VALËZA FUSHA – ZË PREMTUES NË QIELLIN POETIK TË KOSOVËS DHE MODERATORE E SHKËLQYER E RADIO LLAPIT

0
1216
Valëza Fusha

(Intervistë me poeten e re dhe moderatoren e talentuar të Radio Llapit, Valëza Fusha)

Zymer Mehani: Cila është Valëza Fusha dhe nga është?
Valëza Fusha: Valëza Fusha është bija e Besim Fushës dhe jeton në Podujevë.

Zymer Mehani: Në cilën klasë dhe shkollë jeni?
Valëza Fusha: Mësoj në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani”,drejtimi shkenca natyrore, tani vijoj klasën e 12-të.

Zymer Mehani: Cila lëndë ju pëlqen më shumë?
Valëza Fusha: I pëlqej të gjitha lëndët, por ajo e cila ma zgjon vëmendjen dhe më shfaq më shumë motiv është Gjuha Shqipe dhe letërsia, pa përjashtuar lëndën e biologjisë.

Zymer Mehani: Ju merreni edhe me shkrime. Kur keni filluar të krijoni vargje (poezi)?
Valëza Fusha: Po është e vërtetë. Unë merrem me krijime letrare, kryesisht shkruaj poezi.
Ndonëse kjo simpatia dhe frymëzimi im janë shfaqur në shkollën fillore, por rrugëtimin tim të gjerë në këtë fushë e kam filluar një vit më parë. Që nga ajo kohë poezia është frymë, jetë dhe ushqim për mua.

Zymer Mehani: Cilat tema dhe motive i trajtoni në vargjet tuaja?
Valëza Fusha: Në vargjete mia trajtoj tema nga aktualiteti, nga e kaluara historike e popullit tonë, nga jeta shkollore etj. Zakonisht shkruaj edhe për temat sociale, kryesisht e kultivoj motivin e atdhedashurisë, motivet për vendlindjen, për prindërit etj. Por çdoherë dominon lirika e shpirtit, ngase e shpreh atë çfarë ndjej brenda.

Zymer Mehani: Ju përveç që jeni nxënëse e shkëlqyeshme, po ashtu jeni edhe një zë shumë i bukur i valëve të Radio Llapit, ku jeni moderatore. Si lindi dëshira tek ju për t’u bërë moderatore e një radioje?
Valëza Fusha: Në fakt dëshirën për t’u bërë moderatore e kam pasur qysh në moshë më të vogël, por e kam lënë anash duke e menduar si një dëshirë fëmijërore. Pas pak kohësh vendosa të provoj aftësinë time, dhe po, zëri im iu la shumë mbresa moderatorëve në atë Radio.Tanimë, jam pjesë e Radio Llapit gati qe një vit. Lëvdatat janë ato që më bëjnë të vazhdoj pasionin tim më tutje.

Zymer Mehani: Cilat emisione i moderoni në Radio Llap?
Valëza Fusha: Unë moderoj dy emisione gjatë ditës, të quajtura “Pasdita me ju” dhe “Yjet e Pasditës”. Relaksimi më i mirë shfaqet kur e di se dikush të dëgjon dhe vlerëson zërin tënd.

Zymer Mehani: Veç punës së suksesshme në Radio Llap, ju keni moderuar edhe në përurime veprash letrare të poetëve llapianë. Ku e gjeni gjithë këtë energji?
Valëza Fusha: Energjinë e gjej nga dashuria për letërsinë e veçanërisht ndaj poezisë.

Zymer Mehani: Meqë jeni shumë aktive në mësime dhe në punë, a keni kohë edhe për relaksim dhe lexim?
Valëza Fusha: Thuhet që puna dhe mësimi kërkojnë shumë angazhime. Sa herë që dikush ma bën një pyetje të tillë, unë them se nxënësi i mirë ka kohë për të gjitha. Unë lë anash të gjitha për lexim. Shfrytëzoj netët e qeta çdoherë, ku mendja relaksohet nga letërsia.

Zymer Mehani: Cili është mesazhi juaj për bashkëmoshatarët?
Valëza Fusha: Nëse kam arritur diçka është meritë vetëm falë përkushtimit të vazhdueshëm. Kërkoni përkrahje dhe dashuri familjare për synimet tuaja, sepse asgjë nuk mund ta ndalojë atë që e keni qëllim. Më pak gjumë dhe më shumë lexim dhe gjithmonë larg rrjeteve sociale, vetëm nëse janë në të mirën didaktike.

Zymer Mehani: Cila do të jetë Valëza Fusha në të ardhmen?
Valëza Fusha: Askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen. Unë në të ardhmen veten e shoh si një mjeke e përkushtuar në lëminë e saj dhe si një poete, e cila do të bëhet frymëzim dhe udhëzim i gjeneratave të reja.

Zymer Mehani: Çika e xhaxhit, Valëza Fusha, ju falënderoj shumë për kohën që jua mora. Ishit shumë e mirë. Respekt juve dhe prindërve tuaj. Sukseset tuaja na gëzojnë të gjithëve.

Podujevë, më 12 shtator 2019, Zymer Mehani