XHIHADIZËM “BIPARTIZAN”!

0
1001
Drapër - Çekan - Kryq

AV. XHABIR ZEJNUNI

Përveç xhihadizmit tradicional, kohët e fundit po dalin (ose hyjnë!) në skenë edhe figura të reja xhihadizmi, siç janë xhihadizmi komunist dhe xhihadizmi katolik. Nganjëherë ata veprojnë seicili për hesapin e vet. Por, nganjëherë ata veprojnë edhe në bashkëpunim mes tyre, siç është rasti i studiuesit Çelo Hoxha, i cili është vënë nën një sulm total nga xhihadistët komunistë, për librin e tij “Krimet e komunistëve gjatë luftës. Periudha 1941-1945”.

Xhihadistët komunistë po e akuzojnë Çelo Hoxhën si shpifës dhe falsifikues i Luftës së “Shenjtë” Xhihadiste Komuniste. Madje ata po e kërcënojnë atë dhe e kanë denoncuar edhe në Prokurori. I gjori Çelo nuk po bën tjetër gjë veçse po sjellë dokumentet origjinale për lexuesin mbi krimet komuniste. Më radikalët, po kërkojnë edhe dënimin e tij me vdekje me anë të mjeteve tradicionale, siç janë litari dhe “gjysma e lekut”!

Por, pa i mbyllur ai hesapet me xhihadistët komunistë, e gjeti belaja edhe me xhihadistët katolikë, për arsye se me datën 5 shtator, në një status në profilin e tij në FB, ai shkruan se “Nënë Tereza zgjodhi të shkonte te varri i Enver Hoxhës dhe jo i viktimave të tij. Ndaj, përveç shenjtore, është dhe Heroinë e Punës Socialiste”. Thelbi i këtij statusi ishte se me vizitën e saj tek varri i Enver Hoxhës në vitin 1989, Nënë Tereza kishte legjitimuar dhe justifikuar regjimin komunist dhe krimet e tij mbi popullin shqiptar.

Hapu qiell!
Statusi në fjalë, u kundërshtua me anë të disa shkrimeve të ekuilibruara dhe të arsyetuara, të cilët e justifikonin vizitën dhe tufën e luleve të Nënë Terezës tek varri i Enver Hoxhës në vitin 1989. Por, më pas u futën në skenë xhihadistët katolikë, të cilët statusin e Çelo Hoxhës e morën si ofendim, që një musliman i bën figurës së shenjtores Nënë Tereza. Pasi nëse statusin do e kishte bërë ndonjë katolik, ky sulm do kishte qenë më i rafinuar dhe jo me “artileri të rëndë” si në rastin kundër një muslimani. Çfarë nuk u tha ndaj të gjorit Çelo.

Dikush kërkoi kryqëzimin e tij, por u kundërshtua menjëherë. Arsyeja dihet. Dikush tjetër, kërkoi djegjen e tij në turrën e druve. Dikush tjetër, kërkoi pjekjen e tij në hell për së gjalli. Dikush tjetër, kërkoi që atë ta rjepnin të gjallë dhe në lëkurën e tij të shkruhen këto fjalë: “Kështu e pëson kushdo që merret me shenjtorë”. Ndonjë më “realist” tha se me këtë problem duhet të merret vetëm Vatikani, duke qenë se bëhet fjalë për një shenjtore dhe si rrjedhojë është po Vatikani që duhet të vendosë për fatin e Çelos.

Kurse të persekutuarit politikë nga Enver Hoxha si të interesuarit më DIREKTË(!), nuk u shprehën në mënyrë të qartë dhe evaziviteti i qëndrimit të tyre, i dha më shumë frymëzim xhihadistëve katolikë në sulmin kundër Çelos.

Por, këtu del një problem. Kur dalin për të manifestuar veteranët xhihadistë të Luftës së “Shenjtë” Xhihadiste Komuniste me protretet e Enver Hoxhës në duar apo vendosin lule në varrin e tij, ata anatemohen, sulmohen dhe masakrohen pa asnjë dallim.

Ndërsa kur bën vizitë Nënë Tereza tek varri i Enver Hoxhës, kjo vizitë merret si diçka më se normale dhe si rrjedhojë justifikohet. Këtu kemi një peshore, por që nxjerr dy pesha të ndryshme!

Një veprim i kujtdo qoftë, nuk duhet analizuar dhe vlerësuar nga (mos)pesha publike e personit, i cili e kryen atë veprim, por nga MESAZHI që ky veprim përcjell tek populli.

Sidoqoftë, edhe nëse në vitin 1989 Nënë Tereza do ishte shpallur “Heroinë e Punës Socialiste”, kjo dekoratë në fund të fundit një gjë të mirë do e kishte sjellë. Shpërblimin që do merrte Nënë Tereza nga kjo dekoratë, ajo do e kishte investuar në ndërtimin e ndonjë kapanoni, ku në barrela do të kalonin ditët e fundit të tyre të sëmurët (terminalë).

Amen.