KUSH I PRISHI MATEMATIKAT E KLANORËVE?

0
415
Isa Mustafa

IDRIZ ZEQIRAJ

Ethet e kryetarllëkut të LDK-së, trazuan edhe aleancat ndërklanore. “Nëse Lutfi Haziri pretendon kreun e LDK-së, pse të mos e pretendoj edhe unë“, – pat thënë Agim Veliu. Dhe, për të mos lënë të “livadhisin” binomi Luta-Agimi, në skenë del, bujshëm, Gazmend Muhaxheri: “Unë kryetar i LDK-së!” (Të gjithë po duan të bëhen kryetar tani!)

Vërtet, ishte një ndërhyrje, sa e guximshme, aq edhe e mençur, që do t’i prishte matematikat e klanorëve, të cilët synonin çimentimin e një politike despotike benda LDK-së, për të vazhduar politikën klanore të Isa Mustafës pa Isa Mustafën fizik, por, me Isa Mustafën ideologjik.

Të një mendje me Gazin dhe në pajtim të plotë me anëtarësinë, ishin edhe drejtuesit e Degëve në Lipjan e Istog, me kryetarë, përkatësisht, Imri Ahmetin dhe Haki Rugovën, të cilët me votën demokratike, zgjodhën delegatët në Kuvendet e tyre, duke i lënë të lirë të vendosin individualisht, për votën e tyre zgjedhore. Dhe, kjo votë, gjithësesi, ishte për zhbërjen, shthurjen e klanit, të konsoliduar brenda Kryesisë Qendrore, për afro një dekadë e gjysmë.

Përmendem Pejën, Istogun, Lipjanin, por, kësaj fryme duhet t`i kenë kontribuar edhe disa Degë të tjera, që kanë vënë interesin e LDK-së, mbi atë personal e hatërmbejtje profitabile e servile. Kryeheroi i Kuvendit, Gaz Muhaxheri “tmerronte” me 31 delegatët e tij. Krenar pse mundi bandën e krimit, që kishte përgjakur Pejën dhe Dukagjinin; kishte zhvatur bisneset, me dajak e haraç. Të gjithë këtë kriminalitet e dëshmoi fitorja gjyqësore e Gaz Muhaxherit, ndaj Ramush Haradinaj. Mjerisht e turpërisht, krimi u ndëshkua vetëm moralisht, por, jo edhe penalisht! Sepse klanorët e Qendrës, i ikin përballjes me Rambon.

Realisht, anëtarësia e LDK-së preferon zgjedhjen e kryetarit të partisë, me sistemin, bindshëm, të avancuar: “Në anëtar – një votë”. Shmangia nga ky votim, do të thotë: Shefat e dhunshëm, mujëshorë e fodullë thonë: “Ne bëjmë si të duam, anëtarësia të mos hajë m…!”

Lufta brenda sojit, po thellohej me luftën lokaliste, provinciale e primitive, brenda partisë më të madhe, më fisnike dhe më demokratike në Kosovë, siç është LDK-ja intelektuale e akademike. Gjuetia e shtrigave filloi: “Ke votuar Lutën, ke votuar SHIK-un, PDK-në!”

Zgjedhja e kryetarit të ri, nga Kryesia e vjetër, ishte shpërfillje e injorim i delegatëve të Kuvendit të 9-të! Atëherë, çfarë donin të 355 delgatët në atë sallë?! – Konsensuesi – i Kryesisë së vjetër ishte bërë fshehtazi dhe pa i pyetur apo konsultuar fare delegatët e Kuvendit të ri, në pritje për t`u mbajtur?! Kësaj i thonë “demokraci” “alla moniste!”

E kemi thënë dhe e përsërisim se – frika e ndarjes -, ishte e stisur, sajesë e klanit Mustafa, për të penguar ardhjen në krye të partisë të ndonjërit nga brezi i ri, nga grupi i deputetëve aktualë, të cilët kanë shkëlqyer përgjatë mandatit dy vjeçarë, madje, duke përmirësuar imazhin dhe shtuar elektoratin e LDK-së, në zgjedhjet e fundit nacionale, qendrore.

Vazhdimi i dhunshëm i Isa Mustafës në krye të LDK-së, ishte nonsens i madh. Klanorët, në pamundësi, për të marrë kreun e partisë, e konsensuan Isën, për të mbetur edhe ata afër tij. Por, do të ishte gabim i rëndë i Isa Mustafës, madje, një zhgënjim shtesë për anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së, nëse ai nuk i sposton nënkryetarët aktualë. Nëse don të ndjekë kriteret e fituesëve, janë një palë tjetër, të cilët nuk janë kompromentuar, në atë masë, sa të parët, në zëshmërinë aprovuese të vendimeve fatale për Kosovën, si bisht i PDK-së.

Kryetari Isa Mustafa ka intriguar për 9-të vjetë radhazi, me klanorët e tij. E kuptoj se tani e ka të vështirë të veprojë, në nismën për shpronësimin e LDK-së të privatizuar. Do të ishte më e shëndetshme për mbylljen e karrierës së tij ta shthurë, ta zhbëjë vet klanin e tij, se sa t`ua lërë barrë, të tjerëve pas tij, të cilët do ta anatemojnë atë se mbeti rob i klanit të tij. Dhe, vërtet, atëherë mund të rrezikohet ndarja e partisë.

Isa Mustafa duhet ta shfrytëzojë votën e fshehtë, për zgjedhjen e Kryesisë dhe të Kryesisë së ngushtë. Për këtë, atij i nevojitet mbështetja e disa kryetarëve të Degëve, idealistë të LDK-së si dhe të Këshillit të Përgjithshëm, të pa infektuar nga karrierizmi dhe servilizmi. Edhe ai (Isa), do të lirohet nga barra e rëndë e mbrojtjes dhe e mbajtjes të kuadrove të padëshiruara nga anëtarësia, madje, të konsumuara në organet e larta vendimmarrëse të partisë.

Nga tri Kuvendet e fundit të LDK-së, kam thelluar bindjen se thashethëmnaja dhe servilizmi në Kosovë, janë normë e moralit të këtij populli. Andaj, edhe votimi për suprimimin, heqjen e autonomisë së Kosovës, më 1989, aq lehtësisht, përmes votimit aklamativ, është vepër e karrieristëve dhe e servilëve pa kurrizorë. Nga dhjetra delegatë shqiptarë, kundërshtia e vetëm e 10 (dhjetë) prej tyre, flet shumë edhe për krizën e sotme politike, pas tri dekadave. Shqiptarët i frikësohen gjykimit të drejtë, andaj, në vend të votës së lirë, fshihen pas aklamacionit tufëzor, si bagëtia dhe të turpshëm.

Rezultoi i vërtetë paralajmërimi i klanistit të stazhionuar, Skënder Hyseni, kur, në një emision televiziv, tha se “ekziston mundësia që kryetari, Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia, të zgjidhën me – marrëveshje -“. Dhe, ashtu u bë për të dy të parat. Nuk është çudë, nëse vazhdon aklamacioni edhe për Kryesinë. Një regres i dhimbshëm. 30 vjet më parë përcaktuese ishte vota e fshehtë. Sot, – konsensuesei – i koluareve dhe aklamacioni, përdhosin vullnetin e anëtarësisë të LDK-së. E turpshme dhe tmerruese për demokracinë tonë të brishtë, më saktë, të prishtë!

Megjithatë, jemi brenda harkut kohor, për të shpëtuar, atë që mund të shpëtohet. Dhe, për këtë mundësi, shprehem mendimin tonë, në këtë shkrim, si reçetë, sa praktike, aq edhe racionale. T`u jipet fund “zgjedhjeve” duar-ngritura, aklamative, të cilat, assesi, nuk janë zgjedhje, por, emërime, madje, para se të jetë caktuar data e “Kuvendit Zgjedhor”. Atëherë, pse duhej tubuar delegatët e Kosovës dhe ata botëror, të Mërgatës, pas një rrugëtimi prej mijëra kilometrash, për të votuar me aklamacion, në tufëzim, si ato delet në – facebook – të Donikë Gërvallës?! Turpërisht, zhgënjyese!