Timo Flloko: Një mendje e artë shqiptari…

0
644
Timo Flloko

Moment solemn!

Një mijëvjeçar është si krijimi:lindja dhe fundi i një bote.

Ne banorët e Globit sot jemi fatlumë, kapercejme Mijevjecarin! Breza të tërë paraardhësish, popuj e raca erdhën dhe ikën pa e prekur këtë skaj, pa mundur dot të mbërrijnë këtu; u harruan nëpër shekuj… Sa shumë gjëra u mungonin atyre, ndërkohë kur ne jetojmë nën çuditë e Elektronikës që për 900 vjet të këtij mijëvjaçari nuk ekzistonte; shfaqemi në ekrane televizive që s’mund të imagjinoheshin më parë; fluturojmë si zogjtë qiellorë, sfidojmë largësitë, hapësirat… Para 100 vjetësh do të kishim mbërritur në këtë festë me karroca me kuaj, dhe po të kishim nisur lundrimin nga Europa do të na ishin dashur muaj të tërë si Kolombit!

Çfarë krijesash do të vijnë në botë në vitet 5000, 7000…9000?!

Vallë, do të jenë transformuar fare njerëzit, do të qarkullojë në venat dha kapilarët e tyre gjak sintetik, i bardhë, pa ngjyrë, transparent?!
Do të nisen shtegtarë me shpejtësinë e dritës sipas formulës së Anshtajnit për t’u kthyer në tokë pas qindra mijëra vjetësh, pasi të jenë ndërruar breza të tërë?!

S’është çudi që një festë si kjo, pasardhësit ta kalojnë në Hënë, diku në Gjithësi… në planetin “Y” ku do të jetë zbuluar jetë(!); në një disk fluturues me Alienët; në thellësi të oqeanit a në hava… po aq sa në fantazi e në pandehje!

Kur Bill Gejtsi sot i mblodhi gjithë shkresat e botës nga raftet dhe i futi në memorjen kompjuterike, imagjinoni atëherë! Një mal dosjesh sa Himalaja mund të strehohet në një disketë që futet në xhep!

Shkenca do të shpikë në të ardhmen Fonotekën e Gjithësisë, ku çdo fjalë e thënë qysh nga krijimi i botës është ruajtur e gjallë, s’ka humbur!… S’është e madhërishme të dëgjosh Aleksandrin e Madh, Çezarin, Bonopartin se ç’kanë folur, pëshpëritur në lutjet e tyre para betejash të ashpra që kanë ndryshuar rrjedhat e historisë?!…

Por, çfarë është ngujuar në qënien e njeriut të cilën s’do të mund t’a ndryshoje as teknika më e përsosur?… Origjina!
Sot si nga maja e një mali të lartë ne hedhim vështrimin pas në histori, ku janë gdhendur fatet dhe dramat e Kombit tonë; shohim Teutën, Gentin, Skënderbeun, Ali Pashën… Duke kapërcyer kufinjtë kohorë, personaliteti i tyre shfaqet me madhështi në fundin e këtij mijëvjeçari, për të rendur në mijëvjeçarët që vijnë… Ja dëgjoni si rend kali i Skenderbeut me galop mbi Uren e Bruklinit per te cuar kryezotin e Shqiperise gjithe lavdi ne shekujt e tejme!

Historia jonë përshkohet jo vetëm nga luftrat e përgjakshme për liri por edhe nga eksodet, largimi i shtrënguar nga dëmet e luftrave, nga përndjekjet, nga varfëria…

Shqiptarët niseshin dikur nga Lugina e Lotëve drejt Amerikës. Pas vitesh kur ktheheshin i gjenin fëmijët e nisur në bark burra… Ndodhte që martoheshin, krijonin çerdhe të tjera (ndonjëherë të pashpallura)… Ktheheshin ose s’ktheheshin kurrë, mbeteshin përtej Allantikut, si përtej Urës së Qabesë!…

Por duke lënë pas të shkuarën, le të imagjinojmë se çfarë mund të na sjellë ne Shqipëtarëve e ardhmja(!).
Do të vazhdojë eksodi i Shpipëtarëve; jo për shkaqe ekonomike, politike, morale apo çfarëdo, por thjesht për forcë zakoni! Motivi kryesor i arratisë do të jetë përherë po ai: Largimi nga e Keqja duke lënë atdheun shkretan atje në brigjet e detit Adriatik, i cili do t’i jetë larguar edhe ai Shqipërisë kilometra të tërë larg. Ç’trishtim.

S’do të krijohet Kominiteti i Shqipëtarëve!
Mosmarëveshjet midis Shqipëtarëve do të vazhdojnë duke mos iu përshtatur statusit të tyre honorik si një nga popujt më të lashtë të kësaj bote.

Pra do të vazhdojnë inatet personale, shpifjet, vrasjet, mëritë, grindjet, intrigat, zilitë?! Absurdi i mospajtimit, i urrejtjes së Shqipëtarit ndaj Shqipëtarit të nxitur jo rrallëherë nga xhelozët e Kombit Shqipëtar, – do ta pushtojnë përsëri Shqiptarin, do t’i helmojnë gjakun, do t’i verbojnë vështrimin, do t’i mpijnë gjykimin, do t’i vrasin shpirtin dhe ndjesite, do t’i gjymtojnë egzistencën për t’i mohuar lashtësinë, kulturën, personalitetin?!… Të gjithë lusim Zotin që këto t’i përpijë harresa e këtij Mijëvjeçari dhe midis Shqiptarëve të mbretërojë paqja dhe mirëkuptimi!

Drejtuesi i programit të mijëvjeçarëve të ardhshëm do të shtypte butonin e Kujtesës në lashtësi dhe në sallë do të ushtonte një zë i thellë stërgjyshor si prej shpellash: Na ishte një herë e një kohë një fjalë që quhej “mall” dhe shpirti i të parëve digjej e zhuritej për atë vend të largët e të paharruar Shqipëri…

Kur erdhi para disa vitesh si i ftuar në Shqipëri një artist Amerikan dhe kërkoi të përshëndeste publikun në sallë me diçka që njerëzit t’i befasonte dhe më pyeti se cilat ishin vargjet më të bukur në shqip, unë, pa u menduar gjatë i thashë:

O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë
Fushat e gjera me lule që ju kam ndërmend ditë e natë…

Dhe ai i recitoi ato në Shqip.
Por…

Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt e kulluar
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar…
Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqipëtar
Zemrën ti ma gatove plot dëshirë e me zjarr…
Shqipëri o nëna ime, ndonse jam i mërguar
Dashurinë tënde zemra kurrë s’e ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e lë qengji kopenë
Blegërin dy a tri herë dhe ikën e merr dhenë
Ashtu dhe zemra ime më lë këtu tek jam mua,
Vjen me gas e me dëshirë atje në viset e tua.