“KAFKIANIZËM POLITIK”!

0
719
Kafka

AV. XHABIR ZEJNUNI

Në jetë, ndodh që një person (apo disa persona) për rastësi, aftësi, apo “dhunti” të tij/saj, si papritur të ndodhet në një “dimension” tjetër, pra të shndërrohet (ose t’i shndërrojnë!) nga person në një personazh. Duke ju referuar termit METAMORFOZË të personit/nes në fjalë, do i referohesha veprës së famshme të Franc Kafkës: “Metamorfoza”. Këtu, personi në fjalë, i/e cili/a bëhet POLITIKAN/E, shndërrohet (rrugë tjetër nuk ka!) në një BUBAJKË të MADHE KAFKIANE. Duke u sjellur si bubajkë, ai/ajo dhe të njëjtit e tij/saj, humbasin lidhjen me origjinën (ose “bazën”!) e tyre, por edhe me mjedisin që ato/a i rrethon, duke e lidhur jetën e tyre vetëm me mjedisin e ri bubajkor.

Dikush arrin të promovohet edhe në KONKLAVËN BUBAJKORE, ku marrin pjesë KAPO të disa grupeve të ndryshme bubajkash. Këta grupe bubajkash, edhe pse i japin idenë popullit “sovran” se janë të ndryshëm dhe pa lidhje mes tyre, në fakt janë NJË grup i vetëm dhe me në krye KONKLAVËN BUBAJKORE. Vërehet si për çudi se raporti i bubajkave me popullin “sovran” fillon e tjetërsohet deri në atë pikë, aq sa gjendja e re e krijuar të duket një “normalitet”. Më shumë nga ana e bubajkave natyrisht! Por, nganjëherë bubajkat (më shumë për oportunizëm, apo interes bubajkor!) kërkojnë t’i krijojnë idenë popullit “sovran” se i përkasin këtij populli dhe se punojnë ditë e natë për atë popull dhe me vetmohim bubajkor. Për këtë arsye, përdorin më shumë rrjetin (jo rrjetën e peshkut!) e madh të Markut (jo ungjillor, por silicik!), ku ato/a (ose administratori i faqes së tyre FB!) marrin mundimin e “madh” të hedhin ndonjë status në FB.

Dhe populli “sovran” fillon e diskuton me kaq zjarr e partishmëri, aq sa biseda del edhe jashtë kontekstit të statusit bubajkor dhe hyn në kontekste personale. Ndërsa bubajkat, rrijnë në heshtje dhe nuk marrin pjesë në diskutim, duke konfirmuar kështu përkatësinë e tyre bubajkore. Por, edhe natyra ka rregullat e saja, një ndër të cilat është edhe SELEKSIONIMI. Kështu, KONKLAVJA BUBAJKORE me unanimitet bubajkor, nxjerr jashtë sistemit bubajkor (bile edhe nga vetë KONKLAVJA BUBAJKORE!), ndonjë (ose disa) bubajkë “rebele” duke e kthyer në origjinën e mëparshme. Bubajkat e kthyera në origjinë (ose në “bazë”!), e kanë shumë të vështirë përshtatjen me atë realitet nga ku ato/a patën fillesën e tyre drejtë shoqërisë së lartë bubajkore. Dhe kërkojnë të rebelohen, duke pretenduar se të drejtat e tyre legjitime bubajkore janë të PËRJETSHME. Madje kërkojnë edhe përmbysje brenda KONKLAVËS BUBAJKORE. Por, pa rezultat, pasi nuk kuptojnë se shkaku i vetëm i mënjanimit të tyre, janë vetë/m ato/a (…)!

Dhe populli “sovran”, i stimuluar përsëri nga bubajka/t e kthyer/a në “bazë”, fillon diskutimet e zjarrta rreth problemit të ri të shtruar për diskutim, por pa arritur në një përfundim unanim.

Dikush thotë se tashmë nuk ka kthim prapa në “bazë”, pasi bubajkat duhet të bëjnë pjesë vetëm në shoqërinë e lartë bubajkore, duke qenë se ato/a kanë dhunti të veçanta bubajkore!

Dikush tjetër, thotë se duhen bërë seleksionime, në mënyrë të tillë që kolonia bubajkore (por, edhe KONKLAVJA BUBAJKORE) të ketë “freski” të përjetshme!

Dikush tjetër, thotë se bubajka të tilla, i kemi pasur gjithmonë mes nesh (kriptobubajka!) dhe po ashtu si bubajka – natyrale në këtë rast – le të rrinë ato/a mes nesh dhe le të jemi ne që t’i japim atyre vetëm vëmendjen bubajkore, që ata/o kërkojnë që të kenë. KAFKIANE!

Personalisht, jam shumë dakord me kategorinë e opinionistëve të fundit. Pasi kemi shumë nevojë, që të kemi edhe mes nesh bubajka të tilla. KAFKIANE (…)!

Sidoqoftë, bubajka e kthyer në “bazë” e ka akoma të lartë instiktin e ikjes nga “baza” dhe dëshirën e zjarrtë të rihyrjes në shoqërinë e lartë bubajkore. Por, varet se sa realizohet kjo dëshirë, pavarësisht iluzionit që mund t’i krijohet nga ndonjë “ftesë” nga njëra pjesë e KONKLAVËS BUBAJKORE, së cilës ai/ajo nuk i përkiste më parë (…)!

Italianët kanë një shprehje shumë të bukur: “Mai dire mai” (“Kurrë mos thuaj kurrë”)!

27.09.2019