Shkruan: Xhemail Peci
(Fragmente)
Shqipe. Vetëm një poet gjenial ka mundur t’i falë këtij emri ngrohtësinë e gjakut të tij. Duke pagëzuar me emrin shqipe, ky poet gjenial sikur e ka parandier sfidën e madhe të padrejtësive që do të bënin shekujt. Shqipe. Ky emër është pikëtakimi më i shpeshtë i perëndive ilire, dhe se gjuha e gjakut nëpërmes këtij emri, veç e kishte paraljmëruar rikthimin e përjetshëm të shkëlqimit të këtij shpendi kaq të shenjtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, në fushën e shenjtë të gjakut, fushë e cila shënon njëkohësisht edhe vulën e lirisë sonë.
Gjuha shqipe është pra paja me të cilën Zoti e ka pajisur kombin tonë. Gjuha shqipe është një dritë e Perëndisë, e cila me hirin e përjetësisë i është falur Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në mes të pafajësisë dhe përjetësisë, në mes të butësisë dhe shenjtërisë, që përsipër ka velin më hyjnor të lirisë së adhuruar aq shumë, zëri i Princeshës së saj është një marrëveshje për një paqe të përjetshme, një marrëveshje në heshtje: në mes të natyrës dhe artit.
Një paqe, të cilën Shqipëria dhe shqiptarët e kanë gjakuar gjithmonë: “Ndërsa gjuhën e pajisë me një vel hyjnor, atdheut ia falë një rrobe të shenjtëruar!”
Princesha e Shqipes, përkatësisht parafrazimi: “Buzëqeshja më e ëmbël e pranverës, shenja më e shenjtë e përqafimit qiellor të Zotit me shiun e shpirtit të Atdheut!”
Një zog zë-ëmbël i gjuhës shqipe. Në mjaltin e zërit të saj, gjuha shqipe e ngjyen shpirtin e vet! Shqipja, në zërin e Princeshës së saj, është vetë: Gjuha Zonjë!
* * *
Në mugëtirat e shekujve, të shumtë ishin ata që kishin nisur të vinin në rrugëtimin e tyre të gjatë sa dhe të mundimshëm. Në një histori të fragmentuar qëllimisht sa dhe mizorisht nga të tjerët, megjithatë ata kishin ardhur, mes sfidave dhe ndeshtrashave të panumërta, mes kudhrës dhe çekanit, mes Scillës dhe Haridbës. Veçmas, pas natës tepër të gjatë e të thellë, të gjithë kish ardhur me radhë, mbretërit dhe princërit, Elikona ilire dhe Etleva dardane. Më tej martirët e shqipes e fill pas tyre: babai i gjuhës shqipe (Konstantin Nelko Kristoforidhi), princi tragjik i poezisë dhe i dashurisë njëkohësisht (Zef Serembe), bilbili i gjuhës shqipe (Naim Frashëri), princi i gjuhës shqipe (Faik Konica), princi i poezisë shqipe (Lasgush Poradeci), e kështu me radhë…
Vetëm njëra mungonte, vetëm ajo nuk po dukej asgjëkundi, vetëm ajo nuk po shfaqej ende në sfondin e kuq të shqipes. Ndonëse frymëmarrja e Zotit kishte rënë pas një harrimi aq të gjatë, së pari mbi malet e Shqipërisë e pastaj dalëngadalë edhe përmbi hiret e gjuhës së lashtë, shqipes kishte kohë që i kishte munguar dhe po i mungonte aq padrejtësisht: Princesha e saj e hirshme.
Në një heshtje tepër të gjatë, mbërthyer në një heshtje gati prej varri, atdheu i këtyre mbretërve dhe princërve kishte shpëtuar mrekullisht gjallë. Në një shtrëngatë të hatashme përplot re të zeza, ishte shfaqur një ogur i bardhë. Ca hije të uritura ishin sulur rreth e rrotull në lukuninë e tyre të çmendur. Por, kishte ndodhur pikërisht ashtu siç e kishte pohuar Princi i gjuhës dhe i letrave shqipe, Faik Konica (në shkrimin Letërsia shqiptare): “Po qe se dredhia dhe forca brutale mund t’i shtypin talentet individuale, ato janë të pafuqishme kundër vrullit kolektiv të një populli të tërë.“
Zjarri i shpirtit megjithatë nuk ishte shuar dhe se ky thesar shpirtëror kishte mbijetuar e triumfuar me shekuj. Ndërkaq, gjaku i mendimeve të një kombi të tërë, nëpër të gjithë shekujt kishte ushqyer shpresën për një shqipe të lulëzuar, ashtu siç lëshonte zemër-thirrjen e tij Konica, në shkrimin e tij të njohur Ca këshilla mbi artin e shkrimit: “Erdhi më në fund për gjuhën shqipe koha e lulëzuar… Me të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemrat e djalërisë, dhe, plot me dëshirë trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes.”
Duke e quajtuar shqipen gjuhë e qiellit, ai kërkonte me të drejtë dhe me këmbëngulje që: “Gjuha të jetë e qëruar, pa ato fjalë që na i kanë mbjellë magjitë e të huajve.”
* * *
Ajo ishte edhe Elikona ilire edhe Etleva dardane njëkohësisht. Përpara zërit të saj heshtnin zogjtë e kanarinat shuanin mallin. Ai zë u këndonte himne të papërsëritshme shkëlqimeve të dikurshme. Duke krijuar një himn të ri me zërin e saj, Princesha e Shqipes përkujtonte se sa fort kishte rrahur zemra e një atdheu të përvuajtur aq shumë mijëvjeçarëve. Një zë rinor, gjithmonë i freskët, depërtues, një zë që gradualisht ishte bërë si një recital i shpirtit të kombit. Një zë që përkujtonte aq dhembshëm se Shqipëria i kishte shkruar këngët e saj nëpër shpate graniti, një thirrje për memorien kolektive për kthetrat e shqipeve që mbijnë sa nëpër strall po aq dhe nëpër granit, dëshmi se sa shumë ka rrahur koha unor për të nxjerrë shqipja shkëndijat e saj të rralla.
Princesha në zërin e saj përplot magji, përplot butësi, përplot dhembshuri e ëmbëlsi, bluante mermer. Dhe jo nga ndonjë mermer dosido, po nga ai mermeri më monumental i perëndive ilire. Nga ai mermeri ku shqipen e kishin ngritur vigajtë e saj, tre poetët më të mëdhenj të kombit: Jeronim De Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta. E bashkë me ta edhe vëllezërit vatranë e vëllezërit shkodranë, ata të cilët profesori erudit Selman Riza i kishte quajtur me të drejtë flamurtarët e shqiptarizmës së rilindur rishtas.
Me zërin që dilte nga thellësitë e zemrës së saj e madje edhe nga ta thelpinjtë më të hollë lirik, Princesha e Shqipes dëshmonte kështu se ajo kishte qenë prej shekujsh aty dhe po shfaqej e rishfaqej sërish. Ajo kishte hyrë nën urdhrat e bekimit hyjnor mijëra vjet më parë. Madje ajo kishte hyrë nën këta urdhra në një distancë shumë të thellë kohore, distancë e një qytetërimi të stërlashtë, për të cilin një nga mendjet më gjeniale të këtij kombi, filozofi erudit dr. Isuf Luzaj (i dekoruar nga Presidenti Regan e i çmuar lart edhe nga Borhesi), thoshte se lashtësia e këtij qytetërimi kishte një moshë pesëdhjetë mijë vjeçare.
* * *
Fjalët në zërin e saj tingëllojnë herë si cicërima zogjsh e herë si psherëtima lulevirgjëra. Ai zë ishte përmbi çdo gjë një himn nga më të bukurit që ajo i thurte përjetësisë. Një zjarr i ëmbël shfaqej në shqiptimin e atyre shkronjave, gjë që ajo e bënte me një dashuri gati-gati proverbiale. Ai zë përhapej në qiell herë si një tufë pëllumbash të bardhë me gugurimat e tyre, herë si zë kanarinash që sapo kanë dalë nga kafazi, e herë si fluturimi i shqipeve mbi tokën bujare të gjakut. Me zërin e saj si ca himne të papërsëritshme, ajo sikur laton me aq pasion perlat e gjerdanit të gjuhës shqipe me flakërimat e saj të mahnitshme e gati-gati mitologjike në shpërrthimet liriko-epike.
Më shumë se kudo, në atë zë Perëndia i kishte falur një dhunti të vërtetë shpirti. Në zërin e saj zogjtë ia marrin këngës e rendin nëpër qiell për ta rrëfyer lumturinë që u falë magjia e zërit të saj.
Sakaq, përmbi tokën bujare të gjakut u shfaqën vetëtimat paralajmëruese të mbrëmjeve të përflakura. Pastaj në mugëtirat e mëngjeseve sërish një si përzierje qelibari. Sërish oshëtima e tingujve jehonë e kohëve epike. Një zë me vrulle rinore shfaqet përmbi sfondin kuqezi, shfaqet dhe u jep sërish jetë dejeve të këputura të gjakut, përkatësisht degëve të trungut ilir. Gjithsesi, një dhunti e dyfishtë, për të depërtuar me zërin magjik në misteret dhe labirintet e gjakut ilir!
* * *
Faik Konica duke i quajtur gjeniale përkthimet e Kristoforidhit, shtonte më tej se në versionet e Kristoforidhit shqipja “ka një fuqi hyjnore dhe një graciozitet mallëngjyes e bindës që na step, (sidomos pasazhi Predikimi në Mal) që këtu është më superior nga teksti grek”.
Kundruar nga ky prizëm, me të drejtë Fjalori i Konstantin Nelko Kristoforidhit është quajtuar një poezi në vete.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për zërin e Princeshës së Shqipes, pa dyshim një zë mallëngjyes!
Tek zëri i saj mishërohet aq shumë dhe aq bukur, zemër-thirrja e Ernest Koliqit për gjuën shqipe: O gjuhë e folur tre mijë pranvera, si dhe zemër-klithja e Ndre Mjedës për gjuhën shqipe: Një diell pa hije!
Ndërkaq, Princi i gjuhës shqipe – Faik Konica, kërkonte të dëgjonte muzikën e Vagnerit para se të mbyllte sytë, për herë të fundit.
Por ja që zëri i Princeshës së Shqipes përmban atë që nuk e ka as muzika e Vagnerit, sepse përmbi humnerat e harresës ngritet magjia e zërit me jehonën e tingujve të tij, kurse atdheu lartësohet në flatrat e një zëri të tillë. Në të, Princesha e Shqipes sikur shpalos forcën e gjakut dhe të shpirtit të një kombi të tërë. Në yllësinë e madhe të dhuntisë së saj, oshëtima e atij zëri arrinte të shpërndanhej si një vello madhështore përmbi majat e maleve e përmbi të kaltërtën e detit.
Pa dyshim, një simbol përjetësie që dëshmonte për një pafajësi hyjnore me sfonde Shqipërie. Ca tinguj të argjendtë më në fund po i përgjegjeshin heshtjes së padrejtë të shekujve. Ca melodi të përjetshme të cilat po dëshmonin madhështi, sikur po e shkruanin librin e të gjitha këngëve dhe madje për të gjitha kohët. Pa dyshim se vetëm një zemër e madhe mund të falte ca copa prushi në tingujt e flatarve të fjalëve shqipe, copa prushi të cilët rindeznin në flakën e tyre meteorët e së shkuarës së lavdishme. Nëpërmjet tingujve të atij zëri sikur flasin lulezonjat e lulevjollcat, manushaqet e trëndafilat, jaseminët e borzilokët, përshkuar nga rrezet e diellit të Shqipërisë.
Një bletë përplot nektar mbledhur prej luleve më të bukura të natyrës shqiptare, me ata tingujt e shqiptuar aq hijshëm sa të len përshtypjen sikur zëri nuk del prej buzëve por mu prej petaleve të trëndafilave, përderisa sipër qiellit të përflakur të atdheut në kapërcyell të shekullit, rrijnë vetëtimat zikzake.
Sikur një pranverë nga më të praruarat përhapet nëpërmjet atij zëri, një zë i bukur, i magjishëm, i ëmbël sa edhe elegant njëkohësisht, e që zbulon një zemër mjaft delikate. Një margaritar i vërtetë, si vetë mëshira që përhapet nëpërmjet tij, një adhurim dhe një gëzim i papërsëritshëm; një bukuri magjepëse. Brenda atij zëri poetik sikur fshihet shpirti i një kombi të tërë. Një burim bukurie të cilin shqipes mund t’ia kishte falur vetëm një hyjni mirëbërëse që në kohët e lashtësisë.
Në zërin e saj sikur shkrihet një shpirt i tërë. E sa më shumë që përhapet ai zë i cili sikur fton për shpëtimin e shpirtave, një përulje e engjëjve shfaqet në sfond.
Vetë harmonia e zërit sikur dëshmon se brenda tij fshihet sa bardhësia po aq edhe madhështia e shpirtit. Herë si ca kroje që gurgullojnë, e herë me një jehonë të thekshme si jehona e valëve që oshëtijnë përmbi shkëmbinj, herë si një puhi ledhatare e herë si flladi ledhatonjës që përshkon drurët si një përshpëritje e erës, herë si krojet e kristaltë e herë si gurrat flladitëse, ky zë nga më të bukurit dhe nga më të rrallët, nga më të thekshmit dhe nga më mallëngjyesit njëkohësisht, shpalos në vazhdimësi një shpirt përpjestimesh nga më të harmonishmet.
Ai zë nuk është gjë tjetër veçse një tempull në vete, një tempull ku rrinin perënditë e lashta ilire.
Ritmi i atij zëri është një poezi në vetë, një lirikë e përkryer, një himn; sikurse vetë ajo lira e artë me tingujt magjik me melodi të pashterrshme.
Të gjitha pentagramet e atij zëri dëshmojnë sa për një botë të lartësuar, po aq edhe për një botë të amshuar, kurse harmonia e tingujve të ëmbël vetvetiu sikur gjakon për një urë lidhëse në mes Zotit dhe engjëjve.
Vetëm një zë sikur ai mund të vë në lëvizje të dyja së bashku: krahët e shpirtit dhe krahët e engjëjve.
Zanoret e shqiptuara përmes atij zëri përfaqësojnë rrahjet e zemrës, kurse bashkëtingëlloret shkëlqimin e bukurisë së mëshirës.
Ca tinguj të këndshëm, së bashku me ritmin e tyre gjakojnë në vazhdimësi të përhapin deri në përjetësi: paqe dhe dashuri, mirësi dhe mbarësi.
Pastërtia e zërit, përsosmëria e tij si dhe nuancat e tij të holla, dëshmojnë sa për një zemër prej kristali po aq edhe për një frymëmarrje të thellë, prej ku timbri i tingujve përhapet horizonteve të pafundshme.
Vetë arti i tingujve që del nga ai zë është vetvetiu një mahnitje që shkaktojnë sferat e zërit të lartë, zë që vjen nga bota e lartësuar. Pastaj tingujt shkrihen me njëri-tjetrin në mënyrë mjaft të harmonishme duke krijuar një simfoni të përkryer.
Lartësia dhe thellësia e tingujve fare natyrshëm dëshmojnë për një shije mjaft të hollë e për një shëmbëllim lumturie përplot pafajësi engjëllore.
Një art magjik, i cili me butësinë e tij tingullore përkujton fuqinë hyjnore.
Zëri-një univers në vete, sepse thelpinjtë më të ëmbël të atij zëri burojnë që thellë zemrës.
E zëri i gjakut gjithmonë flet ngapak, sepse muzika është thellim i qiellit, kurse zëri mbetet gjithmonë dhuratë prej Zotit.
Ashtu siç ëshë thënë për Lasgushin, se “ka përcëlluar drejt shqipes zjarrin drithërues të ilirishtes”.
Vetëm për Lasgushin, dhe për asnjë tjetër:
“Vetmi kozmike, në të cilën vetëm Zotia ia di shqipen!”
Pa dyshim piadestali i mjeshtërve të saj të përjetshëm: Kristoforidhit, Naimit, De Radës, Fishtës, Mjedës, Konicës, Nolit, Koliqit…
Një zë me një butësi të parrëfyeshme, që vie herë si një dritë e artë e herë si argjendi e shkrirë në det.
Një zë me një sfond nga pena e njërit prej mjeshtërve të rrallë të fjalës shqipe, sfondi i papërsëritshëm i Mitrush Kutelit në poemën ”Rrjedhin lumenjtë”:
“Në gjithë skajat e vendit të lumtur
Anembanë kumbonte një e folme
E vetëme: ilirishtja e strallët –
Vigmë barinjsh dhe kushtrime luftërash,
Farkuar në kudhra mijëvjeçarësh.”
“…Gjuhë e fortë, vulgmadhe, e ëmbël,
E mbrujtur para se të ishin mbrujtur
Tufët e hyjnive të lashtësive…”
Ai zë është një dhunti e dyfishtë, është një obelisk madhështor për gjuhën shqipe, sepse lidhja e atij zëri me shqipen, është lidhje e dyfishtë…
Princesha e Shqipes: një epitet nga më të rrallët. Gjithsesi: një emblemë ilire.