LULJETA GJOSHA-PASHOLLARI, ME LIBRIN E TRETË POETIK…

0
487
Luljeta Pashollari - Murat Gecaj, Tiranë - 2 tetor 2019

Luljeta Gjosha-Pashollari e M.Gecaj (Tiranë, 2 tetor 2019)

(Pak radhë, nga takimi me të…)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Kishte disa kohë, që nuk e kisha takuar kolegen e miken e kahershme, poeten e njohur, Luljeta Gjosha-Pashollari… Kjo, sepse edhe ajo, nga nevojat jetësore, në këta vitet e fundit është përfshirë nga vala e emigracionit të shqiptarëve. Sa në Greqi, por dhe në Itali, ajo ka punuar e vazhdon të derdhë djersën e saj edhe pse paksa e moshuar, për të përballuar nevojat jetësore, që ka!

Por, me gjithë këto ece-jake, Luljeta nuk ka rreshtuar së shkruari poezi, një nevojë e brendshme shpirtërore e saj. Këtë gjë, lexuesit tanë e kanë vërejtur edhe nga publikimet, që ajo bën, herë pas here, në profilin Fb të saj dhe nëpër faqe të ndryshme Interneti etj.
Luljeta ka shkruar e botuar, në vite të ndryshme, librat poetikë: “Jargavanët e shpirtit” dhe “Lotët e zemrës”. Por, me merakun që t’i tubonte edhe poezitë e kohëve të fundit, ajo dërgoi në shtyp dhe kohët e fundit u publikua libri i ri poetik, me titullin, “Nën hijen e një dashurie”(Tiranë, 2019). Unë pata nderin, që këtë libër (ashtu si dhe dy të parët) ajo ma dhuroi sot, me shënimin dashamirës: “Me respekt, Profesor Murat Gecaj… Gjatë udhëtimit tim poetik, më vjen mirë që njoha një njeri më vlera ta shumta… Tiranë, 2 tetor 2019“.

Më parë, në Antologjinë nr. 2, nga 3 Antologjitë e mia, për autore krijuese, artiste e veprimtare të njohura shqiptare, kudo që ato jetojnë e punojnë në botë, kam patur kënaqësinë që të shkruaja edhe për librin e parë të Luljetës,”Jargavanët e shpirtit”. Titulli i shkrimit ishte: “Luljeta Gjosha-Pshollari: Dhimbje e mall’ i pashuar, për njeriun e zemrës…“. Ajo ia kushtonte tërë librin bashkshortit të saj, i cili e humbi jetën tragjikisht, në një aksident rrugor!? Ndërsa në Antologjinë nr. 3, “Si ujëvarë bjeshke…“(Tiranë, 2017), është botuar shkrimi i Luljetës, po për këtë ngjarje, “Rrëfim për një aksident tragjik“…

Kapakët e librit të ri, nga Luljeta Gjosha-Pashollari…

2.
Le të kthehemi, me pak radhë, të libri më i ri poetik i Luljetës, “Nën hijen e dashurisë“. Në 140 faqe, janë botuar 126 poezi të frymëzuara. Tematika e tyre është e larmishme, ashtu siç është edhe jeta njerëzore. Hyrjen e ka bërë redaktori i këtij vëllimi, Bledar Ylli. Në mbyllje, ai shprehet me këto fjalë domethënëse:

Ishte kënaqësi dhe ndjehem i nderuar, që mikja ime, Luljeta, ma besoi këtë vëllim poetik. Jam i sigurtë që, shumë nga ju, kryesisht gjinia femërore, do ta gjeni veten tuaj aty mes shkronjave, që Luljeta radhiti për ju. Ju jeni dhe kritiku më i mirë, për ta vlerësuar këtë vepër shpirtërore të Luljeta Gjosha-Pashollarit“.

Në këtë shënim të shkurtër për librin e ri të Luljetës, mund të ndaleshim gjatë, duke analizuar e shprehur mendime rreth poezive të saj. Mirëpo, po mjaftohem vetëm duke ua dhënë një strofë të njërës poezi, pra asaj që mban dhe titulli i këtij vëllimi poetik, gjithshtu, e lidhur ngusht me tematikën e dy librave të maparshëm të saj:

Pa ty, jeta më duket krejt pa vlerë;
pa ty, jam e humbur në këtë botë;
pa ty, zemra s’më rreh, si atëherë;
pa ty, çdo gjë më duket e kotë!…

…Në mbyllje, e urojmë autoren Luljeta Gjosha-Pashollari, për këtë vëllim të ri poetik dhe dëshirojmë e shpresojmë, që ajo do ta vazhdojë në këtë udhë të mbarë, krijimtarinë e saj. Gjithashtu, i urojmë shëndet e mbarësi në punë dhe fëmijët, me familjet e tyre, t’i ketë sa më të gëzuar e të lumtur në jetë!

Tiranë, 2 shtator 2019