Serbja që provoi Iliricitetin e dardanëve

0
1161

Dita – Nga Moikom Zeqo, 11 korrik 2016

Fanula Papazoglu e botoi studimin e saj “Dardanska Onomastika” (“L’Onomastique Dardanienne”, në 1964 në “Extrait du Recueil de travaux de la Faculté de philosophie”, tome VIII, 1. Studimi është substancial.

Po shënoj më poshtë thelbin e konkluzioneve të kësaj dijetareje të famshme që është marrë seriozisht me historinë dhe kulturën e ilirëve në antikitet.

Pjesa lindore e Dardanisë, nga Shkupi deri në Naisus dhe Remesiana, ka qenë banuar në prevalencë nga një popullsi thrake.

Kjo është një gjë që del e kjartë nga analizimi i materialit onomastik.

Orvatjet për të hedhur në një mënyrë ose tjetër poshtë fuqinë provuese të këtij materiali, nuk mund të konsiderohen të suksesshme. Vulići ka insistuar se emrat nuk thonë gjithmonë kombësinë, se shumë emra të huaj në një zonë mund të shpjegohen me huazimin nga fqinjët dhe të tjera.

Në parim, këto vërejtje të Vulićit janë të drejta, kështu p.sh. për emrat Mestylus, Mestrius, Mestrianus mund të thuhet se nuk janë dardanë sepse mund të kenë qenë huazuar nga Maqedonia fqinje, ku gjithashtu janë dokumentuar.

Mirëpo, kur është fjala jo për një ose dy emra por për një shumicë emrash, në një krahinë – siç është rasti i emrave thrakë në zonën e Shkupit, Naisusit dhe Remesianes – atëherë është më e natyrshme të supozohet se këta emra janë indigjenë se sa që kanë ardhur nga jashtë.

Është e pamundur që të gjithë ata persona të shumtë që figurojnë në mbishkrimet e gjetura në këto vise dhe që mbajnë emra thrakë të kenë qenë në realitet jo-thrakë.

Përhapja e onomastikës thrake në Dardaninë lindore imponon konkluzionin se në ‘ta ka pasur popullsi thrake.

Mbi ekzistencën e elementit thrak në Shkup dhe zonën e tij flasin edhe dy monumente të kushtuar perëndisë thrake Zbeltiurdus, të gjetur njeri në Kaçanik dhe tjetri në Ljubenac pranë Shkupit. Edhe në këtë rast më duket se Vulići nuk ka pasur të drejtë kur ka nënvleftësuar fuqinë provuese të këtyre monumenteve duke vënë në dukje përhapjen e kollajtë të kulteve të huaj.

Monumentet e kushtuar Zbeltiurdus-it nuk janë diçka e vetmuar në këtë krahinë, por plotësojnë atë që na zbulon onomastika, dhe prandaj edhe në ‘ta duhet të shohim dëshmitarë që tregojnë që shumica e popullsisë së kësaj zone ka qenë thrake.

Veç asaj, edhe vetë Vulići e ka konstatuar se dëshmitë mbi elementin thrak në Dardaninë lindore janë aq të shumta sa që nuk mund të shpjegohen me huazimin ose ndikimin e huaj, dhe ka pranuar se në zonën kufitare krahas ilirëve mund të ketë pasur edhe thrakë, dhe bile “se një pjesë e Dardanisë nga gjuha ka qenë krejt thrake”.

Në këtë mënyrë ai ka arritur në konkluzionin e vetëm të drejtë që imponon materiali onomastik.

Prevalenca e popullsisë thrake në pjesën lindore të Dardanisë është një fakt i pakundërshtueshëm. Mirëpo këndej nuk del aspak si rrjedhim edhe se Dardanët kanë qenë Thrakë ose “më parë thrakë se sa ilirë”, dhe as se Dardanët dikur ilirë në kohën romake u thrakëzuan aq shumë sa që në kohën perandorake elementi thrak në Dardani mbisundonte mbi atë ilir.
Përkundrazi. Etnikoni Dardanus nuk e humbi, siç mendojnë shumë dijetarë, përmbajtjen e vet. Nën emrin Dardan nuk mund të fshihej barabar si Iliri ashtu edhe Thraku.

Në demonstrimin e karakterit thrak të Dardanëve, Mateesku i ka atribuuar rëndësi të madhe mbishkrimit në të cilin beneficiari T.Aur. Gaius, Fla(via) Scupis, thotë për veten e vet se ka qenë nat(ione) Bessus. Mateescu sheh në këtë dëshmi epigrafike një provë vendimtare se Dardanët kanë qenë thrakë: një ushtar me origjinë nga Shkupi e cilëson veten si Bes, dhe Bes këtu nuk don të thotë tjetër veçse Thrak, pra popullsia e Shkupit ka qenë thrake. Konkluzioni nuk më duket aspak bindës. Edhe po ta pranojmë kuptimin e gjerë që Mateesku mendon të ketë etnikoni Bessus – ndërkaq mund të mendojmë edhe se është fjala për të ardhur ose për pasardhësin e një të ardhuri – ky mbishkrim nuk provon asgjë më shumë se në zonën e Shkupit ka pasur Thrakë, gjë për të cilën, siç e thamë, nuk mund të ketë dyshim.

Ndërkaq dëshmia mbi Bessus Titus Aurelius Gaius në Shkupi mer një rëndësi krejt të ndryshme po qe se i kundërvëmë dëshmi të tjera në të cilat individë me origjinë nga Dardania shënohen si Dardanë: Iacinthus unctor Dardanus (CIL VI 6343), Messia Dardana quasillaria (CIL VI 6343), Darda(nus) Aurelius Paetinia(nus) (CIL VI 32559), M. Aur. Paulo, nat(ione) Dardanus (CIL VI 32800). Këta katër shembuj tregojnë se Dardanus nuk ka qenë një cilësor gjeografik por etnik.

Prandaj në qoftë se një person me origjinë nga Dardania thotë për veten e vet se është natione Bessus, ai me këtë nënvizon kjartazi se nuk është Dardan.

Me fjalë të tjera, mbishkrimi në të cilin Mateesku ka parë vërtetimin e karakterit thrak të Dardanëve provon, sipas mendimit tim, pikërisht të kundërtën: se Bessus (Thrak) dhe Dardanus janë dy koncepte që përjashtojnë njeri-tjetrin.

Shtrohet pyetja se qysh kur dhe pse kjo zonë e banuar me popullsi në prevalencë thrake ka qenë konsideruar si pjesë e Dardanisë. Vulići ka shprehur mendimin se përforcimi i elementit thrak në pjesët kufitare të Dardanisë ka mundur të kryhet aty nga mbarimi i shek. III të erës sonë, pas shpërnguljes së Dakëve nën Aurelianin.

Ky eveniment patjetër shumë i rëndësishëm në jetën e këtyre viseve, nuk mund të na shpjegojë, ndërkaq, ekzistencën e onomastikës thrake në monumentet epigrafikë që në shumicën dërmuese janë të kohëve më të hershme.

Emrat e ushtarëve të liruar që figurojnë në listën e Vininaciumit, të vitit 195, tregojnë se nga mesi i shekullit II të Erës sonë shumica e djelmoshave të rekrutuar në zonat e Shkupit, Naissusit dhe Remesianas kanë qenë Thrakë.

Pyetjes në se kjo pjesë lindore e Dardanisë (lugina e Moravës Jugore) ka qenë origjinalisht dardane dhe vetëm më vonë, me infiltrimin e popullsisë thrake, e ndryshoi karakterin e vet etnik, apo, përkundrazi, ka qenë territor thrak të cilin Dardanët diku në shekullin III para Erës sonë, në kohën kur ishin populli më i fuqishëm në Ballkanin qendror, e aneksuan, nuk mund t’i epet një përgjigje e sigurt.

Megjithatë disa të dhëna bëjnë të besueshëm supozimin e dytë. Sipas Herodotit, siç dihet, rreth vendit ku bashkohen dy Moravat më parë kanë banuar Triballët. Ka shumë mundësi që popullsia thrake që gjejmë në këto vise edhe në kohën romake, të përfaqësojë mbeturinat e këtij populli dikur të madh dhe të fuqishëm.

Tek Dio Kasi (LI, 23, 3-4) kemi ndoshta një jehonë të gjendjes që u krijua pas zgjerimit të territorit dardan. Duke folur për ekspeditën e Mark Krasit kundër Bastarnëve dhe Dakëve, Dion Kasi thotë se Bastarnët, mbasi u hodhën përtej Danubit, invaduan Moezinë që gjendet për kundrejt territorit të tyre, dhe pastaj nënshtruan edhe Triballët fqinjë “dhe Dardanët që jetojnë në territorin e këtyre”.

Sipas çdo gjase duket se lugina e Moravës jugore është një zonë që Dardanët u muarrën Triballëve. Popullsia thrake nuk u shfaros, por, përkundrazi, vazhdoi të jetë në numër më të madh se pushtuesi.

III. Që Dardanët nuk kanë qenë thrakë, del kjartë edhe nga fakti që emrat thrakë nuk shfaqen në dy zonat perëndimore të Dardanisë, Prishtinë-Mitrovicë dhe Prizren-Pejë.

Ideja e gabuar mbi prevalencën e elementit thrak në Dardani dhe identifikimi i këtij me Dardanët, është pasojë e faktit se në studimin e problemit etnik nuk merret në shqyrtim materiali i gjithë territorit të Dardanisë si tërësi, por vetëm materiali i viseve të saj lindore.

Panorama që na paraqet materiali i mbledhur sistematikisht dhe i renditur sipas zonave, është krejt e ndryshme. Fakti që edhe në pjesët lindore të Dardanisë, ku mbisundon elementi thrak, ka tek aborigjenët emra ilirë, ka një rëndësi të madhe.

Dardanët janë të lidhur nga origjina e tyre patjetër me grupin etnik ilir, dhe jo me atë thrak. Mirëpo, a mund t’i fusim ata thjeshtësisht ndër Ilirët?

Kësaj pyetjeje nuk është kollaj t’i jepet një përgjigje, për vet faktin se gjendemi akoma në fazën e përcaktimit se ç’do të thotë “ilir”.

Një hap shumë i rëndësishëm në studimin e gjuhës ilirishte është bërë në kohët e fundit me braktisjen e besimit se në territorin e gjerë që u atribuohet Ilirëve ka ekzistuar një gjuhë e vetme, e përcaktuar kjartë dhe gjithkund e njëjtë, duke hyrë në rrugën e ndarjes së zonave të ndryshme me veçori gjuhësore specifike, ku si bazë ka shërbyer pikërisht onomastika.

Rezultoi se në territorin e Provincës të Dalmatisë mund të ndahen tashti për tashti kjartë tri zona onomastike: e Liburnisë, e Dalmatisë Qendrore dhe e Ilirisë jugore.

Secila prej këtyre zonave paraqet një numër të madh emrash që shfaqen vetëm në territorin e saj dhe që përbëjnë si me thënë karakteristikën e saj.

Katičići, të cilit i takon merita që i pari vuri në pah rëndësinë e këtyre zonave gjuhësore dhe që, me anë të studimit sistematik të materialit onomastik, arriti të ndajë zonën iliro-jugore dhe dalmatino-qendrore, mendon se edhe Dardania, të paktën me një pjesë të saj, tregon për zonën onomastike iliro-jugore.
Ky mendim është shprehur me plot rezerva sepse edhe materiali mbi të cilin është bazuar, siç e thotë edhe vetë Katičići, është shumë i varfër. Pesë emra Katičići i konsideron si iliro-jugorë dhe i gjenë ata edhe në Dardani: Epicadus, Monunios, Gentio, Grabos dhe Longarus. Prej tyre vetëm dy të parët duhet të mbahen si sigurisht të përbashkët për zonën iliro-guore dhe Dardaninë.

Dëshmia mbi emrin Gentio është shumë e vonë dhe prandaj jo e sigurtë, Grabos nuk ka qënë Dardan dhe Longarus nuk është dokumentuar në zonën iliro-jugore. Nga ana tjetër, ndërkaq, ekzistojnë përputhje midis zonës dalmato-qendrore dhe Dardanisë: emri Dasius, për të cilin Katičići thotë se është i përhapur më shumë në zonën iliro-jugore, paraqitet, siç e pamë, edhe si emri më i shpeshtë në Dardani, dhe i shpërndarë në gjithë territorin e saj

Për emrin Andia, që është gjithashtu i përhapur në Dardani, Katičići mendon se është dalmato-qendror dhe se në Dardani ka hyrë nga jashtë.

Por ai i përmbahet mendimit tradicional sipas të cilit Metohia i përkiste Dalmacisë dhe jo Dardanisë dhe prandaj dëshmitë nga Prizreni dhe Peja i ndan prej dëshmive nga Kumanova dhe nga Naisusi, të cilat së bashku me dëshmitë mbi emrat Andio dhe Andinus nga Remeziana dhe Kaçaniku, përbëjnë patjetër një tërësi

Si përfundim, analogjitë si me njërën ashtu edhe me tjetrën prej zonave të përmendura janë aq të dobëta sa që është më e drejtë që Dardania mos të lidhet me asnjërën prej tyre.

I kundruar në tërësi, materiali që përmblodhëm më sipër tregon se Dardania duhet të konsiderohet si një zonë onomastike e veçantë.

Fakti që emrat ilirë janë emrat e vetëm që gjenden në gjithë territorin e Dardanisë dhe që është i konsiderueshëm numri i emrave që janë padyshim me origjinë ilire dhe janë kufizuar vetëm në Dardaninë, tregon se onomastika ilire në Dardani ka qenë indigjene dhe jo e marrë nga jashtë. Prej këtij konstatimi deri në konkluzionin se onomastika dardane në themel ka qenë ilire mungon vetëm një hap.

Fanula Papazoglu (1917-2001)

Pengesa e vetme që ky hap të bëhet është ekzistenca e disa emrave karakteri i të cilëve nuk mund të përcaktohet. Ata na bëjnë të sjellim ndër mend se para ardhjes së Ilirëve në Dardani ka pasur aborigjenë, kështu që ka mundësi që përzierja me këta aborigjenë të ketë lënë një mbresë të rëndësishme në formimin e popullit dardan.

Një gjë e vetme është e sigurtë: Këta aborigjenë nuk kanë qenë thrakë, sepse pamë se Thrakët ndahen si grup etnik më vete në sferën e Dardanisë.

Materiali onomastik tregon gjithashtu se nuk është e drejtë të flitet për një shtresë sunduese të Ilirëve (është menduar zakonisht për emrat ilirë të sunduesve Dardanë) dhe për masat e popullsisë tjetër të vënë ndënë zgjedhë: në kohën romake, dhe nuk mund të ketë qenë ndryshe edhe më parë, emrat ilirë mbisundonin edhe në shtresat popullore.

Në simbiozën e aborigjenëve dhe Ilirëve, Ilirët evidentërisht mbisunduan. Për këtë arsye shkrimtarët e vjetër kishin të drejtë kur i konsideronin Dardanët Ilirë.

* * *

Analizë njështresore me struktura arsyetimi të kthjellët.

1. Papazoglu e njeh me detaje substancën e studimit, në këtë rast konkret onomastikën e quajtur dardane. Kjo onomastikë nuk është unike në tërësinë e saj, por fragmentare dhe e ndërthurur. Por një ndërthurje e tillë është logjike për epokën antike.

Në Dardani si koncept hapësinor, gjeografik, sot zonë e dallueshme dhe e veçantë onomastike raporti midis Ilirëve dhe Thrakasve ka qenë dukuri historike e lashtë e vijueshme.
Shih rastin e Tribalëve si përfaqësim të simbiozës ndëretnike për shkak të ngjarjeve të drejtpërdrejta politike dhe luftarake.

Në këtë përzierje onomastike por edhe etnike repertori i emrave ilirë është vendas, indigjen, nuk janë aspak emra të importuar, por emra të origjinës dhe të etnicitetit të mirëfilltë gjuhësor dhe etnik të dardanëve ilirë.
Ky konkluzion është i një rëndësie kryesore dhe të patjetërsueshme.

EMRI I GJIROKASTRES

Për emrin e qytetit janë shtjelluar teza nga më të ndryshmet. Është shtjelluar teza se emri Gjirokastra vjen nga emri Pirrokastra, që lidhet me emrin e Pirros së Epirit.

Një tezë tjetër e lidh emrin e Gjirokastrës me emrin e princeshës Argjiro sipas një balade. Këto nuk janë shkencore.

Gjirokastra në shekullin XIV ka qenë një kryeqendër e princit të famshëm Gjin Bua Shpata.

Muzeumologu patriark i Gjirokastrës, miku im i ndjerë Lefter Dilo, flet për ekzistencën e një kronike në pergamenë, që i takonte si kohë shek. VI pas Krishtit. Ku ndodhet kjo kronikë? Të shumtë janë udhëtarët që kanë folur për Gjirokastrën.

Disa studiues e identifikojnë me qytetin Andrianopol, nga rrjedh dhe emri i Dropullit të sotëm. Kryekalaja e Gjirokastrës është një kryevepër ndërtimore e Ali Pashë Tepelenës.

Gjatë vitit 1996 kur unë studioja në Dumbarton Oaks në Washington D.C. shfletova librin e botuar nga dijetari i madh Zef Valentini me titull: “Contributi alle Cronollogia Albanese” Romë 1957. Në këtë libër faqen 109 mbështetur në burimet bizantine thuhet se kështjella e Gjirokastrës është ndërtuar më 565-579 nga një funksionar bizantin gjysëm i pavarur, i quajtur Livaton Argjiri (Argyro Livatone), i cili ka jetuar në kohën e Justinianit të Madh dhe ka ndërtuar edhe bazilikën e quajtur Pantakrator dhe Nëna e Zotit.

Në disa dokumente të vitit 578-582 Livaton Argjiri, quhet Zot i Gjirokastrës, Guvernator i Dropullit dhe Kaonisë. Këto dokumente, që unë do t’i shtjelloj më gjerësisht herë tjetër bëjnë të qartë se emri i Gjirokastrës lidhet konkretisht me emrin e një figure historike në shekullin VI pas Krishtit. Kjo tezë thuhet për herë të parë në shkencën historike shqiptare. Unë mendoj që Zef Valentini na ka ndriçuar përfundimisht të vërtetën e emrit të Gjirokastrës.