Baki Shaban Ejupi, nënoficer i lartë i FSK-së, 08.05.1974 – 29.10.2019
ARIF EJUPI
Lajmi mbi vdekjen e papritur dhe në krye të detyrës të nënoficerit të lartë të FSK-së, Baki Shaban Ejupi, njëherit dhe ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u prit kudo me pikëllim e dhembje të madhe.
Bakiu lindi më 8 maj të vitit 1974 në Vendenis ( ish – Gllamnik ) të Besianës. Mësimet e para i mori në Shkollën e fshatit “Kongresi i Manastirit”.
Pastaj ato të mëtutjeshme i vazhdoi në Shkollën e Mesme të Lartë Teknike “FAN S. NOLI” në qytezën e Besianës (ish- Podujevë).
Prindi i tij Shaban Feriz Ejupi për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike që në fillim të viteve të 70-ta imigroi në Linz të Austrisë.
Në mungesë të kryefamiljarit të gjitha detyrat ndaj shtëpisë dhe familjes u desht t’i kryejë bashkëshortja e tij Shukrie Gashi Ejupi.
Ajo tamam si një nënë dhe grua e vërtetë shqiptare, çdo cent të marrë nga i shoqi e investoi në ndërtimin e shtëpisë dhe shkollimin e fëmijëve.
Edhe pse gëzonte të drejtën e bashkimit familjar me bashkëshortin në Austri, zonja Shukrie Gashi Ejupi, kishte vendosur që të tre fëmijtë e saj t’i rrisë dhe t’i edukojë në Kosovë.
Pakkush kishte menduar që në një të ardhme të afërt, djali i saj Baki Shaban Ejupi, do të jetë njëri ndër ushtarët më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bakiu ende pa lëshuar brisk mbi fytyrë, u inkuadrua me vullnet e dëshirë në Brigadën 152 “Shaban Shala” të kësaj Ushtrie-Zona Operative e Llapit.
Ai edhe pse i ri në moshë çdo detyrë të dhënë nga eprorët e tij e kryente me besnikëri e guxim.
Mirësjellja dhe respekti ndaj shokëve bashkëluftëtarë e bënë atë që të jetë i adhuruar nga të gjithë.
Kjo edhe bëri që ai të avancohet në gradën e Zëvendëskomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Llapit – Toga “Ulpiana 34”.
Profilin e tij prej ushtari të shkëlqyer e plotëson edhe gatishmëria për të ndarë çdo gjë me shokët e luftës.
Ai veçohej sidomos me humanitetin e tij. Vizitonte të gjitha nënat dhe familjet që kishin humbur djemtë e tyre në luftë me okupatorët serbë.
Sa e saherë kishte organizuar aksione bamirësie në ndihmë të shokëve të plagosur dhe familjeve të tyre në gjendje të rëndë ekonomike.
Dashuria dhe pasioni për detyrën e ushtarakut e shtyn që edhe pas përfundimit të lutës të angazhohet në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Më përvojën e fituar në luftë dhe me provimet e kryera në teori dhe praktikë para një komisioni prej eprorësh profesionistë dhe të dalluar Bakiu ishte aftësuar për çdo detyrë.
Ai ishte në gjendje të përhershme gatishmërie që të shkonte pangurruar aty ku e kërkonte nevoja e vendit.
Ai dhe shokët e tij kishin treguar shkathtësi të jashtëzakonshme edhe në disa stërvitje të zhvilluara në Hungari, Kroaci dhe Slloveni.
Me punën e tyre prej profesionistësh të vërtetë morën sinjalin edhe nga oficerë të lartë të këtyre vendeve se FSK, ka arritur përsosmëri të duhur, dhe meritueshëm mund të transferohet në Ushtri të Armatosur të Republikës së Kosovës.
Si një kujtim mbresëlënës dhe të paharruar Bakiu e konsideronte edhe një stërvitje tjetër ushtarake të koduar “Shqiponja 2019” të inspektuar nga ekipe ekspertësh të lartë të NATO-s.
Edhe pse kjo stërvitje ishte nga më të mundimshmet u kalua me sukses, dhe u vlerësua me notën më të lartë.
Rritja dhe konsolidimi i çdoditshëm i kësaj Force Mbrojtëse të vendit tonë Bakiun e gëzonte tej mase.
Më rastin e festave kombëtare e sidomos më 28 Nëntor, së bashku me shokët e tij dekoronte rrugët e qytetit të Besianës me Flamujt Kuqezi, duke filluar që nga Qershitë e Llapashticës e deri në Merdare, ku gjendet vija kufitare Kosovë-Serbi, paharruar edhe fshatin e lindjes Vendenisin.
Andaj, angazhimi i tij në kryerjen e shumë detyrave në fusha të ndyshme, me të drejtë është shpërblyer me shumë medalje dhe mirënjohje, nga niveli lokal e deri tek ai qëndror i Republikës së Kosovës.
Krahas angazhimeve në FSK, ai kreu edhe funksionin e kryetarit të fshatit, duke organizuar aksione pune si në rinovim të shkollës dhe mirëmbajtje të varrezave, të cilat varreza tani janë kthyer në mauzole luftarësh për liri.
Aty prehen eshtrat e Nexhip Ragip Ejupit, pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968, të Selim Rexhep Ejupit dhe Jashar Faik Ejupit, ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe eprorë në Policinë e Kosovës.
Deri vitin e kaluar, në këto varreza pushonte edhe trupi i luftëtarit të orëve të para të luftës për demokraci dhe mëvehtësi të Kosovës, dëshmorit Mehmet Maliq Ejupi, vrarë më 27 mars 1989 në demostratën gjithëpopullore në Besianë (ish-Podujevë).
Demonstratë kjo që do të hyjë në analet e historisë për qëndresën e paparë të llapjanëve në mbrojtje të kushtetushmërisë së Kosovës.
Me një vendim të posaçëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, shumica e të rënëve në Betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Zona Operative e Llapit, janë rivarrosur në varrezat e dëshmorëve në fshatin Penuhë të Besianës.
Në këto varreza fanar drite që së shuhet kurrë janë bartur edhe eshtrat e dëshmorit të kombit Mehmet Maliq Ejupi.
Bazuar në aktivitetin e gjithëmbarshëm kombëtar të Baki Shaban Ejupi, mendojmë që në këto varreza mauzole heronjësh është dashur të pushojë edhe trupi i tij, dhe i gjithë atyre që kanë qenë çlirmitar të vërtetë të vendit.
Mbase ka qenë amanet i Bakiut, që kurdo qoftë vdekja të varroset pranë prindërve të tij Shabanit dhe Shukrijes.
Fatet e njerëzëve në këtë botë shpeshherë janë të paparashikuara dhe të hidhura. Bakiu iu kishte gëzuar pa masë pensionimit të babait dhe kthimit të tij në vendlindje.
Kur priste që ta kompensojë sadopak mungesën e tij, ai vdes papritmas më 21 maj 2016. Kështu që Bakiu vdekjen e parakohshme të babait të tij e përjetoi rëndë, dhe si mall që së shuhet asnjëherë.
Fat i njëjtë do ta përcjellë edhe më nënën e tij Shukrien, me të cilën ishte i lidhur ngushtë, dhe çdo veprim që ndërmerrte kërkonte patjetër edhe mendimin e saj.
Ajo vdes më 6 shtator të këtij viti. Por, dhembja mbërrin kulmin me vdekjen e Bakiut, i cili ishte shtyllë e shtëpisë dhe shoqërisë.
Ai ndërroi jetë pardje në Mitrovicë, pas një sulmi në zemër, derisa po kryente një nga stërvitjet e zakonshme në kuadër të FSK-së.
Bakiu u ndjente keq kur dikush përdorte emërtimin Mitrovicë e Jugut dhe Veriut. Ai me buzëqeshjen e tij të lehtë dhe të këndshme thoshte “unë njoh vetëm një Mitrovicë, ashtu siç e njohu gjyshi im Ferizi dhe stërgjyshi Xheladini, para gati dy shekujve“.
Bakiu, edhe pse relativisht i ri me përkushtimin e tij në luftën për çlirim, dhe punën plot suksese në FSK, e cila së shpejti edhe do të zyrtarizohet si Ushtri e Armatosur e Republikës së Kosovës, na bëri ta kujtojmë përherë si luftëtar në mbrojtje të Atdheut, dhe si njeri të aksioneve të shumta vullnetare dhe bamirëse.
Jemi të sigurtë që rolin e një nëne dhe këshillëtarje të së mirës do ta kryejë edhe bashkëshortja e Bakiut, zonja Naime Havolli Ejupi, duke qenë përherë përkrah të tre fëmijëve të saj të mrekullueshëm Eduarit, Arianit dhe Lironës.
I përjetshëm qoftë kujtimi për nënoficerin e lartë të FSK- së, dhe humanistin Baki Shaban Ejupi !