Ipeshkvi që mësoi se si të kujdesej për shpirtin nga bukuria e një prostitute

0
387
Priest and prostitute

foto si ilustrim…

… dhe prostituta që u kthye në një jetë askeptike falë besimit të Ipeshkvit. Historia e Ipeshkvit Nonno dhe e Pelagjisë, që nga shekujt e parë të largët pas Krishtit, na ndriçon mbi kuptimin aktual dhe frytdhënës të aftësisë për “t’u vendosur në vendin e tjetrit” (për t’u bërë një me tjetrin ˗ shënim i përkthyesit).

Nga gurët e çmuar në petk të bardhë

Kur prostituta kaloi rrugën, ishte e pamundur të mos vërehej. O Zot! Mbase të thuash “prostitutë” është pak e tepruar! Disa do ta kishin përkufizuar një aktore të thjeshtë. Sigurisht, mjaftonte një shikim, për të kuptuar që Pelagjia ishte një grua që, më e pakta, lëvizte lehtësisht gjatë asaj vije të hollë të kufirit që ndan ata që punojnë me trupin e vet prej atyre që atë trup e shesin.

Në mënyrë të veçantë, na thotë hagjiografi, Pelagjia “doli përpara me një pamje që binte shumë në sy, e stolisur deri në atë pikë saqë asgjë nuk shihej mbi të përveçse ar, perla dhe gurë të çmuar. Deri edhe qafa e këmbëve të saj ishte e mbuluar me ar dhe perla”. Linte pas vetes një vazhdë parfumesh të çmuara saqë bënte t’i ikte mendja çdo burri.

Po, pra: kur Pelagjia kaloi rrugën, ishte praktikisht e pamundur të mos vihej re. Madje qe praktikisht e pamundur edhe për asamblenë e Ipeshkvijve të përshpirtshëm, që ishte mbledhur përpara bazilikës së Xhulianit për një konferencë ipeshkvore. Pati nga ata që me turp e ulën shikimin. Pati nga ata që pëshpëritën mallkime për atë grua të paturpshme. Pati nga ata që befasisht iu zgjua interesi për tullat e ballinës së tempullit. Por askush nuk mbeti indiferent për kalimin e asaj gruaje fatale. Pikërisht askush, as Ipeshkvi Nonno. (Eh, po! Kështu quhej). Por me një dallim të vetëm që, ndryshe prej bashkëvëllezërve të tij, Nonno u kënaq duke shikuar nga koka tek këmbët atë bukuri.

Madje: siç e thotë me hollësi hagjiografi, “hodhi shikimin drejt saj në mënyrë shumë të fortë dhe për një kohë të gjatë, e pasi ajo pati kaluar, ai akoma e shikonte”. Pra, fjalë për fjalë, ishte kthyer për të shikuar një grua përgjatë rrugës duke qëndruar në mesin e asamblesë së Ipeshkvijve. Sa keq, që në Antiokinë e shekullit III pas Krishtit, nuk ishin akoma rrjetet sociale, sepse një filmim i kësaj skene do të ishte një material tejet i mirë për flakët e Internetit Katolik. Por më e keqja duhet të vijë akoma. Kur bukuroshja e madhe tashmë shkoi larg shikimit të tyre, Nonno thirri me zë të lartë, plot gëzim: “Vëllezër! A nuk ju gëzon një bukuri kaq e madhe?”.

Ipeshkvijtë ngritën mengadalë shikimin. Disa prej tyre shkëmbyen shikime të gjata të hutuar. Disa të tjerë u larguan me kujdes pak hapa, siç bëhet kur vërehet prania e një të çmenduri. Nonno (që në këtë pikë pak i çmendur ndoshta ishte) thekson me kthjelltësi: “Oh, unë jam gëzuar shumë!”.

Por ju lutem, ai nuk ishte i vetmi i gëzuar, ama të gëzuarit e tjerë nuk do ta kishin pranuar se janë të lumtur për këtë gjë as po t’i kishin torturuar. Vetëm kur e vuri re se asambleja ipeshkvore me kujdes por shpejt po largohej prej tij duke i hedhur shikime si të shkandulluar e të frikësuar, Ipeshkvi Nonno pati më në fund idenë e mençur që t’i shtojë diçka më shumë mendimit të tij.

Dhe në fakt, tha: “A mendoni pak, shumë të dashur, se sa orë ka kaluar kjo grua në dhomën e saj për t’u larë e për t’u përgatitur e për t’u zbukuruar me çdo përkujdesje që asgjë të mos i mungonte veshjes së saj? E gjithë kjo punë, vetëm me qëllim për t’u pëlqyer të dashurve të saj, të cilët sot janë e nesër kushedi, dhe që sidoqoftë nuk kanë ndaj saj asnjë ndjenjë”.

Ndonjë ipeshkëv filloi të kollitet lehtë. Situata nuk është se po përmirësohej. “Po ne?”, pyeti Nonno. “Ne, që do të duhej të shqetësohemi për t’i pëlqyer dhëndrit tonë të pavdekshëm, që dhuron pasuri qiellore dhe shpërblime të amshuara për ata që e meritojnë dashurinë e Tij?

Për të pastruar shpirtrat tanë nga ndyrësitë që i përbaltin, nuk shpenzojmë as një të dhjetën e angazhimit që ajo grua ka pasur për të stolisur trupin e saj”. Tashmë pak a shumë ishte kuptuar se ku donte të gjuante i çmenduri plak, por kjo gjë nuk është se ngjalli kushedi se sa entuziazëm. Madje, megjithë mungesën e mjerueshme të rrjeteve sociale në shekullin III pas Krishtit, lajmi i një prifti të çmendur që thoshte gjëra të çuditshme, mori mbarë Antiokinë. Të nesërmen në mëngjes, kisha ku Ipeshkvi Nonno kishte për të bërë shërbesën hyjnore ishte në mënyrë të jashtëzakonshme plot me njerëz ˗ edhe me njerëz që normalisht nuk i shkelnin kurrë dyert e tempullit.

Mes tyre ishte edhe Pelagjia. Epo mirë! Edhe ju e dini se si funksionojnë këto gjëra të kthimit. Nonno, akoma i tronditur nga mendimi që kishte pasur një ditë më parë, bëri një predikim veçanërisht të frymëzuar, dhe diçka filloi të marrë flakë e të lëvizë në zemrën e vajzës. Pa përfunduar Mesha, ajo kishte vendosur të ndërronte jetë. Dhe pas një ecjeje të shpejtë katekumenati, veshi petkun e bardhë pagëzimor.

Kur e hoqi, siç ishte tradita, në ditën e tetë nga momenti i fillimit të saj, Pelagjia nuk kishte më asgjë për të vënë në trup. Të gjitha petkat e saja, arin e saj dhe parfumet e saja, të gjitha këto të mira ajo ia kishte dhuruar Nonno˗s, që ky Ipeshkëv t’ua shpërndante nevojtarëve. Dhe kështu, për t’ia kthyer borxhin, Nonno i dhuroi petkun e tij ipeshkvor. Dhe, me të veshur petkat e mikut të saj Ipeshkëv, Pelagjia u shkëput nga bota për t’i shlyer mëkatet e saja në eremitazh (Vend dhe zgjedhje që bën një eremit: është një zgjedhje në jetën e përkushtuar. Eremit do të thotë vetmitar sepse personi zgjedh të bëjë një ecje shenjtërimi në vetmi pa jetuar me të tjerë, po në shkretëtirë dhe larg vendeve të banuara).

Në petkat e tjetrit

Histori e ëmbël, ajo e miqësisë mes Pelagjisë dhe Nonno˗s. Histori që sillet, në mënyrë kureshtare, përreth dy petkave. Petkat luksoze dhe femërore të një gruaje i dhanë një Ipeshkvi ndonjë ide më shumë, falë të cilave të mund të përparonte në ecjen e tij të shenjtërisë. Tashmë e udhëhequr drejt shenjtërisë, edhe ajo, gruaja, i braktisi lukset e veta e mëndafshet e saja që të provojë të jetojë ˗ fjalë për fjalë ˗ në petkat e një meshtari.

Kaluan tri apo katër vite. Diakoni Jak, shërbëtor besnik i Nonno˗s (gjithashtu i njohur, në këtë seli, si “hagjiografi”) vendosi të bëjë një udhëtim në Jeruzalem që të admirojë reliket. Pasi i kërkoi Ipeshkvit të vet lejen për t’u nisur, iu pranua kërkesa pa vonesë… por me një kusht që, pasi të ketë mbërritur në Jeruzalem, të kryente një punë. “Kur të mbërrish në qytet”, i tha Nonno, “kërko njëfarë frat Pelagjin. Është një murg, një eunuk, që tash sa vite jeton aty i mbyllur në vetmi. Shkëmbe ndonjë fjalë me të se mund të të ndihmojnë!”.

Dhe diakoni u bind. Duke kërkuar lajme për këtë Pelagjin, hagjiografi qe adresuar drejt një shtëpie shumë të vogël e ndërtuar mbi majën e Malit të Ullinjve. Shkoi; trokiti; pa tek hapet një dritare e vogël dhe tek shfaqet nga ana tjetër e kafazit të dritares një fytyrë tejet delikate, e dobët, e shënuar nga dy gropa të thella sysh.

Pak i pasigurtë se si të veprojë, Jaku e lajmëroi se ka ardhur aty me ftesë të Ipeshkvit Nonno, nga Egjipti i largët. Me të dëgjuar atë emër, murgu u ndriçua pafundësisht, si të ishte ndriçuar nga një rreze e dritës diellore më të pastër. “Faleminderit!” ˗ u përgjigj, me një buzëqeshje të plotë. “Thoni Ipeshkvit të lutet për mua! Ai është një shenjt i vërtetë i Hyjit!”. Dhe qenë këto fjalët e tij të vetme. Pastaj, menjëherë, me zë të ëmbël, filloi të këndojë Psalmet.

… epo mirë! Ky tip ishte i çuditshëm. Diakoni e la me Psalmet e tij dhe u kthye në qytet që të kryejë punët e veta. Hagjiografi ynë ishte bërë gati për t’u nisur që të kthehet në shtëpi, kur qe pushtuar si nga një parandjenjë. U kthye mbi Malin e Ullinjve dhe trokiti tek shtëpia e vogël e Pelagjios: një herë, dy, tri, pa marrë përgjigje. Në atë pikë, i alarmuar vagëllimthi, shtyu kapakun e dritares, dhe nuk ia doli të përmbahet duke thënë një “ta marrë …!”, kur pa Pelagjion të shtrirë përtokë, pa dyshim i vdekur shakull përdhe.

Nuk është se mund të lihej aty, ta marrë lumi! E pastaj, ipeshkvi Nonno kishte treguar shumë vlerësim për këtë eremit… Hagjiografi mori frymë thellë dhe filloi të rregullojë kufomën që ta përgatisë për varrim. Dhe ndodhi vetëm në atë rrethanë që vuri re se murgu Pelagjio nuk ishte aspak një mashkull. Ishte një grua e veshur si burrë. Ishte, në mënyrë të parashikueshme, pikërisht ajo: Pelagjia.

E plotë dhe e kryer

Histori e ëmbël, ajo e miqësisë mes Pelagjisë dhe Nonno˗s. Histori e çuditshme, që me kohët që vrapojnë, ndoshta do të bënte të shtrembërohet hunda.

Histori që na tregon se si, herë pas here, jo vetëm të kundërtat tërhiqen, por edhe plotësohen. E kur ia dalin të plotësohen mirë, si dhëmbët e një mekanizmi të lyer mirë me vaj të Provanisë ˗ atëherë, ndodh diçka e madhe.

Në këtë histori, në fillim ishte fetari ai që mësoi diçka të re për vetveten duke vëzhguar kujdesin me të cilin një grua zgjedh petkat e saja. Falë shembullit të saj të pavullnetshëm, Ipeshkvi mësoi të lëshohet në Hyjin me të njëjtën ndjenjë dashurie vepruese me të cilën një grua kërkon përqafimin e dhëndrit.

E pastaj, qe ajo grua që u dashurua me modelin e jetës fetare që ipeshkvi mishëronte. Nuk i mjaftonte ta imitonte nga larg: veshi petkun rregulltar, zgjedhi të jetojë si një murg; të gjithë përreth saj e thërrisnin tashmë “vëlla”.

Nuk është e pazakontë, në historitë më të vjetra të shenjtërve, të takohemi me modelin e mulier virilis (të gruas burrneshë): të gruas që arrin përsosurinë duke bërë të vetat karakterin dhe forcën, vlera tipike mashkullore që iu bashkohen cilësive natyrore të saj prej gruaje, duke i lartësuar ato. Porse, në këtë rast, historia është e veçantë sepse shndërrimi nuk është vetëm në një drejtim: edhe rregulltari i moshuar mëson diçka të re nga femëria e hirshme e vajzës; dhe, falë kësaj përvoje, do të bëhet një njeri më i mirë.

Nëse mendoj rastet e miqësisë mes një burri e një gruaje në literaturën e krishterë, nuk më vijnë në mendje shumë të tjera që të jenë më të bukura e më të ëmbla se kjo.

Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi