RIHYRJE NË SISTEMIN POLITIK

0
409

AV. XHABIR ZEJNUNI

Me datën 1 nëntor, KQZ-ja me votim “unanim” me 5 vota pro dhe me 0 votë kundër, shpalli përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut. Votën pro, e dha edhe nënkryetari Denar Biba, i cili me anë të “një arsyetimi të rrallë juridik” deklaroi me dhimbje të thellë se “Në respekt të moralit tonë individual dhe egos tonë profesionale, ne themi publikisht dhe vazhdojmë ta themi se ky vendim e ka ka tejkaluar ligjin”.

Sidoqoftë, Denar Biba e votoi këtë “Vendim të tejkaluar ligjor”! Avokati i Agim Kajmakut, Isuf Shehu deklaroi se “Organi i akuzës nuk ka një vendim të formës së prerë për kryebashkiakun e Vorës”. Pritet firma e Ramës, që në këtë rast supozohet të mos refuzohet. Aq më shumë se po vetë Rama ka urdhëruar anëtarët socialistë të KQZ-së, të votojnë pro këtij vendimi.

Në lidhje me problemin që krijoi vakanca bashkiake në Vorë, e cila pasoi dorëheqjen e sforcuar (me 15 gusht) të Pjetrit në Shkodër, kanë lindur diskutime në lidhje me qëndrimin (e justifikuar ligjor dhe kushtetues), që duhet të mbajë Presidenti për dekretimin e zgjedhjeve të pjesëshme në këto dy bashki.

Kostitucionalisti Sokol Haziraj thotë se “Presidenti duhet të njohë zgjedhjet, edhe pse me difektet kushtetuese dhe ligjore dhe te dekretojë zgjedhjet e pjesëshme”. E thënë kjo deklaratë nga një kostitucionalist si Haziraj, tingëllon “çuditshëm”, aq më shumë që Presidenti nuk do e merrte kurrë parasysh një sugjerim të tillë.

Ndërsa Kristaq Kume thotë se “Këtë punë e zgjidh vetëm mbledhja e palëve, të cilat më pas t’i kërkojnë Presidentit dekretimin e zgjedhjeve të pjesëshme”. Pra, sipas Kumes politika shqiptare duhet të vazhdojë “notimin” e saj në pazaret antiligjore dhe antikushtetuese si në rastet e mëparshme! (?!)

Por, ka edhe një zgjidhje të tretë ky problem.

Duke qenë se Presidenti zhdekretoi zgjedhjet e 30 qershorit, pavarësisht se në të njëjtin moment ai nuk dekretoi një datë tjetër zgjedhjesh(!), tregon se ai nuk e njeh as rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Që do thotë se Presidenti nuk njeh si rrjedhojë fituesit e zgjedhjeve të 30 qershorit. Këtë mosnjohje, Presidenti e përforcoi akoma më shumë kur (edhe pse me vonesë!) ai dekretoi datën 13 tetor për zgjedhjet administrative, të cilat nuk u zhvilluan! Në këtë mënyrë, Presidenti nuk duhet të ketë problem të dekretojë zgjedhjet e pjesëshme për bashkinë e Shkodrës dhe të Vorës.

Vetë PD-ja në këtë rast duhet të jetë e interesuar dhe përfituese direkte, duke futur në këto zgjedhje kandidatët e saj (edhe pse të pjesëshme ato), pasi këto zgjedhje do jenë edhe një lloj “barometri” politik për vetë PD-në. Madje vetë PD-ja duhet të sponsorizojë fuqishëm kandidatët e saj, me qëllimin që ata të fitojnë këto dy bashki, duke i hapur në këtë mënyrë asaj rihyrjen legale (dhe të dhimbshme!) në sistemin politik. PD-ja duhet të shfrytëzojë rastin që të kandidojë fytyra të reja dhe të pastërta në politikë dhe jo fosilet e mëparshme politike, edhe me çmimin e mos fitimit të këtyre dy bashkive, pasi shumë vlerë do kenë në këtë rast edhe votat e marra nga PD-ja.

Aq më shumë bëhet jetik pjesëmarrja e PD-së në këto zgjedhje të pjesëshme, duke qenë se ajo pretendon se janë akoma edhe 7 kryebashkiakë të tjerë me “cene” në biografinë e tyre! Nëse do ndodhte mrekullia(!) që edhe këta 7 kryebashkiakë të përjashtohen nga KQZ-ja dhe nëse PD-ja do merrte pjesë në zgjedhjet e pjesëshme, duke uruar që ajo t’i fitojë ato (ose sa më shumë vota), atëherë rihyrja legale në sistemin politik e PD-së do e rriste akoma më shumë “bonusin” e PD-së në kërkesën dhe pretendimin e saj për zgjedhje të parakohëshme politike dhe administrative.

Mund të supozohet që “djegja” e Pjetrit në Shkodër dhe e Kajmakut në Vorë të jetë bërë edhe me bekimin personal të Ramës, për t’i lehtësuar në këtë mënyrë PD-së rihyrjen në sistemin politik, për të evituar në këtë mënyrë që në “tregun politik” të hyjnë aktorë të tjerë të rinj politikë, të cilët mund të rezultonin të pakontrollueshëm më vonë! (?!)

Mund të supozohet po ashtu se “djegja” e Pjetrit dhe Kajmakut (edhe pse “djegja” e këtij të fundit solli “shpenzim të madh energjish” për shkak të “përqindjes së lartë të lagështisë”!) u bë nga Rama pasi ai nuk kishte rrugë tjetër. Në këtë rast, Rama do të tregonte dobësinë e tij. Ose ashtu do dukej. Bëhet fjalë për dobësinë politike dhe jo fizike të tijën!

Por, çfarëdo lloj supozimi që mund të bëhet, dihet se Rama ka gjithmonë dakordësinë e “kundërshtarëve” të tij politikë(…)!