Edi Rama, 31 tetor 2016
Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare“), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit, i cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.
Një histori e tillë e një qyteti, që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina🇬🇷 diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme. Dhe, tamam po kështu, nëse Himara🇦🇱 përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE.