Murgesha me biçikletë…

0
780
nun-on-bicycle

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi

Bëhet fjalë për murgeshën italiane Motër Carmina Schieda, një grua që ia ka kushtuar plotësisht jetën Zotit dhe Mbretërisë së Tij nëpërmjet Kongregatës “Bijat e Zemrave të Shenjta të Jezusit e të Marisë”, ndryshe Motrat Ravasco, sepse themeluesja e Kongregatës së sipërpërmendur është pikërish Eugenia Ravasco.

Nuk mund ta kalonim në heshtje historinë dhe gjurmët që ka lënë dhe vazhdon të lërë motër Carmina këtu në Shkodër, që ditën e parë kur shkeli në tokën shqiptare, saktësisht para 24 vitesh, duke u dhuruar me gjithë shpirt për të mirën e familjeve të plagosura të kombit tonë.

Ajo u bë e famshme fillimisht si murgesha që lëviz me biçikletë sepse, duke parë nevojat e shumta që kishin familjet, fëmijët dhe të rinjtë në lagjet më të varfra të Shkodrës dhe në rrethina, e duke pasur zellin për të arritur sa më shumë persona, mësoi t’i japë biçikletës në moshën 53 vjeçare. Kush e shihte habitej: Një murgeshë që spostohet sa andej këndej me biçikletë. E shihnim vazhdimisht të ngarkuar me pako, thasë mielli, veshmbathje e të tjera për t’u ardhur në ndihmë më nevojtarëve. Disa guxojnë ta krahasojnë me Nënë Terezën e Kalkutës, por besoj se e meriton një krahasim të tillë.

Sot, në Qendrën ditore “Mbretëresha e Paqes”, që drejtohet prej motër Carmines, qysh prej fillimeve të saj, u organizua një festë e mrekullueshme nga fëmijë të Qendrës dhe fëmijë të grupimeve të tjera të Kishës, së bashku me edukatorët përkatës, me rastin e 50 vjetorit në jetën e Kushtuar të kësaj motre. Ishte një festë përsëri për të varfrit, për më të mënjanuarit, për më të përvuajturit. Një festë e thjeshtë, e bukur, modeste, ku protagonistë ishin vetë fëmijët dhe të gjithë personat e ndihmuar ndër vite nga “Murgesha me biçikletë”. Një festë pa praninë e mediave, por me praninë e një gjallërie plot jetë.

Motër Carmina Schieda aktualisht është 77 vjeçare. Në moshën 24 vjeçare hyri në Kongregatën e Motrave Ravasco, gjë që e quan një dhuratë të jashtëzakonshme nga vetë Zoti meqenëse në zonën e saj nuk kishte bashkësi murgeshash në atë periudhë. Pas një periudhe formimi siç është traditë në jetën e kushtuar në Kishë, ajo bëri Kushtet e Para, pikërisht, më 26. 08. 1967, dhe që nga ajo ditë, Murgesha nuk është penduar kurrë, por deklaron se është e lumtur që i ka thënë “po” Jezusit dhe Kishës.

50 vite dhurim dhe shërbim, 50 vite provash dhe tundimesh, 50 vite sakrificash, ferrash, por edhe plot erë të mirë për zgjerimin e Mbretërisë së Zotit. Nga këto 50 vite, pothuajse 25 i ka dhuruar për të mirën e Kombit tonë, në shërbim të lagjes më të vuajtuar dhe më të keqtrajtuar të qytetit të Shkodrës, e quajtur fusha e druve pranë stacionit të trenit.

Qindra nëna dhe baballarë i kanë besuar vuajtjet dhe lotët e tyre, mundimet e tyre dhe kanë marrë ngrohtësi dhe shërbim prej duarve të saj të rrudhosura; qindra fëmijë dhe të rinj janë edukuar me dashuri prej zemrës së saj, qindra familje kanë marrë përkrahje ekonomike dhe shpirtërore. Sa herë e shohim të lagur nga shiu dhe prapë se prapë vazhdon, sa herë e shohim që e keqkuptojnë misionin e saj, apo ndonjëherë i vënë edhe ndonjë pengesë apo i bëjnë ndonjë sherr, ajo vazhdon ndoshta pak e lodhur, por gjithnjë e buzëqeshur dhe aktive në veprën që ia ka besuar Zoti.

Në Qendrën “Mbretëresha e Paqes”, sa lutje, sa kurse gjuhësh të huaja, kurse për rrobaqepësi, kurse passhkollore, momente formimi kulturor dhe fetar të drejtuara prej saj! Kush e njeh këtë Mugeshë? Kush di për jetën e saj të dhuruar? Ndoshta edhe ajo, në përngjasim të Zojës së Bekuar dhe të themelueses së saj Eugenia Ravasco, preferon heshtjen, zgjedh sakrificën dhe jo komoditetin, troket në shumë dyer që të mund të ndihmojë sa më shumë sa më shumë të jetë e mundur.

Kur e pyesim: “Si të shkon jeta motër Carmina?”, gjithmonë përgjigjet: “Jeta është krejt e lulëzuar”.

Në imazhin që ka shpërndarë sot për të kujtuar 50 vjetorin e jetës si murgeshë, ajo ka cituar këto thënie, që sigurisht shprehin përshpirtërinë, përmbledhin zellin dhe entuziazmin e një jete plot shpresë, fe dhe dashuri:

“Për gjithçka ka qenë: Faleminderit! Për gjithçka që po jetoj: Faleminderit! Nëse jam me Ty, gjithçka është mirë: Faleminderit, Zot Jezus! Zoti na ka krijuar për dy realitete të mrekullueshme: Të duam dhe të jemi të dashur”.

Kemi shumë për të thënë e për të kujtuar për motër Carmina, por kaq për sot. Besoj se do ta kujtojmë gjithmonë si “Murgesha me biçikletë”, e cila me thjeshtësi ungjillore dhe duke iu shmangur komoditeteve të jetës, diti të dhurohet pa u kursyer, për të mirën e të gjithë atyre që ka takuar në ecjen e saj.

E falënderojmë Zotin për këtë ditë të mrekullueshme që na bëri të jetojmë: Ai i lartëson të përvuajturit. Në fakt, Zoti në Shkrimin Shenjt, thotë:

Qielli është froni im, shtroja e këmbëve të mia toka! Ç’vlerë ka shtëpia që do të ma ndërtoni, e cili është vendi i banimit tim? Të gjitha këto i bëri dora ime e të gjitha këto më përkasin mua – është fjala e Zotit. Por mbi këtë e ngul shikimin tim: mbi varfanjakun e mbi zemërplasurin që dridhet prej fjalëve të mia!“. (Isaia 66, 1-2)

E në fund, nuk mund të rrimë pa i drejtuar sytë tanë drejt Qiellit dhe të lutemi, që Zoti të na dërgojë Apostuj të Shenjtë, Apostuj të palodhshëm si motër Carmina dhe si shumë misionarë që të shpërndarë nëpër botë përhapin Lajmin e Mirë se Jezusi është Zot dhe shpëton!


Mesazhi i 17 shtatorit 2019, dhënë nëpërmjet Ivanit:

Të dashur bij! Ju ftoj në mënyrë të veçantë të luteni për qëllimet e mia, në mënyrë që të ndaloni, nëpërmjet lutjeve tuaja, planin e satanit mbi njerëzimin, që çdo ditë është më larg nga Hyji: në vend të Hyjit njerëzimi vë në vend të parë vetveten dhe shkatërron gjithçka që është e bukur dhe e mirë në shpirtrat e secilit prej jush.

Prandaj, bij, lutuni, agjëroni dhe bëni vullnetin e Hyjit, në mënyrë që të jeni të ndërgjegjshëm për aq sa Hyji ju do!

Faleminderit që i jeni përgjigjur thirrjes sime!

Përktheu nga italishtja:
Nikolin Sh. Lëmezhi