QUO VADIS ÇMIMI NOBEL

1
756
Peter Handke

Xhelal Zejneli

Vendimi i Akademisë Suedeze që Çmimi Nobel për letërsi për vitin 2019 t’i jepet shkrimtarit austriak Peter Handke, ngjalli reagime të shumta në botën e qytetëruar. Kur Çmimi Nobel për paqe u ndahet politikanëve, shpërthejnë reagime të shumta. Në vitin 1973, Nobeli iu nda Henri Kisingerit, i cili në atë kohë ishte këshilltar i presidentit amerikan Riçard Nikson. Bashkë me të, u nderua edhe politikani dhe diplomati vietnamez Le Duc Tho, i cili e refuzoi me arsyetimin se “në vendin e tij ende nuk sundon paqja”. Ky është i dyti në historinë e Nobelit që e refuzon çmimin. Para tij këtë e kishte bërë Zhan-Pol Sartri, i shpërblyer për letërsi në vitin 1964.

Në vitin 1994 Nobeli iu nda liderit palestinez Jaser Arafatit dhe dy politikanëve të Izraelit – Jicak Rabinit (Jitzhak Rabin) dhe Shimon Peresit. Në vitin 2008, Çmimi Nobel për paqe iu nda ish-kryetarit të Finlandës, Marti Ahtisarit, për ndërmjetësimet shumëvjeçare në zgjidhjen e konflikteve, midis tyre edhe të konfliktit në Kosovë. Në vitin 2009 Çmimi Nobel iu dha presidentit të ShBA-së Barak Obamës. Obama ishte i katërti president amerikan që shpërblehej me këtë çmim. Për të gjithë të lartpërmendurit, përpos për Le Duc Tho-në dhe për Marti Ahtisarin, ka pasur reagime të ashpra.

Me ç’kritere ndahet Çmimi Nobel për letërsi?! Me kritere estetike apo me kritere politike, ideologjike dhe gjeografike?! Mos vallë Çmimi Nobel po shndërrohet në ndarje të Oscarit?! Shpesh ndodh që Nobeli për letërsi t’i ndahet një shkrimtari apo poeti, që është shumë pak i njohur në qarqet letrare të botës dhe të anashkalohet një shkrimtar si Ismail Kadareja, i përkthyer në 45 gjuhë të planetit. Në vitin 2016, Çmimi Nobel për letërsi iu nda Bob Dilanit (Bob Dylan, 1941-). Shpërblimi Dilanit shkaktoi reagime të ashpra në qarqet letrare të rruzullit. Kishte të tillë që thoshin se nuk është në rregull, që një kantautor të shpërblehet me një mirënjohje kaq të rëndësishme. Vetë Bob Dilani refuzoi të bëhet nobelist. Çmimin e mori pas shumë kohësh, pa ndonjë ceremoni glamuroze. Ky muzikant e ka hequr nga sajti i vet shënimin se është fitues i Nobelit.

Duke e anashkaluar Ismail Kadarenë, Akademia Suedeze i bën atij një padrejtësi të pashpjegueshme. Padrejtësi i bëhet gjuhës shqipe, letërsisë shqiptare, shtetit shqiptar dhe kombit shqiptar në Ballkan. Vepra e I. Kadaresë i zbulon qytetërimit perëndimor një botë të re – atë të Perandorisë Osmane, me të gjitha karakteristika e veta. Vepra e këtij gjiganti të letrave, ia zbulon njerëzimit ideologjinë e totalitarizmit, me të gjitha karakteristikat e veta – tiraninë, despotizmin, autokracinë, autoritarizmin, bolshevizmin dhe diktaturën. Vepra e I. Kadaresë ia zbulon njerëzimit botën orueliane në një cep të Evropës.

Vepra e I. Kadaresë ia zbulon Perëndimit mitin ballkanik dhe legjendat e lashta homerike. Anashkalimi i I. Kadaresë paraqet shpërfillje të shqipes, gjuhë kjo me lashtësi legjendash antike. Asnjë shkrimtar në Evropën Lindore, përfshi edhe dy krijuesit sovjetikë, laureatë të Çmimit Nobel – Pasternakun dhe Sollzhenjcinin, nuk e ka goditur për vdekje arkitekturën e totalitarizmit, tiraninë, despotizmin dhe filozofinë bolshevike, si I. Kadareja, me veprën grandioze të tij, të shkruar në shqip. Duke i shpërblyer krijuesit letrarë pa integritet, Komiteti i Nobelit vë në dyshim, jo vetëm nivelin e vet profesional, por edhe vlerat e veta etike.

Peter Handke nuk është i vetmi shkrimtar, laurimi i të cilit e bën të diskutueshëm vendimin e  Komiteti i Nobelit. Në vitin 1961, Nobelin për letërsi e mori shkrimtari serb Ivo Andriq, i njohur si një prej hartuesve të projekteve për dëbimin e shqiptarëve nga trojet historike të tyre, siç ishte elaborati i akademikut serbomadh, Vaso Çubrilloviq, që e lexoi para akademikëve serbë në Klubin kulturor serb në Beograd, më 7 mars 1937.

S’ka sesi të mos shtrohet pyetja: A i ka parasysh Akademia Suedeze vlerat etike të  krijuesit artistik, kur merr vendim për laureatin?! Ndarja e Nobelit, nuk është ndarje e Oskarit. In ultima linea, vlerat etike merren parasysh edhe me rastin e ndarjes së Oskarit në Hollivud. Një shkrimtar i përmasave botërore konsiderohet ndërgjegje e epokës. Rrjedhimisht, është e pamundur që krijimtaria letrare dhe artistike e tij të ndahet nga vlerat etike të tij. Mesazhe humane njerëzimit mund t’i dërgojë vetëm poeti, që ka virtyte njerëzore dhe jo ai që mbjell urrejtje midis popujve dhe që mbron kryerësit e gjenocidit.

Homeri, Eskili, Virgjili, Danteja, Shekspiri, Servantesi, Molieri, Gëteja, Balzaku, Dostojevski, Bodleri, Xhojsi, Kafka kanë jetuar pa Nobelin, por kjo nuk u ka penguar atyre, që veprat e tyre të jetojnë ndër dekada, shekuj dhe mijëvjeçarë. Në kohën kur ndahej Nobeli, autori i “Ana Kareninës”, Tolstoi, ishte gjallë, sikundër Xhojsi dhe Kafka. Askujt s’i shkoi ndërmend t’i shpërblente. Letërsia botërore nuk mund të paramendohet pa këta klasikë modernë. Shumë kritikë letrarë të botës e konsiderojnë I. Kadarenë nobelist të pashpërblyer.

Sot banaliteti është bërë kategori estetike, thotë filozofi francez Zhan Bodriar (Jean Baudrillard, 1929-2007). Vendimet kontraverse dhe të pamatura të Komitetit të Nobelit shkaktojnë pashmangshëm debate morale. Kush qëndron pas vendimeve të tilla dhe çka fshihet pas tyre?!       

*   *   *

Ndarja e Çmimit Nobel për letërsi, për vitin 2019, shkrimtarit austriak me prejardhje gjermano-sllovene Peter Handkes shkaktoi reagime të ashpra në shumë anë të botës. Në arsyetimin e Akademia Suedeze thuhet se Çmimi Nobel i ndahet Handkes “për veprën influente, e cila me invencion gjuhësor e hulumtoi periferinë dhe specifikën e përvojës së njeriut”.

Handke ka lindur në Grifen në vitin 1942. Është rritur në Berlinin lindor dhe në Grifen. Nëna e tij sllovene, i ka dhënë fund jetës me vetëvrasje. Për këtë shkruan në romanin “Tmerri i zbrazësisë” të botuar më 1972. Më 1965, ai i ndërpret studimet e drejtësisë në Grac, për t’iu përkushtuar shkrimeve. Përpos në Grac, ai ka jetuar edhe në Dyseldorf, në Berlin, në Paris, në Kronenberg, në ShBA. Kohët e fundit jeton në Shavil të Francës. Në vitin 2006 qyteti i Dyseldorfit ia ndau çmimin “Hajnrih Hajne”. Ky vendim u kundërshtua nga disa politikanë gjermanë. Handke u mor në mbrojtje të shoqatës së shkrimtarëve, me arsyetimin se politika nuk duhet të përzihet në lëmin e kulturës. “Vunderkindi” gjerman, siç cilësohej në qarqe të caktuara, refuzoi ta pranonte. Kur në vitin 2014, qeveria e Norvegjisë ia ndau “Çmimin Ibsen”, në shenjë kundërshtimi, Handke u prit nga publiku me fishkëllima dhe me ofendime. Në vitin 2014, me arsyetimin se Nobeli shkakton “kanonizim të gabuar”, Handke kërkoi suprimimin, d.m.th. shuarjen e Çmimit Nobel. Në qarqe të caktuara e kanë cilësuar si “shkrimtar gjenial, si poet të madh, si një ndër poetët e fundit të vërtetë”.

*   *   *

Handke ka miqësi me serbët. Më 1996 vajti në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe shkroi esenë “Drejtësi për Serbinë”. Shkrimi hasi në kundërshtimin e fuqishëm të publikut. Në këtë ese autori i sulmon vendet e Perëndimit, për arsye se krejt fajin për luftërat në Jugosllavi ua paskan veshur vetëm serbëve. Pas kësaj eseje, Handke sakaq u dëbua nga bashkësia intelektuale globale. Në fillim të ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë, Handke shkoi në Serbi. Ndërhyrjen e Aleancës Veri-Atlantike e krahasoi me Aushvicin. Në shenjë proteste, e ktheu “Çmimin Bihner” dhe u ç’regjistrua nga Kisha katolike. Nga ministri gjerman Rudolf Sharping kërkoi që t’ia kthejë librat që ia kishte dhuruar.

Në esetë e veta për Serbinë, Handke i kritikon mediumet e vendeve perëndimore për “shtrembërimin e së vërtetës”. Deklaron se “myslimanët e Bosnjës kanë vrarë veten, për të thënë më pas se vrasjet i kanë bërë serbët”. Ngre lartë figurën e kriminelit të luftës Radovan Karaxhiqit. “Ndonjëherë më shkon mendja të bëhem klerik ortodoks serb, i cili lufton për Kosovën” – thotë nobelisti i sivjetmë. Ua zë për të madhe shkrimtarëve të tjerë të Perëndimit, për arsye se nuk e mbështetin Serbinë si ai. Në vitin 2012 zgjidhet anëtar i huaj i ASShA. Në vitin 2015 shpallet qytetar nderi i Beogradit. Në mars të viti 2006, merr pjesë në varrimin e S. Millosheviqit në Pozharevac. Në fjalimin që e mban para pjesëmarrësve, e mbron dhe e ngre lart figurën e kasapit dhe të zjarrvënësit të Ballkanit.

*   *   *

Vendimi i jurisë së Stokholmit për t’ia ndarë Çmimin Nobel Handkes është absurd. Një vendim i këtillë e diskrediton dhe e komprometon Nobelin. Fituesi u këndon himne arkitektëve të krimeve kundër njerëzimit. Krimet e pushtuesve serbë në Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe në Kosovë i di gjithë bota. Sot, në skenë veprojnë forcat demonike, djallëzore, që duan t’i ringjallin dhe t’i rehabilitojnë kryerësit e gjenocidit. Forcat satanike, të territ, të errësirës, të ferrit duan t’i japin shpirt përbindëshit dhe murtajës së zezë të gadishullit.

Katër-pesë anëtarë të jurisë së Stokholmit, të mbyllur nëpër kabinetet e tyre, duhet ta dinë se po të mos ndërhynte Aleanca Veri-Atlantike kundër forcave serbe të krimit, lufta në ish-Jugosllavi do të vazhdonte pafundësisht, ndërsa krimet si ato në Srebrenicë do të shtriheshin kudo në këto hapësira.

Pikëpamjet se vepra e shkrimtarit s’ka të bëjë me biografinë e tij, sa bizare po aq janë edhe groteske. Në rastin e BH-së dhe të Kosovës kemi të bëjmë me një tragjedi përmasash të papara në Evropën e pasluftës së II-të botërore.

Shkrimtarë me ide dekadente ka pasur gjatë gjithë historisë, por jo edhe të shpërblyer me çmime. Poeti futurist italian D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) ishte embrioni ideor i fashizmit italian si dhe ati shpirtëror i Musolinit. Kjo anë e zezë e jetëshkrimit nuk i bën nder këtij poeti. Poeti dhe kritiku amerikan, promotor i imazhizmit dhe i vorticizmit – Ezra Paund (Ezra Pound, 1885-1972), me t’u vendosur në Itali, u bë ithtar veprues i fashizmit, ndërsa më 1941 u vu në shërbim të propagandës anti-amerikane. Në ShBA u akuzua për tradhti të lartë. Më 1946, si “i sëmurë psikik” u lirua nga akuza. Ndenji 12 vjet në spital, ku vazhdoi të shkruajë.

Si mbështetës i mbretërve të vdekjes, “vunderkindi” gjerman meriton, jo shpërblim por denoncim. Asnjëherë ndarja e Nobelit nuk ka hasur në reagime kaq të ashpra si kjo e fundit. Në platformën Change.org u ndërmor një nismë, që Handkes t’i merret çmimi “për shkak të mbështetjes pa rezervë të Millosheviqit, i cili ishte përgjegjës për vdekjen e qindra mijë njerëzve të pafajshëm dhe të dhjetëra mijë femrave të përdhunuara”. Brenda pak orëve peticioni është nënshkruar prej 100.000 vetëve.

Vendimin e Komitetit të Nobelit e kritikoi ashpër edhe PEN qendra amerikane. Kryetarja e PEN-it, Xhenifer Igan thotë: “Jemi të befasuar me zgjedhjen e një shkrimtari, i cili me zërin e tij publik e rrënonte të vërtetën historike duke u ofruar servilizëm publik kryerësve të gjenocidit, siç ishte ish-kryetari i Serbisë S. Millosheviqi si dhe lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqi”.

“Në çastin e rritjes së nacionalizmit, të liderizmit dhe të dezinformatave të përhapura gjithandej, komuniteti letrar i botës meriton diçka më të mirë se kjo. Ndjejmë keqardhje të thellë për zgjedhjen e Komitetit të Nobelit” – thuhet në komunikatën e PEN-it.

1 KOMENT

  1. Xhelala Abu Zeynel,

    Çmimi OSCAR, eshte 1 MILIARD HERE me i mire dhe me real se çmimi Nobel.

    Problemi eshte pikerisht te ata njerez, qe mendojnë se çmimi Nobel paraqet ndonje vlere reale.

    OSKARIN e ndane juria e perbere prej 4000 njerezve te kualifikuar per film. Ndersa Nobelin e ndaj e disa qenefa suedezë, qe jane penzionuar dhe mbajne titullin akademik. Edhe jane te tille.

    Per kete vit keta jane:
    Anders Olsson (Chairman), Professor
    Per Wästberg, Writer
    Kristina Lugn, Writer
    Jesper Svenbro, Writer

    Pra keta jane 4 monstrumet qe lauaruan monstrumin Handke.

    Secili njeri eshte i lire te jete idiot edhe monstrum, sepse natyra krijon njerez te ndryshem. Por grupi i njerezve te organizuar ne AKADEMI… nuk ka te drejte te laurojë monstrumet… perveç nese qellimi ka qene negativ…, pra te lavderohet terrori… mbi SHQIPTARËT, KROATËT, dhe mbi SERBOMUSLMANET…, qe i beri SERBIA…

Komentet janë mbyllur.