Loti yt i fundit, Nënë – poezi nga Nikolin Sh. Lëmezhi

0
929
Nikolin Lëmezhi - pagëzimi te kisha e Shën Eufemisë

Nikolin Sh. Lëmezhi

Loti yt i fundit, Nënë

Loti yt i fundit, Nënë,
seç shkëlqeu në ty si diell.
Me një fjalë të pathënë,
fluturove drejt në Qiell.

Loti yt i fundit, Nënë,
si kristal ai u bë në ty.
Pasi ne, edhe një herë,
u shikuam bashkë të dy.

Loti yt i fundit, Nënë,
ra në heshtje pa asnjë fjalë.
Brenda tij gjithë jeta jote,
amaneti për çdo djalë.

Loti yt i fundit, Nënë,
e gjithë bota le ta dijë.
Ra nga syri yt i shenjtë,
si nga zjarri një shkëndijë.

Loti yt i fundit, Nënë,
si bekim është mbi këtë dhe.
Ndaj njëzëri po thërrasim:
Lutu Ti, o Nënë për ne!

Shkodër, më 21.08.2019

Kurora e premtuar që na pret!

Do të na pengojnë
shumë,
do të na kundërshtojnë
dhe luftë mbase do të na bëjnë.
Ecja besoj
e gjatë do të jetë,
dhe e mundimshme,
sepse shumë i madh
është çmimi
dhe Kurora e premtuar
që na pret.

Shkodër, më 09.05.2018

asgjë nuk dëshiroj
jashtë Teje!

Jam kaq i lumtur!
Faleminderit Hyj…
sepse je Trini,
bashkim dashurie!

Bëj që unë të humbas në Ty!
Më bëj të lirë
nga gjithçka është tokë
që të depërtojë qielli yt!

Ti je e vërteta e pagabueshme,
o Trini e Lumtur
dhe asgjë nuk dëshiroj
jashtë Teje!

Messina, më 07.01.2003

Fryma jote…

Një kokë e shenjtë, e plagosur,
e varur nga dhembja e brenga.
Me plot përbuzje rrethohesh,
kurora jote bërë me gjemba.

Strehim tjetër unë nuk kam,
shpirti im i pandihmë varet te Ti:
Mos më lër vetëm, kështu siç jam,
por mbështetmë, më jep rehati.

Tërë besimi im te Ti qëndron,
gjithë ndihma ime nga Ti më vjen.
Kokën pa mbrojtje, Ti ma mbulon
dhe hija e krahut tënd gjithnjë më gjen.

Ngado që të endem, në rrugët plot terr,
aty brenda meje më flet me ngrohtësi.
Fryma jote më liron nga çdo tmerr,
Jezus, Dashuria ime, Ti.

Nikolin Sh. Lëmezhi
Bashkësia Karizmatike Jeruzalemi i Ri
Shkodër, më 02.04.2017

Amaneti im

Kur të vdes,
ju lë si amanet,
që mbi varr
të mos shkruhet
emri im,
por ky epitaf:
«Ka dashur
të jetë i mirë
edhe me ata
që e kanë bërë
të vuajnë!».

Se mbi këtë tokë,
ky ka qenë për mua,
më i madhi
ngushëllim.

Blinisht, më 29.06.2003

Oh, ç’më flet ky qiell!

Vështroj në vetmi
këtë qiell,
këtë tokë
dhe mendoj
se këtu jam larg.
Retë sipër meje
e diellin
aty fshehur,
seç më djeg
ky mall!
Oh, ç’më flet ky qiell,
ç’më flasin
këto male e fusha,
ç’më flet
kjo tokë!
Ndoshta një ditë
do të vijë
dhe shqiptarët
do t’i përgjigjen
thirrjes…

Cerna (Vr), më 18.07.2005

Kur lindi dielli…

Kam parë tek lind dielli,
nga Mëmëdheu im, sot.
Me të seç u hap qielli,
sa bukur ishte, o Zot!

Verona, më 20.12.2007

Mall për drejtësi…

Oh, n’shpirt m’dogji malli,
m’dogji shumë,
për drejtësi!

E erdh një çast
kur ndërsa shkrihesha si qiriu,
që për shpirtra t’Purgatorit ndezet,
ca të shtëna armësh
e vranë mallin tim.

Veç shpresat nuk m’i vranë,
se do të vijë një agim i ri
e bulëza vese hyjnore
për amshim do të shërojnë
mallin tim të vrarë,
mallin që vazhdon
t’më djegë për drejtësi…

Shkodër, Mars 1998

ZANI, FJALA JOTE, NANË

(31.07.2002 gjatë udhëtimit për në misionin e Bosnjes)

Mirë u pafshim, nanë! – kur të thashë,
nuk di ç’ndjenja në zemër të zgjova.
Po nisem për n’mision, në dhé të largët!
E bekimin tand kërkova.

Mirë u pafshim, nanë! – kur të thashë,
Ti më përshpërite në vesh ngadalë,
me zanin e dorën tande të ambël:
Ti kjosh bekue, o djalë!

Ti kjosh bekue… edhe sot jehon,
mbi qiellin mes nesh të kaltër n’çdo anë.
Se bashkë me mue, kudo udhëton,
zani, fjala jote, nanë.

Telegram…

Në Shqipëri,
shqipëtarët kanë vdekur
dhe asnjë s’po lind…

Larg…

Larg prej teje, larg,
ku Joni dhe Tirreni ndahen.
Në shpirtin tim, si dallgë,
mendimet për ty seç përplasen.

Me zemër të copëtuar, këtu,
ku nata është pjellë e trishtimit.
Mendoj sit ë lashë ashtu,
ty, “Izrael i Perëndimit”.

Larg prej teje, larg,
kur agimi akoma s’ka zbardhur.
Të kujtoj me shumë mall,
Shqipëria ime e dashur.

Messina, më 18.09.1998

Në shqip…

Mbas pritjesh t’gjata,
nji mbramje vjeshte,
u ndigjue zilja e telefonit
dhe befas një rrënqethje malli
përshkoi trupin tem.

Çova receptorin
e nji za m’tha: “Alo!”.
O Zot, nuk di si s’plasa n’at’ çast!
Ishte zani i Nanës,
në shqip ishte.

Ah, ç’mbramje e bukur
n’at’ orë hyjnore,
kur zani i nanës ambël m’flladiti,
po, po, zani i nanës,
në shqip… në shqip…

Një komb, një gjuhë e vetme…

(Ua kushtoj vëllezërve shqiptarë kudo që janë të shpërndarë në botë:
Me rastin e Festës së Flamurit
)

Kosovë e Shqipëri,
dy shtete, një flamur.
Një komb, një gjuhë e vetme,
Ti s’do shuhesh kurrë!

Ndaj jetoni me gëzim,
kudo jeni të shpërndarë!
Gjithmonë paqe e bekim,
për ju, o vëllezër shqiptarë!

Shkodër, më 28.11.2013