(Nexhat Halimi “Njeriu me zgjedhë”, botoi “Amfora”, Prishtinë, 2002)
Nga Fatmirde Duraku
Shkrimi letrar në poezi, prozë apo në dramë kërkon përkushtim të përhershëm dhe çdo ngecje në këtë rrjedhë, çdo heshtje në këtë përpjekje mund të lë pasoja ndonjëherë mjaft të rënda. Poeti i njohur Nexhat Halimi para lexuesit të vet hesht tash e trembëdhjetë vjet, që më në fund të botojë librin e vet të ri “Njeriu me zgjedhë”. Çfarë është e njëjtë dhe çfarë ka ndryshuar nga mendimi, muzika dhe forma e shkrimit poetik te ky autor? Asgjë. Kjo ka mundur të arrihej me heshtje aktive, duke shkruar gjithnjë, por pa botuar për kaq vjet, e cila gjë ka bërë që autori megjithatë ta ruaj vargun e vet të pasur, pa e dëmtuar shumë rrjedhën e as ngjyrën e krijimtarisë.
Është po ritëm, po ai tingull, po ai përjetim, që në librat e mëhershëm poetik e karakterizonin këtë autor, e bënin të veçantë në letërsinë shqiptare. Kështu, jo se është dëmtuar diçka, por të shumtën e herës poezia ka fituar në mendim, në çdo krijim hetohet një leksik i ri, një kompozim i ri, një motiv i ri që në shumë aspekte e bën më të thellë librin. Autori këtë herë dendur përdor fjalët – zjarri, uji, gruaja – çelësi – kulla, kafka – rrënja, gjarpri – shtëpia – kroi, për ta krijuar qiellin e fluturimin e fjalës së vet në atë qiell, për ta krijuar lirinë e paprekur të poezisë, që ta përjetojmë si një pjesë të pandarë të shpirtit. Pikërisht këtë e vë në plan të parë Aristoteli, i cili pohon se kënaqësia e parë që na ofron poezia del nga zjarri i saj për rinjohje. Libri “Njeriu me zgjedhë”, 2002, i Nexhat Halimit, është pikërisht libër i rinjohjes.
Botimin paraprak ky autor e kishte më 1989, librin për fëmijë “Molla e fshehur” , pas të cilit do të hesht shumë vjet. Ky libër, mbyllte një periudhë të gjatë e të suksesshme shkrimi, gjatë së cilës botoi dy romane “Deri në kryq” (1970) dhe “Pullazet e përhirta”, një dramë “I plagosuri” (1966), librat me tregime “Vapë” (1974), “ Unë me Unë” dhe “Ombrella”, si dhe librat me poezi “Parakalimi i etjeve” (1969), “Afërsia e largësisë”, “Hark”, “Dita e daljes”, “Truphija” , “Gjeli i dylltë” e “Fajtori mitik” për të cilat qe vlerësuar nga lexuesi dhe kritika, si njëri nga autorët që ka sjellë frymë të re në letërsinë tonëç.
Kritiku i shquar Sabri Hamitin shkruan se poezia e tij është “ligjërim i ashpër dhe i dhembshëm në të njëjtën kohë, i kapur për ashti të fjalës e të ligjërimit, poezi që përmban në vete ethet e kohës”, ndërsa kritiku tjetër, Mensur Raifi thekson se “ Vjershat e Nexhat Halimit janë margaritarë të vërtetë poezie – kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet, me strofa e rima të caktuara, të rregullta, si dhe krijimet në varg të lirë – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një – tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim”.
Librin e ri – “Njeriu me zgjedhë”, autori e realizon kryesisht në formën e poezisë lumë, që nuk është rast i shpeshtë i aplikuar më parë. Te ky libër, ndopak ndërron edhe filozofia e shikimit të gjërave, ndërron brendësia e tyre,por edhe forma, me të cilat ndërtohet poezia, e cila është më e hapur, më e liruar nga mbyllja në vete. Ndërrojnë simbolet dhe metaforat. Ato tashmë kanë një kuptim më të lidhur me tokën, me detin dhe qiellin, nis nga Molla e Kuqe e deri te Çamëria, nga aty deri te kulla ku e la frymën e vet Teuta, deri te çukërmimi i kalit të harbuar në gurin e Dubrovnikut, deri te zbulimi i artefakteve në Cazin, deri te rekuiemi në kishën e Dioklicianit…
Shtrihet në këtë mënyrë i tërë kurmi, tashmë i prerë, por i lidhur përmes fijes së padukshme të shpirtit, përmes fijes së dhembjes dhe të kujtimit, duke e fuqizuar edhe një herë të vërtetën se harrim nuk ka kurrë. Herë-herë ke përshtypjen se nuk është më ajo poezia e bukur dhe e thellë, ajo poezia lirike për dhembjet, kënaqësitë dhe sharjet që i ka dashuria, por – prapë, çdo gjë është aty. Secili varg do angazhim të veçantë leximi dhe nuk e ka vetëm një udhë për të hyrë në të, as për të dalë nga ai. Kështu, poezia mbetet po ajo, me varg të vështirë për ta zbërthyer.
Ndërron shumëçka, por prapë është i njëjti ujë, e njëjta tokë, i njëjti det, e – çfarë është më e rëndësishmja, është e njëjta dhembje dhe i njëjti gjak. Këtë therë, siç e apostrofuam edhe deri tash, interesimi i autorit shtrihet në gjithë hapësirën ku mbin, çel dhe rritet lulja e gjakut, duke prekur në të gjitha poret e jetës dhe në të gjitha ngjyrat e dhembjet, të ëndrrës dhe të vetmisë. Sepse. Aty ku nuk është fryma e autorit aty tashmë dëgjohet vetëm qyqja, mbretëron vetmia dhe vdekja, natyrisht në kuptimin figurativ. Përndryshe, ai tash dhe gjithherë është edhe aty ku fizikisht mungon. Është kudo dhe pakufishëm. Kështu, kaq i pakufi në kuptimin e motivit të shkrimit, por edhe të kuptimit hapësinor e të ambientit, autori ia del – megjithatë, të krijojë në të gjitha aspektet një përmbledhje me një tërësi të thurur mirë. Për ta realizuar këtë i ka ndihmuar mënyra se si i ka ndierë gjërat, se si i ka prekur dhe i ka ringjallur, se si i ka përjetuar; natyrisht, në mënyrë tejet origjinale!
Autori, duke e shpaluar dhembjen, gëzimin, ngashërimin dhe vetminë e vet, domosdo e prek të tashmen, të ikurën e të ardhmen, e – me këtë, në të njëjtin çast dhe gjithherë e prek edhe hartën e gjakut, hartën e trungut, të ndarë me shpatë në disa njësi. Ky është strumbullar tematik i frymëzimit kyç, është gjakim obsesiv i krijuesit për vetënjohje në kohë dhe në hapësirë. Në këtë mënyrë, krijuesi, duke e shpaluar veten në raport me botën e në të njëjtën kohë botën në raport me veten, përcakton, ndërton dhe zgjon dritë-hije udhëtimi të gjatë e emocional, ravijëzim adekuat, krijim të individualitetit të veçantë krijues, të njeriut me zgjedhë. Nga kjo emërohet edhe libri – Njeriu me zgjedhë, njeriu me robëri në atdheun e vet, njeriu i pushtuar, i lidhur në zinxhir… I këtillë, heroi lirik nis shtegtimin në disa udhë përnjëherë – vetëdijes, ec në kërkim të identitetit, vetënjohjes…
Kështu, sa më thellë zbret në botën e vetes, sa më thellë depërton në pjesët e molisura në mungesë të lirisë dhe dritës, sa më shumë ia del t`i ndriçojë të njohurat e panjohura, aq më shumë ballafaqohet me vetminë e qenies, me rrezikun e ekzistencës, të vrasjes së qëndresës. Natyrisht, vetëdija në këtë udhëtim është gjithnjë e zgjuar, vetënjohja gjithashtu. Zjarri i emocionit është gjithnjë më i fuqishëm e mundësia për t`i kthyer të humburat gjithnjë më e vogël. Gjuha, kënga, fjala… në dheun shpirtëror të poetit kanë zënë të humbin nën ferrat e harresës, sado që harrim nuk ka! Nuk ka, sepse gjithherë diçka-një gur, ta zëmë, e zgjon vetëbesimin, për të ndodhur thyerja, ajo thyerja dramatike që vjen me zgjimin, shfaqen hijet e ndezura të plepit lart në qiell, atje ku populli i bart të vdekurit për t`u ringjallur vargu i ri, njeriu i ri, gjaku i ri. Ndoshta pamje pak surrealiste, por të domosdoshme të mos këputet udhëtimi deri te vetvetja.
Autori nuk ndalet, por, ja, nuk mund të jetë i qetë dhe pyet “Kë e bartin atje në tabut të tejdukshëm”. Udhëtimi nuk këputet, por ku është drita? “E vërteta askund e gjithkund koka nën shpatë”, në këtë shtjellë ai ndonjëherë humb shpresën “A do të arrij kurse udhë nuk ka”?! Gjëja më e vështirë – në këtë udhëtim, siç mund të reflektojnë vargjet e poetit, është ta arrish pikën që është e nuk shihet, ta kthesh dritën që është fikur, sepse, pengesat bëhen tepër të rënda, herë-herë të pakapërcyeshme… “Vdis tha Ky është i vetmi shpëtim”…
Megjithatë, autori e heton dritën e lules së bardhë në terrin mijëvjeçar… Ja, e heton pulsin e jetës, e dëgjon orën nga tingëllon. “Në Prizren në spital ende bie ora, qostekët nëpër të diela njësoj derdhen ende, sepse koha nuk plaket dhe asgjë kurrë nuk vdes krejt”! Natyrisht, kjo i jep zjarr gjakut të heroi lirik, aty -mes gjakut dhe qiririt, ku “Prek mollën në tryezë dhe betohet” që “Ndërmjet harrimit të thyer në shesh, me qiri në dorë, ta kërkojë zogun e vrarë…” Kështu, deri ta gjej atë që e kërkon “Mplak` kohën me `i kafkë në dorë”, me një rrënjë në dorë, e cila nis dhe gjethon në secilën kokërr dheu.
Te kjo poezi – lumë, te ky krijim mjeshtëror, vërehet qartë nga secili lexues i mirëfilltë se asgjë, ama asgjë, nuk është e rastit. Secilin varg e karakterizon përkushtimi i caktuar. Ritmin e secilit varg apo poezi, e pasuron fryma popullore, urtësia popullore, për këtë shkak – pa mëdyshje, secili varg i Nexhat Halimit jo rrallë është poezi më vete. Të hetohet dhe përjetohet kjo duhet lexuar secili tingull me përkushtim të duhur… Për fund, dua të cek, se heshtja për shumë vite e autorit, apo më mirë thënë mosprania tij me krijime në hapësirën tonë letrare, nuk e ka dëmtuar poezinë e tij, por vetëm sa e ka bërë më të thellë, më të bukur dhe më të veçantë. Ajo bart në vete muzikën e shpirtit, formën e bukur, ritmin dhe thellësinë e mendimit. Të gjitha këto brenda një krijimi ia dalin t`i kompozojnë vetëm krijuesit e shquar.