Kafsha me fytyrë njeriu, toger Baba

0
1576
Toger Hodo Habipi

Nga Kastriot Dervishi, 55news.al

Prej vitesh përmendej emri i këtij partizani, që pas lufte u përshi në forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Vrasjet dhe sidomos torturat shtazarake ndaj grave, e bënë kaq të njohur për keq toger Babën, sa vetë regjimi i detyrua ta ndëshkojë. Një injorant dhe i pashkollë, përfaqësues tipik i regjimit të injorantëve filloi të ndjekë metodat tipike për vrasës dhe hajdutë. Hodo Habili u arrestua më 1.6.1947. Më 5, 14 qershor 1947 merret në pyetje nga Fadil Kapisyzi e më pas nga Zoi Themeli e Mustafa Qilimi. Hodo Habilit, lindur në vitin 1918 në Kuç të Vlorës, analfabet, me profesion bujk, me origjinë shtresë e varfër fshatare, ilegal nga viti 1942, por partizan nga maji 1944 me brigadën e 8-të, e më pas në brigadën e 6-të, ku kishte përgjegjësi deri komandant kompanie.

Kishte shkuar deri në Bosnjë me formacionet partizane. Pasi vjen në Shqipëri u vendos rreth shkurtit 1945 me forcat e brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit në Shkodër, “për ndjekjen e kriminelëve”, në Koplik. Kështu në prill 1945, ai thotë se vartësi i tij Pertef Pëllumbi kishte torturuar disa gra në fshatin Vermosh. Nga Kopliku, zhvendoset në Mirditë me detyrë “ndjekjen e kriminelëve”. Në maj 1947 ai arreston dhe torturon Pjetër Kolë Mhillin nga Kallmeti. Pas tij arreston Kolë Simonin dhe Gjyste Voglin. Duke qenë pjesë e një bande në pushtet, vendos bashkë me një komunist tjetër, që Pjetër Kolë Mhilli të pushkatohej rrugës për në Lezhë. Patrulla zbatoi me “përpikëri” urdhrin e tij, së bashku me një komunist tjetër, vendosin që Kolën dhe Gjysten t’i pushkatonin. Të parin e pushkatoi me të njëjtën metodë si Mhillin, ndërsa për Gjysten u vonua.

Deklarata të toger Babës

Para se të bëja vrasje, kam arrestuar një vajzë në katundin Fishtë, mbasi isha informuar se strehon ilegalë. Mbasi e arrestova, pasi e kërcënova, ua dhashë partizanëve ta shtrëngojnë. Ata e torturuan. Më pas e thirra në një dhomë dhe detyrova dy gra që ta zhvishnin lakuriq. Por pasi këto nuk e zhveshën dot, pasi vajza nuk deshi dhe qante, e detyrova unë që të zhvishej lakuriq. Kjo prej frikës time u zhvesh siç e ka bërë nëna. Pasi e zhvesha e lashë mëse një gjysmë ore të zhveshur dhe pastaj e lashë të vishej. Vajzën e zhveshur e panë veç disa ushtarëve, edhe disa nga populli.

Pas 3-4 ditësh kam arrestuar edhe një burrë në këtë katund dhe e kam zhveshur lakuriq, nga mbrëmja deri në mëngjes. Atëherë e lashë të vishet dhe e lirova. I thashë të më dorëzonte të vëllanë. Këtë e kanë parë edhe disa katundarë.

Në katundin Mnellë kam shtrënguar dy murgesha, që të na tregonin lidhjet që kishin me ilegalët dhe që sabotonin vajtjen e rinisë në hekurudhë. Njërën prej tyre, nga shtrëngimi që i bëra unë, prifti e çoi në shtëpi.

Në katundin Kallmet, ku pushkatova Pjetër Kolë Dushin, para se ta pushkatoja, në darkë thirra vajzën e tij, e mbajta dy orë, pastaj e lirova. Nuk i kam bërë gjë.

Kam zhveshur një grua në katundin Dedaj të Koplikut dhe ashtu e kam futur në dëborë. Andej kam rrahur edhe disa njerëz. Mace nuk i kam futur njeriu në pantallona.

Procesi ndaj Hodo Habilit nisi më 14.6.1947 në Hajmel nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës. Në fillim, i pandehuri deklaronte se ishte dekoruar disa herë, se ishte kundër ballistëve e zogistëve. Në gjyq sillen deklarata të ndryshme për torturat e krimet e toger Babës.

Gjyste Gjergj Vogli nga Hajmeli, dëshmoi në gjykatë:

Në shtëpinë e kushëririt tim, Kolë Simonit ka ardhur toger Baba. E ka lidhur kushëririn dhe i ka nxjerrë të gjithë jashtë. Ka ardhur nga ana e shtëpisë sime dhe pasi i mbylli të gjithë në një dhomë më pyeti, ku i kisha vëllezërit. Kur unë i thashë se i kam jashtë më tha të siguroja derën. Unë i thashë se dera e siguruar ishte, por ai më tha të ngrihesha e ta siguroja, pasi do bënim dashuri, në qoftë se doja që unë e Kola të shpëtonim gjallë. Duke u ngritur vetë në këmbë, më tha që nuk e hante këtë gjë të rrinte me derë hapur, e të vinin vëllezërit e mi e ta kapnin. Për këtë mori një hekur për t’ia vënë derës. Erdhi te unë me automatik në dorë e më tha: ‘unë ja të shkërdhej ty sot, ja shkërdhej Krishtin tënd’, e filloi më bëri ato që më bëri, që nuk mund t’i them dot”.

Me vendimin nr. 192, datë 15.5.1947, gjykata e deklaroi fajtor në bazë të ligjit nr. 41 dhe e dënoi me vdekje, në litar. U la në fuqi me vendimin nr. 154, datë 27.6.1947 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.