Përmbledhja “Te guri i lumit…” përplot dendësi figurash

0
760
Shaban Pllana - Te guri i lumit

Zymer Mehani

“lajnë vashat
te guri i lumit
këmishët e bardha
dashuritë e bardha”
( Strofë nga poezia “Te guri i lumit”)

Posa ta marrësh për ta shqyrtuar vëllimin poetik ”Te guri i lumit… “ të poetit Shaban Pllana, të duket se përpara e ke një mal të rrëpirtë që s’e kapton dot për të arritur në cak, ngase kemi të bëjmë me një vëllim që shquhet për dendësinë e figurshmërisë dhe me një shumësi çështjesh ideo-artistike, që trajtohen në një pleksje temash dhe që brumosen në një tërësi të gjerë shenjash që flasin në hapësirë e kohë e që me sukses i trajton poeti Pllana.

Prej një kallandrisjeje të qetë shpirtërore lind antiteza lakonike që është pasqyrë reale në rrafshin e mendimit ezopik, që zhvillohet përmes pikëpyetjesh elipsoide dhe fantastike për nga paraqitja e gjërave që u vë emër poeti, duke i futur në dorë e duke ua ndjerë temperaturën, butësinë apo vrazhdësinë para rrugës shumëdimensionale.

Me këtë vëllim poetik, poeti Shaban Pllana vërteton dhe na bind se ka dell poetik prej një poeti mjaft të talentuar. Dendësia e figurave artistike është një orkestrim i bujshëm e me vlerë; gjuhën poetike e ka të pasur e të kulluar, të plotë. Gjithçka përmes vargjeve të poetit del e natyrshme, me një stil të pastër e me një komponim hamonik. Ky vëllim është i pasur me të gjitha komponentet karakteristike , me një numër të madh porosish konstruktive që hasim në çdo varg, strofë dhe poezi të vëllimit.

Poeti Shaban Pllana me përmbledhjen “Te guri i lumit… “ paraqet në spektër të tërë stilistik për sa i përket gjuhës poetike, që ai e arrin me një euridicion të madh e observim të gjerë që detajin e zbërthen deri në atom. Kështu ky krijues me angazhimin e vet origjinal e të veçantë po lë gjurmë në letërsinë e sotme shqipe duke e vazhduar misionin e tij artistik në hapësirën tonë gjuhësore dhe kulturore.

Përmbledhja poetike “Te guri i lumit… “ e poetit Shaban Pllana pa dyshim paraqet vazhdim të konceptit poetik mendor, gjë që është parë dhe në përmbledhjet e mëparshme të autorit. Poezia e këtij poeti është refleksive, por jo e tëra e mbyllur hermetikisht. Ajo është kërkuese e denjë, por pa i vënë në pah ekstremitetet, gjithashtu është militante e intimitetit, por përherë si një kërkesë e gjerë, si një shikim universal i njeriut dhe i botës.

Është shumë me rëndësi të thuhet se vëllimi poetik “Te guri i lumit… “ shquhet me poezitë e abstraksioneve të larta, duke i dhënë krah filozofisë së jetës dhe asaj të përgjithshmes me një fantazi të qartë, të kthjellët e të përhershme. Poezia e kësaj përmbledhjeje flet edhe për vlerat tona kombëtare, heroizmin, dëshmorët, shoqërimin, dashurinë, pa të cilat s’ka kuptim jeta. Këtu flitet edhe për kundërthëniet e mëdha e të vogla që i hasim kudo ku jetojmë dhe veprojmë.