Palmer zbulon planin e tij: Rusia të zhduket nga Ballkani

0
394
Matthew Palmer, Prishtinë - 23-10-2018

Foto: Alban Bujari / Koha.net

Emisari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor ka zbuluar strategjinë e Uashingtonit për Ballkanin para Senatit. Palmer ka konfirmuar se qëllimi i SHBA është që Kosova dhe Serbia ta njohin njëra tjetrën.

“Uashingtoni dëshiron ta heqë Ballkanin nga “përqafimi i Rusisë”, t’i fusë vendet e rajonin në NATO, ndërsa Serbia dhe Kosova të detyrohen ta njohin njëra tjetrën si vende të pavarura”, shkruan gazeta serbe Novosti, sipas të cilës “shantazhi më i ri i drejtuar kah Serbia është rezoluta me të cilën po kërkohet zbardhja e rastit të vëllezërve Bytyçi”.

Matthew Palmer, zëvendës i ndihmësit të sekretarit të Shtetit dhe emisari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, siç transmeton RTK, ka folur për këtë strategji në dëshminë para Këshillit për Politikë të Jashtme të Senatit dhe Nënkëshillit për Evropën, duke porositur se prioritetit kryesor i SHBA në Ballkan është normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Palmer ka thënë se SHBA pret që qeveria e re e Kosovës t’i heqë taksat ndaj prodhimeve serbe, por njëkohësisht edhe Beogradi duhet ta ndërpresë fushatën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

“Me fushatën e nxitjes së vendeve t’i tërheqin njohjet e pavarësisë së Kosovës dhe me bllokimin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare siç është INTERPOL-i, Beogradi ka bërë dëm bashkëpunimit policor dhe e ka shkatërruar atmosferën e kompromisit, të cilin vet e kërkon”, ka theksuar në mënyrë të qartë Palmer.

Ai gjithashtu ka theksuar se kjo po e pengon përparimin kah marrëveshja e cila i nevojitet Serbisë për të hyrë në BE.

SHBA janë të gatshme që me angazhim më të intensifikuar politik, por edhe nëpërmjet të nxitjeve ekonomike, të ndihmojnë palët të arrijnë deri te marrëveshja. Ai e ka kritikuar BE se me bllokimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dërgon mesazh të keq në Beograd dhe Prishtinë, se sado që të jenë vendime të vështira të cilët ata duhet t’i marrin, nuk do t’i afrohen shoqërisë evropiane. Një situatë e tillë i mundëson Rusisë dhe Kinës ta forcojnë ndikimin e tyre në Ballkan, ka theksuar zyrtari i lartë amerikan.

Qëllimi parësor i Rusisë është të pengohen integrimet euroatlantike të rajonit, ta mbajë Ballkanin të ndarë, të dobët dhe të varur nga përkrahja politike e Moskës dhe gazit të tyre. Ajo dëshiron ta pengojë marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, që Bosnja dhe Hercegovina të bëhet shtet funksional, të pengohet rruga e Maqedonisë Veriore në NATO. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është aduti kryesor i Moskës kur bëhet fjalë për Serbinë, përfundon Palmer.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.