Saga e Dhimbjes!

0
684
Fëmijë pas telave

Ben Oroshi në FB:

Historinë e familjes së rrëfyer nga Gjon Kadeli, i biri i Pjetrit, e sjellë Fatbardha Saraçi Mulleti në librin e saj “Saga e dhimbjes”. Gjoni ishte ende fëmijë kur i arrestuan të atin e më pas, e dërguan bashkë me familjen, në Tepelenë. U bë dëshmitar, gjatë atyre viteve, i fëmijëve që humbisnin jetën nga shpërthimet e predhave, i foshnjave që mbyllnin sytë nga sëmundjet dhe nënave që varnin veten nga dhimbja. U bë dëshmitar edhe i tragjedive, që prekën familjen e tij. Në kampin e Tepelenës, ndërroi jetë e motra, dy vjeçe, vajza e xhaxhait e së njëjtës moshë, dhe njëri prej xhaxhallarëve, Gjoka.

Gjoka dhe Zefi u arrestuan të dy, pasi i vëllai, Pjetri iku nga burgu në Kreshë. Ishte një nga ata që u kapën dhe u dënuan pas vrasjes së Bardhok Bibës. E arrestuan teksa po jepte mësim në shkollën e Shpalit dhe e çuan në burgun e Rrëshenit. Familjen e internuan në Tepelenë, ku qëndroi rreth një vit dhe i kthyen në shtëpi, por në këtë kohë, Pjetri me tre shokë të tij: Preng Vorfin, Ndue Dedë Laskën dhe Ndue Shkurt Prengën, përgatitën arratisjen nga burgu. Gjatë arratisjes, Ndue Shkurt Prenga u vra në dritare, Ndue Laska, u vra jo shumë larg burgut. Shpëtuan vetëm Pjetri dhe Preng Vorfi dhe u arratisën në mal. Ata ikën aq larg sa nuk mund të kapeshin, por familjet i kishin aty dhe regjimi do të hakmerrej me to.

Dy vëllezërit e Pjetrit i futën në burg: Gjokën në Porto Palermo dhe Zefin në burgun e Tiranës. Për Zefin, ishte fillimi i një dënimi 23-vjeçar, që do ta kryente kryesisht në Burrel, ndërsa Gjoka nuk mundi të mbijetojë. Pas dy viteve izolim, në Porto Palermo, e dërguan në kampin e Tepelenës, ku ishte internuar pjesa tjetër e familjes: të moshuar, gra e fëmijë. Aty edhe ndërroi jetë.

…axhën tim Lalë Gjokën po e mbante nana ime në prehnin e saj, sepse ai ishte në momentet e fundit të jetës. Rastësisht aty pranë kaloi kapteri i kampit, që besoj se quhej Selfo, i cili mbante nën mbikëqyrje qetësinë në kamp. Ai e pa axhën tim se me shumë vështirësi po merrte frymë e i tha:
O derr derri, a je duke vdekur?!” dhe i ra me shqelm gjujvet të axhës tim”, kujton Gjoni.