KRONIKË E NJË DËSHTIMI TË PARALAJMËRUAR!

0
529
Jozefina Topalli

AV. XHABIR ZEJNUNI

Dje (25), me rastin e marrjes së një çmimi për karrierën nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Jozefina Çoba Topalli mbajti edhe një fjalim shumë prekës dhe mallëngjyes!
Ajo përshkruan peripecitë e jetës së saj si e përsekutuar politike dhe pasojat përkatëse. Njihemi edhe me dështimet e saj në politikë. Fraza që të godit më shumë, është kur ajo thotë se “Më nxorën nga Parlamenti kur kisha kompetencat dhe kualifikimet e duhura”.

Shumë e saktë, kur ajo thotë se e nxorën nga Parlamenti, por jo në lidhje me kualifikimet e saj, por se ajo tashmë nuk duhej më, duke qenë se misionin, të cilin ia caktuan në vitin 1997, kur ajo hyri në politikë, ajo e realizoi me “sukses”. Cili ishte ky mison?! Për saktësi ajo nuk hyri në politikë, por e futën, pasi ishte shumë e domosdoshme, që një e persekutuar politike të çonte më përpara punën e nisur (dhe të dështuar!) të paraardhësit të saj dhe të persekutuarit politikë si Pjetër Arbnori, e cila kishte të bënte me përkrahjen që duhej të kishte PD-ja nga të persekutuarit politikë.

Pra, nga ata të persekutuar, që PD-ja i nxori me dhunë dhe shqelma jashtë nga greva e urisë në vitin 1993! Dhe kështu u zgjodh një vazjë shumë e mirë me prejardhje nga një familje e nderuar shkodrane dhe e persekutuar politikisht. Pasi nëse nuk do kishte qenë e persekutuar politike, ajo sot mund të ishte një profesoreshë shumë e mirë matematike. Pra, ajo pranoi të punonte krah përkrah me persekutorët e saj direktë dhe indirektë! Arriti majat më të larta të pushtetit. Por e vetme dhe e vetmuar. Shkodranët kanë një veti shumë të çuditshme. Brenda Shkodrës ata duhen shumë më njëri-tjetrin (ose ashtu duket!).

Por, kur shkodranët jetojnë dhe punojnë jashtë Shkodrës, ata preferojnë që të punojnë vetëm (dhe në vetmi!) dhe jo në grupe. Apo në klane siç është tradita e konsoliduar shqiptare! Dhe asaj i takoi që të punonte dhe luftonte e vetmuar, përballë klaneve të ndryshme. Dhe nuk promovoi kurrë në rangjet e larta politike shkodranë të tjerë. Mbase shkodranë të tillë edhe mungonin! Ose mbase asaj nuk ia lehtësuan dhe mundësuan këtë lloj promovimi! Madje ajo nuk afroi dhe përkrahu as bashkëvuajtësit e saj të persekutuar politikë, deri në palcë për probleme akoma më të thjeshta!

Dhe ky fakt e ka një domethënie! Por, klasa e persekutuar politike u lodh, u syrgjynos dhe u masakrua akoma më shumë, nga klasa e ortakëria aktuale politike. Kësaj ortakërie politike, kur u forcua akoma më shumë politikisht dhe ekonomikisht, ajo nuk i duhej më dhe si rrjedhojë e përjashtuan nga politika. Sigurisht që ajo u ndje shumë keq, por nuk arriti ta kuptojë se ishte vetë ajo që përgatiti me ngadalë fundin e saj politik. Duhet pohuar po ashtu se edhe ajo ka pjesën e saj në dështimin e politikës shqiptare. Kur ajo thotë se duhet “Një lëvizje e re, lëvizje për ndryshim”, dikush supozon se ajo do krijojë një parti të re poltike dhe me mentalitet të ri.

Por, gabohet shumë, pasi ajo kurrë nuk do krijojë një parti të re poltike (aq sa e krijoi pas marrëveshjes së 18 majit 2017!), pasi populli ynë tashmë është pozicionuar vetëm tek dy partitë kryesore politike (pasi LSI-ja nuk konsiderohet parti politike!) dhe vështirë se do pranonte që të priste edhe 30 vite të tjera, për të shpresuar ditë më të mira. Në këto 30 vite janë krijuar shumë parti të tilla politike dhe dihet se cili ka qenë rezultati (dhe fundi!) i tyre! As të persekutuarit politikë, të cilët u persekutuan akoma më shumë pas vitit 1990, nuk do e përkrahnin këtë formacion të ri politik.

Dëshira e saj se “Është më mirë të ikin katër shahistët” vështirë se mund të realizohet. Por, ka shumë mundësi që të jetë më e lehtë që të “Ikin shqiptarët”! Bën shumë çudi, se përse ajo përmend katër shahiste të skakierës politike shqiptarë dhe jo pesë, pasi të gjithë e dimë se janë pesë shahistë. Edhe nëse asaj i kërkohet se cili është shahisti i pestë, ajo për “transparencë” nuk do e përmendë kurrë emrin e tij. Ose emrin e “babait” të saj politik, i cili e promovoi atë në politikë, kur ai kishte shumë nevojë dhe kur ajo nuk nevojitej më, e nxori jashtë nga politika. Arsyen e din vetëm ajo!

Vështirë të mendohet se ajo do të shpenzojë energjitë e saj për t’i rihyrë politikës. Mbase kjo energji do ia vlente më shumë, që ajo t’i shpenzonte si gjyshe për engjëllin që i dhuroi e bija.

Vetëm një shkodran arriti të mbijetojë i vetëm në politikën e egër shqiptare. Por ishin kohë të tjera atëherë(…)!

Në librin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, Dritëro Agolli shkruan kështu: “Sa më lart që të ngjitesh, aq më shumë do vritesh kur do rrëzohesh”. Ose “do të rrëzojnë”, duhet shtuar.

Të mos e ketë lexuar vallë ajo këtë libër?!