BALADË E PËRFLAKUR

0
983
Zymer Mehani - Fadil Curri me poete

Zymer Mehani

Baladë e përflakur

(Kujtim)

1.
Ato fusha t’ blerta
N’kujtesë më kanë mbetë
Në atë sy pranvere
T’bjerra e lënë shkret
I braktisëm fshatrat
Braktisëm qytet
Nga truall iliriku
Na dëboi armiku

2.
Treni i gjatë çante
Qanin zemrat tona
Trishtueshëm fishkëllonte
Linim vatrat tona
Agime t’përlotura
E muzgje të përbaltura
Fshatra pranverake
Shtëpi të përflakura
Armiqt e pamëshirshëm
Na dëbonin e përndiqnin
Me duar të përgjakura
Na prenin e vritnin

3.
Përndiqeshim e vriteshim
Se ishim shqiptarë
Fushat me lulëkuqe
I linim duke qarë
Të shtëpive tymëra
Në kraharor më shponin
Lulet e këputura
Në zemër më lëndonin

4.
Por, atdhe i dashur
Me zemër të plasur
Kam parë zi e tmerr
Në dritë e n’skëterrë
N’atë pranverë të mjerë
Buzë pleqsh për ujë t’etur
Sy fëmijësh të tretur
Me lodrat n’shtëpi mbetur
Me buzëqeshje t’helmuar
E mendje t’shkallmuar
Me qafë të këputur
E kokë të përulur

5.
Bijtë e Shqipes trime-
Ushtarët çlirimtarë
U betuan me besa-besë
Në Flamur kombëtar
Për vdekje a për jetë
Për luftë e qëndresë
Në truallin tonë të përgjakur
Të djegur e t’përflakur
Qëndruan burrërisht
Dhe vdiqën trimërisht
Se këtë tokë arbërore
E donin shqiptarisht
N’këtë qiell janë lartësuar-
Meteorë të pashuar

6.
Qante me lot mali
Për lisat e gjatë
Për një xixë shkëndije
Qante natë e gjatë
Kudo ish skëterrë
N’atë Pranverë të mjerë
Dhe fusha i lotonte
Lulëkuqet e saj
Pamëshirshëm fishkullonte
Nga skaji në skaj
E keqja n’ty atdhe
Ngase ishim lindur
Shqiptarë të gjithë ne

7.
Ujqërit ulurinin
Dhëmbët i zgërdhinin
Seç na futnin tmerr
Këta derr-beterrë
M’kujtohet tani
Ajo lemeri
N’atë kohë të përgjakur
Ti Atdhe i përflakur
I tëri seç ishe
Nën kthetrat e asaj bishe
Kudo shkrumb e hi
Furtunë e stuhi

8.
Por, ne jemi shqiptarë
T’përbuzur e t’vrarë
Armikut idhnak
Kurrë s’i patëm hak
N’vështirësi qëndruam
S’u mbytëm- jetuam
Pa atdhe të mbetur
Nëpër botë të tretur

9.
E n’timin qytet
Në të bukurin shesh
Vërtitej një dreq
Me dreqërit e tjerë
Me lebeti e tmerr
E shprazën, e lanë t’mjerë
Nëpër rrugët tona
Gjaksori kaloi
E ne na dëboi
Donte t’na fsharoste
T’na priste e gjakoste
Gjarpërisht na kafshonte
Me helm na helmonte

10.
Tani seç më vijnë
Kujtimet pastaj
Për lanetë e djaj
E më bëjnë me vaj
Nga zemërimi qaj
Përmbi sy të nënës
Një mjegull u shfaq
Vuajtje ndjen në zemër
E mbushur me maraz
Për djalin e saj
Nga hidhërimi theu gishtat:
-Qofshin të mallkuara bishat
E mbuloi fytyrën
Dhe u mbyll në vetvete
Me grusht i ra gjoksit
U drodh si në ethe
Por nga gjoksi i saj
As zë as dënesje
As ah dhe as oh
As bërtimë e prekshme
Veç lotët i pikuan
Për faqesh i shkuan
Fytyrës së mekur
Për birin e vdekur

11.
Mali seç u shkund
Fusha seç u tund
E nëna dot s’u mund
N’mbrëmjen e purpurtë
Seç shkëlqeu një yll-
Djali i saj trim
N’zemër plot guxim
Mu para agimit
Me krahët e fitimit
Kënga mori udhë
E malet gjëmonin
Brigjet seç ushtonin
Dielli po ndriçonte
E ky trim lirie
I vdekur po jetonte


Shqiptari i vërtetë

Dhe shqipet majë shkrepash
Atij ia njohin qëndresën
Dhe miq e armiq
Ia respektojnë besën
Ai me forcë graniti
E grushtin të çeliktë
Fuqinë prej Titaniku
Përherë luftëtar
Gjatë shekujsh të gjatë
Ushtar i atdheut
Me hushtë e me shpatë
Zemra e tij e artë
Dashuri e zjarrtë
Ai prore i forte, shkëmb mali
Për liri-xixë stralli
Për Shqipen në Flamur-
Kala gur mbi gur
Ai-plisbardhë nëpër breza
Rrufe në beteja
Flakadan lirie
Shpresë për ditë të reja
Më miku ndër miq
I urtë për urti
Prore luftëtar
Për t’atdheut liri
Ai-përherë krenar
I vërtetë shqiptar


Të ndarë

Atdheu ynë-
I ndarë
Bijtë e tij-
Të përçarë
Motra e vëllezër-
Kurbetqarë
Zemra ime-
E vrarë…