Bisedë me Afërdita Bogiqin, kandidate për deputete në parlamentin zviceran

0
942
Afërdita Bogiqi

Zgjedhjet parlamentare në Zvicër po afrohen. Më 20 tetor votuesit zvicranë do te zgjedhin përfaqësuesit e tyre për në Parlament dhe në Senat (Dhomën e Shteteve). Materiali votues ka arritur dhe që tani mund të votohet përmes postës. Shqiptarët në Zvicër (rreth njëqind mijë me pasaportë zvicrane) nuk mund të rrijnë indiferentë ndaj këtyre zgjedhjeve. Për më tepër, një pjesë e tyre kanë zgjedhur t’i futen politikës për të qenë pjesë aktive e vendim-marrjes politike në këtë vend.

Jo të paktë, janë ata që sot janë këshilltarë komunalë dhe deputetë në nivel parlamenti kantonal. Por, deri me sot, askush nuk ka arritur te zgjidhet në parlamentin federal . A do të ndryshojë kjo me zgjedhjet e 20 tetorit 2019 ? Në vazhdim po sjellim bisedën me Afërdita Bogiqin, kandidate për deputete në parlamentin zviceran.

Një paraqitje e shkurtër e rrugëtimit tuaj ? Kush është Afërdita Bogiqi ? Formimi i saj arsimor e profesional ? Angazhimi i saj në politikë ?

Afërdita : Në përfundim të studimeve të mia pranë Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, gjatë vitit 1996 erdha dhe u vendosa në Valis me një qëllim : mësimin e gjuhës për të vazhduar studimet në Zvicër. Në të njëjtën kohë gjendja në Kosovë u përkeqsua ekonomikisht dhe politikisht. Familja ime sikur shumë familje në Kosovë, kishte nevojë për mbështetjen time financiare. Me që urgjenca ishte të kualifikohem sa me shpejtë per tregun zviceran të punës , u diplomova në shkollen komerciale në Montreux për të punuar pastaj si kontabiliste në administratën kantonale të Valais gjatë 9 viteve. Një trajnim në financa dhe kontabilitet , më ndihmoj t’i zgjeroj kompetencat në këtë fushë.

Gjatë kësaj kohe, në saje të zotërimit gjuhës frenge dhe njohjes së administratës zvicrane kantonale dhe federale, munda të ndihmojë shumë bashkatdhetarë të mi gjatë veprimeve të tyre administrative.

Në vitin 2014, përfundova një Bachelor për punë sociale (Bachelor en Travail social) në HES-SO ne Sierre ne Valis. Po të njëjtën kohë punoja 60 % si assistente sociale dhe kujdesesha per familjen time ne Zvicër dhe në Kosovë. Pas një përvoje pune 10 vjeçare si asistente sociale në qytete te ndryshme të Valisit, kam mbaruar një Master për punë sociale ne HES-SO në Lausanne.

Paralelisht me studimet et Masterit, kam kryer një DAS (Diploma of Advanced Studies) për arsim dhe ka dy vite që punoj si profesoreshë për ciklin shkollor të mesëm.

Pjesëmarrja juaj në këto zgjedhje është një dëshmi se shqiptarët në Zvicër nuk janë spektatorë indiferentë të zhivllimeve politike por se ata po bëhen pjesë aktive dhe e rëndësishme e shoqërisë zvicrane duke u përpjekur që gjithnje e më shumë të jenë pjesë e vendim-marrjes politike. Çfarë e frymëzoi Afërdita Bogiqin që të paraqitet si kandidate në këto zgjedhje ?

Afërdita : Shqiptarët jane integruar në fusha të ndryshme te jetës në Zvicër dhe kjo është një kënaqësi për mua. Megjithatë, arena politike, me disa përjashtime të vogla, mbetet hapsirë ku ata ende nuk janë të pranishëm.

Angazhimi im në politikë( i takoj krahut të majtë) ka qenë i natyrshëm pasi që edhe më parë kam qenë dhe jam e angazhuar në shoqata dhe komisione te ndryshme të nivelit lokal dhe kantonal. Edhe pse pushteti politik ne Zvicër është rezultat i një koncensusi midis partive politike të ndryshme, më pëlqen fakti te bëhem pjesë e vendimmarrjes politike në Zvicër.

Cilat janë çështjet që i keni më përzemër për tëcilat do të angazhoheni nëse zgjidheni në parlamentin federal?

Afërdita: Ajo që unë do të mbroj si politikane, janë vlerat si solidariteti dhe fakti që qytetari duhet te jetë në qendër të vëmendjes politike. Më konkretisht, e përkrah iniciativën për të kufizuar shpenzimet e sigurimeve shëndetësore në 10 % të të ardhurave. Jam që të gjithë të kenë shanse të barabarta në punësim, shkollim etj dhe jam kundër diskriminimit që u bëhet në punësim sidomos të rinjëve me origjinë të huaj e në këtë rast edhe të rinjëve shqiptarë.

Shqiptarët në Zvicër janë të shumtë që kanë dy-shetësinë e dhe si rrjedhojë edhe të drejtën e votës. Së pari, pse qytetaret shqiptaro-zvicranët duhet të votojnë në këto zgjedhje  dhe së dyti, a mund te themi, edhe pse kandidate e nje partie politike zvicrane, megjithate do të jeni një zë i shqiptarëve në parlamentin zvicran ?

Së pari, të votosh është një akt qytetar dhe kjo u mundëson qytetarëve shqiptarë-zviceranë të integrohen plotësisht në shoqërinë e këtij vendi, pra edhe në aspektin politik.
Së dyti, sa më shumë shqiptarë kompetentë të zgjidhen dhe të angazhohen në fushën politike, kjo do të kontribojë në ndërtimin e një imazhi edhe më pozitiv të shqiptarëve në Zvicër. Kjo do ndikonte në sensibilizimin e shoqërisë dhe autoriteve ndaj çështjeve të diskriminimit gjatë kërkimit të një pune, banese, regjistrimit në një shkollë si dhe në situata te tjera të përditshme.

Post scriptum

Bashkatdhetarët tanë që votojnë në Zvicër, kanë të drejtë të votojnë dy herë për të njëjtin kandidat. D.m.th një kandidati mund t’i japin dy vota.

Për këtë mjafton që ta zgjedhin listë e zbrazët dhe të shënojnë emrin e kandidadit dy herë me numrin e listës dhe numrin rendor në listën me të dhënat e shtypyra në fletë-votim ( emri, mbiemri, profesioni dhe vendbanimi).

Intervistoi : Naim Malaj