Pavdekësia e një ëndrre e imagjinate të dashurisë

0
528
Nexhat Halimi - Darka për dy vetë

Fatmire Duraku

(Nexhat Halimi, “Darka për dy vetë”, botoi Shtëpia Botuese “FAD”, Prishtinë, 2019)

Libri me poezi “Darka për dy vetë” i autorit Nexhat Halimit, i sapo botuar, ngërthen në vete njëqind e pesëdhjetë e nëntë tekste lirike dhe ndahet në shtatë cikle. Secili cikël ndërlidhet me tjetrin paraprak dhe frymon artistikisht veç e veç me miniatura të veçanta, të cilat në fund e përbëjnë një histori tronditëse dashurie. Të fundit herë të takuar në një ndejë të rëndë dhe tejet të pikëlluar. Brenda kujtimit dhe dhembjes libri endet nga një tekst te tjetri, i zgjuar brenda imazhesh të këputura, të cilat i ndajnë dhe prapë i lidhin ciklet “Përhitje”, “Përhitje 2”, “Përhitje 3”… e kështu me radhë.

Librit i paraprin vjersha-prolog ”Pavdekësia” dhe përmbyllet me epilogun “Filozofia e dhembjes”.
Nexhat Halimi është poet, i cili duhet të lexohet me përkushtim, për të arritur me i prekur idetë, mendimet dhe brendësinë e tërë kuptimit të caktuar. Sepse, brenda një vargu disa herë heton nga disa kuptime, nga disa thellësi të cilat herën e parë, gjatë leximit, nuk i ke hetuar, prandaj është i domosdoshëm angazhimi maksimal për ta lexuar dhe për ta zbërthyer thellinë e vargut të tij.
Teksti poetik është i lidhur me dendësinë e thellë të mendimit dhe zgjon asociacione të ndryshme në secilin lexim.
Ja, vetëm një radhitje e një poezie, e cila e dëshmon tërë këtë që u tha më lart.

ma jep dorën fedora ta kaloj veten e verbër
te gjiri yt të digjem për rrënjë të ullirit plak
sa pak unë në mua ka mbetur sa pak gjak

e terr i dendur e pafund hapësirë e vdekjes
plepin nga e presin te pusi për dërrasa varri
e mes vetes merren vesh me gishta

kush ka vdekur këtë të diel me shi fedora
ti zemër apo prapë unë apo prapë unë

ma jep dorën fedora ta kaloj hijen e kullës
nën bubullimën e drinit në shpërthim nga zemra
ja nëntë varrët e elez alisë të shtrirë mbi veten
ende e puthin tingëllimën e pikës së lotit
nën syrin akull të motrës së gurëzuar në hi

ma jep dorën fedora të kthehem te fyelli yt

II (sa pak unë në mua), faqe 7

Poezitë shfaqin detaje, inserte, dromca, dhembje e pikëllim, dashuri e ndonjë sharje, të këputura nga rrjedha e jetës, shpërfaqin detale nga jeta me të gjitha baticat e zbaticat, me dashurinë e urrejtjen, me ëndrrën e realitetin, për ta rrumbullakuar një takim dhe një ndarje e cila gjë te personazhet lë gjurmë të thella gjatë tërë jetës. Rezymeja e gjithë dashurisë së tyre përfundon me një darkë, një darkë e veçantë, specifike, e cila ndodh në ditët dramatike të represionit serb, pak kohë para shpërthimit të luftës atdhetare.

Më një anë rrjedh gjaku e në anën tjetër ndahen ata për t`u bërë gurë të atdheut, siç qe dhe mbeti kujtimi për nxënësen e shkollës së mesme dhe poeten e re Yllka Domi, e cila u vra vetëm pse qe duarthatë dhe e etur për ëndrrën e vet të lirisë.

pse ky lot zotIm ky mallëngjim ky shi
s`vritet kurrë ajo që veç është bërë ti

shi bie degës së var` të qershisë në sy
a s`u shua etje e tokës së lashtë me gjak
a s` çeli hiri yt në lule guri në çabrat

në muzikë shiu ik flakës së ëndrrës ereniku
e ti fluturon me dallëndyshet nga ylli
për ritëm të fjalës gjaku nga rikthehet

e kalliri yt i flokut valëvit për ballë
tiktak i dhembjes bie zemrës vërdallë

fluturimi me fjalën
(në kujtim të yllka domit), faqe 115

Ky libër të bën për vete me secilin varg. Sepse çdo varg i tij është zotë në vetën e vet, e duke e lexuar hyn dhe brenda teje dhe nuk të liron për gjatë kohë, bëhet pjesë e jotja dhe frymon me ty. Ky është dhe qëllimi i artit të mirë, të cilin Halimi e ka lëvizur fuqishëm të tingëllojë ashpër dhe bukur në të njëjtën shtrirje të rrjedhës së vet.

Është e qartë se fjala do të mbetet për secilin dhe do të vazhdojë të jetojë në libër. Në ndonjë libër të shkruar me pikën e ndezur të gjakut, me ëndrrën dhe do të zgjohet te secili që do ta lexojë me përkushtim shkrimin brenda tij, të pikuar nga zemra dhe shpiti i autorit.
Siç ndodh me secilin libër të shkruar me shpirt, siç ndodh me secilin libër, i cili synim e ka ecjen në kohë, në breza gjatë në kohë dhe në udhëtim kah e ardhmja.

Ky libër është i tillë.

Një libër i shkruar me përkushtim, një libër në të cilin autori secilën fjalë, varg, poezi, secilën shenjë në mbarë krijimtarinë e vet artistike e ka matur një kohë të gjatë mirë e mirë, ia ka dëgjuar ritmin dhe muzikën e brendshme, ia ka dëgjuar secilin tingull dhe vetëm atëherë do ta ketë hedhur në letër, që të bëjë jetë jashtë shpirtit dhe gjakut të tij, të bëhet pjesë e pandarë e lexuesit. Dhe kjo, padyshim, ka bërë që poezia e tij të rrjedh herë furishëm e herë tjetër fare i qetë, të rrjedh herë me shkulma dhe gurgullima, deri në bubullimë, deri në vërshim. Ai, vetë është lumë, i cili ndonjëherë rrjedh qetë, me tiktake të zemrës e ndonjëherë shpërthen. Kështu, poeti shpreh botën e vet të brendshme, shqetësimet, dilemat, zhgënjimet. Në këtë sferë të rrethit nëpër të cilin ecën dhe shkruan gjithherë është i pranishëm hiri, e kaluara e mbetur në kujtesë të gjallë, më pastaj uji dhe zjarri. Dhe drita e tokës. Ndërmjet këtu ndonjëherë të shfaqet edhe dashuria e vrarë, por zemra ende e ka në vete dhe nuk lejon t`i ik për asnjë çast gjaku i vet. Kjo bën të rikujtohen data dhe ngjarje , që lexuesin e ngacmojnë dhe e shpien deri në pikëllim, por të veshur dhe me krenari. Në librin “Darka për dy vetë” kemi vargje, të cilat lirisht mund t`i emërtojmë me margaritarë të vërtetë të poezisë së sotme shqipe, sidomos të poezisë së shkruar në Kosovë, e cila për shumë nuanca dallon nga poezia e përgjithshme shqipe.

Kjo gjithsesi për nga motivi, por dhe për nga realizimi, herë simbolik e herë tjetër hermetik. Ky hermetizëm nuk e ka dëmtuar aspak poezinë për të cilën flasim, sepse autori nuk ka lejuar te hyjë ai abstraksioni i zemrës së verbër, për ta mbytur poezinë që tingëllon përmes mendimit, muzikës dhe formës së vet kaq fuqishëm dhe të veçantë.

Vargjet e Halimit janë plot emocione shpërthyese, të realizuara me metafora, me figura dhe ngjyra, të cilat të marrin të ecësh nëpër mendim dhe muzikë të veçantë artistike.

Është kënaqësi ta lexosh një libër të këtillë.