Poemë për Lulëkuqet

0
1174
Zymer Mehani, portret

Zymer Mehani

I
– Lulëkuqe, lulegjaku
Kur paskit çelur
Mos dje
Kur qaja për ju?
– Lulegjaku, Lulëkuqe
Kur paskit lulëzuar
Mos një ditë
Kur qielli ish i mërrolur?

II
Ju që u flijuat-
Ju dua
Lulëkuqe të kohës
N’udhëtim
Prore do t’jetoni
Në mua
Nga malli për Ju
Dot nuk gjej ngushëllim
Juve Lulëkuqe në jetë
Shumë Ju desha
Ishit hijeshia
E këtij Kopshtit tim
Lulëkuqe t’kësaj Toke
Lulegjaku lule
Lavdi ju qoftë prore-
Soji i gjakut tim
Ballin atdheut ia nderuat
Ia ndritët e dritësuat
Tani Ju dëshiroj
Veç qetësi hyjnore
Vargjet edhe fjalët
M’janë bërë lapidare
Lulëkuqe për Ju-
O margaritare

III
Ju jeni mbretëreshat e luleve
Në fushat e mia
Harliseni me kokë drejt qiellit
Ju shtohet lavdia
Lulëkuqe ishit dhe jeni
Në kujtesë ju kemi
Gjaku Juaj s’venitet
Është dritë që kurrë s’fiket
Ju ratë për t’vërtetën
Kënga Jua pranveron jetën

IV
Në fushat e paanë të Kosovës Kreshnike
Çelin dhe harlisen Lulëkuqet e Shqipes
Si të mbijnë nga shpirti, si të mbijnë nga zemra
Lulëgjaket ilirike me ngjyrat kuqezi
Në truallin tënd rrisin shtatin, e lashta Dardani
Lulëkuqe si gjaku dhembje e krenarie
Që veç Tokës Sate, Kosovë i kanë hije
Lulëkuqe qëndrese, Lulëkuqe LIRIE….
Dada Shotë me plis mbi vetull
E Ganimeti me të bukurin gërshet
Xhevë Ladrovci e Ylfete Humolli
Antigonë Fazliu me zemrën si det
Hyra e Sanija lulëkuqe t’Tokës sime
Njëra heroinë, tjera motër n’zemrën time
U nisën në luftëra nën Flamurin Kuqezi
E në zemër plot guxim për t’ atdheut liri
Lavdi Ju qoftë motra t’ADEMIT e t’ZAHIRIT
Lavdi jetë dhe mot, mbesa t’SKËNDERBEUT!
Lulëkuqe u lindët dhe e rritët shtatin
Kosovës nënë ia shtuat hijeshinë
Lum si ne që ju kemi, o bija të ARBËRIT
Me shkronja të arta na shkruat historinë!


Zgjohen ëndrrat

Nëpër sitën e shpeshtë të rërës
Zgjohen ëndrrat e vjetra të lumenjve
Nga vetmia e rehatshme, e paqartë
Në lodhje, rraskapitje të gjatë
Së bashku me mallkimin tim
U raftë rrufeja kokave tradhtare
I plagosur në shtat është kombi im
Nga padrejtësi e Europës dinake
Se gjëmimi i maleve na zgjon nga gjumi
Se lundrën tonë po e tundin valët
Përçarjet të shkrihen në unitet
Shtigjeve të fshehta po bredhin kusarët
Klithja që shpie burimeve t’agimit
Mbështjellë me velin e qetësisë
Thërret për aktin e Ribashkimit
Thërret për nder të Shqipërisë


Qyteti i pambuktë

Dua të ndërtoj
Një qytet t’pambuktë
Ku s’do të ketë vend
Për hijenë as ujk
Një qytet me plan
Shumë të butë, kuptohet
I pambuktë do t’ jetë
Që kurrë s’do t’ rrëzohet
Me butësi, mirësjellje
Dhe me besënikëri
Do t’i ndërtoj kullat
T’larta, miqtë e mi
Jo prej gurësh, as tullash
Por me pupla pëllumbash
Do t’i ndërtoj shkollat
Dhe çerdhet e bukura
Dhe kopshtet e parqet
Për zogjtë edhe fluturat
Bedenet e qytetit tim t’ri
Do t’i ndërtoj veç me dashuri
Dhe vlerën njerëzore
E besën stërgjyshore
Kryetar t’qytetit
Do ta bëj një fëmijë mitar
Sepse ne të rriturit
Po bëhemi hileqarë


Toka ime

Shumëkush ty shpesh ta mësyu
Nga toka, nga qielli, nga deti
E ti ç’ua bëre hatanë
Çdo sulltani, krajli e mbreti
Ty të sulmoi shumëkush
Me flakë, me zjarr, me hekur
E ti ç’i mbulove me zi
Fatkëqinj i bëre me shekuj
Shumëkush seç t’u vërsul
Ty tokë me lulëkuqe
Kuqezi është jeta jote
Dhe ngjyrën e ke të kuqe
Me mund dhe djersë të ujitëm
Gjysh, stërgjysh denbabaden
Shpeshherë me gjak të lamë
E plagët kurrë s’na u thanë

II
Për Ty, Tokë Arbërore vargje shkruaj
Për Ty galdohem dhe vuaj
Për Ty poezi ndërtoj
Për Ty këngët i këndoj
Veç Ty, o Tokë Arbërore
Si buzëqeshjen e fëmijës të dua
E dua dhe gjuhën tënde
I dua lulëkuqet e tua
Dhe dhéun tënd ta puth
O Toka ime e shtrenjtë
E dua gjuhën tënde të gurtë
Dhe emrin tënd të shenjtë

III
Edhe pse shumë ke vuajtur
Ishe e fortë shkëmb
Qëndrove si mal i lartë
Askush s’mundi të të shëmb
Të huajtë kurrë s’ia dolën
Të t’i rrënojnë kullat
Se nënat shqiptare
Lindën dhe rritën burrat
Ti ke zemër çeliku
Dhe Dykrenoren Shqipe
O Toka jonë Arbërore
O Vatra jonë besnike
Ti prore je DJEP TRIMASH
Dhe sot KRENARE je
O Toka ime e shtrenjtë
Të kam zot, besë dhe fé


Më thuaj, Arbora

– Më thuaj, Arbora
Ku u fsheh dashuria?
– Eja dhe kërkoje nën çepalla t’mia!
– Arbora, më thuaj
Ku t’gjej bukuri?
– Eja dhe shikoje në k’ta sytë e mi!
– Më thuaj, Arbora
Ku është ëmbëlsia?
– Eja dhe shijoje në buzët e mia!
– Arbora, më thuaj
Ku t’gjej lumturi?
– Eja përjetoje në krahët e mi!


Eja të lozim, motërz

(Poezi për fëmijë)

Eja të lozim, motërz
Me kukullën e kuqe,
Eja ta bëjmë t‟bukur,
Eja ta bëjmë nuse!
Shpejto, motërz-o,
Eja, bashkë të lozim,
Kukullës së dashur
Buzët t‟ia ngjyrosim!
T‟i veshim fustanin,
T‟ia rregullojmë vetullat,
Me fjongo stolisur
T‟ia lidhim gërshetat!
T‟ia ngjyrosim gishtat,
N‟ vesh t‟i varim vathë,
T‟i varim qafore,
T‟i mbathim çorapë!
Vitet shpejt kalojnë
Kujtimet jetojnë


MË FAL !…

Më fal, babë, mua më fal
Zemra jote sa një mal
Më fal, nënë, më fal mua
Zemra jote porsi krua
Më fal, vëlla, o lastar
Zemra jote ndrin si ar
Më fal, motër sikur flutur
Zemra jote qoftë e lumtur
Më fal, shok, imi krah
Vlera jote çmim nuk ka
Më fal, shoqe, zemra ime
Në jetë prore paç gëzime
Më fal, bir, biri im
Zemra jote- shpirti im
Më fal, bijë, ime bijë
Jeta jote bBardh të ndrijë