SHQIPTARI DHE SHTETI

0
431

Shkrimi im sot në Koha Ditore:

FRIKA NGA SHTETI!

Pal Shtufi

Prej kohës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, nuk kemi qoftë edhe një ndodhi kulturore apo historike, e cila do të na përafronte me popujt tjerë europianë. Në fillet e shtetit shqiptar, kemi përpjekjet e para në këtë drejtim, siç ishte rasti i martesës të Ahmet Zogut me hungarezen Xherladinë, që i dha sharmë europian Shqipërisë së posadalë nga nata e gjatë otomane, natë e cila fjalën shtet e bëri gogol për secilin shqiptar në Ballkan. Pra, me shekuj gjithçka e kemi zier e përzier brenda vegshit tonë kombëtar, politik, kulturor e arsimor, pa mundur të bëhemi pjesë të lëvizjeve të mëdha politike, filozofike e estetike të kontinentit tonë. Edhe vetë historiografinë e kemi të izoluar. Dhe, për pasojë, që të gjitha këto i kemi të gjymta, të zbehta ose të fryra si balon heliumi.

Në anën tjetër, kaloi një shekull që shqiptari përpiqet të bëjë shtet dhe ende nuk ka hyrë në fazën e quajtur normale. Në faza të ndryshme edhe kemi pasur ca suksese të vogla, por asnjëherë përfundimtare. Pra, kemi pasur një mbret e më pastaj edhe një tiran komunist, të cilët, dorën në zemër, kanë dhënë disa shenja sikur duan shtet, por e keqja është se që të dy, projektin shtet kurrë nuk e përfunduan. Mbase, komunisti i egër, bëri që emri shtet të bëhej i frikshëm dhe nocioni më i urryer në historinë e Shqipërisë.

SHTETI I FRIKËSUAR!
Pas rënies së bllokut komunist, në fillim të viteve ’90-ta, rrymat europiane na sollën demokracinë, por rrethanat e mëvonshme treguan se ne nuk ishim të pjekur për të. Kush qe naiv – si puna ime – edhe mund të besonin se më në fund do të mund të ndërtonim shtet. Së paku, Shqipërinë.
Jo, fatkeqësisht jo! Por tani kemi një fenomen tjetër. Derisa në kohën e komunizmit, individi i frikësohej shtetit, në kohën post-komuniste, ndodhi i kundërta, shteti filloi t’i frikësohej individit! Dhe, këtu ndodhi shpërfytyrimi i shtetit në totalin e tij. Kjo sidomos u dëshmua kur në demokracinë liberale, intensiteti i urrejtjes së akumuluar ndaj shtetit nisi të shpërfaqej në përmasa dramatike, ku i majti nuk kishte dallim nga i djathti, por as patrioti nga snobi. Me ose pa vetëdije, të gjithë merrnin pjesë në orgjinë antishtet. E kjo orgji, kulmin e pati më 1997, por edhe pas këtyre viteve frika e shtetit nga individi është e madhe, e prekshme e mbase edhe e matshme. Edhe sot, mosbërja e shtetit vazhdon. Dënimi vazhdon të mos e ndjek krimin. Pushteti ende nuk e sheh opozitën si pjesë të politikës, të kulturës, të mirës dhe të keqes brenda sistemit. Për pushtetin fjala opozitë, me gjasë ende është ngatërrim me fjalën orbitë…

POLITIKA APO KULTURA E BËJNË SHTETIN?
E vërteta është se këto dy fusha nuk ndahen. Politika është mjet për të ndërtuar shtet kulturor dhe identitar, me tipare e specifika të caktuara. Ose, thënë më qartë, kultura është politika dhe programi i përhershëm i një shteti, pavarësisht ndërrimit të qeverive. Nëse një qeveri kultivon kulturë politike, ajo domosdo ka ndërtuar një trashëgimi intelektuale, e cila vazhdimësinë e gjen në secilën qeveri që vjen. Mirëpo, për fat të keq, në Shqipëri elitat politike, si e djathta ashtu edhe e majta, në vend që të kenë edukuar, ato kanë dresuar intelektualë, të cilët pasionin e largpamësit nuk e çojnë më larg se deri aty ku shtrihet çifligu partiak. Për pasojë, ky zhvillim i keq e ka mbytur edhe zërin kritik.

TMERRSHËM NA MUNGON PËRGJEGJËSIA PËR TJETRIN. PSE?
Thjesht, shqiptari ende ka raport mohues e armiqësor ndaj shtetit. Hakmarrja ndaj shtetit vazhdon. Ideale do të ishte që për këto 30 vitet e shkuara të dilte ndokush e t’u thoshte se shteti është edhe opozita. Shteti është çdo e mirë dhe çdo e shëmtuar brenda nesh. Shteti jemi të gjithë e jo vetëm gjysma e tij. Por jo, deri sot nuk doli njeri. Ende nuk ka zëra të tillë. Kryeministri ende mendon se lajthitjet e opozitës nuk janë lajthitje të shtetit shqiptar. Kryeministri ende tallet me humbësit duke i zhbë ata me «drejtësi ligjore», pa menduar se me këtë ka zhbë seriozitetin e shtetit. Për kryeministrin sikur nuk ka rëndësi që në këtë moment vetëm Somalia dhe Shqipëria mund të jenë vende pa Gjykatë Kushtetuese. Ndërkaq, pa opozitë nuk di cili shtet normal në botë është, pos nëna e mjerë Shqipëri! Dhe, përkundër këtyre deformimeve të mëdha e të dukshme në shtet, Kryeministri vazhdon të flet me mllef për Europën, Francën ose Danimarkën. Pa dyshim, ato mund të jenë edhe të padrejta, por jo më shumë sesa shqiptarët ndaj shtetit të tyre. E për ne kjo ka rëndësi. Kjo është datyra jonë.

Sot, po dua të besoj që kryeministri duhet ta ketë kuptuar se ai është përgjegjës edhe për TJETRIN, pra edhe për shkarjet e kamikazëve të opozitës. Sepse, pavarësisht kush është fajtori, në sytë e botës Shqipëria nuk është një zonjë por një nënë e shqyer qenqe nga bijtë e saj.

ELITAT POLITIKE JANË ZGJIDHJA
Deri sot patëm elita politike, të cilat ndiqnin idetë dhe shijet e turmave, si në kulturë ashtu edhe në politikë. Patëm elita, të cilat nuk u bënë të tilla nga puna e tyre, por nga pëlqimi i turmave.

Si pozita ashtu edhe opozita në Shqipëri, duhet të mësojnë diçka thelbësore, se po nuk u prodhua kualitet kulturor dhe politik si dhe programe e ligje të cilat shtetin e shpiejnë para, ato mund të sundojnë por kurrë nuk do të mbahen mend për të mirë, përkundrazi. Po nuk e ndryshuat qasjen ndaj njëri-tjetrit e të flisni me respekt për njëri-tjetrin, pozitë e opozitë, kultura e komunikimit do të ngelet e njëjta: kazan helmues prej nga mbrapshtë fillojnë të gjitha proceset që nisni. Po nuk e ndërtuat një konkordancë mbipartiake për zbatimin e ligjit, pa kushte dhe pa pardon partiak, në Shqipëri ligjet do të funksionojnë vetëm për të varfëritë dhe vjedhësit e pyllit – si deri më sot. Po nuk u pajtuat që investimi në kulturë dhe arsim, jo vetëm të dyfishohet, por edhe të kontrollohet kualiteti arsimor edhe nga ekspertë të huaj, në Shqipëri nocioni intelektual do të degradojë në atë të shoferit urban.

Të gjitha këto që u përmenden më lartë, europianet i kanë parë më mprehtë seç u shkruan në këtë tekst, prandaj refuzimi i tyre kundrejt nesh ishte i akullt. Ndërsa, sa i përket paaftësisë europiane për t’i absorbuar disa milion shqiptarë të Ballkanit, kjo është tjetër temë dhe mës së miri kuptohet kur e krahasojmë me absorbimin amerikan, mekanizëm ky përfekt i integrimit të secilt njeri që ia mësynë Amerikës, nga cilido cep i botës.

Prandaj, Shqipërinë duhet bë, jo shkaku i BE, por shkaku ynë, sepse Shqipëria lëngon rëndë nga mungesa e shtetit.