Mos ma përzieni gjakun, ju lutem!

0
649
Fahri Xharra

Nga Fahri Xharra

Çfarëdo që pësuam në dheun tonë, mynxyra dhe pushtime shekullore, ne lindëm shqiptarë dhe vdiqëm shqiptarë, falë moralit të grave dhe nënave shqiptare. Ndaj dhe sot nderimi më i madh ju përket, grave dhe nënave tona”. Dhe e vërtetë, falë gruas shqiptare, ne jemi ata që jemi, ne frymojmë shqip, ne gëzohemi dhe vajtojmë shqip.

Me shekuj janë munduar të na zhbëjnë, të na asgjësojnë, të na katandisin nëpër botë për të na humbur farën. Por ja që jemi, jemi dhe do të jemi.

Edhe në Hunzën e largët i gjeta shqiptarët me gjuhën e tyre Burrërishte, edhe në Ukrainën jo aq të largët, i gjeta ata që çuditëshin që unë shqiptoja si ata, edhe në Turqinë që dikur sillej si mortajë ndaj nesh, anë e përtej saj flitsha shqip, e të mos e harroj as Junanistanin; takimet me ata, që quheshin Arvanitopoulos e që gjuhën e kishin harruar, por iu kujtohej se dikush iu kishte thënë se jeni të një dheu me ata që flasin shqip; edhe me ata të Kalabrisë që me një shqipe, që gati nuk e merrja vesh e ndjeva vetën të afërm, por edhe me ata që me serbishten e tyre e plisin e bardhë në kokë duanin të më thonin se jo aq larg në kohë flitnin shqip në “boshnjakinë” e tyre. Jeta është e çuditshme, ajo të përplasë, por edhe herë pas here edhe të ledhaton; kjo jetë e imja më jipte rastin të takoja vëllezërit e mi prej gjaku edhe në Sirinë e largët, edhe Jordaninë antike dhe Egjiptin e Nilit.

Po shumë jemi; po shumë jemi të shpërndarë nëpër botë. Nuk deshta t’i harroj as Europën e as Amerikën, as Australinë e as Zelanden e Re; ku edhe aty i kam vëllezërit e mi prej gjaku. Edhe ata, flasin shqip, rriten ship dhe vdesin shqip. Deri kur? Gjithmonë. Edhe stërstërnipi i tyre edhe pas dy-tre qind apo më shumë vjetësh do të thotë se ishim shqiptarë se vinim nga tokat shqiptare.

Me të gjithë ata që i përmenda më lart, me të gjithë kam dhe të gjithë ne kemi lidhje gjaku. Atë gjak, atë lidhje gjaku duhet ta ruajmë.

Pse u shpërndamë kaq shumë nëpër botë? Historija është e gjatë, ajo ishte njerkë për ne. Na shpërndau dhuna e pushtuesve; duhej të mbijetonim. Na shpërndanë tradhëtitë kombëtare; duhej të jetonim dhe të mbijetonim. Na shpërndanë grabitjet e tokave; duhej të jemi. Na shpërndau varfëria; duhej të siguronim jetën për ne dhe fëmijtë tonë.

Cili nga ju ka gjak shqiptari në dejë? – pyeti Ismail Qemali, një grup ushtarësh turq, që mundoheshin ta pengonin plakun e kombit për të shpallur pavarësinë.
Dhe si për çudi, të gjithë i lanë armët; jo se iu friguan karrocës së Ismail Qemalit, por e ndien vetën krenar, që më në fund mund të mos bëjnë diçka të keqe.

Jam vëlla prej gjaku edhe me shqiptarin katolik të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe të botës më tutje; jam vëlla prej gjaku me shqiptarin musliman të vendeve ku flitet shqip, por edhe me shqiptarin e Turqisë dhe të diasporës; jam vëlla prej gjaku edhe me shqiptarin ortodoks të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe gjithashtu të diaporës.

Por një gjë ta kemi të qartë nuk jam vëlla prej gjaku as me turqit, as me grekët, as me sllavomaqedodonasit, as me gjermanët, as me italianët, as me rusët, as me serbët, as me ukrainasët, as me pakistanezët: Jam vëlla prej gjaku vetëm me Shqiptarin.

Mos ma përzieni gjakun! Mos ma përzieni gjakun, ju lutem!
Jam vëlla vetëm me shqiptarin e motër e kam shqipëtaren! (2014)

Fahri Xharra
Don’t mix my blood, please!