Zymi fshati që ruan të gjallë kujtesën historike

0
587
Zymi - histori - Nue Oroshi

Nue Oroshi

Zymi është fshati i cili shtrihet në shkëmbinjët e Hasit të Prizrenit, në gjirin e secilit lidhen shumë ngjarje historike për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Meqenëse këtë vit do të mbajmë një sesion të madh shkencor më rastin e 90 vjetorit të vrasjes së at Shtjefën Gjeçovit nga pushtuesit serb vendosem ti bëjmë një vizitë për të përgatitur terenin për një organizim madhështor.Aty na priti doajeni i kulturës Frrok Kristaj.Fillimisht së bashku me mikun tim dr. Besim Morina, Frrok Kristajn dhe djalin e vëllait Ilirjan Oroshi shkuam në varrezat e fshatit Shëngjergj ku pushojnë shumë figura kombëtare që historikisht dhanë kontribut për mbrojtjen e identitetit shqiptar. Vizituam varret e at Shtjefën Gjeçovit dhe at Luigj Palajt që të dy të vrarë nga kriminelët serb për arsyen e vetme që punuan për mbrojtjen e identitetit kombëtar.

Gëzon fakti se këto varreza janë duke u meremetuar dhe së shpejti do të ndërtohen ashtu siç e meritojnë këta dy atdhetar të kombit shqiptar. Në ato varreza ishte edhe varri i shkrimtarit dhe romansierit të njohur shqiptar Anton Pashku, po ashtu aty pushonte edhe artistja shqiptare pasardhëse e familjes nacionaldemokratike shqiptare Katë Dulaj apo siç njihej me emrin artistik Katarina Josipi që ishte njëra nder themelueset e teatrit shqiptar në Kosovë. Aty pushonte edhe aktivisti dhe kryetari shumëvjeçarë i PSHDK-së në Prizren, Bibë Dulaj, i cili ishte këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit dhe krahu i djathtë i akademik Mark Krasniqit si edhe profesor shumëvjeçar në gjimnazin e Prizrenit.

Nga Zymi poashtu rrjedhin edhe dy doajenet e kultures shqiptare Nikollë Kërhanaj si dhe Frrok Kristaj. Të dy këta intelektual me vite të tëra dhanë një kontribut të çmuar me pjesëmarrje në sesionet shkencore të shoqates se intelektualëve shqiptar “Trojet e Arbrit“ duke botuar studime shumë të vlefshme për kulturën shqiptare.Ky fshat ka dhënë edhe shumë veprimtarë të tjerë duke filluar nga at Ndue Kajtazi – kryetar i shoqatës së shkrimtarëve“ At Shtjefën Gjeçovi“, veprimtarën e hershme të çështjes kombëtare Marte Prenkpalaj, themeluesi i TV Opinionit në Prizren Jozë Kolnrekaj e që tani udhëhiqet nga djali i tij Edvard Kolnrekaj dhe shumë të tjerë.

Pasi e lamë Shëngjergjin në rrugën e poshtme u ndalëm në qendër të Zymit. Aty ishte një histori e gjallë e kulturës dhe e traditës shqiptare e ruajtur më një kujdes të veçantë. Fillimisht vizituam sallën ku do të mbahet sesioni shkencor, më pas u ndalëm tek monumenti i ngritur në shenjë nderimi për strehimin 50 vjeçar të ipeshkvnisë në Zym prej vitit 1702 e deri në vitin 1752. Gjatë kësaj periudhe kohore në Zym kishin shërbyer tre Ipeshkvë duke filluar më Imzot Pjetër Karagiqi(1702-1727) duke vazhduar më Imzot Mihill Suma (1727-1743) deri tek Imzot Gjon Nikollë Kazazi (1743-1752). Vizita në Muzeun e Zymit ishte shumë mbresëlënëse aty përveç shumë shkresave dhe dokumenteve të ndryshme ishte edhe veladoni origjinal i at Shtjefën Gjeçovit, arka që e kishte at Shtjefën Gjeçovi në kishën që shërbente deri sa ishte vrarë dhe shumë eksponata të tjera.

Pastaj shkuam edhe tek monumenti i at Shtjefën Gjeçovit. Një monument shumë i bukur dhe madhështor ku mbahen edhe takimet e Gjeçovit. Kur jemi të takimet e Gjeçovit sipas të dhënave që na jep Frrok Kristaj këto takime janë takime të përvitshme dhe mbahën që nga viti 1971. Kur kanë filluar takimet e Gjeçovit kanë qenë gjallë 32 nxënësit e at Shtjefën Gjeçovit. Kurse në vitin 2006 ka vdekur edhe nxënësi i fundit. Ky memorial ende nuk është i kompletuar sepse në anën e majtë të at Shtjefën Gjeçovit pritët të vendoset Imzot Pjetër Bogdani, por edhe perkundër premtimeve që bënë Institucionet e Kosovës për vendosjen e monumentit të Imzot Pjetër Bogdanit nuk bënë asgjë përveç premtimeve të thata.Pasi e lamë monumentin e Gjeçovit një vizitë të shkurtër i bëmë edhe monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Zym që ishte një punë e mirë e skulptorit Adem Spahia. Kjo skulpurë ishte vendosur më përkrahjen financiare të mërgimtarëve të vyer të Zymit.

Zymi kishte menduar edhe për mërgimtarët e tij. Ata në qender të fshatit kishin vendosur një mbishkrim mbi një gurë ku shkruante: Guri i Mërgimtarëve. Aty në atë vend mblidheshin dhe takoheshin mërgimtaret nga Zymi dhe Shëngjergji. Kur jemi të mërgimtarët e Zymit vlen të veçohet fakti se 97% të të gjitha këtyre projekteve ishin kryer me përkrahjen financiare të mërgimtarëve zymjan të cilët kur është çështja e projekteve historike dhe kulturore ata nuk e kursejnë djersën e tyre dhe në mënyrë masive i përkrahin këto projekte.

E një mërgimtare nga Zymi Ermina Lekaj-Perlaskaj tash veqse dy mandate është deputete në Parlamentin e Kroacisë dhe është duke mbrojtur dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve në Kroaci, në mënyrë shumë intenzive. Derisa përshendetemi nga Zymi në mesin e fshatit pijmë kafët me veprimtarin Frrok Kristaj, gjeografin Hil Gjevelekaj, mikun tim dr. Besim Morina si edhe me djalin e vëllait Ilirjan Oroshi, për tu përshendetur dhe vazhduar rrugën për në Prizren për faktin se në të njëjtën ditë duhet të kthehesha sërish në Gjermani.

Ky fshat në vete bartë një pjesë të madhe të historisë shqiptare. Kemi edhe shumë zymjanë të tjerë që janë shquar dhe kanë dhënë kontribut të çmuar për çështjen shqiptare që në këto pak rrështa për shkak të natyres së shkrimit, nuk kam mundur t’i përmendi. Derisa kaloja rrugës gjarpërore në mendje më sillej vrasja e at Shtjefën Gjeçovit i cili para se të vritej kishte bërë një akademi të madhe në atë periudhë kohore me rastin e 15 vjetorit të vrasjes së at Luigj Palajt pa e ditur se vetëm disa muaj me vonë edhe ai do të vritet pabesishtë por do të bie heroikisht në mbrojtjën e qështjes shqiptare.

Derisa kalonim tatëpjetave të rrugëve gjarpërore me kujtohen vargjet e këngës se Augustin Ukajt: “mori han e dashmja han/ shtrini rrezet në katër anë /në katër anë në rras t`njaj vorrit/ ja knojmë kangën Shtjefën Gjeçovit“. E më, 30 nëntor 2019 përveç këngës shoqata “Trojet e Arbrit“ në bashkëpunim më shoqatën e shkrimtareve “Shtjefen Gjeçovi“ do të mban një sesion shkencor madhështor me rastin e vrasjes së at Shtjefën Gjeçovit, ku do të marrin pjesë studiuesit më të zgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare.