PARIMET THEMELORE TË LIRISË SË FJALËS JANË VLERA PËR TË MIRËN E MBARË NJERËZIMIT

0
671
Salla OKB

Salla e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Liria e shtypit dhe e lirisë së fjalës në vëmendjen e grupit të vendeve të industrializuara G-7 javën që kaloi dhe në takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, këtë muaj, në Nju Jork.

Javën që kaloi, përfaqsuesit më të lartë të vendeve anëtare më të industrializuara të botës, G-7 u takuan në Francë për të biseduar mbi një numër çështjesh botërore, përfshirë tregëtinë ndërkombëtare, zjarret që kanë përfshirë Amazonën e Brazilit dhe programin bërthamor të Iranit, ndër të tjera çështje me rëndësi me të cilat përballet vetë ato vende dhe bota.

Por, një çështje që nuk tërhoqi aq shumë vëmendjen, madje as të medias aq shumë — megjithëse kishte të bënte me lirinë dhe mbrojtjen e vetë medias, si gur-themel i demokracisë — ishte diskutimi i udhëheqësve botërorë të grupit G-7, mbi marrveshjen, “Partneriteti për Informacionin dhe Demokracinë”, gjatë një sesioni ku u bisedua mbi çështjet digjitale. Diskutimi mbi lirinë e medias në atë sesion të grupit G-7, u bazua në një nismë që ishte paraqitur një vit më parë nga enti ndërkombëtar me qendër në Paris për mbrojtjen e lirisë së shtypit, organizata “Reporterët pa Kufij” — e njohur si një organizatë që merret me mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit dhe të gazetarëve, anë e mbanë botës.

Siç dihet, Reporterët pa Kufij ose Reporterët “Sans Frontiers” është një organizatë ndërkombëtare jo fitimprurëse e cila promovon politikat në mbështetje të përhapjes së lirë të informacionit dhe të lirisë së shtypit, në përgjithësi, anë e mbanë botës. Sipas një njoftimi nga kjo organizatë, marrëveshja për partneritet jo-qeveritar, për të cilën diskutuan javën që kaloi udhëheqsit e grupit G-7, do të nënshkruhet fillimisht nga nja 20-vende të botës këtë muaj, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithëshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Për Sekretarin e Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, “Kjo nismë po paraqitet në një periudhë tepër të rëndësishme, kur mjete të ndryshme të komunikimit dhe të përhapjes së informacionit po transformojnë botën, ndërkohë që pasja e informacionit të besueshëm dhe të nevojshëm, bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Nga takimi i grupit G-7, javën që kaloi, në Francë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ua paraqiti “Nismën për Informacion dhe Demokraci” kolegëve të tij në takimin G-7, duke u bërë thirrje që edhe ata t’i bashkohen kësaj iniciative. Në njoftimin e organizatës, Reporterët pa Kufij, thuhet se kjo nismë u mbështet njëzëshëm nga pjesëmarrësit në takimit e G-7 të javës që kaloi në Francë. Presidenti i Francës, Macron e përmendi këtë nismë gjatë takimit përfundimtar që zhvilloi me gazetarët në mbarim të takimeve G-7, duke thënë se, “Ne u dakordësuam zyrtarisht për të mbështetur nismën e “Partneritetit për Informacion dhe Demokraci”, që siç e dini edhe ju, është një nismë jashtëzakonisht e rëndësishme, e paraqitur nga organizata Reporterët pa Kufij, së bashku me shumë partnerë që bëjnë pjesë në Forumin për Paqe, mbajtur në Paris nëntorin e kaluar. Me atë rast, u bë shumë punë, në bashkpunim me partnerë ekonomikë dhe qeveritarë që ishin të pranishëm në atë forum, aktivitet ky që do të kulmojë me nënshkrimin zyrtar të kësaj nisme, në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, këtë muaj në Nju Jork”, theksoi Presidenti francez para gazetarëve në mbarim të takimit të nivelit të lartë të G-7 në Francë.

Vetë organizata Reporterët pa Kufij shprehu kënaqësinë që nisma e paraqitur prej saj vitin që kaloi, u diskutua në nivelin e udhëheqësve të grupit G-7 në takimin e tyre të nivelit të lartë në qytetin Biarritz të Francës. Sekretari i Përgjithëshëm i kësaj organizate, Christophe Deloire falënderoi “Komisionin për Informacion dhe Demokraci”, për punën e tij, duke, “bërë të mundur hedhjen e këtij hapi me rëndësi, në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të lirisë së të shprehurit”. “Komisioni për Informacion dhe Demokraci” përbëhet nga 25 figura të njohura botërore, përfaqsues të 18-vendeve të ndryshme, duke përfshirë ndër ta fitues të Çmimit Nobel, gazetarë të njohur botërisht, specialistë të teknologjisë moderne, juristë dhe ish-udhëheqës të enteve të ndryshme ndërkombëtare.

Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës Reporterët pa Kufij, njëkohësisht edhe bashk-kryetari i “Komisionit për lirinë e Informacionit dhe Demokracinë”, Christophe Deloire, shtoi se “Deklarata për lirinë e Informacionit dhe Demokracinë, botuar vitin që kaloi, nënvijon parimet bazë në mbështetje të lirisë së fjalës në hapësirën e informacionit dhe të komunikimit global “online”, me qëllim për të promovuar dhe për të inkurajuar lirinë dhe besueshmërinë e informacionit, në nivel ndërkombëtar. Ne e dijmë”, shtoi ai, “se jo të gjithë udhëheqsit botërorë mbështesin këtë nismë, por kjo, sipas tij, “përbën edhe një arsye tjetër për të promovuar këtë ide dhe për ta mbështetur, ndërkombëtarisht”.

75-vjet nga miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambeja e Përgjithëshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe 30-vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit dhe fundit të diktaturës komuniste në Evropë, kriza e të besuarit në demokraci dhe rritja e influencës së regjimeve despotike në Evropë dhe në botë, përbëjnë një kërcënim të madh ndaj lirisë, demokracisë, harmonisë civile në shumë vende dhe paqës në botë, në përgjithësi. Disa prej arsyeve kryesore për këtë fenomen, thotë “Komisioni për Informacion dhe Demorkaci”, janë kontrolli politik i informacionit në hapësirën publike globale, influenca e interesave private, shtimi i fuqisë së oligarkëve, të cilët anashkalojnë kontrollet demokratike, e të tjera. Presidenti i Francës, Macron ka shprehur arsyenë për mbështjetjen e tij për këtë nisëm duke thekësuar se, “Liria e të shprehurit dhe liria e shtypit, që është gur-themeli i demokracive tona, përparimin e të cilës e kishim konsideruar si të pakëthyeshëm dhe të paprekshëm, në të vërtetë, pikërisht, kjo vlerë demokratike po vihet gjithnjë në dyshim dhe po kërcënohet prapë.

Si rrjedhim, “Deklarata Ndërkombëtare për Informacion dhe Demokraci” e përpiluar, para një viti, nga Komisioni i përbërë nga 25 ekspertë nga vende të ndryshme të botës, po vendosë parimet themelore për përdorimin e hapësirës globale të informacionit dhe komunikimit, parimet që ajo i përcakton si një vlerë që, “Duhet të përdoret për të mirën e përbashkët, në përfitim të mbarë njerëzimit.” Si e tillë, është përgjegjësia e mbarë njerëzimit që të kujdeset – nepërmjet institucioneve demokratike — për mirëmbajtjen e kësaj hapësire publike, për tu përdorur për përhapjen e fjalës së lirë dhe në shërbim të lirisë së shtypit, në mbarë botën. Deklarata në fjalë, që është përpiluar dhe botuar nëntorin e vitit të kaluar, përcakton garancitë demokratike, në mbështetje të lirisë, pavarësisë, pluralizmit dhe besueshmërisë së informacionit, në një kohë kur hapësira publike për shpërndarjen e informacionit është globalizuar, digjitalizuar dhe destabilizuar!