PAQJA KRIMINALE DHE KLIENTELIZMI MEDIATIK

0
646
Media Censorship

Marrë nga interneti: MEDIA CENSORSHIP PROTECTING YOU FROM REALITY /Censura e mediave që ju mbron nga realiteti (Marrë nga interneti: https://fineartamerica.com/featured/media-censorship-protecting-you-from-reality-bruce-stanfield.html)

Letër ambasadorëve (11)

Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Të nderuar Ambasadorë dhe staf diplomatik, Kosova është një vend i vogël por ka një klientelë mediatike të fuqishme, e cila është shtylla e tretë (nëse jo e para), e krimit politik, ekonomik dhe mediatik. Praktikisht mediat në Kosovë janë vazhdimësi e mentalitetit komunist, që drejtohen drejtpërdrejt nga ato struktura ose nga bijt e tyre të famshëm, të cilët nënë sloganin e një kulture urbane dhe të një emancipimi kanë luajtur rol negativ në të gjitha proceset nëpër të cilët kaloi Kosova.

Sot kjo klientelë është pasuruar shumë, ka shtrirë rrjetin dhe ushtron monopol të përgjithshëm mbi mendimin publik duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në politikat e gjithmbarshme ndërkombëtare në Kosovë. Ky shembull shihet edhe në fushatën zgjedhore kur janë aktivizuar të gjitha çarqet e nëntokës për t’i ruajtur interesat e tyre, edhe atëherë kur proceset shkojnë në dëmë të Kosovës dhe interesave strategjike të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, d.m.th, kjo klientelë është mjaftë ndikuese, prandaj me tërë kapacitetet e logjistikës së tyre po prodhojnë pasiguri në Kosovë, e cila nëse shikohet me llupën e Amerikës dhe të BE-së, mund të disciplinohet kollaj, shpejt dhe sigurt. Kosova është vend i vogël që mund të kontrollohet kollaj, pa pasur nevojë me bërë shpenzime të mëdha dhe pa futur në funksion logjistikë të avancuar.

Më duket se si askund në botë mediat në Kosovë, (pa përjashtim), janë kundër sundimit të ligjit, prandaj stimulojnë kryesisht klientelën e cila prodhon pasiguri. Në rast të iniciativave nga sektori i drejtësisë, mediat po lozin rolin e hetuesit, prokurorit dhe të gjykatësit. Mediat në Kosovë, nuk udhëhiqen nga kodi moral i gazetarisë, prandaj nuk njohin ligj dhe interesa nacionale, ato janë shndërruar në struktura parapolice që komandohen nga klane e grupe të lidhura me segmentet e politikës për të prodhuar pasiguri. Kjo vërehet në çdo segment të udhëheqjes shtetërore në Kosovë, andaj aty ku nuk ka sistem juridik funksional, dhe aty ku nuk ka siguri të mjaftueshme, mungojnë investitorët të cilët e kishin stabilizuar gjendjen ekonomike shpejt sigurt dhe qëndrueshëm.

Mediat në Kosovë, kryesisht prodhojnë pasiguri, madje sikur janë edhe kundër prezencës së Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa prezencën diplomatike e dëshirojnë, me kusht që ajo të mos ndërhyjë në mentalitetin mediatik, që është krijuar në Kosovë, i cili i ka specifikat e veta mjaftë karkteristike, prandaj e bënë të dallueshëm nga mediat tjera në të gjitha vendet që dolën nga diktaturat komuniste.

Të nderuar Ambasadorë, sot në Kosovën që vëzhgohet nga Ju dhe Bashkësia Ndërkombëtare, është krijuar një klientelë mediatike shumë e rrezikshme e cila është pjesë e grupeve dhe interesave politike. Mediat në Kosovë, po i prodhojnë të gjitha efektet negative, prodhojnë pasiguri të madhe dhe janë kundër secilës vlerë e cila e mbron interesin nacional, janë kundër çdo nisme që demokratizon Kosovën dhe janë kundër secilit individ, qoftë ky gazetar a shkrimtar, qe nuk i përketë klientelës së tyre. Dhe kjo si duket bëhet për ta dështuar shtetin e Kosovës, i cili për mediat dhe klientelën komuniste të LKJ-së që i dominon këto media, Kosovën e bëjnë kurban, vetëm për ta dështuar projektin e Amerikës i cili ka synim zgjerimin e demokracisë edhe në vendet e Ballkanit me theks të posaçëm Kosovën.

Ka 20 vjet, mediat po udhëhiqen nga e majta komuniste, madje duke shënuar një paradoks të llojit të vet, pasi nuk ka shembull tjetër në Evropë, e as në vendet e lindjes, në ato shtete e tek ata popuj që dolën nga diktatura komuniste, ku mediat e tyre në shkallë 100%, kontrollohen dhe udhëheqin nga komunistët, bosët e të cilave ishin drejtpërdrejt strukturë e sistemit paraprak shtetëror, madje shumë sish, ata më të fuqishmit janë bijt e prindërve që ishin strukturë e LKJ-së, ose ishin epror me ndikim në sektorin e dhunës dhe të shërbimit sekret jugosllav dhe në atë të Serbisë.

Nëse bëhet një Vetting, një verifikim për tua parë CV secilit redaktor dhe drejtues mediatik, jo se do t’iu dalin si pjesë e sistemit paraprak, por do të shihet se edhe drejtuesit e mediave janë bërë milioner, ndërsa edhe pasuria e tyre qenka grumbulluar pas luftës. Këto teza që po i parashtrojmë do të vërehet edhe në punën e stafit drejtues në të cilën janë angazhuar gazetar dhe analistë të besuar, kurse kori propaganduas janë po të njëjtit mbase qe 30 e sa vjet.

Sado që ka ndryshime dhe përparim në Kosovën e pas luftës, analistët e tillë dhe ata që drejtojnë mediat, shohin vetëm zi. Kjo kategori po bënë shpëlarjen e trurit, redaktoret dhe drejtuesit e mediave janë fajtorët gjigant të kaosit dhe moszbardhjes së krimeve qe duhet t’i bëjë një gazetari hulumtuese, por jo kjo gazetari mediatike e cila është nën kontrollin e grupeve kriminale, sa për të prodhuar pështjellim publik.

Sot në cilësinë e drejtuesve të opinioneve publike, kudo nëpër mediat e Kosovës si dhe në TV-të e shumta, më shumë i shohim bandat e kriminalizuara, vrasësit klasik, vrasësit ideologjik dhe vrasësit shpirtëror, se sa intelektual kredibël dhe të aftë për t’i avancuar proceset. Pa fije turpi, në mediat e Kosovës, reahabilitohen kriminelet dhe diktaturat më të egra, më të marra, kurse në anën tjetër përjashtohen dhe injorohen gazetar e struktura të ndershme dhe jashtë sferës së klientelës kriminale. Nëpër mediat e Kosovës himnizohen doktrinat komuniste, marksiste leniniste dhe ato staliniste e shumë më pak konceptet liberale, socialdemokratike dhe mentaliteti demokratik i sistemeve nëpër vendet e BE-së dhe të ShBA-së.

Edhe sot e kësaj dite, as shoqëria shqiptare dhe as mediat e Kosovës nuk janë distancuar nga krimet e komunizmit, përkundrazi komunistët, marksist-leninistët e dhunuesit e fjalës së lirë, ligjërojnë ideologjinë e tyre duke fajësuar gjithë botën e qytetëruar pse nuk kuptojnë se për tu bërë patriot është dashur me qenë marksist– leninist, enverist, titist, stalinist e kështu me radhë. Nëse gjërat shikohen nga ky prizëm, do të vërejmë se këto mediume vazhdimisht brohorasin për miqësi të përhershme me Amerikën, edhe kur mendojnë se besimi në komunizëm e paskan bërë për romantizëm ideologjik.

Mediat në Kosovë nuk mund t’i mbrojnë të drejtat e punëtorëve kur secili medium dhunon punëtoret e vet, i diskriminon ata me paga dhe shantazhim në jetën e secilit. Mediat në Kosovë iu kanë borxhe të shumta bashkëpunëtrëve të vet, madje në Kosovë kemi media të cilat me muaj të tërë shfrytëzojnë fuqinë punëtore-gazetarët, pa iu dhënë pagën mujore, pastaj i hudhin në rrugë duke u tallur me secilin individ që kanë bërë përpjekje për të siguruar një vend pune në këtë sektor sa human po aq delikat.

Si askund në vendet post komuniste, mediat në Kosovë, janë ato mediume të cilat degradojnë, censurojnë dhe anatemojnë personalitetin e atyre që nuk i përkasin klientelës së tyre. Ata parapëlqejnë gazetarë, prodhojnë analist që vijnë nga fusha e informatorëve në sigurimin e shtetit, duke i bërë analist edhe vrasësit klasik e vrasësit e specializuar. Pa dilemë si askund tjetër mediat në Kosovë drejtohen nga ish bashkëpunëtorët e shërbimit informativ serb e jugosllav. Pra, fajtor kujdestar janë mediumet të cilat kanë prodhuar këtë kaos në nivel Kosove, janë moderatorët e TV-ve dhe analistët e përhershëm të cilët janë shndërruar në klientelë për politikanët me dosje e vepra kriminale. Siç tham edhe ata janë bërë milioner, të pasur dhe me privilegje të shumta udhëtimi, spiunimi dhe shantazhimi të të gjithëve në raport me faktorin ndërkombëtarë që vepron në Kosovë.

Pushteti i tretë, (nëse jo i pari), janë mediat të cilat e penalizojnë individin, më zi e më keq se vet prokuroritë?! Natyrisht me një dallim substancial: Derisa prokuroritë gjejnë shkas një gabim, një veprim, një krim të bërë, mediat të penalizojnë nga smira, nga xhelozia, po më shumë nga inati. Mediat të penalizojnë se janë pjesë e krimit, dhe atë e bëjnë nga interesi në mbrojtje të klientelës së tyre politike. Mediat ta penalizojnë edhe shkrimin letrar, madje edhe poezinë. Shkrimtarët e sistemit, studiuesit dhe hartuesit e librave, nëse nuk je pjesë e klanit të tyre të injorojnë dhe të penalizojnë duke të linçuar e përjashtuar. Mediat në Kosovë, janë trefish ma kriminale se vet grupet klandestine.

Gazetat në Kosovë shpifin, trillojnë dhe zezojnë mbi këdo, dhe kjo çuditërisht në emër të fjalës së lirë, ndërsa palaço gazetar ta nxijnë jetën duke shpifur etiketuar e shantazhuar. Zakonisht kjo ndodhë kundër atyre që nuk janë pjesë e klientelës. Ky shtyp, këto media mund të penalizojnë sikur të ishe jo autor por sikur të ishe vet aparati i dhunës dhe ndëshkimit. Mediat në Kosovë nuk kanë kod etikë mbi fjalën publike, gazetar e redaktor në Kosovë janë dëshmuar si strukturë e sistemeve paraprake dhe pikërisht kjo klientelë kriminale ka drejtuar vendin tonë tash e 20 vjet drejt kaosit në të cilin jemi. Këto media kanë përgjegjësi edhe për gjuhën e përdalë, për shprehjen vulgare e perverse, për kodin e ndytë në mediat shqiptare.

Këto media janë edhe kundër standardeve gjuhësore dhe kundër të të gjitha të arriturave me mund e sakrifica. Penalizimet në shtypin shqiptarë janë gjithfarëshe, ato nuk njehin kodin e vlerës, pasi nuk kanë as frikën nga drejtësia. Gjuha e mediave, niveli gjuhësor dhe foljor i tyre është katandisur si mozomakeq.

Për ta njohur veten, vetveten, intelektuali duhet me pranuar për tu zgjedhur drejtues, pastaj shih shtypi i lirë, në Kosovën e lirë dhe demokratike çfarë të të bënë, çfarë trillon dhe shpif, pa e pasur dert nëse kështu po lëndohet e cenohet interesi nacional, ai ndëshkon secilin dhe pushkaton individin e ndërgjegjshëm, nëse ai ka pranuar me u angazhuar. Mediat në Kosovë nuk pranojnë asnjë vlerë dhe asnjë përparim nëse ajo gjë nuk është arritur nga klientela e tyre, nga grupet e caktuara kriminale.

Mediat në Kosovë, nuk ngurrojnë për të thirrur për vrasje publike, për vrasje mediatike e për vrasje sistematike. Ato mund të të ngritin procese për fjalën publike dhe në rast kur të dështojnë nuk janë në gjendje të kërkojnë falje morale se sa për vrasjen, e tentim vrasjen, e kanë bërë në çastin kur është penalizuar individ publikisht.

Nga shpifje të tilla, shkrimtar e gazetar kosovar janë përballur edhe para gjykatave ndërkombëtare, dhe klanet kriminale edhe në Evropën Perëndimore. Shkrimet përkthehen me tendencë dhe nisin procese juridike, e kur epilogu merr kahen e viktimës, ata tërhiqen zvarrë dhe heshtin duke mos e shënuar e regjistruar epilogun e procesit.

Pastaj vetëm në Kosovë mund të të ndodhë që Kryeministri i vendit, Parti e caktuar Politike, të shpifin çfarë të duan e çfarë t’iu teket, kundër individit, kundër intelektualit, kundër gazetarit dhe kundër shkrimtarit. Pastaj këtë lajm e publikojnë të gjitha mediat, gazetat, televizionet dhe radiot e shumta. Të gjitha, pa përjashtim do të krijojnë sensacion me lajmin e rrejshëm i dal nga kryeministria, krypartia, nga shoqëria kriminale, dhe ky penalizim, ky lënçim, ky degradim bëhet jashtë çdo kodi moral ligjor e njerëzor. E kur pason reagimi nga viktima, të gjitha gazetat, televizionet dhe mjetet tjera mediatike refuzojnë publikimin e viktimës, deklaratën e të lënduarit, e të persekutuarit dhe të diskriminuarit. Në Kosovë, nuk ka prokuror, nuk ka avokat, nuk ka institucione që e mbrojnë në mënyrë humane intelektualin i cili mund të jetë atakuar publikisht nga Kryeministri i Vendit, nga Krye Partiaku, madje këtu heshtin edhe miqtë, por edhe të gjitha Ambasadat dhe Ambasadorët, e bashkë me ta edhe të gjitha mekanizmat e tjerë ndërkombëtar në Kosovë!

Të nderuar Ambasadorë, sot në Kosovë, me çdo kusht po mbrohet “PAQJA KRIMINALE”. Çuditërisht ju ndeshim edhe juve përballë këtyre demagogëve duke mbrojtur këtë paqe kriminale, madje del shumë qesharake kur bëhen thirrje për popullin nga këto mediume, veçmas kur përballë jush janë kriminelët e njohur duke ju intervistuar, andaj thirrja që i bëhet popullit për të mos i votuar kriminelët duket sa qesharake po aq komike?! Kjo thirrje duket qesharake sepse ju nuk po jeni në gjendje për t’ua drejtuar gishtin atyre që janë kriminel, e në anën tjetër as drejtësia nuk është në gjendje për t’i prangosur as kriminelët klasik dhe as vrasësit e demokracisë, e le më kjo drejtësi ti ndjek penalisht edhe mediumet që krijojnë paqe kriminale.

Paqen kriminale, pa ndal po e stimulojnë mediat e shkruara dhe elektronike që veprojnë në Kosovë. Paqja kriminale po mbrohet për çdo mbrëmje nëpër televizionet e shumta në të cilat gazetarë e analistë të zhytur në krim e kriminalitet mbllaqitin për demokraci, prandaj konstatojmë se mediat në Kosovë, me qasjen e tyre të njëanshme, janë klientelë, përkatësisht shtylla e tretë (nëse jo e para), në funksion të kaosit të përgjithshëm, i cili kundërmon një frymë komuniste e cila është kundër demokracisë në Evropën Perëndimore, po më shumë kjo frymë kundërmon luftë speciale e kundërshtimi ndaj prezencës amerikane në Kosovë!

Vijon…

St. Gallen, 21 shtator 2019.

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.