Në foto: autori i shkrimit në mes, me shokët e tij, më 1967.
( Revista Nëntori nr. 11 Nëntor 1970 )
ESE
nga
FASLLI HALITI
Ishim një grup shokësh.
Tha njëri:
– Ore, cili qytet ju pëlqen më shumë?
– Tirana.
– Korça.
– Durrësi.
– Shkodra.
– Vlora.
– Elbasani.
– Lushnja, – thashë unë.
– Lushnja?
– Po!
– Lushnja është fshat, fjalën e kemi për qytete…
Ishte viti 1947.
Unë u preka ahere, po Lushnja vërtet ishte fshat.
Qysh ahere u bëra tifoz. Tifoz i ndërtimeve në qytetin tim.
Hapej një themel, atje më kishe mua. Pyesja, më përgjigjeshin:
– Janë themelet e një banese.
– Janë themelet e një shkolle.
– Janë themelet e një mapoje..
– Janë themelet e një depoje grumbullimi (Depot ahere më dukeshin pallatet më të bukura të botës!
Kurse tani dua që të prishen sa më parë, se janë mu në qytet. Të prishen e të ndërtohen diku jashtë qytetit).
Ishte koha e themeleve.
Kudo:
Themele.
Themele.
Themele në ndërtim, në arsim, kulturë, industri, bujqësi, shkencë.
Domethënë, Shqipëria kudo fillonte nga a-ja. Pra dhe Lushnja fillonte nga a-ja.
U ndërtua pallati i parë. Qyteti u gëzua shumë për pallatin e parë si gëzohet një familje kur i del fëmijës dhëmbi i parë. Qyteti u gëzua, po unë sikur u gëzova më shumë.
Pas daljes së dhëmbit të parë, të dytë, të tretë, të katërt, familja dhe nëna nuk e vënë më re daljen e dhëmbëve të tjerë në gojën e fëmijës.
Pas pallatit të parë, të dytë, të tretë, të katërt, të dhjetë, të njëzetë edhe ne s’e vumë më re mbirjen e pallateve. Ndërtimi i pallateve u bë i zakonshëm.
Po Pushteti Popullor s’pushon kurrë se vëni re, që nga dhëmbi i parë gjer te dhëmballa e syrit. Për partinë asgjë s’bëhet e zakonshme.
Ti vetë e ke dëgjuar partinë të thotë:
– Nuk jemi mirë me banesat!
– Ka shumë kërkesa!
– Sigurisht. Zhvillohet industria, shtohen kërkesat për banim.
– Pastaj fejohen dhe duan shtëpi.
– Shtohen dhe duan zgjerim.
– Kemi shumë për të bërë, shokë!
– Po, kemi shumë për të bërë.
Ti dhe unë habitemi.
Një ditë, motra ime, e cila ishte martuar në një qytet tjetër, zbriti nga autobuzi me të shoqin, në sheshin e qytetit.
I tha motra të shoqit:
– Shoferi na zbriti gabim.
– Pse?
– Kjo s’është Lushnja, – tha ajo.
– Lushnja, moj është.
– Jo nuk jemi në Lushnjë këtu.
I shoqi qeshi. Shoferi qeshi.
Motra ime u hutua, u habit. Edhe ty edhe mua na habisin ndyshimet e qytetit. Ne ngopemi shpejt, kënaqemi shpejt.
Po Pushteti ynë as habitet, as ngopet e as kënaqet shpejt. Pshteti nuk shikon smaltin. Ai shikon palcën, nervin.
“Si të ndërtojmë më shumë, më shpejt?.
Kjo inisiativë u përhap në gjithë Atdheun siç përhapet blerimi kur vjen pranvera.
Nëpër lëndinat e qyteteve tona buluan themelet e para. Nga bulat e themeleve shpërthyen petalet e kuqe të mureve, nën ngrohtësinë e vrullit revolucionar të njerëzve tanë.
Edhe në qytetin tim filloi blerimi, lulëzimi i banesave të ndërtuara me kontribut vullnetar.
Në lëndinën e qytetit tim deri tashti kanë çelur si petalet e pjeshkës muret e 330 apartamenteve, për ngritjene të cilave 250 forca derdhin djersën e tyre përditë.
– Ke qejf t’i shikosh? Eja!
– Ku ndërtohen?
– Në lagjen “Çlirimi”.
– Vetëm në “Çlirimi”?
– Edhe në “Skënder Libohova”.
Tulla, gurë, llaç, karro dore, punëtorë, mësuesë e nëpunës.
– Kush ndërton këtu?
– Ferma.
– Po atje?
– “Bashkimi”.
– Po më tej?
– SMT, Dega, Instituti bujqësor, Bonifikimi, ujrat, NILP…
– “Bashkimi” paska ecur mirë!
– Ka ecur vërtet. Në fund të tetorit ata e dorëzojnë pallatin.
Në katin e tretë të pallatit të Bashkimit valvitet flamuri i kuq tranzitor.
– Kasëm, tulla!
– Gimçe, llaç!
– Poshtë të pirët e duhanit, shoku Bimi!
– Poshtë llafet, shoku Peçi!
Tullat kërcasin. Duket sikur kërcasin lugët mbi tavolinën e shtruar në dhomat e këtij pallati.
Edhe drejtoria e ujrave ka ecur mirë.
– Po ti, Natasha?
– Ja, po punoj.
– Sot e paske radhën ti?
– Po. Çdo të mërkurë kam radhën e punës vullnetare.
– E mërkura është ditë e bukur.
Ajo qesh. Natasha është një vajzë e qeshur, e hajthme dhe me shije. Atje ku punon Natasha edhe puna bëhet me shije.
– Natasha! SMT-ja qënka para?!
– Po. Së shpejti mbarojmë. Kemi marrë angazhim.
– Po flamurin e ka “Bashkimi”!
– Do ta marrim ne.
– Ashtu?
– Ja, ta shikosh. Eja pas një jave. Eja, ë!
Natasha flet e vendosur dhe shtyn karron me llaç.
– Një pyetje, Natasha: “Pse është “Bashkimi” më përpara se ndërmarrjet e tjera?”.
– Se ka pasur furnizim më të mirë.
– S’e besoj. Të gjithë njëlloj furnizohen.
– Po, pse ahere?
– Se “Bashkimi” ka shumë të fejuar.
– Pastaj?
– Të fejuarit sikur punojnë më shumë, sikur me dashurinë e tyre e ngrejnë murin më tepër se të tjerët.
– Po edhe ne në SMT kemi të fejuar.
– Keni, po jo sa “Bashkimi”. Ju jeni më mbrapa. Prandaj edhe në ndërtim jeni më mbrapa.
Natasha skuqet. Qesh. Thotë:
– Do ta kemi parasysh…
Natasha shtyn karron me llaç. Rrota e karros kërkëllin. Më tej dy, tre, katër, dhjetë, tridhjetë e ca karro të tjera çonin llaç dhe rrotat e tyre kërkëllinin. Befasm mua m’u bë sikur ato kërkëllima ishin zërat e fëmijëve të ardhëshëm që do të lindnin në këto pallate. Fëmijët e ardhëshëm të kësaj lagjeje të ardhme.
Në pallatin e fermës dy të rinj i çonin me vrap karrot e ngarkuara, ktheheshin, i mbushnin me llaç. Ish një vajzë edhe një djalë. Të dy punëtorë në fermë. Pyes Natashën:
– Motër e vëlla janë këtë, Natasha?
– Jo. Janë të fejuar.
– I njeh?
– Këtu në punë vullnetare i njoha.
– Kisha qejf të bisedoja me ta.
– I thërras unë.
Jo. Vemi ne më mirë atje.
– Vemi.
Natasha iu foli:
– Mjaft, moj Luljeta, se u këpute!
– Kjo më shumë punon këtu se në brigadë tha i fejuari.
– Kërkon të shkurtojë ditën e martesës, – tha Natasha.
– Ç’thua moj Natasha! – tha Luljeta. – Po jo, moj dreq, se nuk e kam për atë, po në punë vullnetare duhet punuar më shumë e më me ndërgjegje se në punën e normuar.
– Natasha më njohu me ta.
– Ne po ndërtojmë folenë tonë, – tha i fejuari i Luljetës.
– Pse vetëm ne ndërtojmë folenë tonë? Të gjithë folenë e tyre ndërtojnë, – foli Luljeta.
Tha Natasha:
– Mjafton t’ju mbyllet goja juve të fejuarve.
– Pse?
– Po ja, sa takohesh me ju dhe ju pyet se kur do të martoheni, ju menjëherë: “kur të gjejmë shtëpi. S’ka shtëpi. Keq për shtëpi”.
– Ashtu, vërtet. Po tashti shumë vetë do ta zgjidhin këtë problem. Këtu po ndërtohet një lagje e re.
– Thonë se atë ditë që do të inagurohen këto ndërtesa, do të celebrohen martesa.
– Ndoshta moj Tasha, – tha Luljeta.
– Po thonë se atë ditë që do të inagurohen këto ndërtesa, do të bëhen edhe shumë fejesa të reja, – shtoi i fejuari i Luljetës.
– Ndoshta – tha Tasha dhe u skuq.
– Luljeta, si ju duken apartamentet?
– Shumë të mira, Tasha. Janë apartamente moderne. Dhoma është e bollshme. Kuzhina, me aneks. Ka depo, koridor të gjerë, banjo.
– Domethënë janë më të mira se ato banesat e para që u ndërtuan me punë vullnetare afër stadiumit dy vjet më parë.
– Jo më të mira, po shumë më të mira. Bile as që mund të krahasohen fare me to.
– Pse, moj Luli?
– Ato të parat u punuan shkel-e-shko. Ato janë përdhese. Këto janë 2-3 katësh.
– Ja. Eja. Futu. E shikon? Kjo është kuzhina. E sheh çfarë guzhinë? Ja, kjo e ndara këtu është aneksi i kuzhinës. Këtu vihet soba. Një perde këtu dhe soba nuk duket fare. Lavamanin e ke po aty. Në pjesën tjetër vë tavolinën, vë një minder. Në këtë qoshen këtu, bufeja. Bile, po të duash, këtu mund të vesh dhe një divan dhe një komodinë. Mbi komodinë, radio.
– Po televizorin?
– Ti Tasha tallesh tashti! Po duhet menduar vërtet edhe për televizorin. Ja, erdhi 71-shi.
– Po etazherin e librave, Luli, ku do ta vendosësh?
– Në dhomën e gjumit. E shikon? Kjo është dhoma e gjumit. Poshtë do të shtrohet me parket. Ka dritë, ë? Këtu do të vemë krevatin, këtu dollapin…
– Po krevatin e bebit ?
– Pusho, moj Tasha, çfarë dreqi që je ti! Ka kohë për krevatin e bebit.
Dalim nga apartamenti. Ndahemi me dy të fejuarit. Natasha vazhdon punën. Zhani i mbush karron, Natasha e shtyn. Karro të tjera. Makina që shkarkohen. Vazhdimisht vinë tulla nga kooperativat, vinë gurë nga gurorja. Gatuhet llaç, beton. Muret, rriten. Suvatojnë. Zëra:
– Llaç, Sadik!
– Tulla, Shokë, tulla!
– Silli këtu ato dërrasa!
– Shofer! Shkarko këtu atë çimento!
– Gëlqerë, Taqi!
– Hë, Bimi, jepi, leri fjalët.
Bimi nxehet.
– Pse vetëm unë po bëj fjalë?
Askush s’i përgjigjet. Askush nuk ka kohë t’i përgjigjet. Punojnë. I kanë dhënë fjalën partisë.
Zërat përzihen me zhurmën e makinave, karrove, tullave, transportjerëve. Është një zhurmë karakteristike kantieri. Kjo zhurmë pune do të lindë zërat e fëmijëve, këngët e fëmijëve.
Ja këtu do të luajë ajo vajza e ardhme e Luljetës; këtu do të këndojë një grup i ardhshëm fëmijësh.
Disa lenë punën. Të tjerë vinë me lopatat e tyre në dorë nga zyrat, shkollat, fabrikat, fushat. Kjo çdo ditë. Shkon tjetri me lopatën në krah mespërmes pazarit. Askujt nuk i bën përshtypje, as atij vetë dhe as njerëzve që e shohin. Lopata rri në zyrë. Mbaron tjetri punën e zyrës dhe kap lopatën.
Kjo lagje që ngrihet me punë vullnetare do të jetë e bukur. Çdo gjë vullnetare është e bukur.
Unë i shoh këta pallate sot, disa një metër, ca katër, ca një kat, dy, tre, ca me taraca, ca të tjerë gati për taracë. Sot ata janë si ata fëmijët, dy muajsh, gjashtë muajsh, një vjeç, dy. Si ata fëmijët që janë ngritur e s’janë ngritur në këmbë, por që një ditë do të ngrihen të gjithë.
Këto pallate patën një ditëlindje, prandaj pavarësisht nga gjendja e tyre e tanishme ata do të hedhin shtate të gjithë njëlloj gjer në muajin nëntor dhe do të ngrihen në këmbë.
Dikush do të ngrihet më parë. Kjo s’ka rëndësi.
Dikush do të ngrihet më vonë. Prap kjo s’ka rëndësi.
Rëndësi ka se në Nëntori, pikërisht atëherë kur pallatet dhe lagja e re do të ngrihen njëherësh si të mbinin nga dheu…
Lushnjë, 1970