(pas dymujorit të shkuarjes në amshim)
Shkruan Prof. Zymer Mehani
Në vëllimin poetik për fëmijët “Zëra të dëlirë” poeti i talentuar nga Besiana, z. Milazim Kadriu na ka dhuruar vargje tejet të bukura për jetën shkollore, për natyrën (bukuritë e vendlindjes, malin, fushën, lumin), për shpendët shtegtarë (dallëndyshen, lejlekun etj), për shtazët (drenushën, lepurin etj), për dukuritë atmosferike (borën, shiun, rrezet e diellit, ylberin etj). Pra, vëllimi në fjalë është dedikim për fëmijët dhe për nxënësit e shkollave fillore.
Këtë konstatim e mbështesim fuqishëm duke u bazuar në gjuhën e thjeshtë, por të pastër dhe në fjalorin, të cilin me shumë kujdes e përdor poeti në ndërtimin e vargjeve. Mund të themi se fjalë kyçe të kësaj përmbledhjeje janë fjalët: shkolla, mësuesi, abetarja, pastaj pranvera, vera, vjeshta, dimri, dallëndyshja, lejleku, lepuri, drenusha etj etj., që janë të pranueshme dhe të dashura për botën fëmijërore.
Autori Milazim Kadriu përmbledhjen “Zëra të dëlirë” e ka konceptuar dhe ndarë në katër pjesë. Në pjesën e parë: NXËNËSIT JANË ZOTUAR, poezitë kanë trajtuar motive nga jeta shkollore. Janë të bukura poezitë e kësaj pjese: “Nxënësit janë zotuar”, “Mësuesi im”, “Abetarja e Gencit” etj. Në këto poezi mbretëron atmosfera e shkollës.
Pjesën e dytë autori e ka titulluar: STINËT E VITIT, ku lehë kuptohet se poezitë e kësaj pjese përshkohen nga motivi i stinëve të vitit. Ndërrimi i stinëve te ne dhe te fëmijët shkakton edhe ndërrim të botës sonë ndjenjore.
Kur fillon të vijë pranvera, gëzohemi shumë, më tepër fëmijët. Ata galdohen nga lulëzimi i luleve, fluturimi i fluturave, i dallëndysheve, i lejlekut etj.etj. Po ashtu edhe ardhjes së stinës së verës më shumë i gëzohen fëmijët. Ta kujtojmë vapën e korrikut dhe të gushtit, lumejtë me ujë të dëlirë, pishinat, liqejt e detin, ku fëmijët ëndërrojnë për t’i kaluar pushimet e verës.
Edhe vjeshta pritet me dashuri të madhe, sepse ajo sjell shumë të mira për ne dhe për fëmijët. Fëmijët i gëzohen vjeljes së pemëve si rrushit, dardhës, mollës etj, por edhe shtatorit, ku sërish takohen në bankat shkollore me bashkëmoshatarët për të fituar dije.
Po ashtu, edhe stina e dimrit i ka bukuritë e veta, që fëmijët i gëzon shumë. Ta kujtojmë akullin, dëborën, fërfëllëzën, rrëshqitjen me saja e me ski me shokët e shoqet, pastaj gjuajtjen me topa dëbore, ndërtimin e dordolecit eti etj.
Pjesën e tretë: FËMIJËT KANË TË DREJTË poeti Milazim Kadriu e ka rezervuar për vargjet, në të cilat, përmenden detyrimet e të rriturve (prindërve, mësuesve etj) që kanë ndaj fëmijëve, pastaj të drejtat, por edhe përgjegjësitë e vetë fëmijëve.
Pjesa e fundit, e titulluar ZOGU LART FLUTURON përbëhet prej poezish që si personazhe kanë lepurin, drenushën, lejlekun, dallëndyshen, fluturën etj., që janë shumë të dashura për çdo fëmijë. Këtu poeti Milazim Kadriu përmes vargjeve jep edhe informacion të shkurtër për këto shtazë dhe shpezë, që janë të rëndësishme për t’i ditur fëmijët e moshës shkollore.
Dëshira e poetit Milazim Kadriu është që të shkruajë për fëmijët, me qëllimin e vetëm sa fisnik, po aq edhe njerëzor, që këta fëmijë të rriten duke e formësuar karakterin e tyre të shëndoshë me virtyte të çmueshme dhe të bëhen të dobishëm për veten e tyre, për familjen dhe atdheun. Dhe vërtet, me syrin e kritikut, me kompetencë konstatojmë se z. Milazim Kadriun nuk e shohim ndryshe, veçse si poet që shkruan edhe për fëmijë, i cili, lirisht mund të themi se është zë premtues i poezisë shqipe për fëmijë.
Gjuha e poezisë së Milazim Kadriut është e thjeshtë, por e pastër. Nuk janë hetuar shkarje nga gjuha standarde. Vargjet janë kryesisht të rimuara, përplot melodicitet, që janë të adhuruara nga mosha e fëmijëve, por edhe të pasura me figuracion poetik, të përshtatshme për moshën e re. Metri i vargut është i ndryshëm. Fjalori është i kuptueshëm për fëmijët.
Vëllimi “Zëra të dëlirë”, pra është libri i radhës i poetit, Milazim Kadriu dedikuar fëmijëve.