45 vite në vetmi, kalvari i çiftit simpatik, ushtarakut elegant shqiptar Valentin Pervizi e vajzës së bukur bolonjeze, Maria Gorizzia
Nga Luljeta Progni, 29 gusht 2019
20 shkurt 1991. Maria Gorizzia ishte zgjuar herët në mëngjes. Do përgatitej për një ditë shumë të rëndësishme. Në dhomën e saj të vetmuar, kishte diku në qoshe një komodinë ku ruante sendet më të shtrenjta. Prej andej, nxorri disa bizhu e nisi t’i vendosë në qafë e duar dhe pasi u stolis, u nis plot me emocione drejt aeroportit të Bolonjës. Atje priste orën kur do të mbërrinte një avion nga Tirana. Qëndroi gati gjithë ditën, sepse avioni ishte nisur me vonesë nga Tirana, për shkak të situatës politike që po kalonte asokohe Shqipëria. Atë ditë, po rrëzohej busti i diktatorit Enver Hoxha. Maria Gorizzia (Gori) priti disa orë në aeroport dhe as që i shkoi mendja të largohej, pasi kishte një bindje se avioni nga Tirana do të vinte gjithsesi. Kishte një jetë që e priste atë çast. Ishte pasdite në Bolonja, kur Gori arriti të shohë nëpër tabelat e aeroportit se avioni nga Tirana, ishte nisur e do të mbërrinte shpejt në destinacion.
Ishte vendosur në një qoshe atje, ku arrinte të shquante qartë të gjithë pasagjerët që do të zbrisnin nga avioni. Erdhi çasti. Avioni kishte mbërritur dhe pasagjerët pas pak minutash, nisën të shfaqen. Para syve i kaluan me radhë të gjithë pasagjerët dhe Gori mbeti e shtangur në këmbë. Aeroporti nisi të boshatisej dhe Gori po ndiente ftohtësinë e stinës e të fatit të keq, që iu duk se po e përndiqte. Nisi t’i drejtohej portës së daljes, kur i kapi syri një siluetë në një prej karrigeve në terminal. Ishte një burrë i kthyer me kurriz, që po qëndronte i drojtur dhe i vetëm në atë karrige. Gori iu afrua ngadalë edhe nisi të bëlbëzojë emrin Valentino… silueta nisi të lëvizë e Gori me të “panjohurin” u panë sy më sy. Ishte Valentini, dashuria e jetës së saj… kishte 45 vjet që e priste.
Gori nuk e kishte njohur kur i kaloi para syve, e as Valentini nuk e kishte njohur fytyrën e gruas, që dikë kërkonte duke pritur me ankth. Gori e Valentini kishin ndryshuar mjaft. Ashtu si të habitur, u panë sy më sy për disa sekonda e mes lotësh u përqafuan…
“Valentini ishte ulur në një qoshe të sallës së pritjes duke parë nga jashtë, me mend se Gori do t’ishte vonue ose mund të kishte ngatërrue orarin. Ajo afrohet dalëngadalë afër personit, dhe me një gjysmë zani i foli: «Scusi Signore, lei non è per caso Valentino?…» . Valentini ishte kthye: «Gori?» …dhe u përqafuen pas 47 vjetësh si pleq. Ky Uliks i shekullit njëzet, ia kishte kalue Uliksit të 3000 vjet ma parë, sepse jo 20 vjet por ma tepër se dyfishin e kohës, i ishte dashun të përballonte stuhitë e tallazët e detëve ideologjike të komunzmit, për të arritë të përqafonte të dashunën e tij, që ia kishin grabitë nga krahët në moshën ma të bukur të rinisë. E tashti pas 45 vjet arritën të bashkohën, sa thue nuk po njihnin njeni-tjetrin…“, rrëfen Lekë Pervizi, takimin në aeroport të të vëllait Valentin me bashkëshorten e tij, Gorizzia (Gori).
I fundit përqafim i tyre kishte ndodhur fiks 45 vjet më parë, në mars të vitit 1946, kur Gori mori rrugën e riatdhesimit në Itali e Valentini një tjetër rrugë, një udhëtim të gjatë nëpër burgjet e kampet e internimit gjatë regjimit komunist. Prej atij përqafimi të fundit, në mars të vitit 1946, Maria Gorizzia do të kthehej në shtëpinë e saj në Bolonja, për të qëndruar atje e vetme, me shpresë se një ditë do të kthehej bashkëshorti i saj i dashur, Valentin Pervizi.
Ndërkohë, Valentini do të shëtiste thuajse të gjitha kampet e diktaturës, duke nisur me burgun e Shkodrës, kampet e internimit të Beratit, Kuçovës, Porto-Paleroms, Tepelenës, Çorovodës, Fabrikës së Tullave Tiranë, Shtyllas të Fierit, Kuç të Vlorës, Plug e Gradishtë të Lushnjës. 47 vjet i dënuar nga regjimi komunist. E gjithë rinia e tij burgjeve e internimeve, e gjithë jeta e tij trishtim.
Dënohej vetëm për shkak se ishte i biri i gjeneralit të famshëm të asaj kohe, Preng Pervizi, i shpallur nga regjimi komunist si “armik i popullit”.
Valentin Pervizi kishte përfunduar akademinë ushtarake të Modenas në Itali. Ishte një ndër ushtarakët më në zë të kohës dhe i spikatur në luftën kundër gjermanëve. Më 20 shtator të vitit 1943, ishte kapur si rob lufte nga gjermanët me oficerët e tjerë italianë, të cilët ishin dërguar në kampin e Dakaut. Valentini bashkë me dy shokë oficerë italianë, mundën të arratiseshin nga kampi i Fraskatit. U kthye në Bolonja, atje ku e priste e fejuara e tij Gorizzia. Në vitin 1943, Valentini dhe Gorizzia u kurorëzuan në martesë dhe u duk se gjithçka do të shkonte mirë. Por në korrik të vitit 1944, Valentini vendos të kthehet në atdhe bashkë me bashkëshorten e tij. Gjen shtëpitë e djegura dhe familjën e strehuar në malin e Skurajt.
Pas pak muajsh, në dhjetor 1944, komunistët e arrestojnë dhe e burgosin vetëm për faktin se ishte i biri i Prenk Pervizit, që kishte qenë gjeneral në qeveritë e mëparshme të Shqipërisë.
Kështu nis kalvari i çiftit simpatik, ushtarakut elegant shqiptar, Valentin e vajzës së bukur bolonjeze, Gorizzia.
Takimi i fundit
Në atë mars të 46-ës, Valentini ishte në burgun e Shkodrës. Po i afrohej një ditë e trishtë. Drejtori i burgut, që kishte qëlluar të kishte një farë humanizmi në raport me xhelatët e diktaturës, e thirri Valentinin në zyrë, atje ku e priste bashkëshortja, Maria Gorizzia. Takimi do të duhej të zhvillohej në prani të drejtorit, por ky i fundit u përpoq të largohej sa mundi, për t’i lënë dy të rinjtë në aq intimitet sa mundej. Ishte takimi i tyre i fundit. “Valentini u mundue me e qetësue bashkëshorten duke i dhan kurajo e zemër. Duke përfitue nga rasti kur drejtori shkoi në fund të dhomës, para se ai të kthehej i tha Gorit se në rastin ma të parë ai do të mundohej të arratisej nga Shqipnia, prandaj kishte një shpresë shpëtimi për ta. Këto fjalë sikur e qetesuen Maria Gorizzian, sa që e mori veten.
Drejtori e lejoi zgjatjen e takimit deri kur vetë ato të dy e vunë në dijeni se kishte ardhë çasti i ndarjes e nuk donin të përfitonin nga mirësjellja e tij. Kështu e shoqja e përshëndeti drejtorin duke i dhanë dorën në shenjë falendërimi. Por Valentini u çudit kur drejtori, ndërsa ai po ulej te shkallët i kishte shtrëngue dorën fort duke i thanë: “Mos u mërzit, sepse nuk i dihet, mund të lirohesh e kështu mund të bashkohesh përsëri me të.”
Valentini e kishte falendërue dhe ai i la përsëri vetëm, ndërsa kalonin sallonin dhe zbrisnin shkallët. Kur arritën në fund të shkallëve u përqafuen para se të ndahëshin, pa mund të thonin nji fjalë aq i kishte pushtu emocioni. Valentini e përmbante veten mos me derdh lot. Matanë hekrave ishin grumbullue shokët e burgut, te cilët donin t’u gjendëshin afër në ato çaste të dhimbshme. Gori, nuk mund ta përmbante veten, e kishte shpërthye në vaj të ngashëruem dhe ashtu doli prej burgut”, rrëfen Lekë Pervizi, vëllai i Valentinit.
Pas riatdhesimit të Maria Gorizza-s, Valentini denohet me tre vjet internim në Berat, ku bashkohet me gjyshen e nënën e tij. Më pas, në shkurt 1948, lirohët e bashkohet me të vëllanë e vogël, Lekën, në Tiranë. Maj 1950, arrestohet me gjithë Lekën e mbyllet ne kalanë e Portopalermos. Në vitet 1951-1952, Valentini e Leka dënohen në kampin e mbyllur të Tepelenës, me punë të rënda të detyrueshme. Më pas, në vitin 1952-1954, kampi i Ҫorovodës dhe fabrika e tullave Tiranë, me punë të detyrueshme. 1954, në kampin e Plugut të Lushnjës, punë të detyrueshme në bujqësi. 1954-1955, kampi i Shtyllazit, punë të detyrueshme me të burgosurit, gërryerje me krah të një kanali të madh. 1955-1958, kampi-burg i izolimit në Kuç të Vlorës (Kurveleshit), izolim pa punë. 1958-1991, në kampet e Plugut e të Gradishtës së Lushnjës, në punë të detyrueshme në bujqësi e ndërtim.
Nëpër kampet e diktaturës
Ishte viti 1956. Valentin Pervizi, ishte një prej punëtorëve të Brigadës së ndërtimit në Çermë. Mëngjesi i tij niste me apelin në kampin e internimit në Gradisht e më pas nisej drejt Çermës ku punonte në brigadën e ndërtimit. Një makinë e merrte bashkë me të tjerë djem e burra të internuar dhe i çonte në Çermë për t’i kthyer pasdite kur paraqiteshin në apelin e radhës. Kjo ishte dita e jeta e 36-vjeçarit, Valentin Pervizi. Puna që ishte detyruar të bënte nuk kishte asnjë lidhje me profesionin e tij.
“Kështu Valentini rrinte me ne gjatë gjithë javës të punës dhe të dielave shkonte ne Gradishtë. Kjo i jepte mundësi me shkue edhe nga qyteti, ku postonte ndonjë letër ose kartolinë. Sikur u lidh një farë korespondence ma e rregullt me Gorin. Nga kjo farë lirie, në letrat e Valentinit e të Gorit shprehej dashuria e pashtershme dhe shpresa e një bashkimi të afërt të tyne. Me prishjen e marrëdhanjeve me Bashkimin Sovjetik, sikur u acarue gjendja përsëri e lidhja me Kinën e keqësoi ma shumë. Letër këmbimi me Gorin u bllokue. Kaloi një kohë shumë e gjatë heshtje. Letrat e kartolinat as shkonin as vinin. Maria Gorizzia e merakosun, i drejtohet prapë Ministrisë së Jashtme. Nga Ambasada në Tiranë vjen një telegram ku shkruhej:
“…për sa do të vazhdojë regjimi aktual në Shqipëri, mendohet se do të jetë shumë e zorshme që Pervizi, që konsiderohet “armik i popullit”, të mund të fitojë lirinë”. Ambasada Italiane
29 shtator 1967.
Lajmi i ishte dhanë Gorit me shumë kujdes nga Ministria nëpërmjet Shtëpisë së Oficerëve, ku kishte shërbye Valentini dhe ku ai figuronte akoma efektiv (rob lufte). Sidoqoftë Gorit, me gjithë kujdesin e treguem nga oficeri përgjegjës, lajmi i kishte shkaktue troditje e kishte kalue ne depresion, ku iu desh te shtrohej disa ditë në spital. Qëlloi që një mik yni i lirë, që i lipsej një dokument për motrën e tij të martueme ne Itali, kur kishte hyrë në ambasadë, vetë ambasadori italian e kishte pyetë, nëse e njihte dhe dinte apo kishte informacion për Valentin Pervizin. Ai që na njihte fare mire, i kishte tregue se si Valentini gjëndej i internuem pa shpresë lirimi në Gradishtë. Ky mik i joni punonte e banonte ne Lushnje dhe meqe ndonjëherë e takoja, me tregoi për Ambasadën, ku e kishin pyet për Valentinin. Gjendja shpirtnore e Valentinit ishte randue.
“Me fundin e diktaturës, në prag të vitit 1990, letërshkëmbimi mes Valentinit dhe Gorit, u ba me i rregullt, dhe e shoqja dërgoi edhe disa pako, si dhe dollarë. Ajo shfaqte dëshirën që të vinte vetë në Shqipni, duke qenë se u hapen dyert e lirisë. Por Valentini e këshilloi mos me e ba atë hap dhe ta priste në Bolonja ku do të vinte vetë. Po të kishte ardhë grueja, ku ta çonte, në kampin e Gradishtës? Mirë do të kishte qenë për të njohun kushtet mizerabel, ku kishte jetue e punue Uliksi i saj”, rrëfen lekë Pervizi.
Valentin Pervizi, jetoi në Bolonja pjesën e mbetur të jetës së tij, bashkë me Maria Gorizzia-n. Valentini ndërroi jetë në mars të vitit 1999 dhe pak vite më pas, në korrik 2003, ndërroi jetë edhe Maria Gorizzia. /kujto.al