AJO QE DONTE DIELLIN

0
512
Ajo që donte diellin

Tregim nga R. Gjini

Gega, kishte zënë vend në qoshen më të skajshme të kafenesë. Priste të vinte Ana Mikeli, vajzë e mirë si ajo, – pikë në vetull; aq e bukur, sa i thoshte diellit: o dil, o të dal.
E kishin lënë të takoheshin aty, që të flisnin shtruar; dhe ajo të merrte pastaj një vendim të fundit, nëse do martohej me të, apo jo.
E di shumë mirë, që më do, – i kishte thënë Ana. – Por dua të më duash edhe kur të plakem; kur sytë të më jenë bërë agull dhe buzëve tu jetë shterë lëngu i jetës. Të më ndihmosh të tërheq zhakthi rrugëve trupin tim; trupin me lëkurën, që atëbotë, do më jetë bërë si një thes i vjetër lini i mbushur me kocka. Edhe nëse Zoti të merr para meje, të kthehesh tek unë me erën e trëndafilëve, që do kemi mbjellë bashkë në kopështin tonë. Kur të hap dritaren, t’ia behësh me flladin e mëngjesit, të më freskosh trupin dhe shpirtin; të vish tek unë me frymën që do thith çdo sekontë, gjerë në vdekje.
Ja, këto fjalë të thëna një ditë më pare, i kumbonin ende në vesh Kim Gegës.
Në atë kafene të thjeshtë, ku pronari i saj i bënte të gjitha punët vetë, klientët qenë më shumë njerëz bjerraditës, të papunë dhe pensionistë. Ata hynin aty duke përkëdhelë me majë të gishtave qindarkat në xhep, dhe dilnin pa ditur se ku do të shkonin.
Dy gra në moshë, që ngjanin si të qenë motra, hynë aty brenda njëra pas tjetrës, brodhën njëherë shikimin përreth të pakënaqura, thanë diçka nëpër dhëmbë dhe u kthyen e dolën.
Mbase nuk u pëlqeu, sepse ai burri i bërë në qejfë nga pija, që kish zënë vend në këmbë i mbështetur me bërryl për banakut, u a nguli sytë gjigjë.
Nuk pushonte së foluri. Tregonte një histori dashurie, që s’kishte ndodhur, ndërsa pinte birrë e tymoste duhan. Ia tregonte të zotit të lokalit atë histori, madje, ia tregonte me detaje, që i sajonte aty për aty.
I zoti i lokalit e njihte qyshkurë burrin pranë banakut. E dinte që historitë, ai i sajonte vetë. Ndërsa merrej me punën, e dëgjonte shpërfillshëm.
-Kështu, domethënë, ë?! – ia priste ai herë pas here, duke i varur tjetrit veshëve nga një pikë të vogël çuditëse.
Tjetri, tërhuzej saora përpjetë dhe betohej rrejshëm me zë të lartë:
-Për atë zot, po!
Sapo dolën gratë, ia behu aty një djalë shumë i ri, rreth trembëdhjetë vjeç, që mbante në krah dy arka me birrë të markës “Amstel”.
Pa thënë asnjë fjalë, ai vajti dhe i la arkat e birrës diku poshtë banakut, nxorri një faturë nga xhepi, dhe serbes-serbes, mu si një i rritur, ia zgjati pronarit të firmoste. Por tjetrit i pëlqente të englendisej me të, ndaj refuzoi të firmoste. E bëri me një shtiratë të bërë kinse, ndërsa i shkelte syrin atij burrit, që kish zënë vend në këmbë pranë banakut.
Kur dy burrat nisën t’i hidhnin romuze, rioshi u hodhi një vështrim shpërfillës, si të deshte tu thoshte, se nuk mund të talleshin me të; sepse nuk kishin të bënin me një djalë nga soi i mamakave.
Që nga jashte, u dëgjua të binte disa here nje bori makine. Ai nxitoi të dilte prej aty, pa e marrë atë firmën dhe pa thënë asnjë fjalë.
Atëherë i thirrën që të ndalonte, gjithnjë duke qeshur me zë, e duke u përpjekur ta siguronin, që nuk e kishin patur kurrësesi me të keq, dhe se thjeshtë, po bënin shaka. Po ai nuk ndaloi.
Teksa dilte, i riu e mbajti derën hapur, sa të hynte aty brenda një plakë e vjetër, e cokatun, që u përball me të.
Për moshën që kishte, e moshuara qe veshur me sqimë. Mbante në kokë të lidhur për gushe një shami të pastër ngjyrë bruzi; një shami si ato që lidhte ndonjëherë për koke mbretëresha e Anglisë, kur medemek, bënte ndonjë punë shtëpie. Syri i stërvitur i një piktori të mirë, mund të shikonte në fytyrën e saj detajet e tkurrura të një bukurie të perenduar prej kohësh.
E moshuara u fut aty brenda duke çapitur ngadalë me ndihmën e bastunit. Pastaj ndaloi njëherë dhe hodhi vështrimin aty rrotull.
Kur vështrimi i saj ra mbi Kim Gegën, ajo bëri me kokë një lëvizje, si të deshte t’i thoshte se e kishte gjetur. Pastaj, me sytë përtokë për të parë vendin ku hidhte hapin, vajti e u ul në karrigen përballë tij. U ul ngadalë e gjithë kujdes, si të kish frikë se mos plasaritej, thyhej, shkërmoqej e binte në dysheme copa-copa.
– Më fal, Kim, – tha ajo. – U vonova pak, sepse në çastet kur po dilja, telefonoi vajza.
Kim Gega po e shikonte gjithë habi.
– Por nuk ka asgjë për tu shqetësuar, – vijoi qetësishtë ajo. – Vetëmse donte të dinte si jemi me shëndet. I thuaj babait, që e dua shumë, tha.
– Më falni, zonjë, – ia pat tjetri aty për aty. – A njihemi bashkë?!
– Oh! Kim! – e qortoi e moshuara duke e parë gjithë dhimbshuri. – Harresa të ka vënë poshtë para kohe. Jam Ana, gruaja jote! Ana Mikeli! Si mundet, i dashur, vetëm në një sekontë, të harrosh, që kemi pothuajse pesëdhjetë vite, që jemi martuar bashkë?!
Ai ktheu kokën nga i zoti i lokalit dhe ai burri tjetër, që i bërë shumë në qejfë, pinte birrë, tymoste cigare dhe vazhdonte të tregonte atë historinë e dashurisë, që nuk kishte ndodhur. U duk sikur donte tu thoshte, që atij i qe avitur diçka e habitëshme; por ata qenë larg, dhe për më tepër, ishin të zënë me qejfin e tyre.
-Përse nuk e ke veshur jelekun sipër këmishës, Kim?! – e qortoi ajo. – Unë ta hoqa nga varësja dhe e lash sipër krevatit. Tani nuk jemi më të rinj.
Ai rrinte dhe e vështronte si guak. I tha mendja njëherë, të ngrihej e ta linte aty, të ndërronte vend, por ndërroi mendje.
– Jo, nuk jemi më të rinj, – u fut në lojë buzagas.
– Ti e di, që në këtë vend, dielli bie pasi të ketë ikur mëngjesi, dhe zhduket para orës katër pasdite.
– E di, – tha ai.
– Megjithatë, fakti që nuk ke dashur ta marrësh jelekun, tregon se ti mbahesh ende mirë, po unë, ta dishë që kam filluar të ftohem. Dhe kjo është shenjë e keqe, Kim. Pa prekma pak dorën…
Ajo i zgjati dorën me lëkurën e rrudhosur plot damarë, e me gishtërinjtë e holluar si me limë, që ngjanin me kthetrat e një zogu.
Në herë të parë, ai ngurroi, por pastaj ia mori dorën dhe ia mbajti për pak sekonta në të tijën.
Qe një dorë e akullemtë, e vdekur prej kohësh, që nuk i hynte më në punë. Po të donte, ajo mund ta hidhte tej pa keqardhje, por e mbante, vetëmpse ia kishte premtuar varrit të vet.
Ç’ti thoshte?!
– Të është lodhur gjaku, – i tha.
Ajo i dha të drejtë me një tundje të ngadaltë koke. Tërhoqi dorën, dhe me një zë, që zgjatej si një llastik gati në të këputur, mërmëriti:
-Dalngadalë po më shqimet edhe ajo xixë zjarri që ka mbetur në shpirt, Kim. Po mbulohet me hirin e viteve që morën arratinë. Po s’ka gjë. Vetëm të kemi mirë fëmijët…
Ofshani njëherë, dhe ra në mendime. Pastaj sikur u kujtua, çeli gojë e foli apet. Tha se ishte e kënaqur me të shkuarën e jetës së saj. Dhe me Kimin, gjithashtu.
– Ti ke qenë shumë i mire me mua, Kim. Ka qenë fat, që u martova me ty.
Ai buzëqeshi, sepse nuk dinte as ç’të thoshte dhe as ç’të bënte. Vetëm e vështronte. Asaj erdhën e iu rënduan qepallat. Përkuli njëherë kokën ngadalë nga e majta si të deshte ta mbështeste në supin e vet. Pastaj e drejtoi kokën apet dhe qëndroi një grimë kohë e zhytur në kujtimet e së shkuarës. Kur në fytyrë, i ra hija e zbehtë e një ngazëllimi të brendshëm, ngriti qepallat e tha:
– Më kujtohet se si i ngjisje shkallët e shtëpisë katër e nga katër për të ardhur tek unë. Dhe kur largoheshe, këputeshe mu si një yll. Kanë qenë vite të paharrueshëm, Kim! Tani nuk më ka ngelur tjetër, veçse të pres të fryjë ndonjë erë e mbarë, për të ikur si një varkë pa kthim…
Ndërsa fliste kësisoj, dalëngadalë, erdhi duke u ligështuar. U trus syfashitur nën lëkurën e vet, dhe u mblodh e u bë sa një grusht, athua se deshi të zhbëhej krejt. Pastaj u ngrit ngadalë pezull në ajër dhe nisi të endej sipër kokës së tij, mu si një fjollë e vetmueme mjegulle, derisa e ndërmendi zëri i atij burrit te banaku, që tashmë ishte dehur, e që kushedi për të satën here, u betua me zë të lartë: për atë zot, po!
Ishtë bërë rishtas ajo që ishte.
Ajri i rënduar me tym duhani po e kafshonte në grykë si një qen.
-Më duhet të dal pak jashtë, të mbushem me frymë dhe të shikoj nëse është kapur dielli lart në qiell, – tha ajo. Dhe i kerkoi ta ndihmonte të ngrihej nga karriga.
Ai i vajti pranë dhe e mbajti për krahu, sepse qe e arsyeshme ta ndihmonte të ikte.
E moshuara u ngrit ngadalë duke mbledhur forcat me sforcim të madh, e duke u mbajtur për tavolinës me njërën dorë, teksa shtërngonte fort bastunin me tjetrën. Sapo u drejtua, bëri një hap në shmang dhe i hodhi një sy karriges ku qe ulur. Deshi të sigurohej, nëse i pati mbledhur gjithë kockat. Pastaj u nis të dilte jashtë, kokëulur, duke parë më kujdes çdo vend ku hidhte hapin.
-Dua ta shoh, e të më shohë dielli, – mërmëriste me vete. – Dua ta shoh, e të më shohë dielli…
Si bëri disa hapa, ndaloi. U kthye, e me zërin e saj të pakët e të lodhur, tha:
-Na porosit nga një kafe, Kim. Sa të shikoj për diellin dhe do kthehem.
Dhe doli që aty duke lëvizur ngadalë mu si një varkë e stërlashtë mes valësh perçeshkumë, që i kratin dërrasat nga mbingarkesa.
I ulur në karrige, ai e priti një grimë kohë i zhytur në shestime, pa ia ndarë vështrimin derës. Po e moshuara nuk u kthye.
Atëherë, Kim Gega u ngrit e doli të shikonte.
Sapo doli jashtë, ulur në një stol të vendosur nën hijen e një blini, ai shquajti Ana Mikelin, vajzën që donte, e që një ditë më parë i pati kërkuar të martohej me të.
Me ta parë, ajo u çel mu si një shegë dhe i nguli tejpërtej atë vështrimin e syve të saj të mëdhenj e të qashtër.
Kim Gega u drodh.
– Ana! – thirri ai. – Unë po të prisja!
– Nuk e dija që ishe futur brenda, – i tha ajo. – Të prita këtu, e ulur në stol.
– Nganjëherë, njerëzit bëhen vërtet të çuditshëm, – tha ai. Dhe pyeti: – A ta zunë sytë një plakë të dilte prej lokalit?
– Jo, – tha ajo.
Prania e tij e bëri Anën të kridhej në një molisje të ëmbël. Ndërsa një mendim i fshehtë i zbriti që nga koka dhe vajti e iu ul galiç në cep të buzëve.
– Më tha se quhej Ana Mikeli; se ishte gruaja ime, dhe se kishim pesëdhjetë vite, që qenkëshim martuar me njëri-tjetrin! Para se të ngrihej e të dilte, tha se donte të shikonte diellin. Pastaj tha se do të kthehej sërish, por nuk u kthye.
– Do të kthehet, – i tha Ana duke u përpjekur t’i ikte vështrimit të tij, edhe pse ishte shumë e sigurtë për atë që thoshte. – Do të kthehet, ndoshta, pas pesëdhjetë vjetësh.
Ai e vështroi një grimë me habi e kërshëri.
– Kështu mendon ti?! – dalldisi e tha pastaj ngazëllueshëm. – Kështu mendon ti, Ana…?!
Ndjeu në shpirt një gjakimim çmendurak: ta shtërngonte Anën në krah, ta mbulonte me të puthura nga maja e flokëve e deri te gishtat e këmbëve. Por u përmbajt.
Ajo ktheu kokën nga ai. Ia ndriçoi fytyrën me dritën e dlirë te syve të saj të bukur e tha:
-Po. Kështu mendoj unë.
I futi krahun, dhe të dy bashkë, nxituan të kapnin dritën e semaforit, ku e kuqja ndizej dhe fikej. Kurse sekondat kishin nisur zbritjen drejtë zeros.

Shtator, 2