SI DO E BËJMË SHQIPËRINË NE SHQIPTARËT?

0
545
Arben Çokaj

Pyetje: SI DO E BËJMË SHQIPËRINË NE SHQIPTARËT?

Nga Arben Çokaj

Mund të japin versionin e tyre të përgjigjeve shkurtimisht mendimtarët e politologët shqiptarë, nacionalistët, zogistët e legalistët, njerëzit që mendojnë për Shqipërinë dhe duan ta shohin atë një vend të zhvilluar.

Jemi përballë këtyre fakteve:

1. Shqipëria e pushtuar për 523 vjet rresht nga turko-osmanët, e ndarë dhe e copëtuar, në 4 vilajete me shumicë shqiptare dhe më pas në 4 besime fetare, e mohuar nga gjuha dhe nga etnia, nga ata (turqit), që shumica e shqiptarëve ende i respekton më shumë se tjerët… “Nacionalistët” shqiptarë, shumica muslimanë ishin në shërbim të turkut, se ndryshe nuk mund të bënin pasuri në atë kohë.

2. Një zhvillim i vobektë pas vitit 1912, e luftëra e konflikte, dhe rrëzim i qeverisë demokratike në Nolit nga Zogu (që më pas u bë mbret), me ndihmën e ushtrisë serbe. Më 1938, pas sundimit të Zogut, Shkodra ishte thjeshtë një fshat i madh… e Shqipëria me 800 mijë banorë. U pushtua më 1939 nga Italia fashiste, disa shqiptarë “nacionalista”, e sidomos katolikë, i shërbyen pushtuesit të ri me devotshmëri.

3. Vjen komunizmi më 1944, me Enverin e partizanët e tij, që sunduan me dorë të fortë dhe u hakmorën edhe ndaj atyre, që i shërbyen të huajve e fashizmit. Por nuk mund të mohohet fakti se Enveri bëri shtet shqiptar, i pari që nga koha e Gjergj Kastriotit, që funksiononte mbi bazën e ligjeve, edhe pse pati shkelje padyshim, e sidomos krime të tmershme ndaj kundërshtarëve politikë të tij. Shqipëria u bë një vend i qetë, i sigurtë dhe u zhvillua në shumë sekrorë e drejtime, duke u civilizuar gjithashtu. Investimet më të mëdha në historinë e Shqipërisë, me sistem arsimor, shëndetësor, një sërë institucionesh që funksionuan, me fabrika e uzina, me sistem elektrik e rrugë, etj. u bënë në ato 45 vjet të komunizmit, pavarësisht se sistemi dështoi në fund, dhe shqiptarët morën arratinë…

4. Më 1990 erdhi demokracia, e cila u kthye shumë shpejt në anarki, nga padija dhe lukunia e drejtuesve të rinj politikë. Shteti u thye në kryq më 1997, nga skemat piramidale e kundërshtia, që Berisha u bëri amerikanëve për ripërsëritjen e zgjedhjeve, qoftë edhe pjesërisht më 1996, ku u vodhën votat për herë të parë në këtë histori të shkurtër të demokracisë shqiptare – një fenomen që nuk e bëri as Ramiz Alia, e bëri Sali Berisha, i cili thoshte: “Kur fodulli Zog ndenji 15 vjet në pushtet, po unë?!

E që në atë kohë, palët politike tek ne nuk i besojnë më njëra-tjetrës. Por shteti ka 6 vjet që drejtohet nga Edi Rama, dhe shteti po menaxhohet paksa më mirë se nga ata që qeverisën para tij, edhe pse kontrolli i shtetit më mirë, mbyll disa vrima manovrimi, që shqiptarët i kishin mësuar gjatë këtyre viteve, edhe pse të paligjshme, për të jetuar. Por meqë ndryshimi nuk është i dukshëm, e meqë ekziston ende një varfëri e madhe, si dhe kundërshtia në demokraci, Koli gjeturaku etj. nuk e duan Ramën, e kjo nënkupton se ata duan dikë tjetër… Kë? Kush është realisht si krah politik kundër Ramës? Saliu, Luli e Monika… Pra, Koli edhe pse nuk e shpreh hapur këtë, se është parimor i madh, do këto të fundit… sikur ne nuk e kemi parë lukuninë e tyre, që Rama e ka vënë disi nën kontroll.

“Nacionalistët” shqiptarë, që sot në politikën shqiptare përfaqësohen me PD e partitë e djathta, historikisht kanë qenë marioneta të turkut, italianit e pushtuesve të tjerë. Për arsye të kushteve e rrethanave historike, sociale e politike. E kjo është anomalia shqiptare, ne nuk kemi të djathtë që mendon, që Shqipërinë duhet ta bëjnë shqiptarët, por kemi të djathtë, që mendon se Shqipërinë duhet ta bëjnë të huajt, kombet e bashkuara, ambasadat. Edhe Koli gjeturaku etj. pret mezi, se kur po vjen ambasadori amerikan në Shqipëri, për “ta bërë Shqipërinë”… Dikur prisnin turkun që ta bëjë Shqipërinë, ka disa që presin edhe sot. Më vonë prisnin italianin… etj. Sa naiv e servil ky mendim e kjo ndjenjë, por e ka burimin e vet, te shtypja e gjatë nën pushtimin osman të Shqipërisë, që bashkë me islamin krijuan ndjenjën inferiote te shqiptarët, dhe paaftësia e shqiptarëve për t’u rritur, për të besuar në vetvete, dhe për të menduar që vendin e tyre e bëjnë ata, kuptohet në bashkëpunim edhe me vendet e tjetra, sidomos ato miqësore e aleate të Shqipërisë.

Psh. unë shtëpinë time, edhe më të mirëse në Gjermani, e kam bërë në Malësi të Madhe, vetë, me ndihmën e financave nga jashtë! Nuk kam pritë si Koli gjeturaku me ma ba shtëpinë ambasadori amerikan, as ai italian e as ai turk…

Por Enveri më 1944 mendoi e besoi se Shqipërinë e bëjnë shqiptarët, mori një sistem të gabuar dhe kur ia mbyllën derën, u mbështet në forcat e veta, por në fund dështoi. Dështimi i Enverit ishte edhe një grusht i fuqishëm mbi vetëbesimin e shqiptarëve, se mund të bëjnë shtet vetë. Armiqtë tanë historikë, turqit e serbët thonë se “shqiptarët nuk janë në gjendje ta drejtojnë veten, të bëjnë shtet!“. Kjo paradigmë u prish si nga Skënderbeu për pak kohë, por edhe nga Enveri… Tani kemi 30 vjet, që shajmë Enverin, dhe ne si shqiptarë nuk po lëmë gjë pa bërë, për t’ia mbushur mendjen turqve e serbëve, etj., se kjo është e vërtetë, se nuk po mund bëjmë shtet as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Po vjedhim e abuzojmë shtetin tonë të përbashkët, me ndjenjën e brendëshme turqelike, sikur shteti shqiptar nuk është i joni, por i tjetrit, i të huajit… prandaj vidhe dhe abuzo me të! Kjo nuk shkon!

Nëse shikohet me objektivitet, në këto 30 vjet demokraci tranzitore, vështirë me gjetë zyrtar e politikan shqiptar të pa korruptuar. E si bëhet shteti kështu?! A duhet me i dënua këta? A duhet mos me i lanë njerëzit me ndërtua vend e pa vend pa leje? A duhet me e ba këtë shtet me funksionua sipas ligjit? E si? Pa diktat?

Sa punë duhet që të krijohet kjo ndjenjë, që shqiptari të mos jetë folklorik, por modern dhe ta dojë shtetin e tij, për ta bërë atë dhe jo për ta vjedhë e abuzuar me të?! Duhet shkollim e dije dhe më pas qëndrueshmëri, që të formohet edhe karakteri shtet-formues te shqiptarët, që ta duan dhe ruajnë shtetin e tyre, e të mos e urrejnë si në këto 30 vjet, që po e braktisin me të madhe, po e vjedhin e po abuzojnë me pronën publike e të përbashkët. Pra, si mund të bëjmë shtet ne shqiptarët, a e di kush?! Se me sha Enverin është e lehtë, por eja e bëj shtet se!

Enveri e mori Shqipërinë me 800 mijë banorë (1938) dhe e bëri atë me 3,27 milionë më 1990. I mbyti shqiptarët… Edhe pse vrau 6027 vetë, nga kundërshtarët politikë të tij në 45 vjet sundim e krime dhe persekutime të tjera. Pra, Shqipëria e rriti ndjeshëm numrin e popullsisë në kohën e tij, megjithë persekutimin dhe krimet e ushtruara, dhe varfërinë e përgjithëshme. Tani parashikohet nga OKB, se Shqipëria pas 100 vjetëve do të ketë rreth 1 milion banorë. Pra, kthehet prapë koha e Zogut… E pas 100 vjetëve, Giorgo, i biri i Jozefit, prapë do e shajë Enverin për rrënimin e Shqipërisë, sepse para e pas Enverit, ky vend, po shihet, ka “lulëzuar” e po “lulëzon”. A i ulim pak tonet dhe mendojmë me arsye e jo me pasione?!

Meqë Enveri e sistemi i tij komunist nuk janë zgjidhje për këtë pupoll, as islami nuk është, atëherë a bëhet ky vend vetëm duke sharë Enverin? Mendoj se jo! Prandaj duhet të dalim nga kjo spirale vetë-shkatërruese neurotike, që me siguri po ushqehhet edhe nga interesat e caktuara, politike, fetare, agjenturore, etj.

Unë mendoj se ne si shqiptarë nuk kemi nevojë të bëjmë shpikje, se e shoh, se nga padija shumë shqiptarë japin secili versionin e vet të zgjidhjes: E thashë unë i pari! Protagonizëm infantil! Ne sistemin demokratik e kemi, duhet orientim si shtetet Europiane, drejt shteti nacional, shkollim e dije, e sa më pak ndikim fetar… se feja na ndan, nuk na bashkon si popull. Kështu e vetëm kështu mund “ta nxjerrim gomarin tonë nga balta“… Se shoh, jo vetëm popullin e paditur, që shembet para fesë, por edhe so-called intelektualë, si Rudina Xhunga etj. janë aq të marrë, sa e presin shpëtimin e këtij vendi, nga sofistë të tipit Elvis Naçi, në kohën kur SHBA psh. po bën kompjuterin kuantik…