Kapakët e librit…
Libër i ri:
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1.
Dëshiroj ta nënvizoj, që në fillim, se ndiej kënaqësi të veçantë, kur po më jepet rasti të shprehem rreth një studimi, kushtuar rrugës së shkollës shqipe dhe zhvillimit të arsimit në vendlindjen time, Malësi e Gjakovës (Tropojë). Po kështu, këtë gjë e përforcon fakti, se atë e ka hartuar e përgatitur për botim, në një libër, arsimtarja e poetja, bashkëkrahinase Valbona Hykaj.
Bijtë ose bijat e një krahine, kur largohen nga vendlindja e tyre, sidomos, kanë më shumë mallë e nostalgji për truallin e të parëve, për bukuritë shpirtërore e natyrore, për traditat atdhetare e liridashëse të tyre. Këtë gjë e ka përjetuar edhe autorja e studimit në fjalë (tani libër modest), Valbona Hykaj. Pasi ka ndjekur studimet në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës, në degën Histori dhe është diplomuar mësuese, iu ka përkushtuar me shpirt, këtij profesioni të bukur. Prandaj, ajo shprehet, me sinqeritet: “Më pëlqen shumë bota e pasur e fëmijëve, që t’u jap atyre mësime e dituri, nga shpirti dhe ndjenjat e mia…”.
Por, gjatë jetës, asaj i lindi edhe një pasion tjetër, që e bëri për vete dhe u bë pjesë e qenjes së vetë: Poezia. Kështu, nisi të shkruajë vargjet e parë për prindërit e mësuesit, për bukuritë e vendlindjes, për miqësinë e dashurinë etj. Natyrshëm, ndjeu gëzim në shpirt, kur u mirëprit ose u publikua ndonjë poezi e saj.
Por nuk u ndal me kaq Valbona. Ajo deri tani ka botuar pesë libra.”Etja e ëndrrës”, poezi,Tiranë 2007,”Dhelpra pa bisht”, përralla për femijë,Tiranë 2009,“Shtëpia pa dyer”, përralla shqiptare, Tiranë 2012, “Rojtari i zemrës” poezi, Tiranë 2013, dhe “Përtej ndalesës”, poezi dhe prozë, Tiranë 2015. Nuk do të kalojë shumë kohë e ajo përsëri do të dalë para lexuesve me një vëllim të ri poetik.
2.
I kërkoj falje lexuesit, që u largova pak nga tema e këtij shënimi tim modest, për studimin e Valbona Hykajt, “ABC-ja e Alpeve (Malësia e Gjakovës (Tropoja)- Nëpër udhët e arsimit shqip, nga fillimet e deri në vitin 1944”).
Sigurisht, siç del dhe gjatë shfletimit të librit, autores i është dashur mjaft punë për ta hartuar këtë punim. Përveç shfrytëzimit të dokumenteve e botimeve të ndryshme, është takuar me mësues veteranë, ish-nxënës të moshuar, që ndoqën shkollat e para shqipe të Malësisë etj.
Pjesa e parë e librit na jep një vështrim të përgjithshëm të krahinës Alpine të Tropojës: me bukuritë natyrore, historinë dhe traditat e lashta atdhetare e liridashëse të saj, por dhe me dëshirën e pandërprerë për shkollat shqipe, e theksuar kjo sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912.
Shkollat e para, që u hapën në Malësinë e Gjakovës, autorja i ka quajtur simbolikisht, bukur, “dallëndyshet e para”. Siparin e tyre e çeli shkolla fillore në gjuhën amtare, e cila hapi dyart e saj në krahinën e thellë, Nikaj-Mërtur, pikërisht në fshatin Gjonpepaj, më 1 maj 1918. Mësues i parë i saj ishte Nikolin Kolaj dhe funksiononte pranë kishës. Ndihmesën kryesore për çeljen e saj e dha Luigj Gurakuqi-“Mësues i Popullit”.
Një shprehje popullore thote: “Sheh rrushi-rrushin e pieqet…”. Kështu, me pak ndërprerje, “vala” e shkollave shqipe ne Malësi nuk u ndal. Në vitin 1923 u hap Internati “Kosova”, në fshatin Kolgecaj, i cili më vonë u shpërngul në Krumë të Hasit (1928). Në qendër të luginës së Malësisë së Gjakovës, pra në fshatin Bujan, shkolla shqipe çeli dyert në vitin 1923 dhe aty kaluan qindra breza nxënësish, të cilët më vonë ndoqën shkollat e mesme e të larta, në vendin tonë e jashtë.
Rëndësi të veçantë i ka kushtuar autorja V.Hykaj ndihmesës, që dhanë atdhetarët e arsimdashësit e njohur, Bajram Curri e Hasan Prishtina. Ata vetë biseduan e ndikuan te malësorët, që fëmijët e tyre, djem e vajza, të arsimoheshin, duke berë të mundur që t’i dërgonin edhe jashtë rrethit, për të mësuar.
Pa u ndërprerë ritmet e zhvillimit të arsimit në Malësi, u tregua kujdes për shkollat shqipe edhe në periudhën e Mbretërisë e të pushtimit fashist. Mësimdhënës kishte pak vendas, por shumica erdhën nga Kosova, pasi kishin mbaruar Normalen e Shkupit ose të Elbasanit.
Siç është e kuptueshme, figura kryesore edhe në shkollat shqipe të Malësisë së Gjakovës ishin mësuesit. Për ata, autorja e këtij punimi ka shkruar posaçërisht, disave duke ua treguar pak nga jeta e tyre, që në shkollë e më pas në jetë. Pra, gjithësej, ka shkruar për 20 mësues veteranë, 5 nga të cilët ishin nga Tropoja. Nga largësia e atyre viteve, ne të gjithë përulemi me respekt të thellë, për energjitë e tyre mendore e fizike, që shkrinë pa kursim, për edukimin e breznive të reja.
Përmbledhurazi, e përgëzojmë dhe e urojmë autoren Valbona Hykaj, për këtë punim. Ai do të mbetet pjesë e pandarë e tërë punimeve, studimeve e botimeve, që autorë të ndryshëm kanë shkruar për udhën e shkollës shqipe dhe, në përgjithësi, të arsimit shqip në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
(M.Gecaj: Hyrja e punimit, Tiranë, 25 shkurt 2019)