa të çlirohemi”

Do t`ia dalim ta marrim Kosovën

“Shqipëria do të ketë ushtrinë e vet dhe ne do t`ia dalim që Kosovën ta marrim nga Serbia,  sepse pa Kosovë Shqipëria nuk do të mund të jetojë”

“Sidoqoftë, detyra e tij është vetëm e një shërbëtori!”

Një ditë Isa Boletini u nis tek bashqatipi i Sulltanit për të protestuar kundër ndjekjeve politike që i bëheshin popullit kosovar. Portieri, Halil Aga, të cilit edhe ministrat ia kishin frikën, dhe i bënin komplimente, kur Isai deshi të hynte brenda, i tha shkurt e shqip:

– Është e ndaluar!

E kur Isai u nis drejt derës, Halil Aga e kapi për krahu. Atëherë Isai e kapi nga mesi dhe e rrokullisi tatëpjetë shkallëve. Natyrisht u dëgjua shamata dhe dolën të gjithë nga zyrat, me bashqatipin, dhe panë Halil Agën në fund të shkallëve. Isai, si pa të keq, hyri në zyrën e bashqatipit, të cilit i foli me urtësi:

– E këshilloni shërbëtorin që t’i dallojë njerëzit, zotëri!
– Nuk është shërbëtor, por njeri me gradë të lartë që kryen detyrën e portierit, o Isa Beg!
– Sidoqoftë, detyra e tij është vetëm e një shërbëtori – ia preu Isai.

*

Ecnim me gjithë malet rreth, me fushat, me luginat e krojet, me shkëmbinjtë e copëtuar, ecnim e mendja na endte rreth më rreth tokës së robëruar, të mbetur jashtë vijash të lashta-etnike, e të zverdhur, të shkretuar, ecnim, me gjysmë fryme. Ecnim e heshtnim të vetmuar, pa zot dhe pa pikë gjaku nga damarët e mi e të Çeros, ecnim e  shikonim të habitur nga qielli. E nga qielli nuk vinte asgjë! Kalonim përbri tri shtëpive të vetme buzë rrugës e tashmë nis ta dëgjoja gurgullimën e ujit, ushtimën e vrullshme e të egër, që shfaqej menjëherë në të majtë, aty para kullës së Isës, deri te dyert e së cilës ishin zgjatur tokat e kishës, ku shërbenin në disa objekte të vetmuara motrat e nderit. Çera i lante dhe freskonte duart e fytyrën, ndërsa unë e pyetja në heshtje, – si u shtua kjo copë tokë, e cila i takoi në të gjitha kohët Boletinëve. Çera hetoi të psherëtija diçka e tha qetë, ndërsa unë i laja duart dhe fytyrën.

-Kjo qe një copë tokë e Isës, të cilën ai e ndau për rrogëtarin e vet serb, aty ta ndërtojë dhe një objekt të vogël fetar, ku ai do të kryente ritet e veta të besimit. Ja, tashmë ata që sundojnë në këtë pjesë atë copëz tokë e objektin e vogël e kanë zgjeruar kaq sa të sheh syri yt e imi. Vetëm dhe kullën nuk e kanë marrë!

-Atë që e ka falë ai e ka bërë nga zemra dhe s`e përmendim, – i shkunda duart nga pikat e ujit para vetes e eca shkallët që më ndalën para dyerve të kullës. Dyer të mëdha, shtrënguar  me pulla të metalta.

-Ec brenda, -më preku nga shpina Çera. – Dyert këtu nuk mbyllen kurrë.
-Kush të tha s`e dyert nuk mbyllen…

-Askush, veç duart për mikun janë të hapura gjithnjë, – ndërhyri ai ndërsa po ecnim brenda oborrit të Kullës. Në të majtë një copëz e madhe shkëmbi. Në mes vëreja një golle në mes të shkëmbi… – E shikon, ajo gjurmë shkëmbi e theksuar, ajo është nga gjylja e topit turk, të cilët me kaq ashpërsi do ta kenë sulmuar dhe rrënuar kullën.

-Isa s’do të qe ai që ishte të mos e rindërtonte prapë… Ja, pse është një nga ata shqiptarët sypatrembur, nga ata trimat e patundur, kaq sa të mos i gjendet ndonjë i dytë…

-Po, e ndërtoi kullën prapë. E jo veç kullën, ai e ndërtoi , shikoje atje, shkollën e parë të vajzave shqipe, ku nisën t`i mësonin shkronjat dhe gjeografinë e historinë për shqiptarët shpirtrat e etshëm për horizonte të reja të dijes. Tashmë është shkollë tetëvjeçare, veç ka pak nxënës… Njerëzit po zbresin nga malet, po kërkojnë ambient më të përshtatshëm për jetë, afër qytetit dhe në ndonjë luginë. Me rrugët afër, për të arritur më lehtë aty ku synojnë.

Shikoja rreth e rrotull me vëmendje. Ambienti i oborrit të kullës, i mbushur me gurë kaq të mëdhenj. Aty tek dyert e oborrit një rrap i vjetër, të cilin disa vetë t`i hapin krahët e të mos arrijnë ta përthekojnë. Përballë me të Kulla mitike, e meremetuar bukur. Me frëngjitë për dritë dhe për të vjellë zjarr në secilin që i sulmon anëtarët e familjes.

Kulla e birit të pavdekshëm, tashmë pa zë të gjallë brenda.
-S`vjen zë nga brenda, – ec përkrah gazetarit, i cili është nga kjo pjesë e botës.
-S`është pa zë jo, kurrë, – erdhi dhe u derdh nga brenda një zë. Me zërin do të shfaqet dhe një djalosh, i afërm i familjes Boletini.
Pritëm pak duke endur me vëmendje shikimet rreth kullës, në malet e ashpra rreth.

-Ka, ka të gjallë, – dëgjoj prapë të vjen zëri i djaloshit që zbret nga kati i dytë dhe na del përballë, të falet me ne me dorë mbi zemër. – Unë jam Gazmendi. Natyrisht Boletini! I zot i gurit, i kullës së gurit. A mendoni pak sesi do t`i ketë sjellë kush atëherë  këta gurë nga larg në këtë oborr, ku i Zoti, Heroi, Mjeshtri i armës e i urtisë shqiptare, për nevoja të mullinjve cokati me mjeshtër për t`i bërë të sillen mbi ujin malor,  për të bluar misër, grurë e elb.

-S`mund t`i them asgjë? E ika mendjen larg. Shikimin e largova nga gurtë e pagdhendur, të cilët – të qe gjallë ai, do t`i  cokaste për mullinjtë, të mos vuajnë njerëzit për bukë.

Qielli mbi malet e kodrat, mbi luginat e krojet me ujë të ftohtë akull, dhiaret e udhët që shpien në hapësira e  qytete të largëta, vjen e çilet me të shtatë ngjyrat e ylberit. Sidomos shquhet e kaltra, ndërsa mua më përhitet figura e njeriut që eci Evropën, për të bërë përpjekje ta bind këtë plakë të tmerrshme, ta njohë tokën më të vjetër të Ballkanit, këtë tokë të përjetshme të Arbrit, të lidhur kaq herë me zinxhirë të rëndë të robit!

-S`fole asgjë të më përgjigjesh…
-Nuk solla diçka të të tregoj. Këtë do ta bësh ti, – e shikoj djaloshin me të cilin për herë të parë shiheshim sy më sy.
Ai qeshi. Më preku në sup e tha, mua më thërrasin Gazmend.

Ecëm me Gazmendin trotuarit, për të hyrë brenda objektit, me përqendrim të theksuar në gurin e madh, të mbetur mes dyerve të mëdha të lidhura me shirita të metaltë përmes dhe mes derës së vogël, e cila të zgjon kureshtjen të hysh brenda e në mënyrë imagjinate  ta krijosh lëvizjen ende pa lëvizur. Ta imagjinosh siluetën e Isës.

– Ja, – ma mori shikimin më parë  hija e heroit në katin e parë dhe më pastaj morëm të ngjitemi në katin e dytë, tek shiheshin dhomat e qëndrimit ditor, dhomat e fjetjes dhe pamjet nga të gjitha horizontet e pafundme përreth, të shkruara me lugje e brigje të zhveshura, me pemë tashmë cullake dhe me pupla të borës nga binte qetë. Vëmendjen ta tërhiqte ende dhe guri i madh, nën degët e rrapit të vjetër, tek kishin mbetur gjurmë të rënda të gjyles së topit. Kjo pamje të tërhiqte gjithnjë vëmendjen derisa ta ikësh shikimin, me të cilin hyn brenda në Kullë. Dera  e kullës është e çelur. Ditën gjithnjë është dikush në kullë, të mos ngjet të vijë kush e të kthehet pa vizituar monumentin historik. Natën përkujdeset për të roja.

-Veç askush nuk e prek ndonjë gjë në kullë.
-E ruan drita e vet, – fola.
-Apo historia e Isës.
-Tash e kaq vjet, të gjithë i presim të kthehen eshtrat e Isës.
-Kam dëgjuar një variant për eshtrat e Isës… – foli me gjysmë zëri, në hamendje Çera.
-Lere tash,- tha Gazmendi.

Në të njëjtën kohë, ndërsa hyja e dilja nga një dhomë në tjetrin, në frëngji m`u përhit figura e një zogu të zi. Ishte apo nuk ishte. Qe e përnjëherë fluturoi. Të shfaqet prapë e prapë s` është. Qe njëmend apo nuk qe!?

Një zog fluturonte qiellit.

-A e sheh atë zog që nuk shihet, -ia bëra Gazmendit. Ai më shikoi me habi, në përpjekje të më flasë herë për këtë gjë e herë tjetër për atë gjë, të cilat lidheshin në një zinxhir për tokën, qiellin e zogun.

-Ai zog, – ia bëra.
-Është e nuk është e prapë është…
-Çfarë do të thotë kjo?

-Po afron liria. Do t`i kthejmë dhe eshtrat aty ku është dashur të jenë… – fliste ai me mallëngjim të thellë, me hije dritë të derdhur fytyrës i bindur për secilën fjalë që e shkëpuste, ndërsa sytë i ikte rreth e rreth larg, diku aty, në rrethin e Arbrit.

–Ai s`e bëri kot luftën.
-Luftë ka ende, – i doli padashur nga brendia mendimi Çeros.
-Ose liri ose luftë, zgjidhje tjetër nuk ka!
-E Zogu herë është i zi, e herë tjetër me ngjyrë gjaku.
-Ndërlidhen flakët e qiellit dhe ato të tokës dhe ja, herë kuq e herë zi…
-Nuk e the mirë.Duhej ta thurje më mire!

-E si u desh të thuhet? E ndërpreve dhe ktheva nga Gazmendi, i cikli nuk ndërhynte,veç dëgjonte.
-A mendon ti ngjashëm Gazmend. Fol!
Toka, shpirti e vrasja
-E  sheh atë zog që s`shihet? – ia bëra.
-Fluturon gjithmonë brenda gjakut, shpirtit, e s` shihet!
-Është gjithnjë i njëjti zog…
-Është ai zog, – tha ai e më mori për krahu. I njëjti zog! – Të kthehemi prapë brenda në kullë. Të flasim për të?
-Bën shaka, ndoshta.
-Vërtetë!?
-Natyrisht, s`e ke me gjithë mend.

-Vërtet, – e përsëriti  ai e iu shfaq gjaku në  fytyrë. Çeros, e vërejta me ngulm , veç hijes së zjarrit i ra dhe një dritëhije e çuditshme. I shiheshin qartë damarët e gjakut në shpinë të dorës, ndërsa i ndriste diçka e dylltë nga fytyra, më pastaj bëhej e zjarrtë,e cila ndryshonte në secilën lëvizje. Nuk isha në gjendje ta lexoja deri në fund, çfarë është ajo.

Ecëm me Gazmendin brenda

– E ripërmenda e po e përsëris prapë, -tha. – Ditën gjithnjë është dikush në kullë. Po qe s`është dikush,është hija e Isës. Ajo kurrë nuk e lë vetëm asnjë gjësend, asnjë shkallë, frëngji, asnjë gur. Lëvizin gjërat. Marrin frymë e ti vetvetiu i dëgjon brenda vetes. Ja,vijnë fëmijë, të rritur, të mahnitur me mjeshtrin e secilit gur në kullë. Me frëngjitë, nga të cilat mbrohesh dhe sulmon nga secila poezitë të jetë sulmuesi. Ja pse duhet të jetë gjithnjë dikush këtu t`ia shpjegojë vizitorit atë gjë, e cila i intereson. Sa herë është sulmuar kulla, sa herë është rrënuar-djegur e prapë është ndërtuar. E njëjtë dhe më e bukur.

Gjatë natës,roja rri zgjuar, me kokë në frëngji. Gjithnjë i gatshëm për secilin gjëmim. I madh qoftë apo i vogël. Kulla duhet ruajtur me çdo kusht. Natyrisht, s`e ruan gjaku yt e ruajnë vetëtimat. Kolazhet e gjakut, udhët, në të cilat nisesh dhe gjithnjë vjen aty ku nisesh. Pa i ikur vetes. Vjen gjithnjë me veten.

Udhës së gurit.
Udhës së gjatë të pritjes.

Tash e kaq kohë presim të gjithë të kthehen eshtrat e Isës. Të varroset më në fund në tokën e vet për të cilën tërë jetën luftoi dhe e dha jetën te Ura, në të hyrë të Podgoricës… Në një pritë të organizuar!?