Historia tragjike e themeluesit të sportit shqiptar, u torturua për vdekje

0
602
Qazim Dervishi

Dikur – mapo.al, 24/10/19

Torturat që regjimi komunist ka përdorur në hetuesi kalojnë përtej çdo makabriteti që mund të imagjinojë mendja e njeriut. Qazim Dervishin, atleti i parë shqiptar, kampion, njeriu që shënoi golin e parë në futbollin shqiptar, që themeloi basketbollin shqiptar, do të përjetonte torturat më ç’njerëzore që e çuan deri në gjymtimin mendor dhe fizik.

Qazim Dervishi, themeluesi i sportit shqiptar

Pasi më detyruan të zhvishesha dhe më torturuan barbarisht, më varën për këmbësh, fytyrë për fytyrë me kokëposhtë, së bashku me një prift katolik, i cili kishte vdekur nga torturat. Ftoftësia e kufomës si dhe sekrecionet e mbrendëshme të klerikut-kufomë, binin mbi trupin tim të gjakosur e të zhveshur”.

Kjo dëshmi vjen nga një miku i Qazim Dervishit, Pjetër Logoreci, treguar prej gojës së kampionit shqiptar në vitin 1993, vetëm një vit para se të ndahej nga jeta.

Ja çfarë shkruan Pjetër Logoreci në një artikull të tij: Si e njoha Qazim Dervishin

Ndërrimi i sistemeve në Shqipëri edhe pse në vazhdimësi me komunistë, apo femijët e tyre në pushtet, mundësoi për shumë familje shqiptare të ndara nga izolimi i dhunshëm dhe i egër komunist, bashkimin e pjestarëve, afrimin e njohjen e tyre, si dhe i mundësoi vizita tek njëri-tjetri.

Në këto ditë ndryshimesh të mëdha të postkomunizmit, në vitin 1993, pata fatin e mirë të njihem me intelektualin Qazim Dervishi, i cili në moshë të thyer, jetonte me familjen e tij në Shkodër.

Si shumë familje të tjera edhe familja ime vuajti arratinë, ndarjen e pjestarëve të saj, të cilët si intelektualë që kishin studiuar në shkollën teknike amerikane të Fultzit e më pas në universitetet perendimore, shiheshin si armiq nga regjimi diktatorial. Për afro gjysëm shekulli izolimi, ne nuk mundëm të kontaktonin (telefon, letra, apo fizikisht), të ndiheshin, me pjesën tjetër të familjes, deri sa ato vdiqën të dëshpëruar në dhe të huaj. Qelloi që në pranverën e vitit 1993, erdhën për vizitë në Shkodër, për herë të parë, pjestarët e familjes time, të cilët jetonin në Londër.

Kushëriri im Philip (djali i xhaxhait tim, Anton Logoreci) dhe nëna e tij Doreen Clements (gazetare e një reviste londineze) gjatë vizitës në Shkodër, përjetuan shumë surpriza të këndshme, një ndër to ishte dhe vizita në shtëpinë e intelektualit e patriotit shkodran Qazim Dervishi. Meqenëse z. Dervishi ishte në moshën 85 vjecare, shkuam ta takonim në pallatin ku ai banonte. Vizitorët nuk e flisnin gjuhën shqipe prandaj kërkova ndihmën e një përkthyeseje profesioniste për të bërë interpretimin e bisedës nga gjuha angleze në shqip. Takimi me anglezët e solli zotni Qazimin në kujtime të periudhës së rinisë kur ai, në mes qindra studentësh nga i gjithe vendi, ishte pjestar i shkollës teknike amerikane të Harry Fultz-it në Tirane. Për çudi edhe pse në moshë të madhe, z. Qazimi filloj të komunikojë me miqtë në një anglishte perfekte, pa patur nevoje për ndërhyrjen e përkthyeses.

Qazimi filloj t’i tregojë miqve nga Anglia përjetimet e tmershme në burgjet komuniste, e sidomos të periudhës dy vjecare të qëndrimit në hetuesi. Nuk mund t’i harroj drithërimat që më përshkuan kur dëgjova ngjarjen e tmershme që i kishte ndodhur gjatë hetuesisë. Pasi e kishin detyruar të zhvishej dhe torturuar barbarisht, e kishin varur për këmbësh, fytyrë për fytyrë me kokëposhtë, së bashku me një prift katolik, i cili kishte vdekur nga torturat. Ftoftësia e kufomës si dhe sekrecionet e mbrendshme të klerikut-kufomë, binin mbi trupin e gjakosur e të zhveshur të Qazimit. Dhe nuk mjaftonte kjo, por hetuesit sadistë duke gjetur kënaqësi e shumë agresivë, kishin filluar të lëshonin telin që i mbante të lidhur dy trupat, të cilët i kishin varur mbi gropën e hapur për WC… e vazhdonin t’i lëshonin… deri sa kokat e të burgosurve prekën jashtqitjet në gropë…

Kjo ngjarje shkaktoi një reaksion të fortë emocional tek anglezja mike, e cila humbi ndjenjat. Ajo kishte dëgjuar qindra histori nga i shoqi Anton Logoreci, i cili fliste për tmerret e komunizmit çdo natë në emisionin shqip të radios BBC, por kjo që dëgjoj këtu ishte jashtë çdo limiti njerzor.

Pjetër Logoreci bën dhe një profil të Qazim Dervishit, karrierën e tij në sport dhe rolin e tij vendimtar në themelimin e sportit shqiptar deri tek arrestimi e dënimi nga komunizmi.

“Qazim Dervishi, i biri i Zades dhe i Selimit, lindi në Shkodër me 10 qeshor 1908. I ati i Selimit, Dervish Stankovic ishte këpuctar dhe kishte e ardhur në Shkodër rreth vitit 1866 nga Tuzi, ndërsa nëna e Qazimit ishte me origjinë nga Mjeda.

Qysh në fëmijëri, Qazimi u veçua nga të tjerët për shkathtësinë e tij mendore dhe trupore e në shkolle ai ishte kurdoherë nxënës i dalluar. Edhe pse (sipas tregimit të familjarve) rreth viteve 1916-1918, ishte e ndaluar që fëmijët nga familjet muslimane të luanin me top (pasi shihej si gjynah), Qazimi organizonte me shokët e moshës lojra me top, të cilët nënë Zadeja ia qepte me kujdes.

Babai që merrej me tregti pati mundësi ekonomike që të paguante një mësues privat për t’i dhënë të birit njohuri të tjera, për të cilat ai ishte shumë i interesuar. Pa mbushur moshën 12 vjeçare, Qazimit i vdes babai duke lënë pas katër femijë jetimë, dy djem dhe dy vajza. Për familjen nisin kohë të vështira, por amaneti i babait ishte që fëmijët të shkolloheshin. Miqtë e familjes filluan të interesoheshin që Qazimi, si më madhi ndër fëmijët, të frekuentojë një shkollë detare në Turqi, por dëshira e fëmijes ishte tjetër. Ai nuk e pranoi propozimin dhe sapo mbaroi filloren u regjistrua në Gjimnazin e Shkodrës.

Duke parë aftësitë e Qazimit, punonjësit e Kryqit të Kuq amerikan në Shkodër e këshilluan të regjistrohej në shkollën teknike amerikane që ishte hapur në Tiranë në vitin 1922, ku ai filloi studimet e rregullta në vitin shkollor 1924, viti i dytë i ekzistencës së shkollës. Shkolla me profil industrial, kishte drejtor 34 vjeçarin Harry Fultz. Aty Qazimi u njoh edhe me studentë të tjerë që vinin nga qyteti i tij i lindjes si Viktor Beltoja, Ndoc Qerraxhia, Lec Barbullushi, të cilët u bënë shokë të mirë të tij. Më vonë, në vitet e tjera, grupi i bashkëqytetarëve u zmadhua me Xheladin Bacin, Shaqir Kadinë, Anton Logorecin, Zef Qerraxhinë, Ndoc Geren, Ndrek Kodhelin, Mark Kurbinin, Loro Shirokën.

Gjatë mesimit nxënësit edukoheshin me dashurinë për punën nën motivin: “If we rest, we rust”, në shqip: “kush rri, ndryshket”, apo siç flitej në mes nxënësve: secili duhet të jetë gati të pranojë çdo punë që ti jepet. Nxënësit duke punuar për të mësuar zanate të ndryshëm siguronin dhe të mirat e duhura materiale për jetën në konvikt. Fultzi e kishte vënë Qazimin të drejtonte sektorin e blegtorisë në fermën që zotëronte shkolla, në Laprakë. Qazimi punonte tokat e fermës me traktor, administronte gjeneratorin e shkollës, në të njëjtën kohë punonte edhe si shofer duke bërë transportin e farës së misrit nga Tirana në Durrës.

Edhe aktivitetet e ndryshme sportive, futja e sporteve të reja të panjohura më parë në Shqipëri, ishin në programin e shkollës teknike amerikane. Ndër këto aktivitete Qazimi ishte gjithmonë prezent dhe sipas informacioneve të gazetës së shkollës “Laboremus”, në lojrat olimpike të cilat organizoheshin për çdo vit nga shkolla, ai u dallua dhe zuri vende nderi në garën e kërcimit për së gjati, në garën e kërcimit trehapësh. Në vitin 1925, Qazimi u zgjodh kapiten i skuadrës së futbollit të shkollës si dhe këshilltar i përhershëm i drejtorisë për këtë sport. Në lojrat olimpike të vitit 1927, Qazimi theu rekordin e kërcimit së larti. Me inicitivën e drejtorit Harry Fultz, i cili ishte një lojtar basketbolli i mrekullueshëm, për herë të parë në Shqipëri, u organizuan ndeshje basketbolli, ku Qazimi ishte kapiteni i 5-shes së parë për shkollën teknike amerikane.

Në fillimin e vitit 1929, duke parë punën e mirë e serioze të Qazimit, kolegët kërkuan që ai të ishte kujdestar i konviktit Naim Frashëri. Me emërimin e tij kujdestar, Qazimi përveç punëve që i takonin, filloi të organizonte me nxënësit e konviktit gara atletike dhe ndeshje basketbolli. Por dëshira e tij ishte të transferohej në qytetin e lindjes, të ja dedikonte Shkodrës rezultatet e mira që arrinte në sport. Mbas transferimit në Shkodër, për të plotësuar nevojat ekonomike të familjes ai filloi të punojë si mësues te shkolla “Hadrej”, e njëkohësisht si kujdestar në konviktin “Malet Tona”, pra mësues dhe edukator. Me iniciativën e tij, në vitin 1930, ai vendosi në këndin e vetëm sportiv që ekzistonte në Shkodër, në atë të shkollës së Perashit, tabelat e basketbollit, shkallën suedeze, traun e ekuilibrit, gropën e rërës, stekat për kërcimin së larti si dhe vizoi pistat për gara vrapimi.

Nën organimin e tij, terreni sportiv kishte përherë lojra basketbolli, handbolli, futbolli apo gara vrapimi të përziera për djem e vajza. Me këmbënguljen e tij dhe me ndihmën e shokëve e nxënësve, në vitin 1934, Shkodra kishte 3 terrene sportive. Jashtë deshirës së tij, në vitin 1939, Qazimi transferohet si mësues në Pogradec, por në tetorin e vitit 1942 kthehet si mësues në shkollën “Ismail Qemali” të Shkodrës. Po në këtë vit ai martohet me mësuesen e njohur Meliha Dervishi (mësuese e popullit) dhe së bashku gjatë vitit 1945, punojnë në Lezhë dhe Gjirokastër.

Një dëshirë e madhe e Qazimit, ishte formimi i një klase për fëmijet shurdhë-memecë. Ai punoi papushim për një alfabet diadik duke u bazuar në modelin e shkollës amerikane “Northëest school Philadelphia”, ishte talent në fushën e didaktikës si dhe përkthente nga anglishtja letërsi për fëmijë, letërsi sportive dhe didaktike.

Pati një periudhë kohe kur Qazimin e dërguan të punojë si instruktor i edukimit fizik në hekurudhën Peqin-Kavajë. Aty, ai u vendos nën shënjestrën e sigurimit të shtetit, i cili aktivitetin e zellshëm dhe lidhjet e Qazimit i shihte me xhelozi. Zyrtarët komunistë të kohës, nuk mund të pranonin planet e tij që të lidhej me shkollat amerikane dhe ato londineze për të mësuar nga programet e tyre. Kështu që, me 12 shtator 1947, në moshën 39 vjeçare, Qazimi arrestohet nga sigurimi i shtetit me akuzën “Veprimtari në grup kundër shtetit¸agjitacion e propagandë dhe spiunazh”.

Qëndron për 22 muaj në birucat e shfarosjes të hetuesisë, nën tortura çnjerëzore, ku falë një fiziku të hekurt prej sportisti i reziston vdekjes. Dënohet me 18 vite burg nga gjykata e Tiranës e cila “e gjeti fajtor” nën këtë akuzë. Shtatë vite më vonë, i sëmurë rëndë, lirohet nga burgu. Për vite me radhë familja e tij ishte viktimë e një fushate të egër përndjekjesh, frikësimesh dhe bastisjesh nga sigurimi, të cilat vazhduan sistematikisht deri më 1971-in e ndrrimin e sistemit.

Përveç ndihmesës së madhe në fushën e arsimit dhe të përhapjes së sporteve të reja në Shqipëri, Qazimi pat një karrierë brilante edhe si administrator e gjyqtar i futbollit. Në vitin 1945 ai emërohet kryetar dhe drejton shoqërinë Vllaznia në Shkodër. Perveç se një atlet profesionist, një futbollist i papërmbajtur, ai ishte arbitri i parë ndërkombëtar i futbollit në Shqipëri. Qazimi ishte një gjyqtar shumë i vlerësuar si brenda vendit ashtu edhe në ndeshjet ndërkombëtare, duke arbitruar me shumë sukses në Ballkaniadën e vitit 1946.

Me 11.06.1993, ai nderohet nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mësues i popullit”. Për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, në vitin 1996, pallatit të ri të sportit në qytetin e Shkodrës i vendoset emri “Qazim Dervishi”. Me kërkesën e qytetarëve të Shkodrës¸me 13.3.2009, këshilli i Bashkisë Shkodër, i jep titullin “Qytetar Nderi”. Qazim Dervishi vdiq më 19 Janar 1994 në moshën 86 vjeç, i nderuar nga kolegët, qytetarët e gjithë Shqipërisë.

/Burimi: Kujto.al