“Politikanët të mësojnë gjuhën shqipe, ka të bëjë me dinjitetin”

0
518
Gjovalin Shkurtaj

Dita, 27 tetor 2019

Gjuhëtari i njohur akademik Gjovalin Shkurtaj është i bindur se të gjithë shqiptarët po e përjetojnë jo pa shqetësim rënien e kujdesit të shtetit dhe të institucioneve zyrtare e publike ndaj gjuhës shqipe.

Madje është i mendimit se duhet t’u japim votën atyre politikanëve duke i vlerësuar edhe nga ana e të shkruarit e të folurit të shqipes.

“Ata që hyjnë në Kuvend bashkë me gëzimin që u zgjodhën duhet të kenë edhe përgjegjësinë që tu përmbahen sa më mirë mënyrës së të folurit d.m.th. të mendojnë para se të shkruajnë si i thonë në Kosovë “ta zgasin qafën” ta mendojnë mirë çfarë do thonë dhe si do ta thonë. Më kryesorja është qe sa më lart aq më mirë duhet të vijë uji sepse kur vjen nga lart shkon poshtë dhe turbullohet ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Uji që vjen nga lart shpesh herë vjen krejt i turbullt”, -tha Gjovalin Shkurtaj.

Akademiku shprehet se qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar, vetëm pak muaj mbas shpalljes së Pavarësisë, në Fletoren Zyrtare u botua vendimi që të gjithë nëpunësit të jepnin provim gjuhën shqipe.

“Jemi 106 vjet të vonuar në zbatimin e një kërkese të qeverisë së Ismail Qemal bej Vlorës, i cili që në vitin 1913, pak muaj pasi ishte shpallur Pavarësia në Fletoren Zyrtare të kohës ka një lajmim. Lajmimi thotë:

“Të gjithë ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Administratën Shtetërore, duhet të japin provën se e dinë gjuhën shqipe. Nëse kanë dëshirimin që të qëndrojnë por nuk e dinë gjuhën shqipe, të marrin kohën e nevojshme për ta dhënë provimin që të qëndrojnë”.

Këtu ne jemi borxhlinj, sepse në Administratën Shtetërore ka shumë njerëz të cilët mund të kenë dituri por nuk dinë gjuhën shqipe”, pohon Shkurtaj.

Me këmbëngulje profesori kërkon një ligj për të mbrojtur gjuhën.

“Unë kam qenë dhe jam që të bëhet si gjithë bota e qytetëruar. Këto ditë flitet shumë për Francën, por Franca për kulturën e vetë tregohet shumë ruajtëse. Për çdo fjalë të re ose term të ri në Francë bëhet propozim dhe merret vendimi nga Presidenca e Republikës. Edhe vendet e tjera bëjnë një punë të madhe për ruajtjen e gjuhës.

Ruajtja e gjuhës shqipe është pjesë e dinjitetit kombëtar, është pjesë e etnisë shqiptare, është pjesë e shqiptarisë. Pra në qoftë se nuk kemi ruajtur gjuhën, nuk kemi ruajtur asnjë nga cilësitë kombëtare”, – tha akademiku.

o.j/dita