INTERVISTA
NGA DRILON RRAHMANI, MË 22 GUSHT 2019, NË BOTASOT.INFO
Intervistë ekskluzive me ish-ambasadoren e Kosovës në Itali, Alma Lama
Ish ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, në një intervistë për gazetën “Bota Sot” ka folur rreth shkarkimit të saj nga posti i ambasadores në Itali, si dhe për aktualitetin politik në vend. Ajo thotë se politika e jashtme e Kosovë pësoi dy goditje të mëdha, kur Behgjet Pacolli u zgjodh ministër i jashtëm dhe kur presidenti Thaçi hapi temën e “korrigjimit” të kufijve me Serbinë.
Teksa ka folur për ngjarjet aktuale politike në vend, Lama ka bërë të ditur se nuk ka pretendime për të garuar për një ulëse në Kuvendin e Kosovës si deputete.
“Bota sot”: Znj. Lama, ju jeni kthyer nga misioni diplomatik para një muaji. Si e shikoni politikën e jashtme të Kosovës? Pse gjithë këto dështime në planin diplomatik?
Alma Lama: Më lejoni që së pari të sqaroj pozicionin tim. Unë kam shërbyer si Ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, Malta dhe San Marino, nga nëntori i vitit 2016 deri në korrik 2019. E kam marrë këtë detyrë kur Qeveria e Kosovës udhëhiqej nga z. Isa Mustafa dhe qëndrimet në politikën e jashtme ishin unike, pra përfaqësuesit tanë flisnin me një zë në takimet me përfaqësuesit e shteteve të tjera. Madje Kosova pat ndërtuar një traditë të mirë, që për çështje të politikës së jashtme edhe deputetët e Kuvendit flisnin pak a shumë me të njejtën gjuhë në takimet me homologët e tyre. Një politikë e jashtme e qëndrueshme është një garanci për të ndërtuar raporte kredibile me shtetet e tjera, pasi kredibiliteti në diplomaci është tepër i rëndësishëm, sidomos për një shtet si Kosova, që ka nevojë të bëhet pjesë e komunitetit ndërkombëtar, nëpërmjet njohjeve dhe anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Por politika e jashtme Kosovës pësoi dy goditje të mëdha, në dy momente. Së pari me emërimin e Behgjet Pacollit si ministër i jashtëm, një person jo kompetent, që ketë pozicion e sheh si një mundësi për të vendosur kontakte për zgjerimin e biznesit të tij, një sjellje e papranueshme në diplomaci dhe pa kredibilitet për shkak të së kaluarës së tij, e përfolur për korrupsion në Rusi, dhe lidhjet me diktatorë të ndryshëm nëpër botë.
Së dyti, politika e jashtme e Kosovës, u godit nga hapja e temës së “korigjimit” të kufijve nga presidenti, duke shkaktuar konfuzion në arenën ndërkombëtare për një çështje që konsiderohej e mbyllur. Kosova filloi të flasë më dy zëra për sovranitetin shtetëror, dhe nëse marrim parasysh se edhe ministri i jashtëm ka lobuar lart e poshtë për Mitrovicën si zonë e lirë ekonomike, ku Serbia dhe Kosova do të kishin të njëjtën qasje, i bie që janë tre zëra, tre qëndrime të ndryshme. Ato shtete që mund te kenë qenë duke shqyrtuar njohjen, janë stepur.
Ato shtete që na kanë njohur janë befasuar nga një kthesë kaq radikale, ku vetë përfaqësuesit e shtetit vënë në diskutim integritetin territorial të tyre. Kosova ka probleme të pazgjidhura me Serbinë dhe do te duhej të luftonte për të bindur të tjerët në lidhje me faktin se fajtore është pikërisht Serbia, e jo të dorëzohej përballë ambicjeve territoriale të saj. Ky është një gabim historik me pasoja, sepse ka bërë që kufijtë e Kosovës të perceptohen si të prekshëm, si diçka që mund të nxirret në tavolinë dhe të ndryshohen me një të rënë të lapsit. E për këto kufij dikush ka derdhur gjak.
“Bota sot”: Pse shkarkimi juaj nga posti i ambasadores u përcoll me shumë zëra?
Alma Lama: Kjo pyetje duhet t’iu drejtohet të gjithë atyre që bënë fushatë të turpshme kundër meje, për interesa meskine, si mediave ashtu edhe institucioneve. Kjo fushatë u bë për të dëmtuar kredibilitetin tim, por në të vërtetë ka dëmtuar kredibilitetin e shtetit të Kosovës dhe të vetë mediave, të cilët dëshmuan se janë të papjekur, pasi është rregull i pashkruar që ambasadorët nuk sulmohen. Është për keqardhje që shumë media dhe institucione u udhëhoqën nga logjika primitive “për inat të nuses, më vdektë djali”.
Dikush mban shënime për këtë sjellje, dhe nxjerr përfundime, e kam fjalën për çdo seli diplomatike të vendosur në Kosovë, të cilët bëjnë çudi me një sjellje të tillë antishtetërore e antiinstitucionale. Unë dinjitetin tim do e mbroj dhe per këtë i jam drejtuar gjykatës, ku kam paditur për shpifje disa media, por kush do ta kthejë dinjitetin e shtetit?! Qytetarët e dinë se unë punën si ambasadore e kam bërë në mënyrë të shkëlqyer. Jam larguar me respektin maksimal nga shtetet ku isha e akredituar, Unë kam punuar me përkushtim maksimal për shtetin e Kosovës, dhe i ktheva dinjitetin e nëpërkëmbur Ambasadës së Kosovës në Itali.
“Bota sot”: Pse mendoni se u shkarkuat dhe a keni marrë ndonjë kërcënim?
Alma Lama: Shkarkimi ka ndodhur për interesa klanore dhe është një hakmarrje e ulët politike. Pas rënies së qeverisë së LDK-së dhe ardhjes së qeverisë së re, filluan sulmet e gjithanshme, obstruksionet dhe presionet e natyrave të ndryshme. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës vazhduan të më trajtojnë mua si kundërshtare politike, duke harruar se isha emëruar në një post, ku perfaqësoja shtetin, jo qeverinë e presidentin. Kjo sjellje lidhet me injorancën e tyre. Por është evidente se edhe puna ime dhe sukseset e mia si ambasadore i kanë penguar dikujt. Ajo çfarë mund të them është se largimi im nuk ka lënë aspak shije të mirë tek institucionet italiane, sepse jo vetem që unë u trajtova në mënyrë jodinjitoze, duke më larguar në mes të mandatit, në mes të vitit shkollor (për fëmijët), pa asnjë arsye dhe duke përhapur shpifje nëpër media, por edhe shteti italian, që është një nga pesë vendet e Kuintit u trajtua në mënyrë jodinjitoze.
Siç u shpreh një senator, me të cilin u përshëndeta para se të largohesha, dhe u skandalizua kur mori vesh se largohem në mes të mandatit, pa arsye dhe se ende nuk është caktuar ndonjë ambasador tjerër: “ju nuk mund të talleni me shtetin tonë në këtë mënyrë, ne kemi investuar kaq shumë për ju.” Nuk është praktikë që të largohen ambasadorët pa arsye. Ambasadori është përfaqësuesi më i lartë i shtetit në shtetin tjetër, ai akreditohet nga vetë presidenti, dhe tërheqja e parakohshme duhet të ketë një shkak të fortë. Shtetet serioze janë shumë të kujdeshme, nuk bëjnë sjellje të tilla, madje edhe kur ambasadori bën ndonjë gabim, e ruajnë në maksimum figurën e tij.
Në Kosovë, u çuan në këmbë edhe përfaqësues të qeverisë, duke më sulmuar publikisht. Kjo nuk ka ndodhur askund në botë deri tani. Për mua një sjellje e tillë, ndërsa isha në detyrë ishte shokuese. Nuk e kam imagjinuar se mund të shkojnë kaq larg, sa të sulmojnë ambasadorin e shtetit të tyre, madje të bëjnë fushata linçuese. Kur kam marrë këtë detyrë, unë kam menduar se konkurrencën dhe luftën diplomatike do ta zhvillojë me Serbinë, dhe atë e kam konsideruar kundërshtare, jo përfaqësuesit e Kosovës. Unë po ju them se kjo sjellje do të hyjë në rekordin e turpit të institucioneve dhe atyre mediave që bënë argatin e tyre.
“Bota sot”: Sa ishit ambasadore në Itali, cili ishte qëndrimi i atij shteti për dialogun me Serbinë dhe prekjen e kufijve?
Alma Lama: Italia mbështet kufijtë e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në rajon. Është vend mik që ka interesa në rajon; ka marrëdhënie shumë të mira edhe me Serbinë. Italia ndoshta për shkak të afërsisë gjeografike është më e përfshirë dhe asnjë zgjidhje nuk mund të bëhet, pa marrë parasysh edhe qëndrimet e saj. Në lëvizjet qe kanë ndodhur përsa i përket kufijve dhe diskutimet për një marrëveshje të re, anashkalimini Italisë nuk është një gjë e mençur. Sot trupat italiane janë garantuesit kryesorë të sigurisë në Ballkan.
“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për rolin e Thaçit në bisedimet me Serbinë dhe idenë e tij për ndryshim kufijsh dhe si e keni shfaqur mendimin tuaj me diplomacinë italiane?
Alma Lama: Mendoj se ai ka bërë një gabim historik, që ka vënë në pikëpyetje kufijtë e Kosovës, territorin, dhe rrjedhimisht edhe krejt Pakon e Ahtisaarit, mbi bazën e së cilës u shpall pavarësia e Kosovës. Kjo është shumë e rrezikshme sidomos në një situatë të tillë të gjeopolitikës ndërkombëtare, ku nuk ka vëmendje për Kosovën, ku ka shumë përçarje mes BE-së dhe SHBA-së dhe ka një rritje të rolit të Rusisë në arenën ndërkombëtare. Pastaj shkëmbimi i kufijve, gjë që nënkupton faljen e Mitrovicës dhe marrjen e ndonjë fshati nga Lugina e Preshevës sa për sy e faqe, jo vetëm qe nuk zgjidh asnjë problem përsa i përket komunitetit serb, dy të tretat e të cilit jetojnë në jug të lumit Ibër, por hap kutinë e Pandoras në Ballkan. Me pakë fjalë është recetë për rizgjim të konflikteve.
“Bota sot”: A keni informata rreth takimeve Thaçi-Vuçiq, të cilat mund të mos jenë bërë publike?
Alma Lama: Këto takime janë bërë publike nga të tjerët tashmë, dhe janë pranuar edhe nga vetë presidenti. Ajo çfarë mund te them unë është se negociatat e fshehta kanë një rrisk shumë të madh në rastin e Kosovës. Po e shtjelloj si me poshtë: diplomacia sekrete është një mënyrë qe përdoret edhe sot në raste të rralla, për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare. Kjo ka avantazhet e veta sepse iu jep palëve pak komoditet dhe hapësirë për veprim, pa qenë të detyruar të gjykohen nga publiku. Ka raste kur kanë sjellë edhe rezultate si në rastin e negociatave të fshehta SHBA-Vietnam, sipas pohimit të vetë Kisinger. Në rastin e Izraelit dhe Palestinës kanë dështuar për shembull. Por në rastin e Kosovës, bisedimet mes dy presidentëve, pra është përfshirë niveli më i lartë dhe këtë e shoh si gabim, ka dëmtuar rëndë kredibilitetin e Kosovës, e cila është një projekt ndërkombëtar, ku janë përfshirë shtetet mike si ShBA, Britania, Italia, Franca e Gjermania.
Ne nuk kemi fuqi të hedhim hapa pa ndihmën dhe garancitë e tyre. Janë ata që sot mbrojnë territorin e Kosovës nga ndonjë agresion i mundshëm i Serbisë. Së dyti, takimet sekrete kanë dobësuar fuqinë negociuese të shtetit të Kosovës në të ardhmen, në bisedimet për një marrëveshje paqeje, sepse presidenti i Kosovës ka tejkaluar me vullnetin e tij vijat e kuqe. Së treti, kjo diplomaci sekrete ka dëmtuar fuqinë implementuese të çfarëdolloj marrëveshje në të ardhmen, pasi do të shihet me dyshim të madh nga popullsia në Kosovë.
Së katërti, unë mendoj se ka rritur në mënyrë të padëshirueshme mosbesimin mes shqiptarëve dhe serbëve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Ky mosbesim ka qenë i lartë, por negociatat prapa perdeve rrisin konspiracionet.
Këto dëme do të shihen më shumë kur të fillojnë negociatat për një mërrëveshje përfundimtare me Serbinë me ndërmjetësimin e aktorëve ndërkombëtarë, që janë aksionarë në paqen dhe stabilitetin e rajonit.
“Bota sot”: Cilat janë raportet tuaja me LDK-në? Si e vlerësoni rizgjedhjen e Isa Mustafës në kreun e LDK-së?
Alma Lama: LDK është e vetmja parti politike normale në Kosovë. Ka probleme me demokracinë e brendshme, por krahasuar me partitë e tjera, është një subjekt serioz, që jo vetëm që nuk i ka sjellë dëme shtetit, siç kanë bërë partitë e tjera me korrupsionin galopant dhe mosrespektimin e ligjeve, por në qeverinë Mustafa, për herë të parë gjërat filluan të futeshin në binarë. U bënë reforma, u rrit transparenca, u mbush arka e shtetit, edhe pse punoi në kushte të vështira, kur gjatë gjithë kohës është gjuajtur me gaz e mollotov, e institucioneve iu vu flaka. Ka qenë një luftë e egër për pushtet e krahut të luftës nga njëra anë, kundër LDK-së nga ana tjetër. Me të vërtetë ajo çfarë ka ndodhur është e paprecedent, e turpshme. Kosova nuk do të mund të heqë kurrë imazhin e gazit lotsjellës në Kuvend. Qeveria e Mustafës u rrëzua nga partneri i koalicionit për shkak se suksesi i saj, u pa si rrezik për zgjedhjet e ardhshme.
“Bota sot”: A keni pretendime të jeni pjesë e zgjedhje të ardhshme si deputete?
Alma Lama: Tani për tani kam disa prioritete të tjera, pra nuk kam interes të përfshihem në politikën aktive. Puna në Itali ka qenë tepër dinamike, ndërsa ndërprerja e parakohshme e mandatit më ka shkaktuar disa probleme me shkollimin e fëmijëve. Kam vendosur t’iu përkushtohem më shumë atyre pasi janë në moshë delikate dhe kanë shumë nevojë për mua. Këtë muaj kam bërë 20 vite që punoj dhe jam nënë e tre fëmijëve.
Çdo nënë që punon e di se nuk është aspak e lehtë rritja e fëmijëve. Pastaj kam në duar disa gjëra me rëndësi që duhet t’i përfundoj sa më parë. Natyrisht, unë do të jap kontributin tim në sferën publike përmes opinioneve të mia dhe disa aktiviteteve, që po planifikoj për të ardhmen.
“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për një koalicion të mundshëm LDK-VV?
Alma Lama: Nëse tejkalohet problemi i sjelljeve në të shkuarën, them se është i mundshëm një koalicion pas zgjedhor, dhe mund të jetë pozitiv për të shërbyer si kundërpeshë ndaj PDK-së dhe mënyrës së saj të qeverisjes. Por krerët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të kuptojnë se nuk mund dhe nuk duhet të tentojnë ta komandojnë LDK-në as tani dhe as kur të hyjnë në bashkëqeverisje, por duhet të funksionojnë vetëm si partnerë. Unë di disa shembuj të partive të ngjashme nëpër vende të BE-së, kur për shkak të sjelljeve arrogante me partnerët e koalicionit, shumë shpejt kanë dalë nga skena politike.
VV duhet gjithashtu të heqë dorë nga metodat e linçimit të kundërshtarëve politikë, pasi jetojmë në demokraci, dhe vullneti i njerëzve për t’u pajtuar ose mos pajtuar me ta, duhet të jetë i lirë. Në përgjithësi, Kosova ka nevojë të ndryshojë kulturën e komunikimit politik, e cila ka degraduar në shkallën më të ulët të mundshme vitet e fundit. Betejat politike duhet të zhvillohen sipas një kulture institucionale, jo sipas modelit të sotëm të sharjeve, fyerjeve e linçimeve.