Rreth e rrotull Greqisë, në 3 ditë… – Shënime udhëtimi me referenca historike, mitologjike e filozofike

0
1798
Akropol, Athinë

Pamje nga Akropoli, Athinë

Arben Çokaj & Dashamir Çokaj

Greqia, vendi fqinj në jug të Shqipërisë, e ka fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane me 25 mars 1821, pas një pushtimi osman rreth 360 vjeçar dhe tani është një vend me një popullsi prej 10.768.477 banorë (2017), e një sipërfaqe të përgjithshme prej 131.957 km2. Pushtimi osman e ka dëmtuar Greqinë, po ashtu si ne, por ngaqë e mbajti më pak dhe fenë nuk ia ndërroi, grekët shpëtuan më mirë se ne, dhe diçka domethënëse e për t’u lavdëruar, gjatë udhëtimit tonë 3 ditor, nuk pamë as edhe një minare apo xhami në të gjithë atë hapësirë…

Harta e udhëtimit tonë rreth e rrotull Greqisë në 3 ditë

Heroi i pavarësisë së Greqisë, një luftëtar arvanitas, Theodores Kolokotronis (Teodor Kolokotroni), e kishte shtatoren e tij me kalë, në qendër të Athinës, para muzeut historik kombëtar grek. Dhe unë i bëra një foto gjatë rrugës, nga makina, si shumicën e fotove, që kam bërë gjatë këtij udhëtimi.

Kolokotroni me kalë para muzeut historik kombëtar grek

JANINA (IOANNINA) – ARTA – PREVEZA – ÇAMËRIA

Udhëtimi jonë filloi nga Janina, të hënën me 14 tetor 2019, pasi hymë në pikën kufitare të Kakavijës. Pika kufitare greke ishte një ndërtim kazermë, në dukje jo-cilësore sa pika jonë kufitare. Më pas, pamë edhe se rruga dytësore deri në Janinë, ishte më e shembur se rruga jonë deri në Gjirokastër, e deri në kufi. Si fillim, një ndjenjë jo e mirë për Greqinë, të cilën e mendonim në një gjendje më të mirë se ne.

Pamje e pikës kufitare greke në Kakavijë

Para se të shkonim në Janinë, kaluam disa fshatra aty, ku disa i shikonim edhe në tabelat e rrugës, ndër ta edhe Konicën, vendlindjen e intelektualit shqiptar, Faik Konica. Na tërhoqi vëmendjen edhe një emër fshati tjetër aty: Metamorfoza

Janina, e quajtur shpesh Yannena brenda Greqisë, është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i njësisë rajonale të Janinës dhe Epirit, një rajon administrativ në Greqinë veriperëndimore.
Popullsia e saj është: 167.432 banorë (2017) Eurostat.

Janinës ç’i panë sitë, Janino, Janino…thotë kënga e vajtimit…

Janina ka qenë historikisht kryeqendra e pashallëkut të Janinës, me Ali Pashë Tepelenën si sundimtar, i cili e bëri pashallëkun e tij ndër më të fortit në Perandorinë Osmane. Ali Pashai i Janinës dhe Mehmet Ali Pasha i Egjiptit ishin dy pashallarët me origjinë shqiptare, që në kohën e tyre, ishin më të fuqishmit e Perandorisë, por ata nuk ditën të punonin për kombin e tyre. Ali pashai ndërtoi edhe një kala të madhe dhe të fuqishme në Janinë, e në fund shkoi për dhjam qeni, duke i humbur të gjitha, si kaçak që ishte…

Kalaja e Ali pashait në Janinë

Flitet se një nga njerëzit e tij e vrau, kur shkoi ta takonte, e theri me thikë, ndërsa Aliu ishte tërhequr, që të ruhej në ishullin e liqenit të Janinës.

Koka në Stamboll, e trupi në Janinë
Të vranë, Ali Pashai, të vranë

Janë vargjet e këngës…

Ali Pashain e vranë turqit për mosbindje, po ashtu edhe të bijtë dhe nipin e tij pashallarë, që i kishte emëruar ai. Kokat e tyre përfunduan në Stamboll, në sini, që t’i shihte sulltani. Kur sulltani pa kokën e prerë të nipit të Aliut, pasha, tha: “Po ky paska qenë fëmijë…”. Dhe zotërimet e tyre shqiptare, shumica, përfunduan nën Greqinë e sotme.

Pamje nga Janina

Janina e sotme është një qytet relativisht i mbajtur, i bukur, me kafene të shtrira përgjatë liqenit, bregu kalasë, dhe me biznese të mira, të shtrira përtej qytetit, në drejtim të Artës, ku më tej shtrihej edhe autostrada Egnatia, që bashkon Selanikun me Igumenicën – një autostradë mjaft cilësore, me sa pamë.

Elektriciteti në Janinë shpërndahej me shtylla të mëdha druri, e në shumë raste edhe mes për mes qytetit. Këtë do e shikonim më pas edhe në qytetet e tjera të Greqisë, që vizituam, ku telat elektrikë dukej se mund të kapeshin edhe nga dritaret dhe ballkonet e pallateve. Shtyllat e drurit – për ekologji, a thjeshtësi – s’e di, ishin mjetet më të përdorura, për të shpërndarë energjinë elektrike në Greqi.

Kafenetë bregu liqenit në Janinë

Morëm rrugën për në Artë, dhe ashtu si rruga nga pika e kufirit në Kakavijë deri në Janinë, që ishte e gjerë, por më e amortizuar se rrugët e të njëjtës kategori në Shqipëri, edhe kjo rrugë, kalonte mes-përmes pyjeve, maleve e luginave, por ishte e amortizuar. Ne ankohemi edhe kot, për qejf nganjëherë! Duket se grekët ishin fokusuar në ndërtimin e autostradave, që do i përdornim më vonë kundrejt pagesës, e që ishin mjaft të mira e cilësore, dhe i kishin lënë rrugët e tjera disi pas dore.

Çamëri – nuse me halle
thotë vargu i një kënge popullore…

Gjatë udhëtimit mes-përmes Çamërisë, përgjatë atyre luginave, kodrave e maleve të pyllëzuar, një ndjenjë e përzier të përshkonte, për ato troje shqiptare, që na ikën padrejtësisht. Një aromë e këndshme jasemini, a kushedi se çfarë ishte, nga këto troje të bukura çame, filloi të na shoqëronte përgjatë rrugës, përmes këtyre pyjeve të bukura, të ruajtura mirë, gjë që nuk e kishim përjetuar asnjëherë më parë…

Arta

Arta është një qytet në Greqinë veriperëndimore, kryeqyteti i njësisë rajonale të Artës, e cila është pjesë e rajonit të Epirit – sipas qytetit, ka marrë emrin edhe Gjiri i Artës. Qyteti ishte i njohur në kohërat antike si Ambracia. Arta njihet për urën mesjetare mbi lumin Arachthos. Popullsia: 43.166 banorë (2011).

Ura e vjetër e Artës

Udhëtuam drejt Artës, këtij qyteti që mund të kishte qenë shqiptar dhe hymë e shëtitëm pak në të.

Pamje nga Arta

Pastaj morëm rrugën drejt Prevezës, përsëri rrugë dytësore, që ta shijonim natyrën më mirë. Papritur zbuluam diçka, një amfiteatër i lashtë, para se të hynim në Prevezë…

Dr. Dashi para amfiteatrit që pamë rrugës drejt Prevezës

Pak më tej ndeshëm në një mur mbrojtës madhështor, po ky çfarë është?

Një mur i madh, para se të hynim në Prevezë

Pamë se shqiptarët e zonës kishin të njëjtën kulturë me grekët, si dy popuj fqinjë e me origjinë të njëjtë, dhe sa shumë kishin punuar për t’u mbrojtur, por në fund, i humbën të gjitha. Kjo pjesë territori, e banuar kryesisht me shqiptarë, nuk është më territor shqiptar, e njeriu nuk di si të gjykojë. Pasi edhe territoret shqiptare nën shtetin shqiptar patën një histori jo edhe aq të mirë dhe sot jemi ende në kushte jetese më të këqia se vetë grekët… Por liria është ajo që vlerësohet më shumë nga të gjitha…

Preveza

Preveza është një qytet në rajonin e Epirit, në Greqinë veriperëndimore, që ndodhet në grykën e Gjirit Ambracian. Është kryeqyteti i njësisë rajonale të Prevezës, e cila është pjesë e rajonit të Epirit. Sipërfaqja: 381.6 km². Popullsia: 19.042 banorë (2011)

Kaluam përmes Prevezës dhe pamë qytetin, mirë ishte, dhe pastaj morëm tunelin, që kalonte nën atë grykë detare, dhe që lidh detin e Jonit me gjirin e Artës… Tuneli kushtonte rreth 3 Euro, për makinë.

Pamje nga Preveza

Një herë morëm rrugën dytësore drejt Patras, që ishte destinacionit i radhës, por pastaj u kthyem dhe morëm autostradën, që aty në dalje të tunelit e deri kur u ndërpre, ishte mjaft cilësore. Pastaj në rrugën me dredha, përmes atyre kodrave bregu gjirit të Artës, ecëm në drejtim të Patras, Peloponezit… Edhe në ato kodra, aroma ishte mjaft e mirë, e kjo po na habiste kaq shumë, si ka mundësi, këtu në Greqi, natyra mbahej kaq mirë dhe aroma e maleve ishte po aq e këndshme? Në Shqipëri e vende të tjera, kur ecën rrugës, duhet të mbyllësh dritaret, se ajri është i ndotur, ose të paktën, nuk ka aromë të mirë. Më pas morëm autostradën, dhe po i afroheshim Patras, ndërsa dielli po kalonte drejt perëndimit…

PATRAS – RIO – NJË NGA URAT MË TË GJATA NË BOTË

Patras është qyteti i tretë më i madh në Greqi dhe kryeqyteti rajonal i Greqisë Perëndimore, në Peloponezin verior, 215 km në perëndim të Athinës. Qyteti është ndërtuar rrëzë malit Panachaikon, me pamje nga Gjiri i Patras. Popullsia: 167.446 banorë (2011) sipas United Nations.

Ura Rio – Antirrio, zyrtarisht Ura Charilaos Trikoupis, është një nga urat më të gjata në botë, e mbajtur me kabllo të qëndrueshme, e tipit pezull plotësisht. Ajo lidh Gjirin e Korintit afër Patras në qytetin Rio, të gadishullit të Peloponezit, me Antirrio në Greqinë kontinentale.

Harta që tregon urën Rio – Antirrio

Gjatësia totale: 2,880 m – Fillimi i ndërtimit: 1999 – Hapësira poshtë: 52 m
– Çmimi për makina: 13.50 €

Pagesa e urës në Antirrio

Paguam dhe kaluam përmes urës, siç shihet, nata ka rënë e nuk pamë shumë, se po të ishte gjatë ditës, pamja do të kishte qenë padyshim madhështore. I bëra foto urës gjatë natës, por pa ndonjë rezultat impresiv. Ishim lodhur, e duket se edhe stomaku po më rëndonte. Hymë në Rio, dhe pasi mbushëm serbatorin me naftë, e pyetëm punonjësin aty, se ku mund të gjejmë hotel. Na tregoi dhe ecëm në atë rrugë, dhe kur Dr. Dashi pa një hotel, Castelo me 3 yje, u ndalëm, Dashi shkoi dhe mori një dhomë dyshe, që ishte si një dhomë pushimi, me një kuzhinë të vogël brenda, për ata që shkojnë të pushojnë e gatuajnë në dhomë. 60 Euro nata në hotel, e 1,5 Euro taksa. Nuk na u duk shtrenjtë…

Dolëm në rrugë, dhe u habitëm se rruga nuk ishte edhe aq e mbajtur, pa trotuare, e amortizuar. Kopliku është lule para kësaj, por… pamë se grekët janë mësuar me turistë dhe janë shumë praktikë. Në atë rrugë, foton e së cilës e bëra të nesërmen në mëngjes, kishte shërbime të mira. Shkuam në një market, aty pranë dhe blemë mjaft lirë disa gjëra të thata, dhe pije të buta. Shkuam të hamë diçka te Gusto Rio, një vend që na e rekomandoi sportelistja e hotelit. Hëngrëm dy nga ato ushqimet, që bëjnë grekët me pite e mish qebabe, me patate të skuqura dhe me qepë, domate e salcë – e një kafe për 7.40 Euro. Euuu, thamë ne, më lirë se në Prizren… se për në Shqipëri, as që bëhet fjalë. Pijet e ushqimi aty na lanë përshtypje të mirë, erdhëm dalëngadalë duke u qetësuar, se na kishte lodhë rruga, gjithë ditën udhëtim.

Pasi ndenjëm nja një orë a më shumë aty, ecëm pak në rrugë, se ecja të ndihmon, sidomos mbrëmjeve, e sidomos kur ke ndenjur gjithë ditën në makinë… Mendova të pi edhe një kafe me qumësht, se në dy vende tjera nuk kishin bërë kafe të mirë, por te një ëmbëltore, ku punonte një grua dhe një vajzë e re, që dukej nën moshën 18 vjeçe, edhe pse ora po i afrohej 22:00, ajo vajza më bëri një kafe të mirë me qumësht, që më shijoi dhe më bëri mjaft mirë.

U habitëm, po ku punon more një vajzë në Shkodër kështu deri në orën 22:00?! Nuk e lënë pordhët… Një vajzë në Shkodër, që kishte kryer shkollën e lartë, paksa bythë-madhe, po i thoshte shoqes së saj e një shoku në kafene, një ditë: “Nuk po më bërtet baba, e jo më ti? Kam kryer shkollë, nuk punohet shitëse me 200 mijë lekë…” Ose ndonjëra nga ato vajzat shqiptare, që shkruajnë në profilin e tyre në Facebook: “Ka kush punon për mua…” Po, patjetër, Kombet e Bashkuara… Ky është ndryshimi mes kulturave si duket, ne qeshim e shajmë gjithë botën, e problemin e kemi vetë: është dembelizmi! E dembelët pastaj bëjnë naze dhe shpikin arsyetime…

Kjo vajza e re greke që punonte deri natën vonë, më ngjalli respekt, dhe më shtyu atë mbrëmje, të kujtoja vargjet e një kënge, që këndonim kur ishim studentë:

I ri kur kam qenë, plot vrull, guximtar.
Një greke të bukur e desha me zjarr.

Dhe puthjet e saj nuk kishin mbarim.
Por ishte i shkruar i zi fati im.

Një natë po pija me miq në gosti,
Kur portës trokiti nj’i lig jahudi.

“Ti pi e dëfrehesh” çifuti me tha,
“por grekja e bukur, të shkoi e të la”

Dhe dolëm. Vraponim mbi kuajt veri,
Mëshira më flinte, këtu mu në gji.

Johan Dhimitri në Facebook, pasi e lexoi shkrimin, më tregoi se këto vargje janë shkruar nga Pushkin, në poezinë e tij “Shalli i Zi”…

Pamje nga një rrugë në Rio, ku ndenjëm në hotel një natë

Të nesërmen në hotel, kur shkuam për ushqimin e mëngjesin, na thanë se mëngjesi nuk ishte i përfshirë në çmim. OK – i thamë, po hamë megjithatë pak, se ushqimi na u duk se ishte i mirë. Hëngrëm dhe kur shkoi Dashi të dorëzonte kartën elektronike si çelës, me të cilën ndizeshin edhe dritat e dhomës, ai po vonohej pak. Pasi shëtita pak, e pashë urën e Rios, Dashi nuk po vinte, shkova te sporteli, të shoh çfarë ka ndodhur!

Dashi po fliste me një grua nga Igumenica, padyshim shqiptare e zonës, e cila kishte qenë edhe në Gjermani, kur kishte qenë fëmijë… nuk kishte hyrë në çështje nacionale, por kur ajo i kishte thënë se i kemi politikanët e këqinj, e këta na i shkaktojnë problemet, Dashi ia kishte kthyer, se e kemi pasur armikun e keq. Pushtimi turk na ka dëmtuar të gjithëve, dhe ka krijuar edhe konflikte mes nesh…

E vërtetë, para se të na pushtonte turku, me grekët nuk e di se shënohet ndonjë konflikt… Kemi qenë një popull me origjinë e me kulturë të njëjtë, të përzier sidomos këtu afër kufirit, por erdhi turku dhe na bëri satrapi1, na ndau e na shkatërroi… dhe mbetëm pastaj me probleme… që i dimë… Por do të shtoja këtu, se edhe feja monoteiste ka luajtur një rol jo të vogël në theksimin e ndarjeve mes popullit tonë dhe popullit grek, sidomos islami. Ajo që vumë re në këtë udhëtimin tonë ishte, se nuk pamë askund minare e xhami, në të gjithë Greqinë! Kjo ishte, po, për t’u lavdëruar. Kurse tek ne, haha, ne na ka pushtuar mentalisht turku e arabi me eZanin e naltë – me piskama të përditshme e me altoparlante!

Dashi më tregoi se për mëngjesin në hotel, i kishin mbajtur 16 Euro. Epo rruga, i ka shpenzimet e veta… 😊

KORINTHI – TRIPOLI – SPARTA (SPARTI)

Korinti është një qytet antik dhe ish-bashki në Korintia, Peloponez, e cila ndodhet në Greqinë jug-qendrore. Që prej reformës së qeverisjes vendore të vitit 2011 është pjesë e bashkisë së Korintit, është kryeqyteti i Korintisë. Sipërfaqja: 17.65 km².

Mbërritëm në Korint në atë mëngjes, të martën me 15 tetor 2019, por menjëherë morëm rrugën drejt Tripolit, që më pas të shkonim në Spartë. Aty pamë edhe kalanë madhështore të Korintit, të ndërtuar si duket nga tirani i Korintit, Kipseli2, që e trashëgoi mbretërinë për të birin, Perianderin, por jo më pas. Historia tregon se Perianderi e vrau gruan e tij, dhe i biri i tij, Likofron, ishte inatosur keq me të atin, dhe e urrente atë, iku nga shtëpia dhe u strehua në Korfuz, ku me siguri kishte aty edhe shqiptarë të kohës.

Kur Kipseli arriti moshën madhore, u këshillua me orakullin e Apollos, në Delfi, dhe profecia ishte e tillë:

I lumtur është burri, që po zbret tani në strehën time,
Kipsel, biri i Eetionit, mbret i Korinthit famëmadh.
I lumtur është ai dhe të lumtur fëmijët e tij, por nuk do të jenë më fëmijët e fëmijëve…

Kështu që kur Perianderi u plak, i tha të birit të kthehej e të merrte fronin, por ai nuk pranoi. Motra e tij, i tha të vëllait, merre fronin, dhe “mos e ndëshko veten, se krenaria kryeneçe është fatale, nuk ndreqet e keqja me të keqe, ka plot raste kur njerëzit bëjnë ç’është e arsyeshme, e jo atë që është drejtë”. (Shqiptarët ende sot s’e kanë kuptuar këtë… pasi ende kërkojnë ‘drejtësi absolute’…) Likofroni pranoi të shkonte, me kushtin, që i ati të vinte në Korfuz. Por kur korfuzianët e morën vesh, se i biri i Perianderit, mund të bëhej tiran, e vranë dhe e copëtuan atë… Kështu doli edhe profecia e orakullit të Delfit…

Kalaja e Korinthit

Ecëm rrugës për në Tripoli – një qytet në pjesën qendrore të Peloponezit, në Greqi. Është kryeqyteti i rajonit të Peloponezit, si dhe i njësisë rajonale të Arcadia. Komuna ka rreth 47.000 banorë. Duke ecur në autostradë, pamë në tabelat e rrugës Argos, edhe ky një vendbanim me histori, na gënjeu mendja të ktheheshim, por jo, vazhduam rrugën drejt – që të shkonim në qytetin e Spartës. Tripolin e pamë vetëm nga rruga, dolëm aty nga autostrada dhe morëm rrugën dytësore për në Spartë. Edhe këtu rrugët dytësore ishin të prera anash, për të futur kabllin optik, siç pati bërë Sokol Olldashi me rrugët tona.

Sparta (Sparti) është një qytet dhe bashki në Laconia, Greqi. Shtrihet në vendin e Spartës antike. Komuna është shkrirë me gjashtë komuna të afërta në vitin 2011, me një popullsi totale prej 35.259 banorë, nga të cilët rreth 17.408 jetojnë në qytet. Sparta ishte një qytet i vogël, mes kodrave me ullishte e pemë, bregu një vargmali madhështor. Vendi ishte i bukur dhe përbënte shkak për krijimin e atyre njerëzve të fortë e mitikë. Pyetëm se ku mund të gjenim Spartën e vjetër dhe na treguan. Ishte pas stadiumit të skuadrës së Spartës. Hyrja e stadiumit ishte e thjeshtë dhe me një shtatore të heroit dhe mbretit spartan, Leonidas, që u vra në betejën e Termopileve.

Shtatore e heroit dhe mbretit spartan, Leonida, para stadiumit “Spartanët etinikë”

Qyteti kishte disa rrënoja të mbetura, por pas stadiumit, në ullishta, kishte mbetjet e amfiteatrit spartan dhe disa rrënoja të tjera, që ishin mbyllur atë ditë të martë. Por Dashi bëri një foto nga pas telave, që po e publikoj më poshtë, si Akropoli spartan.

Pamje nga qyteti i vjetër Spartë

Bëmë disa foto në qytet, dhe morëm rrugën e kthimit me autostradë. Nga aty afër kishim Kallamatën e diku më tej ishte Olympia, edhe ai një qytet i themeluar nga njerëzit e zbritur nga Olimpi. Në Spartë shihen shtyllat e drurit në anë të rrugës, ku duket se telat elektrikë mund të kapen me dorë edhe nga banorët e pallateve… E kjo pasiguri, në fakt, na habiti jo pak… Sparta si Shkodra, nuk kishte asnjë semafor, të paktën, ne nuk pamë asnjë…

Pamje nga Sparta

Pak histori për Spartën…

Sparta kishte mbretërit e vet, se ishte edhe fuqia ushtarake më e pathyeshme tokësore për kohën. Ndër ta ishte edhe Aristoni në Lakedemoni, rajoni ku Sparta bënte pjesë. Ai kishte një nam të mirë për burrëri e trimëri, por kishte një problem: nuk mund të bënte fëmijë, edhe pse kishte pasur dy gra. Kështu që i shkoi mendja të bënte një truk, duke menduar e besuar se fajin nuk e kishte ai, por gratë tij. Miku i tij më i mirë, Ageti, kishte gruan më të bukur në Spartë. Dhe Aristoni kishte rënë në dashuri me të dhe i thotë Agetit, kërko çfarë të duash, e do t’i plotësoj, por edhe unë do të kërkoj çfarë të dua më pas. Ageti, duke qenë më i varfër dhe në rang më të ulët se mbreti, pranon. Dhe kur Ageti i bën kërkesat e tij, e Aristoni i thotë dakord, fillon pastaj dhe kërkon Aristoni pjesën e vet. I kërkon atij gruan e tij… Agetit boll keq i vjen, por detyrohet të pranojë…

Historia sipas Herodotit tregon se Aristoni u bë me një djalë, me gruan e re, me Demaratin (i shpresuar prej popullit). Populli e respektonte Aristonin si mbret i mirë, dhe normalisht u gëzua, që ai pati një trashëgimtar. Kur Aristoni vdiq, Demarati u bë mbret, dhe i mori të fejuarën Leotikidit. Kështu që Kleomeni me Leotikidin, thurën plane për ta nxjerrë trashëgimtarin e fronit mbretëror të paligjshëm, me idenë se ai nuk ishte i biri biologjik i Aristonit, pasi gruaja e bukur e Aristonit kishte shkuar me dikë tjetër, se Aristoni nuk mund të bënte fëmijë. U mblodh gjyqi dhe me korruptimin e orakullit të Apollos në Delfi, përmes Aristofanit, mbretërinë e mori Kleomeni.

Demaratin e syrgjynosen, dhe ai kërkoi azil në Persi, në Suza. Atje hyri në lidhje me Kserksin – mbretin e mbretërve. Atje ishte edhe i biri i Pesistratit (Peisistratos), ish-tiranit të Athinës. Dhe kështu, ata e ushqyen ndjenjën e Kserksit, për të ardhur e pushtuar Heladën… Pra, qeni i keq, ta sjellë ujkun në torishtë. Por Kserksit nuk i eci mbarë, megjithatë, ai edhe pse mori një ushtri të madhe dhe e pushtoi me betejën e Termopileve Heladën në vitin 480 p.e.s., sundimi i tij u thye nga grekët një vit më pas, në vitin 479 p.e.s. në Plataea, afër Thebës.

Gjatë kësaj kohe një vjeçare, grekët që e vlerësonin lirinë shumë, luftuan herë pas here kundër persëve – dhe një betejë e fituan në ishullin e Salaminës. Pas fitores Themistokliu mbajti një fjalim të bukur, duke thënë se: “Kur njerëzit marrin vendime të arsyeshme, atëherë, zakonisht, ia dalin mbanë. Përndryshe, edhe vetë Hyjnitë nuk ndihmojnë për të realizuar planet njerëzore.

Herodoti akuzohet se me këto histori të realta, ia futi flakën Heladës, në luftërat ndërmjet Atikës dhe Peleponezit në shekullin e 4-rt p.e.s., ku Tuqididi sqaron se u shua e gjithë popullsia në Heladë, e pastaj erdhën dyndjet barbare… që mund të kenë qenë edhe maqedonas e dardanë – paraardhës të shqiptarëve. Peleponezi në vetvete e ka marrë emrin nga Pelopi (ishulli i Pelopit), i cili ishte i biri i Tantalit, dhe e kishte nënshtruar të gjithë territorin Peloponez. Kjo ishte edhe një shtysë tjetër e Kserksit, për t’i injoruar spartanët, duke thënë se: “kur i ka nënshtruar Pelopi, po unë?” E kështu, një fjalë goje dhe shpërthen lufta…

Isthmia – Kanali i famshëm i Korintit

Dr. Dashi nuk donte të rrinte pa e parë edhe kanalin e famshëm të Korintit, i cili ndan Atikën me gadishullin e Peloponezit. Prandaj dolëm nga autostrada, kur iu afruam kësaj zone dhe shkuam te ura e Isthmisë. Kanali ishte një pamje e rrallë… Hëngrëm drekë aty te një lokal, dhe u nisëm për në Athinë.

Hartë e Isthmisë, Google Map

Dr. Dashi mbi urën e kalimit për këmbësorë, mbi kanalin e Isthmisë

ATHINA – AKROPOLI – PARTHENONI

Athina është kryeqyteti i Greqisë. Ishte gjithashtu në zemër të Greqisë antike, një civilizim dhe perandori e fuqishme. Qyteti mbizotërohet ende nga monumentet e shekullit të 5-të p.e.s., përfshirë Akropolin, një fortesë kodrinore, që kryesohet me ndërtesa antike. Muzeu i Akropolit, së bashku me Muzeun Arkeologjik Kombëtar, ruajnë skulptura, vazo, bizhuteri dhe më shumë nga Greqia e Lashtë. Popullsia: 664.046 banorë (2011) sipas United Nations.

Dr. Dashi në Akropol, e Athina në sfond

Akropoli i Athinës është një kështjellë e lashtë, e vendosur në një dalje shkëmbore, mbi qytetin e Athinës dhe përmban mbetjet e disa ndërtesave antike si tempulli me kolona i Partenonit (Athina Parthenos (Athina e Virgjër)), Erechtheu3, ndërtesa tjetër me kolona në Akropol, dhe në hyrje, Propylaea, me një rëndësi të madhe arkitekturore dhe historike, ku më e famshmja është padyshim Partenoni. Fjala akropol rrjedh nga fjalët greke ἄκρον dhe πόλις. Bileta e hyrjes në Akropol: 21 Euro.

Arbeni në Akropol, para Parthenonit

Dr. Dashi në Akropol, para Parthenonit

Pak histori për Akropolin…

Një tempull për Athena Polias, hyjnia tutoriale e qytetit, u ngrit midis 570-550 p.e.s. Kjo ndërtesë gëlqerore dorike, nga e cila mbijetojnë shumë relike, quhej Hekatompedon (greqisht për “njëqind këmbë“). Shkatërrimi i Akropolit u bë nga ushtritë e Kserksit I (Xerxes I), gjatë pushtimit të dytë persian në Greqi, 480-479 p.e.s.

Pas fitores në Eurymedon gjatë vitit 468 p.e.s., Cimon dhe Themistokliu urdhëruan rindërtimin e mureve jugore dhe veriore të Akropolit. Shumica e tempujve kryesorë, përfshirë edhe Parthenonin, u rindërtuan me urdhër të Perikliut gjatë të ashtuquajturës Epoka e Artë e Athinës (460–430 p.e.s.). Phidias, një skulptor nga Athina, Ictinus dhe Callicrates, dy arkitektë të famshëm, ishin përgjegjës për rindërtimin.


Pamje nga Akropoli sa për ngacmim 🙂 via GIPHY

Gjatë periudhës bizantine, Parthenoni u përdor si kishë, kushtuar Virgjëreshës Mari. Gjatë Dukatit Latin të Athinës, Akropoli funksiononte si qendër administrative e qytetit, me Parthenon si katedralen e saj, dhe Propylaia si pjesë e Pallatit Dukal. Pas pushtimit otoman të Greqisë, Parthenoni u përdor si seli e garnizonit të ushtrisë turke, dhe Erechtheum u shndërrua në Harem privat të guvernatorit. Ndërtesat e Akropolit pësuan dëme të konsiderueshme gjatë rrethimit të vitit 1687 nga venedikasit në Luftën e Moreane.

Parthenoni, i cili ishte duke u përdorur si magazinë baruti, u godit me armë artilerie dhe u dëmtua rëndë. Karakteristika mbizotëruese gjatë periudhës Osmane ishte një xhami brenda Parthenonit, e kompletuar me një minare.

Rindërtimi i idealizuar i Akropolit dhe Areios Pagos në Athinë nga Leo von Klenze, 1846.

Burimi: https://en.wikipedia.org/wiki/Acropolis_of_Athens

Pasi vizituam Akropolin, ku rrëshqita mbi një gur të lëmuar (kujdes se gurët janë lëmuar dhe janë të rrëshqitshëm, sidomos në ditët me shi), u nisëm direkt në rrugën e kthimit, ku kishim dëshirë të vizitonim edhe Tebën e lashtë, që sot quhet Thiva, dhe Plateaen, ku u zhvillua lufta e grekëve kundër persëve, në vitin 479 p.e.s. dhe fitoi Perëndimi mbi Lindjen. Çmimi i naftës në Greqi ishte relativisht më i lartë se në Shqipëri, por në Athinë e pamë se ishte paksa më lirë, mbushëm serbatorin me naftë, morëm edhe shishe uji për rrugë dhe u nisëm…

TEBA (THIVA) – PLATAEA

Theba (sot Thiva) është një qytet në Boeotia, Greqia qendrore. Ajo luajti një rol të rëndësishëm në mitet greke, si vendi i tregimeve të Kadmusit, Edipit, Dionisit, Herkulit e të tjerë. Është vendlindja e Herkulit dhe Dionisit. Për Herkulin tregohen mite të shumta, dhe ai ka një vend të veçantë në mitologjinë greke.

Kadmusi

Në mitologjinë Greke, Cadmus (/ˈkædməs /; grekisht: Κάδμος Kadmos), ishte themeluesi dhe mbreti i parë i Tebës. Kadmus ishte heroi i parë grek dhe, së bashku me Perseusin dhe Bellerophonin, heroi më i madh dhe vrasësi i monstrave para se të vinte Herakliu (Herkuli). Fillimisht ai ishte një princ fenikas, djali i mbretit Agenor dhe mbretëreshës Telephassa e Tiros dhe vëllezërit e motra Phoenix, Cilix dhe Europa. Kadmus themeloi qytetin grek të Thebës, akropoli i të cilit fillimisht u emërua Cadmeia, për nder të tij.

Edipi mbret

Oedipus Rex, i njohur edhe me titullin e tij grek, Oedipus Tyrannus (greqishtja e lashtë: Οἰδίξεις Τύραννος, shqiptuar [oidípoːs týrannos]), ose Oedipus King (Edipi mbret), është një tragjedi atheniane nga Sofokliu, që u luajt për herë të parë rreth 429 p.e.s. Mendohet se është riemëruar Oedipus Tyrannus, për ta dalluar atë nga një tjetër prej shfaqjeve të Sofokliut, Edipi në Kolonos. Në antikitet, termi “tiran” i referohej një qeverisësi, pa pretendim të ligjshëm për të sunduar.

Nga tre dramat e Thebës të Sofokliut, që kanë mbijetuar, dhe që merren me historinë e Edipit, Oedipus Rex ishte i dyti, që u shkrua. Sidoqoftë, për sa i përket kronologjisë së ngjarjeve që përshkruajnë shfaqjet, ajo vjen së pari, e ndjekur nga Edipi në Kolonos dhe më pas Antigona. Para fillimit të Edipus Rex, Edipi është bërë mbreti i Thebës, por padashur ka përmbushur një profeci, ka vrarë babanë e tij…

Dionisi

Dionysus është perëndia e vjeljes së rrushit, bërjes së verës dhe verës, e pjellorisë, çmendurisë rituale, ekstazisë fetare dhe teatrit në fenë dhe mitin e lashtë grek. Dionisi besohej se kishte lindur nga bashkimi i Zeusit dhe Persefonit. Një mbishkrim në një stelë prej guri (rreth 340 p.e.s.), i gjetur në Delfi, përmban një këngë triumfi për Dionisin, përshkruan udhëtimet e tij. Nga Theba, ku lindi, ai së pari shkoi në Delfi, ku shfaqi “trupin si yll”, dhe me “Vajzat e Delfit” zuri vendin e tij “në vathët e Parnasit”…

Pamje e disa mbetjeve të lashta në Thebë (Thiva)

Herakliu në greqisht, ose Herkuli në gjuhën romake

Thuhet se Herakliu ishte i biri i Zeusit (Zotit) me të ëmën e tij Alcmene. Hera ishte e shoqja e Zeusit, dhe ajo nga xhelozia për djalin e të shoqit me një grua tjetër, synoi t’i bënte keq atij dhe ta ndikonte atë për keq. Herakliu e kishte në fillim emrin Alcaeus ose Alcides dhe më vonë mori emrin Heracles (Herakli), që do të thotë “Lavdia e Herës”, për shkak të mbijetesës ndaj vështirësive, që i nxirrte Hera. Ai lindi në Thebë dhe u martua me një vajzë Megara, të bijën e mbretit Kreo të Thebës. Por nga hakmarrja dhe ndikimi i Heras, Herakliu luajti mendsh dhe vrau të shoqen me 5 fëmijët, që kishin bashkë.

Pas kësaj, ai donte të vriste veten, por kushëriri i tij Theusus, e bindi atë që të gjejë një mënyrë për të shlyer mëkatet e tij. Herakliu u këshillua me orakullin e Apollos në Delfi, i cili i tha atij se ai duhet t’i bashkëngjitet kushëririt të tij Eurystheus, mbretit të Tiryns dhe Mikenës, që do të krijonte disa punë për të, që ai të shlyente mëkatet e tij. Dhe kështu Herakliu (Herkuli) u bë i famshëm gjatë kryerjes së këtyre 12 punëve, por edhe punëve të tjera gjatë rrugës, derisa vdiq, i helmuar. Perëndesha Athina e mori atë dhe e ngjiti në Olimp, te zotat… se ai ishte edhe i biri i Zeusit.

Referenca: https://www.ancient.eu/article/733/the-life-of-hercules-in-myth–legend/

Herakliu duke vrarë centaurin Nessos

Po të shohim historitë greke, e më pas edhe ato hebreje, kemi ngjashmëri në disa raste, psh. te Aleksandri i Madh. Edhe ai ishte si Herakliu (Herkuli), lindi nga një nënë me emrin Olympias (që ishte nga Epiri, shqiptare e kohës), e cila si në rastin e tempullit të Apollos në Delfi, kishte lidhje me gjarpërinjtë dhe si në rastin e Herakliut, mendonte se kishte mbetur shtatzënë me Zeusin. Pra, Olimpia krijoi idenë se Aleksandri i Madh ishte i biri i Zeusit (se Zoti monotesist në atë kohë nuk njihej, pasi e kishin vetëm hebrejtë me judaizmin e tyre).

Por edhe hebrejtë e vodhën historinë nga grekët, pasi hebreu Sauli nga Tarsi, që më vonë u bë Shën Pali, që ishte edukuar në shkollën greke dhe që shkroi i pari historinë e tij për Krishtërimin, e tregoi historinë sikur Maria e virgjër mbeti shtatzënë me Zotin, me frymën e shenjtë… dhe ajo lindi Jezusin, të birin e Zotit… të cilin pasi e gozhduan dhe e varrosën, ai fluturoi në qiell te Zoti, dhe tani të krishterët presin kthimi i tij… E njerëzit e besojnë… Por edhe muslimanët, me Muhamedin, patën fatin e Herakliut, pasi edhe atë e vrau një skllave hebreje duke e helmuar…

Pra, kemi histori të ngjashme, të lidhura me njëra-tjetrën, të cilat tregojnë se njerëzit kanë kopjuar njëri-tjetrin, dhe kanë pretenduar, që këto histori njerëzore, kanë domethënie hyjnore… E njerëzit besojnë…

Një statujë e ushtarit tebean…

Plataea ose Plataia, një qytet antik, i vendosur në Greqi, në Boeotia juglindore, në jug të Thebës. Është vendndodhja e betejës së Plataeasë në vitin 479 p.e.s., në të cilën një aleancë e qyteteve-shteteve greke i mundi persianët, të cilët e kishin pushtuar Greqinë, që nga beteja e Termopileve, në vitin 480 p.e.s.

Pamje e Plataeas, foto e marrë në internet

Me këto histori mitologjike, shihet qartë edhe arsyeja jonë, për të shkuar dhe për t’i vizituar këto zona, sa për të krijuar idenë, se si lindi kjo mitologji këtej, në këto anë. Dhe gjetëm një Thebë me emrin Thiva, të vendosur majë një kodre të thepisur, një qytet jo edhe aq i mbajtur, ku rruga dytësore duhet të zgjatej për hir të hekurudhës, për t’u kthyer dhe hyrë në qytet…

Duke u kthyer në atë mbrëmje, ku muzgu kishte rënë, u ndalëm në një pikë karburanti, ku pyetëm një punëtor aty, a është kjo Thiva, Theba e lashtë? Për habinë tonë, ai nuk e dinte… Por një tjetër aty, që dinte anglisht, na tregoi se po, dhe se fusha e Plataeas ishte jo shumë larg nga Thiva. Meqë ra nata, nuk shkuam në Plataea fare, duke menduar se edhe po të ishte ditën, nuk do të kishim shumë për të parë aty. U nisëm menjëherë rrugës me autostradë drejt Lamias…

TERMOPILET – LAMIA – ITEA – DELFI – TEMPULLI I APOLLOS

Termopilet (Thermopylae) është një vend në Greqi, ku një kalim i ngushtë bregdetar ekzistonte në antikitet – ekziston edhe sot. Ajo e ka marrë emrin e saj nga burimet e nxehta të squfurit. The Hot Gates është “vendi i burimeve të nxehta” dhe në mitologjinë greke është hyrja shpellore për në Had (vendi i shenjtë)… Hades (Hadi) ishte perëndia e nëntokës dhe emri përfundimisht u vendos ashtu, për të përshkruar shtëpinë e të vdekurve. Ai ishte fëmija më i madh mashkull i Kronusit dhe Rheas. Hades dhe vëllezërit e tij Zeusi dhe Poseidoni mposhtën babanë e tyre dhe titanët, për t’i dhënë fund sundimit të tyre, duke pretenduar sundimin mbi kozmosin…

Pamje e vargmalit të Termopileve dhe ngushticës atje më tej bregu detit…

Termopilet janë të njohur kryesisht për betejën që u zhvillua atje në vitin 480 p.e.s., në të cilën, një forcë e madhe greke, mbase prej shtatë mijë vetash (përfshirë 300 spartanët e famshëm, 500 luftëtarë nga Tegea, 500 nga Mantinea, 120 nga Orkomenos Arcadian, 1000 nga pjesa tjetër e Arcadia, 200 nga Phlius, 80 nga Mycenae, 400 Korintianë, 400 Tebanë, 1000 Phocians dhe Locpians Opuntian) u përballën dhe e mbajtën një forcë thelbësisht më të madhe të persianëve – flitet për 200 mijë, ose më shumë luftëtarë, nën drejtimin e Kserksit (Xerxes). Por ata u tradhëtuan, dhe kështu një pjesë e ushtrisë së Kserksit kaloi malet dhe u doli ushtarëve grekë nga pas, dhe grekët humbën në këtë betejë, ku mbeten të vrarë edhe 300 luftëtarët spartanë. (Herodoti tregon se dy spartanë shpëtuan…)

Lamia

Lamia (/ˈleɪmiə /; Greqisht: Λάμια), në mitologjinë e lashtë Greke, ishte një grua, që u bë përbindësh dhe hante fëmijë, pasi fëmijët e saj u shkatërruan nga Hera, e cila mësoi për provat e burrit të saj Zeusit me të. Hera gjithashtu e bëri Laminë të vuante nga pagjumësia, në mënyrë që ajo të shqetësohej vazhdimisht, por Zeusi i dha asaj mundësinë për të hequr sytë…

Lamia është edhe qytet në Greqinë qendrore. Qyteti daton që nga lashtësia, dhe sot është kryeqyteti i njësisë Phthiotis dhe rajonit të Greqisë Qendrore. Në Lamia fjetëm një natë, hoteli Fthia na kushtoi 80 Euro, një dhomë dyshe me dy dhoma, dhe të nesërmen, pasi hëngrëm një mëngjes të mirë në hotel, shërbim më i mirë se në Rio, morëm rrugën drejt Iteas e Delfit.

Foto e Lamias, e bërë nga ballkoni i hotelit Fthia

Itea (Shelgu)

Itea (greqisht: Ιτέα do të thotë shelg), është një qytet dhe një komunë e dikurshme në pjesën juglindore të Phocis, Greqi. Që nga viti 2011, reformat e qeverisjes vendore e bënë qytetin një pjesë të bashkisë së Delfit. Pasi kaluam vargmalet, që nuk kishte mundur t’i kalonte Kserksi me ushtrinë e tij, për më pak se një orë udhëtim me makinë, mbërritëm në Amfissa, e më pas në Itea, të mërkurën paradreke, me datën 20 tetor 2019. Pasi shëtitëm pak në qytet dhe na u duk mrekulli, zona gjithashtu më e bukur se në Spartë, bëmë edhe foto të qytetit dhe në atë pjesë vargmalesh, një grykë e bukur dhe e qetë në bregdet, dhe vendi i mbushur me ullinj të shëndetshëm dhe pa krimba, ku disa shqiptarë i pamë rrugës për në Delfi, duke vjelë ullinj, u ngjitëm lart në mal, për të vizituar tempullin e Apollos.

Pamje nga Itea

Pamje e Iteas bregu detit, nga rruga në mal, që shkon për në Delfi

Delfi (Delfoi)

Qyteti modern i Delfit (/ˈdɛlfaɪ / ose /ˈdɛlfi /; greqisht: Δελφοί, [ðelˈfi]) ndodhet menjëherë në perëndim të faqes arkeologjike me të njëjtin emër, dhe është një destinacion popullor turistik. Delfi është edhe emri i bashkisë së sotme, ku ndodhet qyteti i Delfit. Tempulli i Delfit është ngritur në faqen e malit, ku mbrohej nga prapa nga faqja e thepisur e malit, tepër e vështirë të hyhej nga pas. Aty, në gjithë atë sipërfaqe kishte mbetje arkeologjike të shumta, por kishin bërë edhe muzeun e Delfit, ku ruheshin gjërat më të rëndësishme. Bileta e hyrjes në Tempullin e Delfit: 12 Euro. Tempulli ishte plot me vizitorë, si Akropoli në Athinë, një atraksion turistik.

Disa shqiptarë po vjelin ullinj në afërsi të Iteas

Pamje e rrënojave të Tempullit Apollo në Delfi

Një ndërtesë e vogël, me kolona si ato të Parthenonit në Athinë, dhe të Tempullit Apollo

Një studiues gjerman ka zbuluar se kolonat e Parthenonit në Akropol në Athinë janë kopjuar si model nga kolonat në Tempullin e Apollos në Delfi. Po ashtu, vumë re se Delfi mbahej edhe nga një investim i Bashkimit Europian, të cilët i kishin bërë disa investime të mira aty, një amfiteatër të ri, por edhe rrugën e ngjitjes më të mirë, i kishin kruar gurët për të mos rrëshqitur, etj.

Omphalos – dy shqiponja të arta i dërgoi Zeusi që të zbulonin qendrën e botës – tregon mitologjia greke, dhe ku u takuan ato, Zeusi hodhi këtë objekt në Delfi, pra, në qendrën e tokës…

Autorët e shkrimit po pyesin Pythien, se si do të shkojë puna me shqiptarët…

Pak histori për Tempullin e Apollos në Delfi…

Thuhet se Pythia, orakulli i Apollos në Delfi kishte parashikuar edhe rënien e Trojës. Në fakt, për disa shekuj me radhë, deri në shekulli 3-4 p.e.s. orakulli i Delfit kishte ndikim mbi të gjithë Heladën e më gjerë, me parashikimet e saj. Prandaj edhe e merrnin për referencë. Psh. mbreti i Lidisë, Krezi i ka dërguar Pythies si dhuratë, pasurinë më të madhe nga të gjithë, në ar, argjend etj., por nuk është se pati ndonjë fat të mirë… Ai u kap rob nga Kiri dhe u vu në shërbim të tij.

Po ashtu, Pythia parashikoi edhe gjetjen e eshtrave të Orestit, të birit të Agamemnonit, mbret i Spartës, në Tegea. Pythia ka parashikuar edhe betejën e Termopileve dhe rënien e Athinës nga persët. Por, Perikliu filloi të mos e dëgjonte më, në kohën kur grekët fituan mbi persët, në shekullin e 4-5 p.e.s., dhe kur filloi edhe rindërtimi i Akropolit, në dimensionet që mund t’i shohim edhe sot!

KARDHISA (KARDITZA) – TRIKALA – METEORA

Kaluam përmes fushës së gjerë të Kardhicës, ku pamë pambuk, misër e bimë të tjera të mbjella, dhe nuk u ndalëm as në Trikala, por vazhduam rrugën dytësore drejt Meteorës.

Meteora

Meteora (/mɛtiˈɔːrə /; greqisht: Μετέωρα, e shqiptuar [meˈteora]) është një formacion shkëmbor në Greqinë qendrore, që ka një nga komplekset më të mëdhenj dhe më të krijuar në vend të manastireve ortodokse Lindore, i dyti për nga rëndësia vetëm për malin Athos. Gjashtë (nga njëzet e katër manastire origjinale) janë ndërtuar mbi shtylla të jashtëzakonshme natyrore dhe gurë të rrumbullakëta si rrathë, që mbizotërojnë zonën lokale. Ndodhet afër qytetit të Kalambaka, në skajin veriperëndimor të Rrafshit të Thesalisë, pranë lumit Pineios dhe Maleve Pindus.

Meteora është përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, sipas kritereve I, II, IV, V dhe VII. Emri do të thotë “i lartë”, “i ngritur” dhe është i lidhur etimiologjikisht me meteorin.

Pamje nga Meteora në distancë

Dr. Dashi në Meteora

P Ë R F U N D I M

U kthyem atë mbrëmje në Shqipëri. Kur hymë në Bilisht, një makinë Mercedes gri futet ngadalë në rreth-rrotullim aty dhe po ngadalë vazhdon rrugën… duke na penguar panevojshëm. U zgjuam, erdhëm në Shqipëri. Ecim dhe sa gjejmë rastin e parakalojmë. Kur shoh një djalë të ri, mbante telefonin në dorë para e po fliste, për qejfin e tij. Aty e kuptova se shqiptari nuk i bie për rregulla unit të tij të keq. Shqiptari s’është mësuar t’ia thyejë kokën rregulli e disiplina, është si zagar rruge, si qen i keq, që duke synuar të plotësojë dëshirat e unit të tij të keq, bëhet problematik e pengesë edhe për të tjerët…

Grekët tregojnë se e duan vendin e tyre më shumë se ne shqiptarët, e ruajnë dhe e mbajnë më mirë se ne, ushqimet e pijet i kanë më të mira dhe më të shëndetshme se ne, edhe pse shihet se kanë një farë ndikimi nga turku, prapë se prapë, ata kanë punuar bukur, për ndarjen prej tij. Këtu ka ndihmuar padyshim edhe feja ortodokse që kanë. Në dy-tre raste, na ndodhi, që kur ndonjë grek a greke të shihte se je me shpejtësi pas tij/saj në rrugën dytësore, menjëherë reagonte dhe ta hape rrugën… për të mos u bërë pengesë e panevojshme në rrugë për tjetrin… Kurse shqiptari s’e luan rradaken vendit! I paedukatë!

Po ne shqiptarët, si do e bëjmë vendin tonë?! Katolikë e myslimanë tregojnë se e duan fenë ma shumë se atdhenë. Ne nuk kemi një gjë të përbashkët si shqiptarë, të fortë që na bashkon, pasi na rrënoi pushtimi osman. Shoh katolikët sot, që kënaqen duke e sharë Shqipërinë, gjoja nga dashuria, dhe kanë një farë të drejte, sepse shumica myslimane ka bërë, që Shqipëria të jetë një vend i dështuar, por jo vetëm Shqipëria, gjithkund ku ka shqiptarë.

Shpesh ndeshesh me fenomenin, që ia shan shqiptarit turkun, e ai të shan me rob shtëpie, se është mysliman, më shumë se sa shqiptar. Pra, tregon nga frika e brendshme që ka, se e do turkun më shumë se shqiptarin. Se ndodh që ia shan Shqipërinë, e ai nuk ndihet keq, kënaqet edhe ai duke e sharë vendin e vet. A e keni vënë re edhe ju këtë fenomen? E atëherë, si bëhet Shqipëria e shqiptaria, me shqiptarë, që e urrejnë vendin e vet?!

Në Greqi, duke ecur rrugëve, nuk pamë asnjë vend, ku kishte ajër të keq e ndotje, si në Shqipëri. Ndoshta në Athinë kishte më shumë rrëmujë, se qytet i madh e dinamik. Këtu tek ne, vështirë të gjesh një vend, ku të mos ketë ndotje mjedisi, ajër të keq, apo ndotje akustike. Hapje dritaret në rrugët greke, dhe ndjeje një aromë të mirë, mes pyjeve ku kaloje. Kurse në Shqipëri, në shtëpinë tonë psh. në Malësi të Madhe ndiej vetëm erë glasa pulash, që na e bllokojnë frymëmarrjen tash sa javë, se fshatarët injorantë e të trashë, blejnë glasa pulash për t’i përdorur ato si plehërim në pranverë, për duhanin që mbjellin dhe nuk u shitet, dhe nuk e mbulojnë mirë, derisa natyra me shi etj. të vendosë një kore mbi masën e hedhur të glasave, që qelbet amoniak etj… E rrugët? Rrugët secili vë shtyllën e vet në anë të saj! Nëse në Greqi shikoje shtylla druri për elektricitetin, tek ne shikon disa palë shtylla për internetin, që bëhen pengesë, të rrezikshme dhe shëmtojnë ambientin! Këtu kemi zot anarkinë, kaosin!

Kjo pra, e shumë parregullsi të tjera tek ne, tregojnë kulturën e prapambetur të shqiptarëve, që bëhen pengesë e panevojshme për të tjerët. Edhe në Shkodër, zhurmë, dyzen e aheng i madh, sikur kemi të bëjmë me popullin më të lumtur, harixhinj, në botë. Në Greqi, pak kohë ishim, por në ato 3 ditë, që kaluam andej, nuk u shqetësuam asnjëherë nga zhurmat në qytete, si në Shkodër-locen tonë të dashur e të padurueshme…

Këta gomerët tanë këtej, sikur janë vënë në garë, se kush e kush pëllet më shumë, që të tërheqë vëmendjen, me prishjen e rendit dhe qetësisë, dhe të gjithë bashkë në kor, shajnë Enverin, sikur ai ua ka fajin edhe sot… Puno more më mirë se Enveri po munde, pse nuk e bën?! Kush po të ndalon?! Dakord, ta shajmë Enverin për krimet që bëri, por edhe shtet duhet të bëjmë!

Greqia nuk duket se është një shtet që ka para. Shumica e qyteteve dhe fshatrave duket se jetonin me prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale, etj. Por shteti funksionon atje, se njerëzit i respektojnë rregullat. Megalomania është më e madhe tek ne shqiptarët se në Greqi. Grekët kishin ajër më të mirë, ushqim e pije më të mira dhe jetë më të mirë se ne, edhe pse nuk dukej se kishin pasuri më të madhe.

Kur Greqia shkoi keq ekonomikisht dhe kërkoi ndihma e para nga Europa, një avokat gjerman, që kemi miqësi me të, Romberg, na tha: “Grekët jetojnë më mirë se gjermanët. Pse u dashka që ne t’i ndihmojmë ata?” Vërtetë, me atë që pamë, që duket se e kishte parë edhe Romberg kur ka ardhur me pushime, krijuam përshtypjen se grekët edhe pse nuk kanë para sa gjermanët, jetojnë relativisht mirë dhe kanë një jetë të qetë! E kjo është zgjuarsi!

Ne kemi vulg dhe megalomani të keqe, e ndali turrin Enveri për do kohë, dhe prandaj duket se e shajnë. E cila është zgjidhja? Jo islami, jo zhurmat e pengesat e panevojshme… por shkollim e dije dhe kulturë, duke filluar nga vetvetja. E shpresoj se edhe ky shkrim dhe përshkrim modest i joni, i shërben kësaj, përmirësimit të jetës sonë dhe rritjes së kuptueshmërisë për realitetin objektiv…

Burimi:
1. Udhëtimi jonë në këto vende të përmendura
2. Historitë e Herodotit
3. Sqarimet në vendet e vizituara
4. Wikipedia në anglisht.

Fotot: Me përjashtim të Plataeas, ku nuk shkuam, dhe Herakliut duke vrarë centaurin, fotot janë të bëra nga ne!

REFERENCA:
1. Satrapi, ndarje nga persishtja
2. Kipseli në greqisht arka, e ka marrë këtë emër ngaqë thuhet se e ëma e ka fshehur në një arkë, pasi në atë kohë, orakulli u kishte thënë korintasve kujdes, se do u lindë një luan i egër, që do u zgjidhë gjunjët shumë vetave – dhe ata vendosën t’i vrisnin të gjithë fëmijët, që lindën në atë kohë.
3. Erechtheus ishte mbret legjendar i Athinës, e për nder të tij, duket se njëra nga ndërtesat mbi Akropol, u quajt Erechtheum.