Rreth veprave të Enver Memishaj – Lepenica “Hysni Lepenica, vendi që zë në historinë e popullit shqiptar”, Vëll i II dhe “Hysni Lepenica, dokumente dhe bibliografi” Vëll. i III, Tiranë 2019
Lexuesi do t’i gjejë librat në libraritë e Tiranës dhe të Vlorës dhe në bibliotekat e këtyre qyteteve. Shqiptarët jashtë kufijëve të atdheut mund t’i porositin librat në këtë adresë: ofrimi i shërbimeve nëpërmjet faqes online: Shtepia e Librit.com.
Email: [email protected] Cel: Gjergji 0662050438 / Elvisi – 0686052510
Nuri Dragoj,
Doktor i Shkencave Historike
Enver Memishaj, paraqet shkaqet e zhvillimeve të luftës dhe na rendit një mori faktesh, të cilat provojnë se nacionalistët ishin në ballë të luftës dhe Hysni Lepenica nuk u tërhoq për asnjë çast nga ideali i vet. Me punën e tij si komandant dhe udhëheqës i Luftës Antifashiste ai bëri për vete një numër të madh luftëtarësh.
Në muajin shtator të vitit 1942, Hysni Lepenica krijoi çetën e parë antifashiste në qarkun e Vlorës, të komanduar prej tij, ndërsa përgjegjës politik qe zgjedhur Skënder Muço.
Studiuesi Enver Memishaj – Lepenica vjen me një punim dinjitoz, kushtuar periudhës së Lufëts së Dytë Botërore, duke patur në qendër të tij betejat e kryera kundër armikut nga nacionalistët, me në krye Hysni Lepenicën, Komandant i Përgjithshëm i Fuqive të Ballit në jug të vendit.
Në librin “Hysni Lepenica, vendi që zë në historinë e popullit shqiptar”, vëllimi i dytë dhe i tretë, studim mbi jetën dhe veprën, dokumente, bibliografi, Hysni Lepenica na shfaqet si njeri me cilësi të rralla, njeri i fjalës dhe veprimit, burrë që luftoi trimërësht për lirinë e atdheut të vet. Ai nuk bëri kompromis me askënd, pasi vuri në plan të parë çështjen kombëtare. Moria e dokumenteve dhe dëshmitë e shumta të njerëzve që kanë jetuar vet ngjarjet, nuk të lenë hapësirë për diskutim, pasi flasin vet. Fakte historike të panjohura më parë, apo të pathëna drejtpërdrejt, i japin këtij punimi vlera të veçanta, duke e bërë atë një aset të vlefshëm për historiografinë shqiptare.
Lufta e Vlorës 1920, sprova e parë e Hysni Lepenicës
Autori i librit e nis përshkrimin e veprimtarisë atdhetare të Hysni Allush Lepenicës me pjesmarrjen e tij në luftën heroike të Vlorës më 1920, kur ai ishte ende djalosh 20 vjeçar. Pas propagandës në çdo fshat Hysni Allushi përfshihet në demonstratën e madhe të 28 nëntorit 1919 dhe me armë në dore i rreshtuar në çetën e fshatit të tij, luftoi ne Llogora etj. Në luftën e Vlorës 1920, vlonjatët nxorën në krye bijtë e tyre të shquar, ndërmjet tyre ishte edhe djaloshi 20 vjeçar Hysni Allushi.
Autori i këtij libri e ka paraqitur Hysni Allushin një luftëtar në veprim, ai shkoi në shumë fshatra ku organizoi fshatarët për të sulmuar ushtrinë italiane. Fitorja e shqiptarëve u favorizua edhe nga pakënaqësitë e socialistëve italianë, të cilët e shihnin pushtimin e zgjatur në Shqipëri, si paaftësi të qeverisë së Romës.
Enver Memishaj, autori librit, ka paraqitur vlerësimin që Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i qytetit të Flamurit, i bëri Hysni Allushit duke e renditur në listën e personave të vlerësuar për trimërinë e zotësi dhe e titulloi oficer.
Rrethanat e bëjnë pjesë të lëvizjes së qershorit 1924
Autori i kësaj monografie, na e jep Hysni Lepenicën duke u rritur hap pas hapi, në moshë dhe në mendim. Lepenicën e shohim anëtar të Federatës “Atdheu”, anëtar të shoqrisë “Bashkimi”, të pranishëm kudo që flitej për më të mirën e Shqipërisë. Në vitin 1921 ai u emërua oficer në xhandarmërinë shqiptare. Dy vite më pas, Hysni Lepenica mori detyrën rrethkomandant i xhandarmërisë për Tepelenën, pak më vonë u dërgua zëvendëskomandant xhandarmërie në Elbasan dhe në muajt e parë të vitit 1924, sërish në Tepelenë. ishte një kohë e trazuar politike dhe sociale.
Krahas problemeve në popull, qenë acaruar dhe përplasjet midis deputetëve në Parlament, të cilat reflektuan në rritjen e konfliktit.
Më pas ndodhi vrasja e Avni Rustemit dhe gjendja erdhi duke u rënduar. Në muajin maj të vitit 1924, nga Vlora u dha sinjali për t’u ngritur kundër qeverisë. Në këtë lëvizje u përfshi dhe Hysni Lepenica, në krah të major Ahmet Lepenicës.
Në një telegram që vinte nga Vlora bëhej e ditur se kolonel Rexhep Shala kishte marrë Lezhën e Peshkopinë dhe po avanconte drejt Tiranës, kështu u rrëzua qeveia e Ahmet Zogut dhe erdhi Fan Noli për të cilin kishte kontribuar edhe Hysni Lepenica.
Pas 6 muajsh qeveria e Fan Nolit u largua dhe Ahmet Zogu u rikthye në pushtet. Hysni Lepenica, si shumë të tjerë, u detyrua të emigronte në itali.
Dënimi me vdekje i Hysni Lepenicës
Hysni Lepenica u rikthye në atdhe në shtator të vitit 1926, pas amnistisë së shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ahmet Zogu. Djaloshi i Lepenicës, tashmë i burrëruar, nuk pajtohej me krizën ekonomike që pati mbërthyer shqipërinë, as me presionin që ushtronte Italia për kolonizim. Ishte viti 1932. Kohë zgjedhjesh. Rrethet antiqeveritare patën shpresë se mund t’i fitonin ato, por më parë synonin largimin e Zogut nga pushteti, rrëzimin e regjimit të tij monarkik. Kjo situatë çoi në lëvizjen e Fshehtë të Vlorës, pjesë e së cilës u bë dhe Hysni Lepenica. Lëvizja e Vlorës, në të vërtetë, nuk mori përmasa të një kryengritjeje, por kishte gjithë elementët e nevojshëm të një gushti shteti.
Roma e ndiqte me kujdes ecurinë e ngjarjeve të Vlorës dhe ishte e bindur që ajo nuk përbënte rrezik për Zogun, por mbajtja gjallë e saj, shërbente si mjet për ta detyruar Mbretin e shqiptarëve të hiqte dorë nga veprimet “antiitaliane”. Por grushti i shtetit dështoi dhe kjo çoi në rritjen e masave shtrënguese. Më 7 gusht të vitit 1932, zyra sekrete e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me anë të një telegrami shifër, u kërkonte prefekturave të Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Korçës e Shkodrës, të arrestonin gjithë të dyshuarit. Midis shumë njerëzve u arrestua dhe Hysni Lepenica që u dënua me vdekje. Lepenica nuk i pranoi akuzat që drejtoheshin ndaj tij, por mundi të lirohej disa vite më pas, me shpalljen e amnistisë së vitit 1938.
Nënprefekti që udhëhoqi nacionalistët e Vlorës
Studiuesi Enver Memishaj ka bërë një punë të mahnitshme, duke udhëtuar në jetën e Hysni Lepenicës. Gjatë rrugëtimit të gjatë dhe të mundimshëm, ka mundur të bëjë një skaner të plotë të marrëdhënieve të Hysniut me pushtetin dhe raportet e tij me popullin. Aty shfaqet dëshira e burrit për të marrë në dorë frenat e drejtimit të familjes, të përballimit të nevojave financiare të saj, të cilat zbeheshin përpara peshës që kishte çështja kombëtare. Në atë skaner rezulton se, në çdo rast, Hysni Lepenica i ka hedhur sytë te interesat e popullit të vet. Në tetor të vitit 1939, student i kolegjit italian, san Demetrio Korone, u emërua nënprefekt në rrethin e Matit. Ishte koha kur nacionalistët bënë përpjekje për krijimin e një organizate politike. Aksionet nisën në Tiranë.
Pak më vonë, Ali Këlcyra dhe Skënder Muço tentuan ta bënin realitet krijimin e atij fronti, por për shkak të kundërshtive që pati, u shty për më vonë. Për Hasan Dostin, Balli Kombëtar si organizatë e fshehtë u krijua në fund të muajit prill të vitit 1939 nga Mithat Frashëri, Fuat Dibra, Nuredin Vlora, Hasan Dosti, Faik Quku. Më vonë u bënë pjesë dhe Ali Këlcyra, Kolë Tromara, Bahri Omari e Thoma Orollogaj. Të njëjtën gjë pohon dhe studiuesi Erald Kapri, sipas të cilit, Mithat Frashëri e krijoi Ballin Kombëtar menjëherë pas pushtimit të shqipërisë, pra në muajin prill të vitit 1939, organizatë e cila mbajti të ndezur ndjenjën nacionale. Në raportin e oficerëve britanikë të hartuar pas lufte, thuhej se ishte krijuar një komitet qendror në muajin qershor të vitit 1939 dhe takimi i parë qe organizuar në shtëpinë e Mithat Frashërit, në datën 25 qershor. Qëllimi i tij ishte organizimi i rezistencës antifashiste, duke ngritur grupe të vogla rezistence.
Në muajin shkurt të vitit 1941, Hysni Lepenica u dërgua me të njëjtën detyrë në Himarë. Ishte koha kur pesha e pushtimit ndihej në çdo hap. Birit të labërisë i bënte përshtypje prania e shkollave greke, ndaj kërkoi nga qeveria mbylljen e tyre, pasi të gjithë banorët ishin shqiptarë dhe nuk nevojitej shkollë në greqisht dhe shkollat në gjuhë të huaj cënonin pavarësinë.
Por nuk ishte problem vetëm prania e shkollave greke. i tillë ishte dhe mësimi i detyruar i gjuhës italiane. Enver Memishaj ka paraqitur me dokumenta të shumta, e kjo është vlera e autorit, se si Hysni Lepenica nisi ta thellonte më tej veprimtarinë atdhetare, duke zhvilluar propagandë antifashiste, gjë që tërhoqi vëmendjen e policisë, e cila në raportet sekrete të saj, jo vetëm që kërkonte largimin e Lepenicës si nënprefekt i Himarës, por shkonin edhe më tej. sipas zyrtarëve të policisë, në postet me rëndësi ishte mirë të mos viheshin myslimanë, por të krishterë, sepse ata i përkushtoheshin punës dhe nuk merreshin me veprimtari subversive.
Mbi bazën e dokumentave të shumta dhe të pa kundërshtueshme autori na e përshkruan veprimtarinë antifashiste të Hysni Lepenicës në rritje. Kështu muajt e parë të vitit 1942 u shoqëruan me rritjen e numrit të veprimeve antiqeveritare, në dëm të ushtrisë pushtuese. Qeveria e ndjente që situata po i rrëshqiste nga duart, në një kohë që pozitat ushtarake të Italisë, pas humbjes së luftës me Greqinë, qenë dobësuar.
Mjaft prej nëpunësve të kohës e në radhë të parë qëndronte edhe Hysni Lepenica, u bënë pjesë e rezistencës antifashiste, prandaj qeveria vendosi të merrte masa shtrënguese. Ministria e Punëve të Brendshme u shkruante prefekturave të tregoheshin më të kujdesshme. Cilido që i shmangej drejtimit politik të qeverisë, duhej të vuante pasojat si shpërdorues i besimit të dhënë. Për të shmangur aktet terroriste, nëpunësit e shtetit ndaloheshin të prisnin njerëz në zyrat e tyre, me përjashtim të rasteve që lidheshin me detyrën zyrtare. Nuk duhej të kontaktonin as me persona që kishin punë në zyrat më të larta të shtetit. Kush shkelte këtë urdhër, ndëshkohej.
Për kohën e formimit të Organizatës së Ballit Kombëtar ka patur mendime të kundërta. Por duhet theksuar që të dyja këto organizata politike Balli dhe Partia Komuniste i dhanë hov lëvizjes dhe për pasojë operacionet e ndëshkimit ndaj elementëve rebelë e klandestinë, me prirje antifashiste, po binin që burgjet dhe kampet e internimit të mbusheshin plot.
Enver Memishaj, paraqet shkaqet e zhvillimeve të luftës dhe na rendit një mori faktesh, të cilat provojnë se nacionalistët ishin në ballë të luftës dhe Hysni Lepenica nuk u tërhoq për asnjë çast nga ideali i vet. Me punën e tij si komandant dhe udhëheqës i Luftës Antifashiste ai bëri për vete një numër të madh luftëtarësh. Në muajin shtator të vitit 1942, Hysni Lepenica krijoi çetën e parë, të komanduar prej tij, ndërsa përgjegjës politik qe zgjedhur Skënder Muço.
Kundër terrorit dhe veprimeve të nxituara.
Komandanti i çetës së parë të Ballit, për jugun e vendit, Hysni Lepenica, punonte për bashkimin e forcave antifashiste. Konferencën e Pezës e pritën mirë, pasi besuan sinqerisht në një bashkim të vërtetë shqiptarësh. Aty morën pjesë Skënder Muço e Azis Çami. Por në kthim ata mbartinin një sërë rezervash. Vihej re një hije në sfondin e asaj mbledhjeje të madhe. Krerët e Ballit e kuptuan qëllimin e komunistëve, të cilët në plan të parë vunë marrjen e pushtetit.
Balli Kombëtar shprehej kundër veprimeve të nxituara të partizanëve, ngaqë duhej të kursenin sa më shumë gjak dhe të shmangnin djegien e fshatrave. Stdiuesi Enver Memishaj tregon dëshpërimin e krerëve të nacionalistëve në Vlorë, kur shihnin që veprimet e pa menduara të partizanëve sillnin djegien dhe shkatërrimin e fshtarave siç qe rasti i Vranishtit, ata nuk pajtoheshin me taktikat e gabuara që ndiqeshin nga komanda partizane, të cilat qenë bërë shkak për vrasjen e 18 burrave në Armen, 16 në Sevaster, 24 në Dukat, 26 në Mavrovë etj. Ndërsa komunistët pretendonin se Organizata e Ballit Kombëtar synonte të rrinte në pritje, derisa të thyheshin fuqitë fashiste, dhe pas kësaj të bënin goditjen.
Por kjo akuzë nuk ishte e vërtetë, për ballistët e Vlorës, të cilët kanë mbajtur peshën e luftimeve në dhjetëra aksione luftarake, ku më tipik është ai i luftës së Gjormit, në krye të së cilës ka qenë Hysni Lepenica. Autori librit ka paraqitur me dokumenta të shumta se si historiografia komuniste ka abuzuar në mënyrë të turpshme, nëpërmjet falsifikimit të historisë, duke e shtrëmbëruar të vërtetën e asaj ngjarjeje. Por autori i librit na argumenton se ajo ishte një luftë popullore që u udhëhoq nga Hysni Lepenica, Skënder Muço, Neki Ymeri, Hysni Kapo e të tjerë.
Në libër është përshkruar në formë bindëse se fqinjët vazhdonin t’i frynin politikës së përçarjes, e cila u shkonte për shtat edhe italianëve. Kjo bëri që lufta midis Organizatës së Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të shfaqej gjatë vitit 1943. Krerët e Ballit e shihnin qëndrimin e komunistëve si tendencë për t’iu shmangur bashkimit kombëtar. sipas tyre, komunistët e kishin më të lehtë të pranonin të ishin ushtarë të Ushtrisë së Kuqe, se sa t’i përkushtoheshin me dashuri atdheut të vet. Kjo ndodhte ngaqë krerët e Partisë Komuniste ishin të ndikuar nga të dërguarit jugosllavë.
Rrethana, thotë autori i librit, bëri që të nxitej urrejtja midis palëve. Serbët bënin gjithçka për të dëmtuar nacionalistët që kërkonin bashkimin e shqipërisë me Kosovën. Me komunistët nuk kishin problem, pasi ata qenë internacionalistë. Kjo duket dhe në kërkesën e Dushan Mugoshës për të nënshkruar një dokument ku të pranohej që Kosova të mbetej në dorë të ushtrisë jugosllave. Hysni Lepenica kundërshtoi. Kjo do të thotë, i tha ai Mugoshës, që ju ta mbani në sirtar dhe më pas, këtë “dëshirë” të dokumentuar nga pala shqiptare, t’a paraqisni në parlamentit serb.
Për të kundërshtuar arrestimin e Ali bej Këlcyrës më 11 qershor 1943 nga komunistët në Gjirokastër u organizua një miting popullor për të treguar se veprimet e partizanëve ishin akte terroriste. Besa Gega e Hasan Xhiku informuan popullin mbi “grabitjen e Ali Këlcyrës, lule e nacionalizmit shqiptar, nga një çetë komuniste”. Nga mitingu u bë thirrje të shkulej rrënja e organizatës së Partisë Komuniste.
Kreu i çetave të Ballit në Vlorë, Hysni Lepenica, dha alarmin dhe mijëra forca ishin gati të niseshin drejt Gjirokastërs. Presioni i madh që ushtroi populli e detyroi Partinë Komuniste të jepte urdhër për lirimin e eksponentit të Ballit Kombëtar. Për këtë u ngarkua Hysni Kapo, i cili njoftoi komandantin e forcave të Ballit në Vlorë, Hysni Lepenicën, se do të bënte gjithçka për të mos u dëmtuar Ali bej Këlcyra.
Mukja, plagë që vazhdon të rrjedh gjak
Mukja ishte ndër ngjarjet që kanë shkaktuar dëshpërim të madh te Hysni Lepenica. Enver Memishaj, na jep një pasqyrë të gjallë të ngjarjeve, ku mplekset dëshira e madhe për bashkim dhe frika e përçarjeve për shkak të ndikimit të dy të deleguarëve serb dhe frymës komuniste që ishte përhapur në çdo cep të vendit. Mbledhja e mbajtur më 1 gusht 1943 në Mukje, midis delegacioneve të dy organizatave, ku morën pjesë dhe të dërguarit e Ballit për Vlorën, Skënder Muço, Hysni Lepenica e Isuf Luzaj, është cilësuar si pika më kritike e asaj periudhe, pasi mosgjetja e gjuhës së përbashkët solli vëllavrasjen. Të dy delegacionet pranuan luftën e përbashkët kundër okupatorëve fashistë dhe pranuan të kishin një udhëheqje të përbashkët, që do të ishte “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”.
Por pesë ditë më vonë, më 8 gusht 1943, në një qarkore dërguar në Vlorë, Enver Hoxha theksonte: “Lajmëroheni se u është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej”Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur mes Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk e keni shpërndarë, çirreni dhe të mos flitet më për të”.
Enver Memishaj arrin në përfundimin se mosaprovimi i Marrëveshjes së Mukjes nga ana e komunistëve kishte për shkak papajtueshmërinë e interesave kombëtare me politikën që ndiqnin komunistët. Përveç kësaj, PK Shqiptare nuk ishte e lirë, pasi dirigjohej nga jugosllavët. Për të shmangur thelbin e çështjes, ata shpreheshin se nuk e donin një Kosovë të falur nga armiku. sipas tyre, nëse pranonin një gjë të tillë, do të njësoheshin me Mustafa Krujën, i cili kërkonte Shqipëri Etnike. Nga dokumentacioni i shfletuar që paraqet autori në këtë libër del qartë se Marrëveshja e Mukjes u prish nga që ishte shënuar fjala “Shqipëri Etnike”.
Është e rëndësishme se autori i librit Enver Memishaj ka përshkruar mbi bazën e dokumenteve të shumtë luftërat, sulmet e shumta kundër pushtuesit, si në Gjorm e Selenicë nga Hysni Lepenica, në Mallakastër nga Tefik Cefiri, ku mbeti i vrarë dhe Jashar Cakrani, sulmet e Abaz Ermenjit në qytetin e Beratit, që i shkaktuan armikut më shumë se 100 ushtarë të vrarë, ndërsa nga luftëtarët shqiptarë mbetën në fushën e nderit 7 vetë etj.
Studiuesi Enver Memishaj na shtjellon me kujdes edhe pabesinë që ndodhi në Gjorm, më 27 gusht 1943, kur komunistët Shyqyri Alimerko dhe Sadik Zotaj vranë në pritë Neki Ymerin dhe Xhafer Dalanin. Kështu kemi mbritur në shtator të vitit 1943, kur Hysni Lepenica me cilësinë e Komandantit të Jugut kishte shkuar në Gjirokastër për organizimin e forcave të Ballit Kombëtar atje. Autori përshkruan në mënyrë bindëse se Hysni Lepenica dhe Skënder Muçua ishin të vendosur për bashkëpunim me FNÇl gjë që tregohet veç veprimeve të shumta edhe nga dy shkresa që ata i drejtojnë FNÇl në Cepunë: “Kemi dy ditë që kërkojmë të vihemi në kontakt me ju”, pasi e shohim mjaft të nevojshëm një “bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve”.
Nëse ishin dakord, duhej të dërgonin sa më parë përfaqësuesit e tyre për këtë qëllim. Dhe më tej pohonin: “Çasti është kritik dhe nuk lypset t’u shmangeni detyrave që na imponojnë rrethanat e luftës kundër okupatorit të ri, interesat e larta të kombit dhe të demokracisë shqiptare”. Një takim të mundshëm me krerët e LNÇ, Hysni Lepenica dhe Skënder Muço e shihnin të domosdoshëm, ndaj shtonin se “po nuk iu përgjigjët kësaj thirrjeje të sinqertë nga ana jonë…. na duket se merrni një përgjegjësi të rëndë para popullit”.
KNÇl u përgjigj me anë të Bedri Spahiut, i cili bënte kritika për qëndrimin e tërhequr të Ballit dhe kërkonte që të njihnin aleancën midis demokracive dhe Bashkimit Sovjetik. Po atë ditë, avokat Skënder Muço i kthente përgjigje Bedri Spahiut, ku i kujtonte se me këtë gjuhë nuk mund të bëheshin bisedime. Sipas tij, nuk janë në dobi të luftës dhe popullit akuzat e pabaza, pasi “…kundër okupatorit italian ne jemi hedhur në luftë me kohë dhe është e kotë të bëjmë sot polemika të parëndësishme.
Të gjitha forcat tona kanë marrë urdhër t’u bien gjermanëve…”. Më tej Muço i kujtonte palës tjetër se “asnjë prej nesh nuk ju ka mohuar luftën që bëni për atdheun e përbashkët”, pasi ne nuk dimë të bëjmë mohime të paqena, madje dhe “kjo ftesë që u ba nga ana e jonë këtë kuptim ka…”. Duke qenë se, si ju, ashtu dhe ne, kemi të njëjtin qëllim, të dy palët jemi për të luftuar armikun, ndaj dhe “hymë me ju në marrëveshje në Mukje të Krujës”. Ky është dhe interesi i Kombit, që ne të bashkohemi e të luftojmë bashkë armikun. “Në rast se organizatës suaj i është atribuar një rrymë tjetër politike, nuk është faji ynë..”.
Megjithatë, kur mësojmë se ju jeni të vendosur për të luftuar armikun “për të çliruar atdheun e përbashkët, u kënaqëm shumë”. Ne e njohim me kënaqësi aleancën në mes të demokracive të mëdha dhe dëshirojmë që veprat tona politike të marrin nismën e tyre, të ndjekin të njëjtën rrugë, për të patur harmoni politike, siç bëjnë dhe aleatët tanë të mëdhenj.
Studjuesi i talentuar Enver Memishaj ka paraqitur me dokumente edhe qëndrimin refraktar të komunistëve, kështu në qarkoren e datës 8 gusht 1943, Partia Komuniste deklaronte prerë se “bashkimi me Ballin Kombëtar tani është një punë e vdekur dhe s’bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet për shpartallimin e Ballit Kombëtar”. Por Enver Hoxha e dinte forcën e palës kundërshtare, ndaj theksonte: “Me të vërtetë është një pengesë e madhe (Balli Kombëtar n.D.), sepse nuk duhet me harrue influencën e tyre individuale në Shqipëri dhe këta kanë mundur të krijojnë një psikozë në popull, që ekziston një organizatë nacionaliste dhe që komunistët duhet të merren vesh me të e të bien dakord… Të mos harrojmë se atje ka mjaft elementë të mirë e të vendosur që duan me të vërtetë bashkim e luftë”.
Koçi Xoxe i shkruante Enver Hoxhës në 3 tetor 1943 se, “përveç goditjeve që u dhamë nacionalistëve, po i ndjekim këmba-këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç”.
Më 5 tetor 1943, E. Hoxha i shkruante Koçi Xoxes: “Ballin duhet ta likujdojmë pa mëshirë në çdo anë qoftë… Çetat e atjeshme të Ballit të likujdohen pa u grumbulluar dhe pa e marrë vehten… sa për bashkëpunimin me Faslli Frashërin, mos u gënjeni… i bini pra edhe Faslliut dhe atij që e ka bërë Faslliun”.
Krimet e kryera nga Partia Komuniste gjatë luftës i pranoi dhe E. Hoxha në plenumin e Beratit, kur tha se: “po vihen në plumb kot së koti dhe në mënyrë histerike katundarë, të cilët dorëzohen dhe shokët tanë i pushkatojnë. Po vriten dhe oficerë të dorës së dytë, të cilët duke pasur besim të plotë në drejtësinë dhe shpalljen tonë, dorëzohen… shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne…”.
Interesante janë faktet e shumta të prura nga studiuesi Memishaj, ku provohet këmbëngulja e krerëve të Ballit për të mos goditur me armë komunistët, edhe pse ata po kryenin shumë akte të tilla çnjerëzore. Kur Rasim Babameto deklaroi se komunistët mund të zhduken vetëm me armë, Ali bej Këlcyra iu përgjigj prerë: “Nëse do t’u biesh komunistëve me armë, duhet të largohesh nga Balli Kombëtar”. Po ashtu edhe Hysni Lepenica e Skënder Muço punonin për të mbrojtur vendimet e Mukjes, duke besuar se komunistët mund të ndryshonin mendim, pasi shpresonin që mund të ndikoheshin nga ndërgjegja kombëtare.
Trimat vdesin, horrat qeshin (Tragjedia e Gërhotit)
Krerët e Ballit u informuan se komandanti i divizionit “Peruxhia”, Kiminello u kishte premtuar partizanëve për t’ua dhënë armët në Sarandë, para nisjes për në Itali, ndaj nxituan për të shkuar pranë divizionit, ku u pritën nga kolonel Enzzo Rossi, i cili përsëriti se armët nuk do t’ua dorëzonin asnjë pale. Në ora 16, sipas majorit Vivano, forca të Ballit Kombëtar rrethuan garnizonin dhe u afruan deri te rrethimi me tela, me flamurin shqiptar në dorë. Gjenerali Kiminello besoi se partizanë e ballistë kishin gjetur gjuhën dhe po bashkëpunonin për të sulmuar trupat italiane, ndaj urdhëroi ngritjen e famurit të bardhë mbi garnizon, shenjë që njoftonte dorëzimin e tyre.
Alfonso Bartolini pohonte se kur ballistët rrethuan garnizonin, u vu re hezitimi i çuditshëm i gjeneralit Kiminello, në një kohë që koloneli Lanza hapi zjarr të papritur kundër luftëtarëve të Ballit. Burime italiane bëjnë përgjegjës nacionalistët shqiptarë, me argumentin se ata qëlluan të parët. Në fakt ballistët nuk kanë qëlluar. Të shtënat mund të kenë qenë provokacion nga të tretë. Qarkori i Gjirokastrës raportonte se në kohën që ballistët rrethuan garnizonin, komanda italiane njoftoi krerët e njësisë partizane të mos afroheshin, në të kundërt do të hapnin zjarr. Pas kësaj sulmuan me ashpërsi ballistët, ku mbetën 117 të vrarë, midis të cilëve dhe hysni Lepenica, në një kohë që burime nga Balli Kombëtar japin 36 të vrarë.
Enver Memishaj mbi bazën e dokumenteve na njeh me gëzimin e komunistëve për vrasjen e Hysni Lepenicës dhe 35 burrave të tjerë në Gërhot, duke u përleshur me ushtrinë pushtuese. Faktet tronditëse që na afron studiuesi Memishaj, numri i madh i dokumenteve dhe dëshmive autentike, të lenë pa frymë. Gëzimi i shprehur nga Bedri Spahiu, Ramadan Çitaku e shumë të tjerë, për vrasjen e burrave të nderuar, luleve të nacionalizmit shqiptar, Hysni Lepenicës dhe Safet Butkës, flasin qartë për helmin e hedhur nga ideologjia e shpërfytyruar komuniste dhe përçarjes së inspiruar nga të dërguarit e Beogradit.
Komunistët kërkonin vetëm pushtet. nuk u dhimbsej askush, nuk u vriste sytë gjaku i derdhur, nuk u prishej gjumi nga masakrat që kryenin, nuk u dridhej zemra edhe kur pushkatonin vajza e djem që e donin aq shumë shqipërinë. Ata nuk e kuptuan dot në kohë, që ajo ideologji dhe etja për pushtet në një dorë të fortë, do të hante dhe kokën e tyre, ashtu dhe siç ndodhi në realitet. Liri Gega i shkruante Tarasit në shtator të vitit 1943, se pas vrasjes së Hysni Lepenicës, Balli e kishte humbur toruan. Tani forcat e tyre komandoheshin nga Azis Çami, i cili kërkonte bashkëpunim me partizanët.
Por Gega shtonte që, pavarësisht nga propozimet e tyre, u jemi përgjigjur në formë të prerë se “ne nuk duam bashkëpunim”. Sipas saj, partizanët ishin në gjendje ta bënin vet luftën, ndonëse mund të pranonin në radhët e tyre individë që donin të luftonin “si anëtarë të Frontit Nacionalçlirimtar”. Në kohën që letra e saj u bë e njohur për shtabin, Enver Hoxha i shkruante Muzhikut (Liri Gegës) se për momentin kishte rëndësi “vendosja kudo e këshillave nacionalçlirimtare, forcimi dhe mbrojtja e tyre nga çdo tentativë e Ballit”. Sipas Hoxhës, për atë çështje nuk duhej të kishte dy kuptime. Do të ekzistonte vetëm pushteti i këshillave dhe asnjë tjetër, pasi “nuk ka kompromis dhe dualitet me këtë gjë”.
Ai vinte në dukje se ishte e vërtetë që në Gjirokastër hynë të parët 600 ballistë, me në krye Ali bej Këlcyrën, Bahri Omarin e Koço Mukën, por edhe pse partizanët shkuan më vonë, kishin dyfishin e njerëzve. Sipas Hoxhës, duke qenë me numër më të madh forcash, partizanët nuk duhej të ndiheshin inferiorë, por të merrnin masa për t’i goditur forcat e Ballit. “në vend që t’i pastrojnë ato plehëra që andej, – shkruante ai, – kënaqen me një luftë politike ndaj tyre”. Në prag të 28 nëntorit të vitit 1943, dëshpërimi ishte më i dukshëm, sepse në vend të haresë së kremtimit të përvjetorit të asaj dite të madhe, nga malet dhe fushat vinin njoftime që lajmëronin vëllavrasjen midis shqiptarëve. Andrea Ilia, oficer shqiptar, me nënshtetësi amerikane, i bënte thirrje popullit shqiptar të bashkohej në luftë rreth atdhetarëve dhe të shmangte përçarjen e cila do të ishte fatkeqësia më e madhe për kombin.
Oficeri anglez Oakley Dayrell Hill thoshte se për të siguruar pavarësinë e shqipërisë ishte e nevojshme që shqiptarët të formonin një front të vetëm kundër nazistëve, të cilëve u interesonte përçarja. Nëse mbeteshin të përçarë, nuk mund të gjenin mbështetje te Fuqitë e Mëdha. Për realizimin e një paqeje të tillë, ai besonte se mund të ndikonte bashkëpunimi me oficerët anglezë. Në muajin dhjetor, gazeta “Besa” shkruante se lufta “vëlla me vëlla, babë me bir, shtëpi me shtëpi, oborr me oborr”, kishte bërë që në një shtet kaq të vogël të hapeshin plagë të pashëruara”. Artikullshkruesi i bënte thirrje Naim Frashërit të çohej nga varri dhe t’u kujtonte shqiptarëve se vetëm “po të jemi të bashkuar, është e bërë Shqipëria”.
Nga epidemia e vrasjve ndaj njëri – tjetrit duhej të largohej çdo shqiptar, por në mënyrë të veçantë klerikët nuk duhej të bëheshin pjesë e vrasjeve dhe as palë me partitë, pasi kleriku qëndron mbi palët dhe bën thirrje vetëm për mbrojtjen e atdheut. Dalja e disa klerikëve bektashinjë në luftë, me armë në dorë, konsiderohej veprim i gabuar. Kjo u shfrytëzua nga Balli Kombëtar, i cili në datën 13 tetor 1943, në një trakt të tij bënte fjalë për ata klerikë bektashinj, që u bashkuan me PKSH dhe në mënyrë të veçantë për Baba Fejzon e Teqesë së Krahësit. Aty tregohej për atdhetarizmin e shfaqur nga klerikët bektashinj gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, dhe shprehej keqardhja që tashmë kohët kishin ndryshuar. Pasi flitej për vrasjen e kryegjyshit botëror të bektashinjëve, Salih Njazi Dede, për të cilën akuzohej Luogotenenzza, e cila ishte e interesuar për përfshirjen në konflikt të shqiptarëve me njëri tjetrin. Në dokument theksohej se kurrë nuk na shkonte në mendje se do të shihnim klerikë bektashinjë që të bridhnin rrugëve me pushkë në krahë. Por qëllimit nuk iu arrit. Studjuesi Enver Memishaj na paraqet me dokumente të shumtë se shqiptarët u përfshinë në vëllavrasje, duke shkaktuar një plagë që nuk shërohet lehtë.
Kanë kaluar 76 vite nga ajo kohë, dhe ende plaga dhemb, përçarja vazhdon dhe kombi sërish ndihet i rrezikuar. Nuk është gjetur ende një politikan që të dalë mbi palët dhe të pohojë se të gjithë ata që u vranë, u vranë për të mirën e Shqipërisë. Të gjithë janë dëshmor dhe heronj të asaj lufte, ndaj të bashkohemi dhe të mos ndahemi më kurrë.