NGA POEZIA KINEZE

0
1068
Poezi kineze, lule

1. K. Fukajabu

Tani është dimër

Tani është dimër.
Por petalet e bardha
Zbresin nga qielli.
Mbase, përtej reve
Tashmë është pranverë

2. Bonsui Tschti

YJET DHE LULET

Si dy motra të rritura nga nëna
që quhet «natyrë» dy qenie:
Ylli dhe Lulja.
Lulja e qiellit quhet Yll,
Ylli i tokës quhet Lule.
Dhe njëra është larg nga tjetra,
por era e tyre është e njëjtë.
Dhe është bukur të shohësh çdo mbrëmje
që motër e vëlla shkëmbejnë buzëqeshjen dhe
dritën tyre
Kur zbardh agimi dhe vezullimi i zbehtë
zbardh retë,
lulet e qiellit shuhen.
Por shikoni: pikat e vesës së bardhë
lagin, si pika loti, yjet e botës tokësore.

3. AI CH’ING

KARROCA E DORËS

Në krahinat e lagura nga Huang Ho
në shumë shtretër të tharë lumenjsh
karrocat e dorës
vetëm me një rrotë
lëshojnë tingëllimë të mprehta sa përpëlitet qielli
nëpërmjet ngricës dhe heshtjes
nga rrëza e atij mali
tingëllon
gjëma e njerëzve të veriut.
Në ditët me borë dhe ngricë
në fshatrat e varfra dhe midis një fshati dhe tjetrit
karrocat e dorës
me një rrotë të vetme
lenë vraga të thella mbi pluhuri shtrirë
nëpërmjet hapësirës dhe dëshpërimit të plotë
nga kjo rrugë
për këtë rrugë
plekset
gjëma e njerëzve të veriut.

4. ANONIM

I BLERTË, I BLERTË, BARI

I blertë, i blertë bari
I blertë, i blertë
Bari gjatë vijës së ujit.
I dendur, i dendur
Shelgu i kopshtit.
E trishtë, e trishtë
Zonja në kullën e saj.
E bardhë, e bardhë,
Ulur nën prag të dritares.
E bukur, e bukur,
Faqja e lyer me të kuqe.
E hollë, e hollë,
Dora e zbehtë që zgjatet.
Dikur ishte vajzë në një shtëpi vallëzimi
Tani nuse e një endacaku.
Endacaku u nis dhe s’u kthye më.
E rëndë të mbesësh fill e vetme në shtratin bosh.

5. ANONIM

XUNKTHAT

Xunkthat e moçaleve janë të gjelbra
Dhe përkulen në erë.
Pashë një grua që ecte atje
Në mbarim të ditës.
Mbi ujin e zi të moçalit
Pluskojnë gonxhet e bardha të lotusit.
Unë e pashë në këmbë mbi bregore
Në të rënë të natës.
Gjithë natën rri zgjuar,
Dhe s’mund të gjej gjumë.
E përkulshme më duket
Si një xunkth i thjeshtë në erë.
Mbyll sytë dhe shoh përsëri
Bardhësia e gushës së saj,
Mbi ujin e zi të natës pa hënë.
Të pluskojë si lule lotosi.

Përktheu: Faslli Haliti