Një vështrim vertikal në poezinë e Besim Xhelilit

0
699
Besim Xhelili

Uni, Dashuria dhe Rebelimi si estetikë e thellësive…

Nga Dukagjin HATA

Mëtimi për t’iu qasur e aq më tëpër për të depërtuar në shtresimet estetike të një poezie elitare, për të selektuar në shumësinë e elementëve poetikë ato më përfaqësuesit, në thelb, i ngjet përpjekjes së ankthshme për të deshifruar një ëndërr. Ky “kufizim” të rrethon me hijen e tij të trishtë kur merr në dorë veprën poetike të Besim Xhelilit, një nga individualitetet më të përveçme të poezisë sonë aktuale, ku në vargjet e tij, plot temporitëm lirik, rroposet e ngrihet madhërishëm nga honet e tingujve të gjuhës poetike, një botë transhendente, plot kumte bukurie virgjine e dritë-hije të magjishme.

Poezi pas poezie e libër pas libri, poeti Besim Xhelili plotëson mozaikun e unit të tij shpërthyes, duke e thelluar sondën dhe duke e kthyer këtë pikë graviteti të këndvështrimit të tij estetik në kryemesazh të aktit poetik. “Lënda e parë” e poezive të tij janë përjetimet vetjake dhe endja e tyre në një rrugëtim të vështirë, ku vërtiten në një karusel të hazdisur trajtash e figurash gjendjet e dyzuara, flirti, erosi, ankthi dhe mungesa.

Poezia e tij thur e shthur pëlhurën magjike të Penelopës, në pritje të mëtonjësit të saj zemërflakëruar; thur e shthur magjinë e vajzës së premtuar, me besimin dhe kurajën e Mosiut drejt Tokës së Premtuar.

Ritmet me të cilat na fton poezia të ecim në rrugëtimin jetësor nuk janë ato të së rëndomtës, të së zakonshmes e të së përditshmes, pasi lënda e parë me të cilën gatuhet “buka poetike” janë flirti, joshja dhe emocioni që përcjellin gjendje të jashtëzakonshme, kërkuese, klithëse e trallisëse të unit.

Poezia e Besim Xhelilt na josh drejt një aventure të pacak, drejt eksplorimit në një botë dritëhijesh, që shpesh shkojnë drejt një errësire të trashë e ankthshme, ku autori lyp të ngrejë që nga honet katakombe, projeksionet e ëndrrës së kulluar.

Poezia e tij e rikrijon çdo çast të ekzistencës së saj unin, e modelon ëndrrën sipas projeksioneve të një pavetëdije të thellë poetike, duke e orientuar poetin drejt hoveve më tallazitëse të shpirtit, drejt brigjeve të vetmisë dhe iluzionit pa cak.

Qasja drejt poezisë është gjithmonë suprizuese dhe mbresëlënëse, pasi në çdo rast ka të bëjë me kujtesën si emocion dhe emocioni gjithëherë e shkund gjendjen e rëndomtë të unit dhe e bën atë të vrulloj tok me vargjet, rimat dhe ritmet. Poeti asnjëherë nuk shkruan për teprinë, por për mungesën, asnjëherë nuk grafullon nga kënaqësia e çastit, por proteston, madje edhe atëhere kur i ka pranë, perëndeshat e bukurisë dhe të dashurisë, Afërditën dhe Venerën. Kjo përsiatje të shoqëron kur lexon poezinë e Besim Xhelilit, një poezi e klithmës dhe protestës së unit, në kërkim të modeleve të përmbushjes dhe plotërimit.

Poeti rend pas së bukurës dhe së vërtetës, ashtu vrulltazi, i ngarkuar me bagazhet e kujtesës së grimcuar, ku vjen e ikën malli, përmallimi, imazhi i vajzës që do, pamundësia e përkimit të kordinatave të ëndrrës, në boshtin e klithmave të unit, që tenton të çlirohet nga klishetë dhe rëndomësirat e përditshmërisë.

Rendja drejt të bukurës, si revoltë dhe protestë ndaj ekzistencës mediokre të qenies humane, kushtëzuar nga modelet dhe arkitipet socialë, është një prirje e shkrimtarëve dhe poetëve të shquar, që kanë bërë epokë në kohën e tyre.

Shkrimtari, poeti dhe kritiku letrar amerikan, pararendës i simbolizmit Edgar Allan Poe(1809-1849) vargjet më brilante, ku gëlon fryma e antikonformizmit dhe lirisë pa cak, ia ka kushtuar revoltës së brendshme kundër mjedisit puritan ku jetonte; Dante Aligeri (1265-1321) përcillte protestë e revoltë edhe në tingëllimat delikate dedikuar Beatriçes së tij të ëmbël. Poeti italian Petrarka (Francesco Petrarca 1304-1374), edhe pse në vargjet e tij i këndonte pafajësisht Laurës, hyri në konflikt me aristokracinë dhe klerin e kohës, për shkak të frymës së lirë, protestuese dhe antikonformiste, që gëlon arti i tij poetik…

Poeti shqiptar nga Tetova Besim Xhelili, poezitë e tij me shënjime më të përshkënditura estetike dhe mesazhuese ia drejton soditjes së thellë dhe analizës psikoanalitike të vetvetes, raporteve të saj me kohën dhe bashkëkohësin, dashurisë së mbetur në udhë apo udhëkryq, ende larg detsinacionit, pra, thënë ndryshe, dhe më shkoqur, dashurisë së papërmbushur.

Duket se fati i tij si poet endet në hapësira të njësojshme kujtese dhe përjetimi, ashtu siç enden ata poetë që refuzojnë rëndomësinë dhe banalitetin e ngushtësisë meskine; ashtu sikurse, bie fjala, Xhorxh Gordon Bajron, që e ngriti në kult vendlindjen dhe dashurinë, duke refuzuar fasadën groteske të limontisë aristokratike të kastës që i përkiste, në rrethana krejt të tjera, Xhelili do t’iu drejtohej poetëve, njësoj si bardi romantik në kohën e tij: ”Poetë, qëndroni përmbi rrëmujën e jetës ekskluzive mondane!”… Të qenit në një konflikt të brendshëm konstant me kohën dhe përditshmërinë, është një cilësi e gjithëhershme që shfaqet në të gjitha poezitë e Besim Xhelilit.

Ndjenjë vetmie. Pështyma na thahet në fyt!
Këto trupa të njomë kalbja i mbyt.
Dita e qeshur, mbrëmjet plot acar
Ti e fundosur. Unë frymë dot s’marr.

Ky ankth gri, që depërton gjer në palcë të gjendjes poetike, të shoqëron gjatë gjithë leximit të poezive të Xhelilt, si një kurë intensive për të përballur frikërat e shndërruara në fobi dhe që të mbajnë pezull, si midis Shillës e Karibdës, në një karusel të vrullshëm emocioni.
Poeti niset në shtigjet e kujtesës dhe ëndërrimit, i pajisur me të vetmen parzmore: atë të dashurisë dhe gjendet i vetërrethuar, i keqkuptuar, në dilemë, në udhëkryq, në zgrip ekzitencial, për shkak se jehonat e ekzotikës së tij janë jehona të shurdhërta, që nuk gjejnë brigje shpirti ku të “ankorohen”.

Poezia e Besimit është një endje e vrullshme vargjesh dhe trajtash, në kërkim të modelit përmbushës të bukurisë dhe harmonisë, të cilat, sapo përmbushen, shkuptimësohen dhe e humbasin destinacionin fillestar, duke kërkuar një fiksion tjetër. Thënë ndryshe, poeti kërkon të pamundurën dhe joshja drejt saj, lypja e saj, rendja drejt saj, e cila është një destinacion që i afrohet pambarimisht infinitit, udhëheq dhe mban në kreshendo frymëzimin e tij poetik.

Aventura flirtuese e poetit nuk është thjeshtë rendja e përmalluar drejt një objekti kënaqësie të çastit, por një konvergim i ndjesive drejt një bote të përflakur nga emocioni, drejt një bote të bukur, drejt një vizioni të bukur. Në thelb, është vetë uni i poetit, në rrekjen e tij, për të na përcjellë mesazhet e të pavetëdijshmes dhe që i burojnë nga thellësitë e shpirtit. Pra, kundrimi i shpirtit njerëzor, me thyerjet dhe diagramet e tij, e shtyn Xhelilin në një kërkim thellësishë, duke na sjellë freskinë e imazheve, të cilat, siç duket, i ka ruajtur gjatë në blicin e kujtesës dhe tani na i përcjell si një lëndë të pastër poetike. Duke u çliruar prej tyre, poeti ngarkon lexuesin me bagazhet e dhimbjes dhe shpresës së tij, duke e bërë atë të endet si Diogjeni në galerat e ankthit dhe të vetmisë klithëse, por ku herë herë duket një fjollë drite që e përflak dhe e bën ëndërrues e dashurues gjithë hapësirën e këtij peizazhi mahnitës poetik.

Vajza e heroit lirik, protagonistit, identifikohet në poezinë e Xhelilit me vetë frymën dhe magjinë e jetës, me baticat dhe zbaticat nga valët e trazuara në brigjet vetmitarë të ëndrrës; me limfën dhe gjakun në deje, me çdo pore lëkure e ndjesi shpirti, duke e shtyrë atë në aventurën e fjalës dhe premtimit, ku fryjnë erëra të forta dhe ngrihen shkulm tallazet e dhimbjeve dhe kënaqësive në vlim.

Aventura poetike e poetit ndodh në trekëndëshin: Uni, Dashuria dhe Rebelimi estetik, ku Uni kërkon dashurinë e refuzuar, herë herë të vetërefuzuar, Dashuria ftohet të vijë duke kapërcyer të gjitha barrierat e vetvetes dhe të gjërave që ndodhin jashtë saj, duke kulmuar në protestën e poetit, me vetveten, me të dashurën, me me gjithçka tjetër, që nuk vjen në harmoni me ritmet e brendshme të unit vetmitar.

Kulmi i kësaj aventure zbuluese dhe flakëruese, si për nga shkalla e pasionit estetik, si për nga fuqia e imazhit, figurës dhe prozodisë poetike, arrin në tre librat e fundit të Besim Xhelilit, në vëllimer poetike “Besa”, “Dallgë në zemër” dhe në më të fundit, ku akti estetik shkon drejt dimensioneve të thella transhendente, “Sy të pafajshëm”.

Poezia e Xhelilit është një lirikë e thyer “imazhiniste”, një lirikë e bukurisë së virgjër, e kërkimit të ethshëm të bukurisë dhe harmonisë universale, e përkimeve magjike të kulturës shpirtërore dhe psikologjike të protagonistit me rrethanat jetësore dhe fiksionet estetike, një blatim që një shpirt i ndjeshëm, kumbues si një harpë hyjnore, i bën Unit dhe gjithçkaje që e rrethon atë në përditshmëri, lirikë e një antikonformizmi klithës dhe muzikaliteti tronditës.