Në foto : Ukë Mavriqi
Gani I. Mehmeti
Ukë Mavriqi, njëri ndër kaçakët më të njohur në Llap, shquhet si më trimi, më i pastërti dhe që ka sakrifikuar shpesh për të realizuar gjithë atë që i është tekur, pa mundur t’ia lë ngile kush prej serbëve as në kohën e krajlit e as në kohën e mëvonshme, të Jugosllavisë titiste.
Ukë Mavriqi shkollën e policisë e ka kryer në Maqedoni, i cili dërgohet me detyrë në Mitrovicë. Prej aty, Sherif Voca e çon në Kaçanuell. Sherifi e çon në Kaçanuell per t’iu kundërvënë një postkomandanti të atëhershëm në Kaçanuell i cili po e keqtrajtonte dhe po i shkonte në dru banorët e këtij fshati. Shih, për këtë qëllim, duke e njohur karakterin e fortë të Ukës, Sherif Voca e kishte porositur që të mos i bindej urdhërit të postkomandantit në mënyrë që të vijë deri tek dorëheqja e komandantit nga posti. Për disa ditë kishin kaluar si uku e dhia ndërmjet veti, derisa, pas disa ditësh komandanti detyrohet ta lëshojë vendin e punës dhe në vend të tij vendoset Ukë Mavriqi.
Mbas një kohe Uka transferohet në stacionin policor të Herticës.
Policët gjatë marsheve të tyre nëpër fshatra kanë pasur odat (familjet) e caktuara se ku mund të hyjnë të pushojnë, të hanë dhe të pijnë. Kur kishin shkuar një ditë në njërën nga familjet e Xhakalive, vërejnë fotograflnë e krajlit (me gjasë të Nikolla Pashiqit, v.j.), e cila kishte sytë e shpuar (dëmtuar).
Aty për aty në odë nuk bëjnë zë. Mirëpo, kur kthehen në Herticë ky problem aktualizohet nga policë serbë. Vendoset që të nesërmen të shkojnë policë nga Hertica dhe nga Podujeva për të verifikuar. Atëhere Uka gjen një njeri të besushëm dhe e dërgon në atë familje duke e porositur që të gjejë një fotografi tjetër të krajlit e ta vendosë në vendin e fotografisë së dëmtuar. Përndryshe, do ta pinte e zeza po t’i gjindet ajo fotografi.
Xhakaliu kishte pasur dikund në Serbi një shok dhe shkon e ja merr fotografinë e krajlit dhe e vendos në vendin e asaj të dëmtuerës.
Kur shkojnë të nesërmën policët e të dy stacioneve nga Podujeva dhe Hertica, e rrethojnë këtë familje. Kur hyjnë brenda shohin fotografinë e pa dëmtuar të varur në mur. Tani çuditen dhe bisedojnë se si ka mundur të ndodhë kjo brenda natës! Ua merr mendja se për këtë ka lajmëruar Uka, mbasi nga policët ky i vetmi ishte shqiptar.
Nga ky moment u shkon mendja dhe vendosin që të gjejnë mënyrën për likuidimin e Ukës!
Ndërkohë, Ukës i thonë se duhet të shkojnë në Gërdofc ku ishin lajmëruar kaçakët.
Xhanarët e tjerë (serbë) ishin porositur që ta vrasin sepse nuk mundë të bahet (durohet) ky njeri kështu. Rrugës po shkojnë bashkë. Kur shkojnë në Urën e Gërdofcit, Uka nuk ua kishte besën xhanarëve prandaj ju thotë atyre të kalojnë urën përpëara. Policët nuk duan, duke thënë se udhëheqësi i rrugës duhet kaluar i pari.
Posa Uka kishte hypur në urë, xhanari prapa tij shtjen me pushkë në të. Plumbi e rrok në lug të qafës depërton nëpër gojën e tij. duke ia qitur dy dhëmbë. Bijnë në ujë edhe Uka edhe polici. Çohen në këmbë burrat e Gërdofcit dhe shkojnë tek ura për të mësuar ngjarjen. Shkon njëri dhe po e thërret “O Ukë, o Ukë!”, duke menduar se e kishin vrarë kaçakët. Uka përgjigjet duke i thënë:
O n’kofsh filani, hajde!
Qëllon pikërisht ai, emrin e të cilit e kishte cituar Uka dhe shkon. E merr dhe e çon në odë. Uka u thotë që të mos iknin kaçakët, sepse nuk ishte plagosur prej tyre, por nga xhanari i vet.
Lajmërohet stacioni i Herticës dhe pyesin Ukën qysh ndodhi? Çka u bë? Uka u përgjigjet se atë e kishte plagosur “shoku” i tij, xhanari. Kishin shprehur gjoja mosbesimin se si ka mundur ta plagoste xhanari. Uka ju thotë:
Shikoni filan xhanarin, nëse nuk është i lagur deri në shokë (brez) që ka rënë në ujë edhe unë po them se nuk më ka plagosur. A nëse është i lagur, ai është që më ka plagosur.
– Mirë, tha ai komandiri. Xhanari i cili e kishte plagosur Ukën kishte nisur e po dridhej nga frika.
Të nesërmen e kanë ngarkuar në një qerre me kuaj dhe në mëngjes kanë mbërri në Podujevë. Këtu kishin ardhur edhe vëllezërit e Ukës nga Mavriqi, mbasi kishin ndëgjuar se ai ishte plagosur. Në momentin kur po donin ta nisnin Ukën për tek mjeku në Prishtinë, takohet me vëllezërit e tij, të cilët nuk i ishin ndarë por kishin shkuar bashkë tek mjeku. Qëllon një Ruskia mjeke, mjaft e njohur në profesionin e saj. Uka nuk i besonte hiç e nuk lejon të marrë asgjë tjetër nga barërat, përveç ndonjë yndyre që ia kishte qitur varrës (plagës) pa e çelur fare. E hetojnë se ajo ishte e porositur për ta helmuar.
Xhaxhai i Ukës, Hashimi, i jep pesë lira ari mjekes vetëm që ta shpëtojë. Mbasi i merr lirat, po i tregon Ukës se e kishte urdhërin për ta helmuar por i jep fjalën se nuk do ta helmonte vetëm do ta shëront për dy ditë dhe ai duhej të ikte sepse më shumë nuk guxonte ta mbante Ruskia. E mjekon për ato dy ditë dhe i thotë ik. Uka shkon drejt në shtëpinë e tij në Mavriq, duke i marrë edhe disa barëra me vete. Zgjatë një kohë derisa Uka shërohet në shtëpi.
Serbët kishin ndërmarrë një aksion ku prenin, vrisnin e masakronin shqiptarët. Kjo quhej errëfi. Nuk dinte si të lajmëronte se ishte në pushim mjekësor. Nuk dinte as si të shkonte. Po ndërkohë dikush duhej të çonte një sej sanë për kuajt e ushtarëve dhe policëve serbë ne Podujevë.
Vendosin që sanen ta dërgonte një plak i lagjes, duke shpresuar se nuk do ta ngucnin xhanarët gjatë rrugës. Uka thotë se unë do të hyjë në sanë që të shkonte në Podujevë. Vëllezërit i thonë “Zoti t’i plastë sytë, ku po don me shkue sikur capi te kasapi?!” Po Uka e kishte vendosur të shkonte tek komandanti. Hyn në sanë, maskohet mirë. Pushkën dhe armët çka i kishte pasur i merr krejt me veti. Kur shkojnë në Podujevë, i thonë plakut veç hiqja kungjin e sajit edhe leje sajin, merri qetë (kiet) e mos këqyrë kurrgja e shko prej shtëpisë. Duke e hequr kungjin e zgjedhës prej sajit, njëri nga xhandarët i bjen plakut me kungjin e sajit, që kishte bërtitur në kupë të kresë edhe e lë sajin e ec për në Mavriq.
Uka po rri e po këqyrë. Kur sheh që u larguan policë e ushtarë, del prej sanës edhe shkon drejt në derë të komandantit! Komandanti kishte qenë duke lexuar gazetë, kur e sheh Ukën brenda, i bjen të fikët prej tij kur e sheh me armë brenda. Uka e nxjerr letrën për t’i treguar se ai ka qenë polic, duke i thënë “mos u tut, mos u tut”!
Kur i del kllapa (të fiktit), e merr letrën e po e lexon ai. Mbasi e lexon letrën i thotë:
– Rri këtu, por mos ma shih për të madhe, po i thërras disa të mitë e po i pyes se çka po thonë edhe ata. Kish qenë Boshku i Merdarit komandant në Podujevë dhe Mirku i Zakutit komandant në Krypimeh. E thërret së pari Boshkun dhe e pyet:
– Çfarë njeriu ëshë ky?
– O, ma nieri i mirë s’ka. Pak ish prekur komandanti dhe po e pyet Boshkun: “Po kah erdhi ky këtu?” duke treguar Ukën dhe ia jep nja dy tri shuplakë, duke i thënë që të rrijë aty në qysh. E thërret tani Mirkun, edhe këtë e pyet për Ukën dhe merr po të njëjtën përgjigje që kishte marrë prej Boshkut, edhe këtij i kishte dhënë shuplakët.. Tani ju drejtohet që të dyve (Boshkut dhe Mirkut): “Prej Zotit të dëgjojë kush se ky njeri është këtu, unë patare u bëj të dyve, sepse edhe ashtu jam shumë i prekur në juve se si ka mundur të hyjë ky drejt tek unë pa e parë askush.” Pasi darkojnë, u vjen lajmi se atë natë kaçakët ishin në Pakashticë. Kapiteni i tyre nuk guxonte të shkonte vet t’i ndjek kaçakët, e i drejtohet Ukës:
“Ukë, ti sonte kie me u pri xhandarëve e me i çue në Pakashticë, sepse ti e din terrenin!
– Po qysh me u pri une, që këta mue më hanë pa piekë si t’ më hetojnë se kush jam.
– Qure, thotë. Qyrkun tem kie me e vesh edhe kush nuk ka me e ditë që je ti, pos këta dy që e dinë. Del kapiteni dhe i rreshton xhanarët, posa nis të terrohet. Edhe u thotë:
– Ndëgjoni, ky njeri ka për me ju pri. Kah t’u thot ky kini me shkue. Edhe pej egjeli me dek, ju ini t’maruem, tanve patare u baj!
Nisen për në Pakashticë. Ukës ia merr mendja se kaçakët mund të jenë në Pakashticë. Mirëpo nuk donte t’i zinte, prandaj ai u prinë xhanarëve, duke i shëtitur kodër mbas kodre rreth Brezovanit në Sylevicë. Mbasi zbardhet dita, kur ia merr mendja se kaçakët kanë mundur të dalin nga Pakashtica, ai me xhanarë hyjnë në fshat. Kontrollojnë dhe nuk hasin në asnjërin prej kaçakëve. Xhanarët ja shtrejnë e po prejnë lopë. I vejnë kazanat për ta zier mishin. Ndërkohë përmes një serbe, u vjen lajmi se kapiteni në Pollatë është i rrethuar dhe kishte kërkuar ndihmë për shpëtim nga vetë Uka. Uka u thotë tani xhanarëve serbë:
– I leni kazanat. Hajde po shkojmë e po e pshtojmë njeriun atje! Kur bijnë te Lanovitë e Repës, ishin ngarkuar si moti me plaçka, kishin vjedhur çeizin e nuseve e gjithçka tjetër. Për ta lënë plaçkën, Uka i’u bërtet ngërmueshëm;
– A po e dini ku jemi tu shkue? Na po shkojmë n’front! Me gjithë këto tesha ku jeni tu shkue, ku po i çoni?! A po shkojmë me e pshtue njeriun a ku! Krejt ktu me i lanë!
Kur e tubua gjithë ajo plaçkë, u pa se ishin mbushur nja dy saja tesha. Kapiteni në Pollatë shikonte përmes dritares dhe dridhej e po priste edhe kur po sulmohej nga të rrethuarit, po edhe kur po çlirohej. Ai po jetonte në ankth. Kur shkon Uka me xhanarët, po i thotë: “po qysh erdhe ti ktu e kah i re? – i cili dridhej nga frika se ishte i rrethuar, – se rreth e rreth jemi të rrethuar vetëm tash u kanë shti edhe juve në rreth!”
– Jo, mos kie gajle se une ju prij juve, – i thotë Uka.
– Ti na prinë nëpër Mavriq, Sllatinë e Reçicë e me na shti mrena në Serbi, i thotë komandiri i Pollatës.
– Andej nuk mujmë se nëse jemi të rrethuem, nga ajo anë jemi, u thotë Uka. Une ju prij rrugës drejt për në Krypimeh.
Mbasi shkojnë në Krypimeh, Ukës i thonë që të shkojnë e të lajmërohet në Mitrovicë. Pastaj shkon kah të thonë atje. Në Mitrovicë kryekomandant e gjenë Sherif Vocën1. Sherifi po mendon për Ukën se në Kosovë nuk e lënë rahat serbët dhe i propozojnë që të shkojë në Novi Pazar. “Shko, i thotë Sherifi, do ditë e pastaj shohim!” Qëndron disa ditë në Novi Pazar dhe Drazha Mikajloviqi u bjen shqiptarëve edhe boshnjakëve për t’i qitur fare të gjithë. Xhanarët serbë nuk u dolën në mbrojtje përveç ndonjëri nga shqiptarët. E kallin luftën me çetnikë. Uka kë e kish pas gjuajtur më bukë nuk kish pas hangër, sepse ishte shejtar i fortë.
Për këtë tregonte edhe një plak i Drenicës i cili thoshte se nuk ia dinë namin Ukë Mavriqit sa gjak të shkieve ka derdhë ai në Sanxhak. Një nga komandantët i kishte rënë në sy Uka dhe i vjen inati për numrin e madh të të vrarëve që kishte bërë. Ai e thërret një ditë. I kishte shti fjalët komandanti me një shoq të vet edhe i bjen shuplakë. Atëhere komandantët rrihnin edhe xhanarët. Kështu kishte menduar se duhen të rrihen të gjithë. Prej inatit, i bjen edhe Ukës. Po Uka e kishte bartur gjithmonë një revole tinëz, dhe, po sa i bie shuplakë komandanti, ky e nxjerr revolen e i bjen në lule të ballitë, i cili bie i vdekur në tokë.
Derisa merret vesh krejt kjo, Uka i rrokë armët e veta, i gjuhet një kali që ishte aty afër dhe niset për në Mitrovicë. Rrugës e lë kalin dhe ec këmbë. Në Mitrovicë duhej të kalonte urën e cila ruhej. Shkon në treg, e merr një maxhup me magar që po shiste dru, goditet me të që t’ia çojë drutë përtej urës, ku i thotë Uka se e kishte shtëpinë, por i thotë ta ndalë e ta shtie pushkën në dru. I grah magarit maxhupi. Uka i kishte ndërruar teshat, tani kishte veshur tesha të këqia. Mbasi kalojnë urën, kur i’a merr mendja se kishte kaluar rrezikzu, i thotë maxhupit që ta ndalë magarin. E merr pushkën edhe i thotë maxhupit të kthehet prap në pazar edhe t’i shetë drutë prapë, se ai e kishte pasë vetëm sa ta kalonte urën.
I bjen Shalës së Bajgorës edhe kthehet në Mavriq.
Mbasi kthehet në Mavriq pas pak ditësh, kallet lufta. I bjen gjermani. Mbasi pushtohet prej gjermanit Mavriqi, Uka emërohet kryetar në komunë të Pollatës. Më vonë e bëjnë komandir të xhandarmërisë. Një kohë ka qëndruar si komandir edhe në Besi. Të shtunave mavriqasit shkonin në tregun e Podujevës të gjithë. Uka, si komandir, u kishte pas thënë burrave që të mos e lëshojne Mavriqin se na bien serbët prej kufirit, të cilët i kishte diktuar që po lëviznin e po silleshin rreth kufirit.
Një të shtune, kur meshkujt kishin shkuar në Podujevë, u kish rënë me ushtri Peka Dapçeviqi. Ai i kishte rënë Bellosicës, Reçicës e deri në Uglar.
Në Bellosicë, duke luftuar vritet Islam Bellosica me gjithë të birin; në Tërnavicë kish luftuar Neziri i Banit, lis mabs lisi me ta. Në Reçicë kishte luftuar Ramë Igrishta me Sallah Mavriqin e Imer Reçica fyt më fyt. Në Uglar kishin luftuar Fejzë e Beqë Uglari. Ia kishin qitur fishekt atje me sanak te vendi i quajtur T’u Qadrat. Aty shpërndahen shkiet dhe i mbërthejnë andej kufirit. I kishin zënë dy çetnikë. I bien në Pollatë. Këtu i kanë marrë gjermanët dhe nuk dihet se ç’është bërë me ta.
Pa vonuar shumë, në luftë kundër forcave gjermane hyn edhe Rusia. Rusët i vejnë përpara bullgarët dhe serbët dhe po shkonin prapa tyre. Rusët, pra i detyronin të hynin në front bullgarët dhe serbët, ndërsa vetë shkonin prapa tyre. Tani ishte numër i madh i tyre dhe nuk u dalin përpara deri në Krypimeh. Kur vijnë në Krypimeh, Uka me xhanarë të tjerë ishin pozicionuar dhe sulmohen bullgarët. Këtu ka mbetur togu i bullgarëve qysh ka qenë. Prej Krypimehi kanë dalë tek Guri i Bardhë, ku kanë luftuar fyt më fyt me rusë edhe bullgarë, ndërsa serbë ka pasë më pak. Kjo ka ndodhur me rastin e thyerjesë së Gjermanisë.
Mbas kapitullimit të Gjermanisë, Uka dhe shumë të tjerë që kishin qenë përkrahës të tyre e që kishin luftuar kundër forcave ruse, bullgare e serbe, mbesin në mal dhe vazhdojnë jetën e tyre prej kaçakut.
Të Grykës së Mavriqit në mal kanë qenë: Ukë e Tal Mavriqi, Sali, Sejdi e Avdi Tashefci, Meha i Kadrisë nga Pakashtica, Mujë Monolli, ndërsa nga Dobërdoli, Behram Dobërdoli. Ka pas edhe të tjerë që kishin ikur prej brigadave partizane por ata kanë qëndruar më pak. Kanë qëndruar pastaj në Shalën e Bajgorës. Atje kishin qenë tubuar rreth 300 kaçakë dhe po mendonin të shkonin për në Greqi. Mbasi tubohen, po i thonin njëri tjetrit që të prinin. Uka u kishte thënë: “Na prini deri përtej Sitnicës, se ju e njihni terenin ma mirë. Le të prijë ose Ukshin Kovaçica ose Ahmet Selaci. Aty e andej unë e di terenin dhe kam me ju pri deri në Maqedoni se atje kam kryer shkollën.” Ahmet Selaci nuk dëgjonte mirë. Ai i thotë Ukës: ”Unë po prij, po ti me ardhë mbas meje, aty ngat. Nëse bajmë me ra në pritë dikund, mos më folë, veç më gjuen me diçka, sepse nuk ndiej mirë:”
Bëhen rresht për t’ u nisur. Kur po duan të nisen, Ahmet Selaci thotë: ”O vllazni koka ky dhe i amël, tybe n’muj me ardhë!” Imer Selaci, kusheri i tij, ia kish pas shti pushkën edhe i bërtet:”O, kurva plakë, na preve tanve, bre!”
Atëherë një nëse ndalej, as të tjerët nuk kanë guxuar të nisen, duke mos i besuar se ai që do të mbetet do t’u trgonte të tjerëve. Aty janë thyer dhe është prishur marrëveshja për të shkuar në Greqi. Thonë se dimni gati po na ze. Ahmet Selaci kish pas thënë: “Unë kam me e çlirue Mitrovicën!” Ukshin Kovaçica thotë: “Unë kam me e çlirua Stantërgun dhe Vushtrrinë.” Ukë Mavriqit i kishin thënë që ta çlironte Podujevën.
Uka u kish thënë: “Mosni, se nuk mujmë me luftue, se une e çliroj për 24 orë Podujevën, veç deri t’i çlironi ju Mitrovicen edhe Vushtrrinë une nuk po marrë në qafë robë e thmi, se shkojnë posht krejt.” Mësyhen. Kur vijnë në Qafë të Kaqanollit u dalin përpara llapjanët dhe u thonë: “Mosni, bre sytë ju plaqin, se shkojmë krejt posht e marojmë.” Në Mitrovicë2 e Vushtrri niset lufta. Kur niset lufta, Ukshini lyp ndihmë. Kthehen e shkojnë edhe luftojnë krah për krah me Ukshinin, deri sa u detyrua të ngujohet në shpellë3, e këta të tjerët shpërndahen dikush andej e dikush këndej, duke ia mbajtur secili kah vendi i vetë. Ukshini dhe Ahmeti kishin qenë vrarë, ka pasë edhe të tjerë të vrarë e disa kanë qenë dorëzuar.
Mbesin kaçakët e Llapit dhe Grykës së Mavriqit, po mendojnë se si të veprojnë. Uka u thotë: “Dorzonu ju, se sa t’jam une n’mal, juve nuk guxojnë me ju ba kurgja.” Dorzohen Sejdi e Avdi Tashevci, Meha i Kadrisë, Mujë Monolli, Tali e të tjerë. Në mal mbesin tre veta: Ukë Mavriqi, Sali Tashevci e Behram Dobërdoli, duke thënë se kurrë nuk dorzohemi. Mbesin edhe një motmot mbas tyre në mal. Pushteti nuk po mund t’u binte në gjurmë. Kanë luftuar te Kisha e Reçicës, kanë luftuar te Kroni i Tashefcit, ku kanë qenë vrarë 7-8 ushtarë serbë. Kanë luftuar edhe në tri- katër vende tjera. Të tretë kishin qenë trima deri në fund.
Pushteti, duke parë se nuk po mund t’i zinte as në verë e as në dimër, shkojnë edhe i marin në lagjet e tyre nga një burrë nëpër shtëpi.
Hajdi, thonë, se te Musinca janë dikund kaçakët e kini me i gjetë! – shkojnë e i shtijnë nëpër borë andej e këndej, por nuk i gjejnë, sepse edhe nuk ishin atje. Hajdar Mavriqi vëllai i Ukës u kishte thënë:
Mos e merrni në qafë krejt këtë popull për vlla tem, se me kanë me ditë dikush diçka, kisha me ditë une, po tybe nuk e di ku e kam vllaun. – Hajdarin e kishin pas shti për ujë të ftohtë atë natë, qysh ka qenë. Më në fund u japin afat një javë që t’i gjejnë dhe të tregojnë se ku janë kaçakët.
Shkoni te shpia, thonë, kujtonu. Nuk bien në dorë, kini me ardhë dy mahallët me robë e me thmi e me krejtë në Podujevë! – këta ishin të OZN-ës. Për Behramin nuk dinin se a ishte gjallë, disa thonin se edhe kishte humbur. Nuk dinin se si t’i gjenin. E ëma e Ukës e kishte ditur pak nga që i kishte treguar Uka se kur të duash të dish për mua se ku jam, pyete Brahimin e Ramës. Ai Brahimi ka qenë që i kishte vdekur gruaja dhe kishte pas mbetur vetëm me disa fëmijë të vegjël, të cilët nuk dinin të tregonin, prandaj me të ishin të lirë dhe i besonin. Ai u jepte bukë.
Ata kishin qëndruar në një çufrrajë nja 300-400 metra larg shtëpisë së Brahimit, rrëzë një përroi, ku gjurmët e lëvizjeve të tyre humbnin prej kafshëve, që të mos hetoheshin. Shkon Hajdari dhe e vetë nënën e Uksë se a dinë gjë për Ukën se ku rri. Ajo i thotë të shkojë te Brahimi edhe ta pyeste. Shkojnë dy vëllezërit e Ukës te Brahimi dhe e pyesin. Brahimi para se t’u tregonte këtyre duhet të bisedonte me Ukën, që të marrë mendimin e tij se pranon t’u tregojë vëllezërve të tij apo jo. Prandaj ai u thotë që nesër do t’u tregonte. Brahimi i tregon Ukës. Uka i thotë që të vinte Hajdari edhe do të bisedonte me të. Të nesërmen shkon Hajdari tek Uka, Uka i thotë:
– Shko, thot, thuej Selim Obrançës edhe Luba Gjykiqit, të vijnë e të bisedojnë me mue. N’koftë që m’i plotsojnë kushtet, mirë. Perndryshe, i gjallë kurrë nuk bie në dorë.
Shkon e bisedon Hajdari me Selimin edhe me Lubën.
– Po, i thonë ata. E lamë të takohemi në odë të Bislim Potokut për me bisedue. Vijnë në odë të Bislimit. Bisedojnë. Uka po u thotë:
– Me besë po bie në dorë për mos me m’i ngjit çka s’i kam ba; mos me m’sha e mos me m’ra. Nëse m’i plotsoni kto tri kushte, unë po dorzohem.
Ja dhanë besën qi as s’kemi me t’i ngjitë, as skemi me të sha e as me të ra. Pra, nashta me tjera mënyra të munojnë, edhe me ra në dorë.
Une me ra në dorë po bie me qito kushte. A me ardh me m’i marrë antarët e familjes, njet e kam pasë me jau nxan ni ngushticë edhe e kom pas ndërmend mos me e lshue as nja t’gjallë pej juve.
Ua dhanë tri ditë afat të shkojnë në familjet e tyre për t’u shmallë, ndërsa mbas tri ditësh mbeti që të shkojnë e të dorëzohen në Pollatë. Atë natë erdhi në shtëpi. Erdhën vëllezëit e Ukës të gjithë: Hashimi, Hajdari, Sallahi, Ilazi, Hasani e po bisedojnë. Vëllezërit po i thonë:
– Ukë, mos bjer në dorë se kanë me t’gri si duhanin edhe as gjenazen s’kemi me mujt me ta gjetë. Kanë me t’ba copa –copa! Krejt le të desim na robt, e mos bjer në dorë!
– Jo bre Hajdar! Do të bahna kurban i ktyne thmive edhe i ktyne bijve të miqve tanë që i kemi për fisi, që na i kanë dhanë, për mos me i çue para shkau, unë do të bie në dorë. Qysh e ka ba Zoti emër qashtu ka me u ba. Të gjithë kishin qajtur atë mbrëmje, me vëllezërit e me krejtë. Shkoi atë natë prap në mal, se nuk besonte. Të nesërmen erdhi prapë e ndejti me të gjithë, ndërsa të pasnesërmen shkoi e u dorzua vetë në Pollatë.
Prej Pollates e çuan në Podujevë me saj, se borë ishte. Nga Podujeva e çuan në Prishtinë. Këta të tre: Uka, Salihi e Behrami u gjykuan nga gjyqi ushtarak. Ishin thirrur edhe familjet e tyre që të prezentojnë në gjykim. Gjykatësi po pyet:
– Ukë, për çka ke luftue?
– Unë kam luftue, tha, për qat shkam që je ulun ti. Pra, une s’kam mujt me e nxan, po masi e ke nxan ti, ja pafsh hajrin.
– Ukë kam nie qi je kanë shejtar i fortë.
– Vallahi, veç çka s’kam mujt e çka s’kam ditë. Edhe ti, tha, kie dikë ma të madh që duhet të zbatosh urdhnat e tij. Me të dhanë urdhën për luftë, ti a beson se s’po t’vret ai tjetri mos me i’a majt ti? Ja kam majt, tha, sa kam mujt.
– Mirë, tha Ukë, pra. Po ku ke hangër bukë? Kush të ka dhanë bukë e kah ke hangër?
– U-h-a, sa mullijt janë Reks t’Majancit, sa Reks t’Dobratinit, sa Reks t’Revuçit, sa Reks t’Pakashticës, sa Reks t’Mavriqit! N’tana mulliet jam shkue e kam marrë qysh ka pas drithë në kosh t’mullinit ashtu kam marrë miell në magje të mullinit; kur ka pas shumë drithë në kosh – edhe miell kum marrë ma shumë po kur n’kosh ka pas drithë pak edhe miell kam marë ma pak.
– I paske viedh hallkun, tha gjykatësi!
Mbasi u krye gjykimi, gjykaëtsit dolën. Kur u kthyen, i thanë:
– Ukë, çou e falenderoju fotografisë së Titos që nuk po të dënon me pushkatim, por po të dënon me vjet, vet Marshali!
– Kurrë deri sod s’ja kam shtre dorën, tha, pos Zotit qi m’ka falë e as sod nuk ia shtrij dorën kurkuj!
Tri herë i thanë çhou, duke iu lutur edhe familjarët.
– Kurrë nuk i nënshtrohna pushtetit serb! – përgjigjet Ukë Mavriqi.
– Ukë, tha, i merr 12 vjet burg të rëndë!
– Pesë pare, tha Uka, nuk i jepi!
Salihin e dënuen shtatë vjet, Behramin gjashtë vjet.
Prej Prishtine e kanë çue në Nish ku i ka mbajtur dy vjet burg, dy vjet i ka mbajtur në Mitrovicë të Sremit, dy vjet i ka mbajtur në Beoçin. Mbas tetë vjet e gjysmë vuajtjeje burgu të dënimit, erdhi në shtëpi. Jetoi deri në vitin 1973, vdiq në moshën 85 vjeçare çka do të thotë se ai ka lindur në vitin 1888.
Mbas veti la tre djem: Rexhepin, … dhe Ahmetin.
Pat thënë 14 ditë në qeli ka ndejtë pa hangër bugë, vetëm me një kilogram sheqer qe i kishte qëlluar dhe ujë. Kur i kishte pyetur Uka pse kështu më lini pa hangër, të burgut i ishinë përgjigjur se nuk ka qenë një nga kushtet që kishte kërkuar para se të dorzohej.
Podujevë Marrë nga inçizimi në kasetë të
1. I. 2006 kasetofonit, inçizuar prej birit të
Ukë Mavriqit – Rexhepit
Ukë Mavriqi e vret shkaun në Kralevë!
Uka e vret shkaun çetnik në Kralevë gjatë kohës sa po shërbente në ushtrinë e Jugosllavisë serbo-kroato-sllovene. Mbasi e vret shkaun, e dërgojnë në Shkup. Nuk ishte dënuar fare për të. Përkundrazi, Uka si një ushtar i mirë që ishte treguar e shumë i shkathët, gjatë shërbimit ushtarak, kishte marrë edhe grada në shkollimin ushtarak.
(Nga Jahir Potoku, 27. VII. 2007)
Me okupimin e Podujevës me rrethinë nga Armata II Bullgare, nga Divizioni XXII i UNÇJ-së, nga Brigada V e UNÇ të Kosovës dhe nga Batalioni “Meto Bajraktari” më 8 nëntor 1944, mund të thuhet se rajoni i Llapit ishte ripushtuar tash e sa herë nga forcat dhe ushtritë sllave – serbe, bullgare e ruse, që më pas ishin burgosur të gjithë njerëzit më të njohur të Llapit, të cilët ishin dorëzuar tek organet e pushtetit. Për këta njerëz të njohur, që kishin luftuar për liri, për Shqipëri më pak se Etnike (sepse Shqipëria Etnike do të përfshinte territoret deri në Nish, pra të kohës së para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878) ishin formuar burgje shpejt e shpejt, në të cilat kishin gjetur vdekjen pa u gjykuar fare më se 500 burra shqiptarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Jahja Fusha, nënprefekti i Nënprefekturës së Llapit.
Prandaj, mosdorëzimi i atyre pak kaçakëve menjëherë pas formimit të pushtetit sllavo-komunist, kishte qenë i qëlluar, sepse uji ishte ende shumë më i turbullt. Kështu kishte vepruar Ukë Mavriqi me disa shokë, të cilët për më shumë se tri vjet pas konsolidimit të këtij pushteti, nuk ishte dorëzuar, po edhe nuk mundin t‘i kapnin, derisa “pushteti” po donte t’ua mirrte anëtarët e familjes. Po edhe kështu, tani ata nuk dënohen me vdekje, por vetëm me burg, të cilët kishin arritur ta vuanin dhe të jetonin sërish në gjirin e familjeve të tyre.
Me Ukën ishin edhe Salih Tashefci e Behram Dobërdoli, etj.
Nga 25 tetori deri më 2 nëntor 1944 në vijën kufitare Përpellac-Merdar-Podujevë-Orllan-Lluzhan ishin dy regjimente gjermane me tanksa, të cilat mbronin kufirin me Serbinë. Bashkë me gjermanë luftonin edhe forcat vullnetare shqiptare me rreth5.000 luftëtarë. Komandant i tyre ishte Jahë Fusha, por në mesin komandanëve të tjerë shquhej edhe Ukë Mavriqi.
(Prof. Dr. Fehmi Pushkolli: “Llapi gjatë historisë”, faqe 188.)
Divizioni XXIV i UNÇJ-së nga 24-28 tetor të vitit 1944 e shpërtheu vijën e frontit në jug të Gurit të Uglarit dhe pushtoi fshatrat veriore.Depërtoi në Pakashticë-Kaçanuell-Majë të Mprehtë. Vullnetarët shqiptarë, Brigada e Ukshin Kovaçicës,Bataloni “Hasan Prishtina” dhe një grup luftëtarësh në krye me Aziz Zhilivodën, kaluan në sulm dhe i shkatërruan forcat e UNÇJ-së. Luftëra të përgjakshme u zhvilluan edhe në Kaçanuell dhe Dobratin Divizioni XXIV arriti të tërhiqej me 300-400 veta përtej kufirit. Këtë e zëvendësoi Divizioni XXII i UNÇJ-së. Me dhjetëra oficerë bullgarë u pushkatuan nga oficerët rusë për shkak se ata ër 10 ditë arritën të pushtojnë vetëm Merdarin.
(po aty, faqe 188 dhe 189)
Më se dhjetë vende janë të shënuara si varre kolektive të shqiptarëve të pushkatuar nga brigadat serbe.
Varret e të pushkatuarve në Podujevë nuk dihen.
E qindra u mbytën në Pusat e Surkishit dhe vende të tjera.
Edhe pas pushtimit të trevës së Llapit, shqiptarët vazhduan reziztuan rezistencën e armatosur në formë grupesh siç ishin: Grupi i Bahtir Dumnicës, Grupi i Shahin Gërdovcit, Grupi i Musli Dumoshit, Frupi i Ade,m Selimit, Grupi i Maliq Pushkolit, Grupi i Adem Gashit dhe Ismail Thaqit dhe Grupi i Ukë Mavriqit. Ky grup kur ishte formuar kishte pasur 100 luftëtarë. Luftoi deri në vitin 1946, kur u shpërnda grupi i tijë, ndërsa Uka u dorzua një vitë më vonë, nga fundi i vitin 1947. U dënua me 12 vjet burg.
Ukë Mavriqi ishte komandant i Xhandarmërisë shqiptare në Pollatë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
* Ukë Mavriqi kishte formuar grupin e tij, i cili kishte për qëllim të luftonte komunizmin dhe të bashkëpunonte me paretitë dhe organizatat që ishin formuar në Kosovë dhe vepronin për të mirën e saj për pengimin e vendosjes së “pushtetit popullor” në Kosovë4. Ky, në vitin 1946 gjendej në male me Zymer Shajkofcin e me Musli Dumoshin5.
Gjatë gjykimit të Ukë Mavriqit6, shihet se ai është i denoncuar edhe si plaçkitës i pasurisë së disa familjeve serbe në Bajçinë, prej një Rdisavleviqit (emri i palexueshëm nga vula e nënshkrimi) më 10 shkurt 1947. Akuzohet se i paska marrë 6 copë lopë dhe 25 shtjerra e dele ku kanë pasur kohë të plaçkisin luftëtarët shqiptarë aso kohe dhe ku kanë pasur t’i dërgojnë ato. Më në fund kjo ka qenë kohë lufte. Shtëpia edhe nëse i është djegur, serbët kan’ë djegur jo vetëm shtëpi, po edhe njerëz meë gra, pleq e fëmijë!
Dëshmitarët nuk e vërtetojnë atë që kërkon Radosavleviqi. Por një gjë vërtetohet këtu se bullgarët e serbët ishin kundër shqiptarëve, deri sa serbët nuk gjenden në luftë kundër bullgarëve. Ata janë gjendur në çdo vend v etëm pas luftës dhe kanë përvetësuar pastaj fitoren e shqiptarëve.
Por, këtu, nga kjo akuzë, mësojmë se lufta mes shqiptarëve dhe bullgarëve në Doratin është zhvilluar më 28 tetor 1944 dhe bullgarët kanë pësuar disfatë. Në këtë luftë ka marrë pjesë edhe Mehmet Kadri mehmeti nga Pakashtica.
Është për t’u cekur se shqiptarët, që po luftonin për të derjtat dhe liritë e tyre, nga pushteti dhe mbajtja e gjaykimit, quhen fashistë! Vallë, mund të jetë fashistë ai që lufton për lirinë e vendit dhe popullit të tij, apo ai që përpiqet dhe luftron për të rob’ëruar vende dhe popuj të tjerë?
Forcën, luftën dhe trimërinë e Ukë Mavriqit, Sali Ukës nga Potoku dhe Bajram Dobërdolit, e tregon vetë Dushan Jovanoviqi nga Zakuti, një armik i përbetuar i shqiptarëve, i cili, me sa ka mundur, ka rrahur, plaçkitur e ndoshta edhe vrarë shqiptarët.
Ky, duke e akuzuar Ukë Mavriqin, rrëfen shumë bukur se si nga ky trim dhe luftëtarët e tij kanë qenë thyer keqas çetnikët baullgarë dhe serbë në kufi të Rrethit të Llapit dhe Kosaonicës në mes datave 31 tetor dhe 4 nëntor 1944. Me rastin e tërheqjes së forcave çetnike, duke u ndjekur prej forcave shqiptare, ankohet se i janë vjedhur 86 copë dele, 20 lopë, dy makina qepëse dhe ka demoluar shtëpinë, dyert, ka marrë rrypa makinash e gjëra tjera. Por, nuk tregon ky se këtë pasuri e kishte plaçkitur nga shqiptarët, kur ata kishin lëshuar shtëpitë e tyre me invadimin çetnikëve në fshatrat kufitare me Serbinë.
Një akuzë e rëndë vjen nga Grujiçiq Dragomiri Dobratinit, i cili akuzon për vrasje të shumfishta. Këtu është edhe trimi i Repës, për të cilin nuk kmei shkruar asnjëherë, Avdi Tashefci. Këtu është edhe Aziz Zhilivoda, i cili, pamëshirshëm vret edhe nusen e Grujiçiqit, siç thotë ky, shtatzënë prej tre muajsh. Kjo ka ndodhur më 28 dhe 30 tetor 1944.
Mirëpo, për të dyshuar se ka pasur edhe trillime, tregon data 10 shkurt 1947, se ata nuk janë ankuar deri sa është dorëzuar Uka, për çka, kanë pasur kohë edhe më përpara të akuzojnë, sa ai ka qenë në mal.
Komandanti kryesor i fashistëve shqiptarë ka qenë Ukë Ahmeti (Mavriqi, G.M.) me ndihmën e Hamzë Eminit nga Krypimehi dhe të Bajram Rrahmanit nga Dobërdoli kanë plaçkitur 86 dele. 20 lopë, dy makina qepëse, një qerre hekuri, ka marrë rroba të ndryshme, akuzon Dushan Jovanboviq nga Zakuti, duke dhënë edhe emrat e dëshmitarëve, por që nuk kanë dëshmuar. Dëshmia e tij është paraqitur më 10 shkurt 1947. Ai shkruan se trupat e Ukë Mavriqit7 kishin luftuar për pesë ditë radhazi me trupat bullgare dhe serbe, i cili i kishte zbrapsur ato. Lufta ishte zhvilluar nga 31 tetor deri më 4 nëntor 1944 në fshatin Dobratin dhe Zakut.
Na shkon mendja se përse nuk kishin paraqitur Ukën serbët më përpara se të dorëzohej ai, dhe, përfundojmë se ose i kanë pasur frikën deri sa ai ka qenë’ në mal, ose shumë gjëra i kanë trilluar, sepse plaçkën Uka nuk ka pasaur kohë ta bartë me vete maleve , duke luftuar. Do të ishte krejt nortmale sikur të paraqitnin se ua ka marrë nga një lopë a dele për ta prerë’ e për t’u ushqyer me to. Mirëpo meë 86 dele, me 20 lopë e të tjera, kjo nuk shkon.
Çka është edhe më e pabesueshme, kur një serb nga Cecelia e ngarkon se i kishin marrë edhe dy derra! Po, nuk ka qenë Uka e as luftëtarët e tij që marrin derra. Derrat edhe vetëm po t’i kishin prekur nuk do të kishin mundur. Ata nuk kanë ngrënë mishin e derrit, as e kultivojnë atë.
Ankimet kundër Ukë Mavriqit nuk përfundojnë vetëm nga serbët e trevës së Llapit, por ato zgjërohen mbas dorëzimit të tij edhe nga serbë të Vushtrrisë. Këta deklarojnë se ai kishte shkuar andej si komandant dhe në bashkëpunim me Sherif Tërstenën mdhe tridhjetë të tjerë, kishin plaçkitur me sa vijon: 4 palë kuaj, një palë qe, dy derra(!), tetë koshere bletë, dy qerre komplet.
Gjithashtu, e kanë rrahur gjatë plaçkitjes Risa radenkoviqin nga Sllakovci. Gjithashtu na kanë terrorizuar sa gati kemi vdekur nga frika prej britmave të tyre.
Përveç kësaj, ai ka qëndruar gati një muaj këtu dhe na është dashur t’ia dërgojmë edhe ushqimin, si për vete, ashtu edhe për njerëzit e tij nga shtëpitë tona.
Se kjo është kështu, mund të pyesni të gjithë fshatin dhe fshatin Ceceli.
Ne këtë e paraqesim si të saktë dhe e padisim që të japë përgjegjësi.
Ne nuk dimë shkrimlexim, por e paraqesim si tonën, mbasi është lexuar, me dhënien e gishtrinjve:
Dara Radenkoviq – me gisht
Borka Trifunoviq – me gisht
Danka Kostiq – me gisht
Ruzha Zhiviq – me gisht, të gjithë nga fshati Sllakovc.
Si të vërtetë e vërteton Mil. Llekiq, pason nënshkrimi.
Ukë Mavriqi ka bashkëpunuar me “bandat” e Ahmet Selacit, Osman Bunjakut, Jusuf Boletinit e të tjerë. Ka marrë pjesë në Konferencëne Kovaçicës, ku është formuar Divizioni i Ibrit, në krye me Ahmet Selacin.
Uka ka marrë pjesë në pushkatimin e tre anëtarëve të familjes Gruiqiq, sipas akuzës së Grujiqiq dragomira.
Prej kur ka dalë në mal, nga dhjetori 1944, ai ka qenë në krye të bandës në terrenin e tij. Ai ka qenë lidhur edhe me çetnikun Jovana Koprivice dhe njerëzit e tij. Ka pasur lidhje me Ahmet Selacin dhe ka qenë i propozuar për komandant të Divizionit “Ibri”. Ka marrë pjesë në mbledhjet e ballistëve Ahmet Selaci, Ukshin kovaçica, Asman Bunjaku, etj.
Sali Uka, nga Potoku, me profesion bujk. Ka qenë pak kohë kmet gjatë Jugosllavisë së vjetër. Gjhatë kohës së ukupimit, gati tërë kohën ka qenë xhandar. Ai rregullisht është kthyer tek Ukë Ahmeti (Mavriqi) dhe përmes tij ai është lidhur me ballistët e rretheve tjera. Ka marrë pjesë në Mbledhjet e Ballistëve me Ukën. Ai ka marrë pjesë bashkë me Ukën në vrasjen e një polici në Komunën e Pollatës, Qazim Ferizit, për të cilin nuk shkruan më shumë se kush e nga ishte.
Dhe, jo që u është dhimbsur Qazimi serbëve, por këtë e bëjnë sa për ta ngarkuar Ukën, e ndoshta edhe nga vetë serbët është vrarë! Kur ua lyp puna, ata e vrasin dhe e qajnë pastaj, për ta liruar veten nga vepra dhe për ta ngarkuar tjetrin.
E Sali Tashefci (Uka) ka qenë trrim i qartur, thonë, edhe ai. Nuk ka ditur se çka është frika fare kurrë. Bashkë me ta përmendet dhe ka qenë edhe Avdi Tashefci, por këtu na del me mbimrin Avdi Aliu nga Repa, si dhe Mehmet Kadri Mehmeti nga Pakashtica.
Bajram Rrahmani, nga Dobërdoli, me profesion bujk. Gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër ka qenë mullis. Gjatë kohës së okupimit ka qenë në shërbim të armikut, për çka e ka bartur edhe pushkën lirshëm dhe prej tij ka qenë frikësuar populli i tërë nga fshati mi tij dhe rrethina. Ka marrë pjesë në shumë plaçkitje, edhe me Ukë Ahmetin. Gjithashtu, ka marrë pjesë edhe në vrasjen e njerëzve, siç shihet nga akuzat e paraqitura nga dëshmitarët. Bashkë me ballistët e tjerë ka marrë pjesë në mbledhjet e tyre në Rrethin e Llapit dhe të rretheve të tjera. (za odeljenje – poruçnik: Dushan V. Popoviq). Vërtet ia kanë pasur frikë’n serbët, sa vetëm kur e kanë parë, thon., gati-gati këmbët i kanë lëshuar serbët nga frika.
KUJTESË PËR UKË MAVRIQIN8
Pyetje: Kush nga Mavriqi bëri marrëveshjen e protokollit me Kostë Vojvodën për ta luftuar armikun e përbashkët, bullgarët dhe serbët e shqiptarët që e përkrahnin armikun, fjala është për bullgarët?
Fazli Sylejmani: Diku në vitin 1916-17 është bërë një Marrëveshje e tillë, për të cilën më ka lënë kujtesën Ukë Mavriqi – pjesëmarrës i nënshkrimit të Marrëveshjes.
Nga pala shqiptare kanë qenë nënshkrues të mbrojtjes:
Osman Pollata
Ukë Mavriqi,
Avdi Ramoca,
Hamit Ramoca,
Ismail Potoku
Ndërsa për palën serbe, nënshkrues ka qenë vetëm Kostë Vojvoda. Kjo ishte bërë me qëllim të luftimit të sundimit bullgar në vitin 1917. Në vitin 1918 në fshat vijnë 300 xhandarë dhe e kërkojnë kryetarin e fshatit, Sherif Rrahimin për t’ju siguruar shtroje e mbulojë për atë natë xhandarëve. Kur dëgjon këtë Ukë Mavriqi, shkon te komandanti i xhandarmërisë.
Në buzë të mbrëmjes, Uka armatoset mirë dhe shkon e hyn brenda tek komandanti. Me ta parë Ukën komandanti – i bie të fikët, ishte komandant një Boshku i Obrançës dhe Bozhidari i Merdarit. Mbasi i kalon të fiktit, Uka ia qet përpara Marrëveshjen e nënshkruar nga Kostë Vojvoda nga pala serbe dhe i tha që të jetë në dijeni se ne kemi Marrëveshjen të nënshkruar për luftë të përbashkët kundër bullgarëve, duke i thënë që ta lexojë një pikë të marrëveshjes, ku shkruante: “Mbas dëbimit të bullgarëve, serbët do ta kenë pushtetin ku janë shumicë, ndërsa aty ku janë shumicë shqiptarët – pushtetin do ta kenë shqiptarët dhe se Mavriqi ka për ta formuar xhandarmërinë nga shqiptarët dhe obligohen të dy palët që të mos shkelet Marrëveshja.
Duke e lexuar Marrëveshjen komandanti, një xhandar hyn brenda, i cili e lajmëron se Azem Bejta ishte në Murgullë. Pas konsultimeve u vendos që komandën e xhandarmërisë ta marrë Ukë Mavriqi. Boshku i Obrançës pranoi. Uka i merr xhandarët dhe i qet në Brezovan të Sylevicës. Endet me ta atje tërë natën, po nuk i çon në Murgullë, sepse Uka ishte në marrëveshje me Osman Pollatën dhe me Azem bejtën, që ishte bërë në fshatrat e Kollashinit në mes Azem Bejtës e Kostë Vojovodës, ku Kosta kishte marrë për obligim sigurimin e armëve në Serbi dhe t’ia dërgonte Azem Bejtës për ushtarët e tij. Ndërmjetës i kësaj Marrëveshjeje ishte edhe Osman Pollata, sepse armët duhej kaluar përmes Mavriqit me qerre që të shkonin në Shalë dhe Drenicë.
Të nesërmen Uka me xhandarë kaloi në fshatin Pakashticë e Dobratin. Në Dobratin, xhandarët serbë filluan t’i dalin Ukës nga kontrolli.
Uka që tani komandonte, i ardhi urdhëri të shkonte në Murgullë. Në Pollatë e kishin lidhur tregtarin Xhamajl Hanxhiun, kur dëgjoi Uka urdhëroi që menjëherë ta zgjidhin dhe ashtu ndodhi. Kur kalon Uka në Krypimeh, pa që 12 kazana mish po i zienin për xhandarët. Aty e sheh një shka që e kishte rrahur Uka në Pakashticë më herët deri në alivanosje. Shkau e njohu dhe menjëherë iu vërsul Ukës. Uka ishte i fuqishëm dhe në përlarje e sipër e gjuan shkaun në kazan që iahte duke vluar dhe ikë në drejtim të Zakutit. Aty e ndalon xhandarmëria dhe komandanti i asaj zone, thotë …9
REFERENCA:
1. Ndodh të ketë qenë ndoshta Adem Voca.
2. Mbase duhet të jetë këtu fjala për kohën mbasi Komanda ushtarake e Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishte shpërndarë më 17 nëntor të vitit 1944 dhe mbasi Xhafer Deva ishte larguar nga Mitrovica për në Austri së bashku me ushtrinë gjermane Me gjasë mbasi Adem Voca kishte filluar bisedimet me Fadil Hoxhën dhe Miladin Popoviqin për formimin e organeve të pushtetit shqiptar në Kosovë. Bisedimet kishin dështuar dhe për këtë arsye ishte ftuar në Vidishiq paria e Llapit dhe e Shalës. Kuvendi i Vidishiqit u mbajt më 22 janar 1945 dhe në të u vendos të sulmohen dhe të shlirohen Mitrovica dhe Vushtrria. Në këtë kohë në Shalë nga Llapi erdhi edhe Mehmet Gradica me rreth 400 luftëtarë. Brigadat e Adem Vocës bashkë me Mehmet Gradicën e sulmuan Mitrovicën natën mes 26 e 27 janarit të vitit 1945, me rreth 1500 luftëtarë, këtu si komandant ishte edhe Ahmet Selaci, mirëpo, nuk arritën të depërtojnë në qytet. U tërhoqën me humbje. Aty mbetën të vrarë, përveç të tjerëve, rreth 30 Llapjanë.
Ukshin Kovaçica ishte duke përgatitur luftëtarët për të sulmuar Vushtrrinë, por me 27 janar 1945 e rrethuan në kullën e tij në Kovaçicë dhe luftoi deri më 4 shkurt 1945, kur e shpërtheu rrethimin dhe doli nga kulla. Në luftë kundër Ukshinit mbetën të vrarë, të humbur, apo të ngrirë rreth 700 partizanë të Brigadës 27 Serbe dhe Brigadës 25 Serbe të divizionit 46 të UNÇJ-së. (marrë nga AIUH, K-27, dok.316, (Brigada 27 Serbe) – Llapi Gjatë Historisë, f.190).
3. Këtu duhet të jetë fjala për ngujimin e tij në kullë e jo në shpellë. Me gjasë bëhet fjalë për datën e 27 janarit e deri më 4 shkurt 1945. Shihet se këtu nuk është vrarë Ukshin Kovaçica.
4. Adem Ajvazi, prof. : MULLA RAMË GOVORI, Podujevë, 2005, faqe 153.
5. Po aty, faqe 159.
6. Nga Aktgjykimi i Ukë Sylejmanit (Mavriqit) në gjyqin ushtarak në Prishtinë në vitin 1947, marrë në Arkivin e Kosovës.
7. Ukë Mavriqi thirret me mbiemrin Sylejmani, por ai nihej vetëm si Ukë Mavriqi, sipas rajonit nga ishte ai, që në realitet ai ishte nga fshati Dvorishtë, po askush nuk e njeh as si Ukë Dvorishta, bile, as që dinin për Dvorishtën shumica, sepse Dvorishta si edhe fshatrat tjera Reçica, Sllatina, Potoku e Pollata i takojnë Mavriqit me një fjalë, apo me një emër. Pikërisht për këtë, edhe ne as që ia kemi cekur diku mbiemrin, por vetëm si Mavriq, e kemi shkruar.
8. Shënimet janë marrë nga Abdullah Rama. Ky I ka marrë prej fazli Sylejmanit nga Dvorishta me vendbanim në Shkabaj, komuna e Kastriotit, 67 vjeçar, më 25 shtator 2004, marrë në formë interviste.
9. Për trimat është mirë të sHkruhet çdo detaj i veprimtarive të tyre, sepse ashtu na dalin më të plotë dhe se e meritojnë. Vehet në pikëpyetje se a mund të shkruhet për ta krejt ajo çka e meritojnë, që është vështirë të përmbushet.